Demokratët Europianë kanë shprehur shqetësimin për mënyrën se si po trajtohen protestat studentore në Tiranë, duke theksuar se liria e tubimit është një e drejtë themelore që duhet respektuar.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, organizata ka kundërshtuar përdorimin e incidenteve të veçuara të dhunës si arsye për të penalizuar një lëvizje të tërë protestuese.
Në deklaratë ngrihen shqetësime edhe për gjobat prej 5 mijë lekësh që, sipas Demokratëve Europianë, kanë nisur t’u vendosen qytetarëve pjesëmarrës në protesta. Gjithashtu, organizata pretendon se qeveria ka miratuar shpërblime prej rreth 270 mijë lekësh për secilin prej mijëra punonjësve të policisë të angazhuar gjatë tubimeve.
Demokratët Europianë ritheksojnë se dënojnë çdo formë dhune ndaj personave dhe institucioneve, por kërkojnë që kjo të mos përdoret si justifikim për kufizimin e së drejtës së protestës.
“Në Shqipëri, gjobat e para prej 5,000 lekësh po u mbërrijnë qytetarëve që dolën në rrugë për të kërkuar ndryshim. Ndërkohë, qeveria e Ramës ka miratuar shpërblime në vlerën e rreth 270,000 lekëve për secilin nga mijëra punonjës policie të angazhuar gjatë protestave.
Ne e kemi dënuar dhunën ndaj njerëzve dhe institucioneve që nga dita e parë. Por, aktet e izoluara të dhunës nuk duhet të shërbejnë kurrë si pretekst për të kriminalizuar një lëvizje të tërë proteste, apo për të frikësuar protestuesit paqësorë deri në heshtje. Liria e tubimit është një e drejtë themelore, jo një privilegj që jepet nga qeveria. E ardhmja e Shqipërisë duhet të jetë demokratike, e lirë dhe evropiane”, thuhet ne reagim.










Discussion about this post