Në konferencën e mbajtur sot me gazetarët, Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha i është drejtuar me tone të ashpra kryeminsitrit Rama për trajtimin ndaj pensionistëve shqiptarë, duke e akuzuar këtë të fundit për cinizëm dhe hipokrizi. Berisha ka theksuar se, Rama pretendon se kujdeset për pensionet, por në realitet nuk ka ndërmarrë veprime të rëndësishme për t’i rritur ato.
Kryetari i PD ka përmendur gjatë fjalimit të tij edhe Blendi Gonxhen, i cili, sipas tij, simbolizon shpërdorimin e fondeve publike, duke ngrënë ushqime të shtrenjta në kohën kur pensionistët përballen me vështirësi ekonomike dhe mbeten në kufijtë e varfërisë.
Berisha premtoi se, nëse vjen në pushtet, do të sigurojë që çdo pension bazë në Shqipëri të jetë të paktën 200 euro, duke ndjekur modelin e qeverisë së Kosovës. Ai theksoi se rritja e indeksimit aktual nga qeveria nuk ka përmbushur as nevojat bazë, pasi rritja e çmimeve të ushqimeve ka tejkaluar këtë përqindje. Lideri demokrat, Sali Berisha argumentoi se, me një buxhet më të madh se ai i Kosovës, Shqipëria ka burimet për të vendosur një pension minimal prej 200 eurosh për çdo të moshuar, pavarësisht nëse kanë paguar sigurime. Për pensionistët e tjerë, do të ketë një rritje shtesë prej 20%, bazuar në kontributet e tyre, shtoi.
Kryedemokrati akuzoi kryeministrin Rama për abuzim me fondet e buxhetit dhe për një qëndrim të padrejtë ndaj bizneseve, që siç llogariti, mbështesin buxhetin prej 8 miliardë eurosh. Ai tha se fondet e buxhetit janë të mjaftueshme për të dyfishuar pagat dhe pensionet dhe për të garantuar një pension bazë prej 200 eurosh për çdo të moshuar. Sipas Berishës, Rama përdor informalitetin si justifikim për mungesën e rritjeve, ndërsa fondet në fakt shfrytëzohen në mënyrë të padrejtë për projekte infrastrukturore të mbivlerësuara. Berisha përmendi gjatë fjalimit të tij edhe rrugën Tiranë-Durrës dhe Tiranë-Ndroq si shembuj të keqmenaxhimit dhe dyfishimit të kostove për përfitime personale.
Kryetari i PD premtoi se një nga prioritetet e Partisë Demokratike do të jetë heqja e TVSH-së për ushqimet dhe sigurimi i një minimumi jetik prej 200 eurosh për çdo shqiptar, si dhe rritja e pensioneve me 20% për ata që kanë kontribuar në skemat e sigurimeve shoqërore. Berisha u shpreh për qeverinë aktuale për taksimin e lartë mbi mallrat e domosdoshme, veçanërisht për materialet higjienike për invalidët, dhe për praktikat e tjera që, sipas tij, rëndojnë mbi qytetarët. Berisha kërko mbështetjen e popullit për të sjellë këto ndryshime në pushtet.
I pyetur nga gazetarët gjatë konferencës, Berisha në përgjigjen e tij ka kritikuar kryeprokurorin Altin Dumani dhe SPAK-un për akuzat ndaj Monika Kryemadhit dhe Ilir Metës, duke deklaruar se këto akuza janë të motivuara politikisht dhe të pabaza. Sipas Berishës, Edi Rama është personi që e ka mbështetur drejtpërdrejt biznesmenin Shatku në çështjen e një projekti të linjës së interkonjeksionit, dhe jo Meta apo Kryemadhi. Berisha vë në dukje se Meta dhe Kryemadhi nuk kishin fuqinë e nevojshme për të miratuar ligje pa mbështetjen e shumicës parlamentare, duke përfshirë Ramën. Ai e akuzon Dumanin për “përdhosje” të drejtësisë dhe krahasime me shkrimtarë si Orwell dhe Kafka për situatën absurde që, sipas tij, po krijohet. Berisha iu drejtua Ramës si përgjegjës kryesor për “sulmet” politike dhe shtoi se veprimet e fundit për arrestimin e tij janë të motivuara nga urrejtja personale e Ramës ndaj Metës dhe opozitës.
Lideri historik i PD deklaroi se në lidhje me planin e tij për 29 tetorin (protesta e lajmëruar nga opozita), gazetarët do të jenë të parët që do të informohen për zhvillimet e reja, pasi ai e konsideron të rëndësishëm bashkëpunimin dhe transparencën me mediat.
Në përmbylle të fjalës së tij, Berisha ka bërë thirrje për mobilizim kundër qeverisë aktuale, duke iu drejtuar pensionistëve, familjeve të tyre dhe shqiptarëve në diasporë. Ai nënvizoi se pensionistët, të cilët kanë kontribuar për vendin, ndodhen në kushte të vështira, ndërsa qeveria i neglizhon. Berisha i ftoi shqiptarët jashtë vendit, veçanërisht në Nju Jork, të shprehin kundërshtinë ndaj kryeministrit në mënyrë simbolike, duke përdorur vezë dhe domate si mjet proteste. Ai i ka motivuar ata që, ashtu si në të kaluarën, të luajnë një rol të rëndësishëm në luftën për demokraci dhe kundër asaj që ai e quan “narkodiktaturë” që kërcënon identitetin dhe qenien shqiptare.
Discussion about this post