“Edi Rama nuk lejon komisionet parlamentare, pasi është vetë strumbullari i të gjitha vjedhjeve”, u shpreh kreu demokrat Sali Berisha, në mbyllje të seancës parlamentare, e cila u shoqërua me tensione e përplasje mes deputetëve.
Berisha tha se të gjitha këto janë një motiv që të qëndrojmë për kushtetutën.
“Ka një nen Kushtetuta që njeh të drejtë të pacënueshme të pakundërshtueshme të deputetëve të opozitës që me numër të caktuar të firmave të ngrejnë komisionet hetimore parlamentare.
Edi Rama nuk e lejon këtë sepse në të gjitha komisionet ai del strumbullar i tyre. Ai del strumbullar në aferën McGonigal, në të cilën vetë Charls McGonigal ka pranuar fajësinë për të gjithë dosjen shqiptare. Kjo dosje lidhet me tre persona, Edi Ramën, Dorian Duçkën dhe Agron Nezën.
Edi Rama nuk lejon komision hetimor parlament për patronazhistët se është vetë njeriu që e ka ndërtuar atë.
Nuk lejon komision hetimor parlamentar për TIMS sepse ai me të ka zhdukur, do të zhdukë gjurmët e udhëtimeve me dhjetëra e dhjetëra herë me trafikantët. Të Edi Ramës me charterin e tij privat.
Lidhet dhe fluturimet e Taulant Ballës me bajlozët e krimit dhe drogës.
Edi Rama nuk lejon Komisionet sepse gjer tani u ka dhënë trafikantëve të drogës, bajlozëve të krimit, qeveritarëve të krimit mbi 6 mln metër katrorë tokë troje turistike të lirë nga taksat për 20 vite”, tha Berisha.
Në vijim, ai përsëriti akuzat në drejtim të Kryeministrit Edi Rama, që sipas kreut demokrat, po pasuron anëtarët e familjes së tij, po bëhet pronar i Dubait në Durrës ku ka përvetësuar 1 milionë metër katror tokë
“Siç konstatoni, Edi Rama me akte të turpshme antiligjore, antikushtetuese të Lindës së parlamentit bllokon jetën parlamentare të vendit”, tha Berisha.
Ai shtoi se opozita po bën këtu një betejë në emër të qytetarëve opozitarë, por jo vetëm, me të cilën kërkon rivendosjen e të drejtave kushtetuese të deputetëve të opozitës në parlament.
“Siç është bërë e ditur, Edi Rama ka anuluar, pezulluar gjer tani, përveç komisionit hetimor për djegësat ku u zbulua vjedhja e shekullit, të gjitha komisionet e tjera hetimore parlamentare.
Edi Rama nuk lejon komisionet hetimore sepse ka vendosur në pushtet piramidën më të rrezikshme të krimit. Edi Rama nuk lejon komisionet hetimore parlamentare, sepse vetë ai është flamuri i zi i korrupsionit në Shqipërisë, sepse ai në dhunim flagrante të kushtetutës favorizon dhe pasuron anëtarë të familjes së tij.
Sepse vetë ai ka ndërtuar sarajet dhe parajsën e tij në Surrel duke pasë deklaruar gjithsej, 3800 euro dhe 400 mijë lekë. Sepse vetë ai, e shoqja e tij ka ndërtuar pallatin 5 katësh për të cilin nuk gjendet asnjë faturë e vetme. Sepse toka e parkut 5 mijë metra rreth sarajeve të Surrelit është marrë në kundërshtim flagrant të të gjitha ligjeve të vendit. Është blerë me një çmim sipas Edi Ramës, 2.5 dollarë metri katror, në një kohë kur në atë periudhë toka aty ka qenë e certefikuar me 20-25 dollar.
Edi Rama është personi për të cilin OSBE deklaroi kur u bë kryeministër se disponon në bankat ofshore 200 mln euro.
Edi Rama është personi që del strumbullar kryesor i vjedhjes së shekullit me djegësat. Strumbullar kryesor i vjedhjes me koncesionet e shëndetësisë. Së fundi ai po bëhet pronar me Alabarin e tij, i Dubait të Durrësit duke vjedhur dhe përvetësuar mbi 1 milionë metër katror truall publik dhe duke larë aty, miliarda euro me Olsin dhe Amant Josifin, të vjedhura taksapaguesve europiane”, tha Berisha.
Discussion about this post