Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se emrat e kandidatëve dhe drejtuesve që do të përfaqësojnë këtë forcë politike në zgjedhjet e ardhshme lokale do të bëhen publikë në një kohë sa më të shpejtë. I pyetur nga mediat lidhur me mënyrën se si do të përzgjidhen kandidatët, Berisha u shpreh se për këtë çështje ka mendime të ndryshme brenda partisë dhe se procedura përfundimtare do të përcaktohet nga forumet drejtuese të PD-së.
Berisha u ndal edhe te mundësia e një kandidature të përbashkët opozitare për Bashkinë e Tiranës, duke kërkuar krijimin e një koalicioni të gjerë në të gjithë vendin.
“Nuk ka dyshim se ai me ndërhyrjen e fundit, me transferimin e tij në kundërshtim me të gjitha procedurat, ai është i gatshëm të ndërmarrë çdo akt ndaj tij nga frika se do humbasë Bashkinë e Tiranës. Në qoftë se analizojmë këtë situatë, PD dhe partitë opozitare mendoj se kanë përgjegjësinë në betejën kundër kësaj të keqe të madhe të bashkohen në këto zgjedhje vendore me kandidatë të përbashkët në një koalicion të gjerë në gjithë Shqipërinë, përfshi edhe Tiranën. Ju mund të më pyesni prapë, a bën Edi Rama zgjedhje?
Jo, Edi Rama nuk bën zgjedhje dhe cilido që beson se Edi Rama bën zgjedhje, mashtron veten e tij, por bashkimi i të gjitha forcave opozitare në qëndrimet qoftë zgjedhore, qoftë protestat, qoftë në çdo aspekt, është rruga e vetme për t’u përballur me narkodiktatorët apo diktatorët autoritare. Kështu që ky është qëndrimi ynë.
Ne jemi të hapur. Ne do bëjmë gjithçka për të bashkëpunuar me të gjithë pa përjashtim, me të gjitha forcat politike, me të gjitha shoqatat, me të gjithë faktorët që janë të vendosur, ose e konsiderojnë Edi Ramën të keqen më të madhe të këtij vendi, për largimin e tij, qoftë në fushën elektorale, qoftë në fushën e protestave, qoftë në çdo fushë tjetër,” tha Berisha.










Discussion about this post