I pyetur se çfarë mund të sjellë presidenca e Donald Trump, kreu i PD-së, Sali Berisha deklaroi se, Trump dhe Riçard Grenell nuk kanë mbështetur projektin për ndarjen e Kosovës.
Sipas Berishës, Trump ka një tjetër trashëgimni, e cila është marrëveshja që u firmos në zyrën e tij nga kryeministri i Kosovës, Avdulla Hoti dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Pavarësisht nga zhurma dhe tymi që lëshohet, betimet dhe zotimet që bëjnë, mund të siguroj shqiptarët me përgjegjësi të plotë sa vijon:
“Së pari, projekti i ndarjes së Kosovës në mënyrë absolute nuk është mbështetur nga Donald Trump. Nuk është mbështetur nga Riçard Grenell.
Ky projekt është mbështetur nga Xhon Bolton, i cili nuk e ka fshehur këtë, ka deklaruar se më sollën si një propozim të dakordësuar nga të gjitha palët.
Por, meqenëse jemi këtu, duhet të informoj shqiptarët se pas deklaratës së Xhon Boltonit, një bashkëpunëtor i afërt i presidentit Donald Trump ka kundërshtuar në mënyrë kategorike deklaratën e Bolton. Dhe ai e ka bërë këtë me autorizimin e presidentit Trump.
Së dyti, Donald Trump është një president që u mor personalisht me problemin e Kosovës dhe Serbisë. Pra, në këtë aspekt është një fat i madh sepse këta që ishin, këta e njihnin, por nuk zgjidhën gjë se u morën me projektet e Xhorxh Sorosit, se Sorosi bëri projektin e ndarjes dhe ndryshimit të kufijve, ai projekt mban firmën e tij. Se u morën me Ballkanin e Hapur, se faktikisht mbështetën Edi Ramën, që u shndërrua në një faktor negativ të progresit të dialogut Prishtinë-Beograd.
Donald Trump ka një trashëgimi tjetër shumë pozitive dhe kjo trashëgimi është marrëveshja qau firmos në zyrën e tij nga kryeministri i Kosovës, Avdulla Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuciç.
Kjo marrëveshje ishte një ngjashmëri me Marrëveshjen Abraham. Titulli i kësaj marrëveshje ishte për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë.
Pra, nuk pretendoj për zgjidhjen përfundimtare, por me besimin se rruga drejt zgjidhjes përfundimtare shkon me normalizimin e marrëdhëniëve ekonomike, çka unë e besoj plotësisht dhe mbi këtë bazë e kam mbështetur në atë kohë atë marrëveshje me të gjitha mundësitë e mia.
Në qoftë se do zbatohej marrëveshja e Trump, rajoni do ishte tjetër sot.
Ajo marrëveshje parashikonte 12 miliardë dollarë investime në hapësirën Serbi, Kosovë, Shqipëri.
Një transformim të madh të lidhjeve infrastrukturore, por edhe një angazhim të madh të biznesit amerikan në rajon.
Shqipëria ishte një nga përfituesit e kësaj marrëveshje. Në Shqipëri ndërtohej porti më i thellë në rajon. Ndërtohej hekurudha më e mirë që e lidhte me Prishtinën dhe Nishin.
Pra, ajo ishte një marrëveshje transformuese. Dhe përveç kësaj, duhet të themi se e kanë të lehtë të shpikin gjëra që nuk kanë ndodhur, por përveç kësaj, Donald Trump ndërmjetësoi njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Izraeli, një njohje shumë e rëndësishme.
Pra, në vlerësimin tim, rikthimi i presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë është një ogur i mirë për shqiptarët.
Mos harroni se para se të hynin në Shtëpinë e Bardhë, Kosova kërkoi të mos kishte flamur dhe në fakt u ulën të dy në tryezë pa flamuj, kështu që vendosi barazinë midis tyre.
Kështu që unë kam shumë besim se fuqia vendimmarrëse e Shtëpisë së Bardhë do të sjellë një marrëveshje shumë të mirë, ekonomike fillimisht, për t’i çelur rrugë më pas marrëveshjes politike.
Ndaj dhe të gjitha komentet e tjera janë krejtësisht të pabaza, janë imagjinata, janë dezinformime të bëjnë individë të caktuar se po të kishte ndërmend ndarjen, kush do e pengonte atë ta thoshte?”, tha Berisha.
Discussion about this post