Në 33-vjetorin e numrit të parë të gazetës “Rilindja Demokratike” mbështetës të ish-Kryeministrit Sali Berisha, i cili ndodhet në “arrest shtëpie” me vendim të GJKKO-së janë mbledhur poshtë banesës së tij, ndërsa kreu demokrat duke iu drejtuar me megafon tha se kjo protestë u kushtohet gazetarëve në radhë të parë, pasi liria e fjalës realisht po vdes.
“Kjo protestë në vetvete përfaqëson një protestë ndoshta nuk mund të vlerësohet apo cilësohet me asnjë, me asgjë tjetër veçse një protestë e shenjtë.
E shenjtë sepse e shenjtë është fjala e lirë.
Dhe sot ne jemi këtu në protestë për fjalën e lirë.
Një nga martirët e gjallë të fjalës së lirë, Salman Ruzhdi, thotë se fjala e lirë është gjithçka, është vetë jeta.
Vetëkuptohet, jeta si gjallim, si gjallesë ekziston edhe pa fjalën e lirë, por qeniet njerëzore, që nuk kanë fjalën e lirë, nuk janë asgjë tjetër veçse automatë mjeranë të mbretërisë së frikës.
Pa fjalën e lirë, nuk ka mendim. Pa fjalën e lirë nuk ka dinjitet.
Pa dinjitet, njeriu nuk ka vlerë. Liria është bosh, është shkretëtirë e vërtetë.
Si ta kuptojmë ne sonte këtë protestë? Ta kuptojmë këtë protestë si një nderim, si një mbështetje për gazetarët shqiptarë, para së gjithash dhe mbi të gjitha.
Ata janë e vërteta, parlamentarët e fjalës së lirë pa imunitet.
Dhe beteja e tiranit kundër fjalës së lirë, filloi kundra tyre.
Po pse? Me të njëjtin motiv si diktatorët e të gjithë kohërave”, tha Berisha.
Në vijim ai theksoi se në diktaturën komuniste në Shqipëri, Hitleri shqiptar i pasluftës, me dhjetëra e dhjetëra, me qindra e me mijëra shqiptarë hapën dyert e burgjeve dhe varret e tyre për fjalën e lirë.
“Kombi humbi poetë të jashtëzakonshëm, të cilët nuk pranuan në asnjë rrethanë të bëhen këngëtarë të regjimit, por mbetën të pavdekshëm në vargjet e tyre, këngëtarë të së vërtetës, Vilson Blloshmi, Genc Leka, Trifon Xhagjika dhe shumë e shumë të tjerë.
Por nuk qenë vetëm poetët dhe artistët, por edhe qytetarët, edhe të rinjtë, edhe për një fjalë, Enver Hoxha ekzekutoi Shkëlzen Doçin, mikun e djalit të tij, vetëm e vetëm pse ai kishte urrejtje për diktatorin.
Kristaq Rama dhe Ramiz Alia do varnin në litar Havzi Nelën vetëm pse i këndoi lirisë, i këndoi Kosovës, i këndoi të drejtave të njeriut.
Sot skuadrat e pushkatimit nuk janë më, por janë skuadrat e mafias.
Sot, liria e shtypit, liria e fjalës realisht po vdes.
Le të kujtojmë pak ngjarjet e fundit.
Edi Rama mësoi se një gazetar i ndershëm, që nuk shitej dhe blihej, Elton Qyno, kishte zbuluar se emri i tij figuronte në dosjet e krimit dhe në regjistrimet e krimit.
Çfarë ndodhi? U rikthye mesjeta. U rikthyen kohërat më të zeza të Sigurimit të Shtetit.
E rrëmbeu me Dumanin dhe banditët e tij. Rrëmbeu gazetarin. E trajtoi në mënyrën më çnjerëzore vetëm e vetëm t’i shuante emrin që e kishte të regjistruar.
Po kështu, zonja Xama, pse guxoi bazuar në dokumente zyrtare, t’i bëjë radiografinë Erion Veliajt, u kërcënua me jetë nga banditi.
Sa gazetarë të tjerë.
Prandaj miq, kjo protestë u kushtohet atyre në radhë të parë.
Por më tragjike është se në të gjitha këto raste, a u mbështetën këta kalorës të fjalës së lirë, nga mediat e tjera?
Rallë, shumë rrallë. Pak, shumë pak. Turp, shumë turp!”, tha Berisha.
Duke iu drejtuar mbështetësve, Berisha tha se ky dhunim, ky kërcënim, ky sulm ndaj gazetarëve, parlamentarëve të fjalës së lirë, është sulm ndaj secilit prej jush.
Dhe në këtë kuadër, ish-Kryeministri tha se Edi Rama nuk kërkon asgjë nga ju përveç indiferencës suaj, që të vaprojë veprën e tij të zezë.
“Mos të kemi iluzion se fjala e lirë është antidoti absolut i diktaturave. Se fjala e saj, është vdekja e lirisë, është vdekja e demokracisë.
Pa fjalën e lirë mund të jesh i pasur, mund të jesh profesionist i zoti, por njeri me dinjitet nuk je kurrë.
U drejtohem sot qytetarëve shqiptarë, kjo ishte për mediat, por kjo është më tronditësja.
Por historia e Shqipërisë ka provuar, historia e botës ka provuar se në aktin e parë madhor për të vendosur sistemin e frikës dhe diktaturës, regjimet bëjnë gjithçka për të heshtur opozitën.
Me heshtjen e opozitës, mes përpjekjeve për të heshtur opozitën, ata arrijnë të ngulisin frikën gjer në palcë.
Çdo qytetar të shndërrojë njeriun krenar, qenie e barabartë para Zotit, në një larvë që zvarritet në mbretërinë e frikës.
Do mbetet në memorien time e pashlyer nata kur sikur të ishte zonja Makbeth, Linda Rama fton gazetarët në Pallatin Presidencial dhe u thotë, gati sa nuk u tha shtriga, po ju me ato fjalimet tuaja, që m’i bëni helme dhe gjilpëra burrit tim dhe ne.
Imagjinoni ju se çfarë ndajnë ata për fjalën e lirë, për dinjitetin e qytetarëve.
Ndaj dhe sot kjo protestë duhet të jetë një thirrje në ndërgjegjen e çdo shqiptari: mos u mërzitni, mos u lodhni, mos u trembni.
Ua them unë ju, se sot paratë e drogës, falangat e krimit që kanë pushtuar çdo institucion, vërtet mbjellin frikë dhe terror. Por ata e bëjnë këtë vetëm pse nuk ngrihemi ne.
Ju garantoj ju se në momentin që ne ngrihemi, nuk ka tunel, nuk ka vrimë, nuk ka vend më për Edi Ramën, në Surrel, Tiranë apo Shqipëri”, tha Berisha.
Discussion about this post