Gjatë fushatës elektorale të vitit 2021, kryeministri Edi Rama u përball me ankesat e bizneseve për mungesë të forcës punëtore dhe u ofroi atyre si zgjidhje mundësinë e punësimit të shtetasve të huaj.
“Kur të fillojnë të mësojnë shqip, fillo dhe ndërroji se fillojnë thashethemet, u hyn krimbi, jo politika, jo demokracia, jo liria,”- i tha Rama një biznesmeni në fushën e fasonerisë, duke aluduar më tej se shqiptarët ishin dembelë dhe nuk donin të punonin. Në vështirësi për të gjetur punëtorë në Shqipëri për shkak të emigracionit të lartë, shumë biznese qytetin e Vlorës ndoqën këshillën e kryeministrit dhe punësuan punëtorë të huaj – por vetëm pak prej tyre vazhdojnë të qëndrojnë në Shqipëri.
Sipas Zyrës Rajonale të Punësimit, 227 punëtorë të huaj u punësuan në Vlorë në vitin 2022, por në fund të vitit, 96 prej tyre kanë bërë shkëputje të marrëdhënies së punës dhe një pjesë tjetër janë larguar pa lënë asnjë gjurmë.
“Punonjësit e huaj nuk kanë si destinacion final Shqipërinë. Ata e përdorin atë si trampolinë për të emigruar në vende të tjera,”- thotë Alketa Llamani (Dhimitri), drejtuese e Qendrës Rinore të Vlorës, e cila po studion shfrytëzimin e të rinjve në punë dhe situatën në tregun e punës kryesisht në fushën e shërbimeve.
Të huajt ikin natën
Disa biznesmenë e mësuan këtë pasi kishin shpenzuar për bileta udhëtimi, pagesa qiraje dhe dokumente në kërkim të punëtorëve të huaj. Alberto Fedozzi, pronar i “Metalpro”, një kompani italo-shqiptare e përpunimit të metaleve, thotë se pagoi shpenzimet e akomodimit dhe rreth 1500 euro për dokumentacionin e pesë punonjësve nga Bangladeshi, të cilët po ashtu përfitonin edhe ushqimin.
Punonjësit hynë në Shqipëri rregullisht në 9 janar, por pas dy javësh në punë, shoferi që do i merrte nuk i gjeti në banesë mëngjesin e 25 janarit. Punëtorët nuk u lokalizuan as gjatë kërkimeve të policisë.
“Konstatuam mungesën e tyre të mërkurën e 25 Janarit, në orën 8.00 të mëngjesit kur shoferi shkoi t’i marrë në banesën ku qëndronin. Dera ishte e mbyllur dhe telefoni i tyre gjithashtu,”-tha Alberto Fedozzi, pronari i kompanisë.
Më herët këtë vit, katër punonjës të huaj të një kompleksi hotelier në Llogara u ndaluan duke kaluar ilegalisht kufirin në drejtim të Malit të Zi në Shkodër.
Bizneset thonë se kanë paguar kontratat e punësimit, transferimin e punonjësve apo tarifat e agjencive që kryejnë ndërmjetësimin dhe pas zhdukjes pa gjurmë të punëtorëve janë ankuar në polici dhe në Zyrën e Punës, por asnjë nga institucionet nuk ka ndonjë zgjidhje për situatën që krijohet. Zyra Rajonale e Punësimit, e cila kryen procedurat dhe lëshon lejet e punës apo vërtetimet për të huajt e punësuar, thotë se ajo nuk mund të bëjë më shumë.
Drejtoresha e Zyrës, Saniela Xhaferraj tha se ata si institucion nuk mund të bënin gjurmim të punonjësve.
“Ne monitorojmë dhe kryejmë kontrolle periodike për të punësuarit që kanë një kontratë punë, por institucioni nuk është përgjegjës për rastet kur ata “thyejnë” kushtet,“- tha Xhaferraj.
Nga ana tjetër, Policia e Kufirit dhe Emigracionit thotë se detyrimet në këtë rast u takojnë kompanive që bëjnë punësimin dhe agjencive ndërmjetësuese.
Sipas drejtorit të Kufirit dhe Migracionit, Edi Sulejmani, përgjegjës në këtë rast është instutucioni i cili ndërmjetëson si dhe ai i cili punëson këta shtetas. Sulejmani thotë se sipas kushteve të ligjeve në fuqi, kompania duhet t’ju sigurojë atyre biletën e kthimit në vendet e origjinës si dhe t’i shoqërojë ata në porte apo aeroporte.
Por pavarësisht detyrimeve ligjore, deri më tani nuk rezulton ndonjë penalitet ligjor në ngarkim të kompanive të cilat ndërmjetësojnë punësim në Shqipëri, edhe pse ato janë përfshirë në disa procese gjyqësore, në të cilat hetohet për kalim të paligjshëm të kufirit nga të huaj që ishin sjellë për të punuar në Shqipëri.
Sipas të dhënave zyrtare të Gjykatës së Rrethit të Vlorës , gjatë 2018-2022 nuk ka asnjë rast të deklarimit fajtor apo parregullsi në drejtim të agjencive apo kompanive të punësimit.
Ikja e shqiptarëve
Situata me punonjësit e huaj është pasojë e ikjes prej vitesh të krahut vendas të punës. Në vitin 2022, popullsia në Shqipëri ra me mbi 36 mijë vetë ose 1.3% e totalit, sipas të dhënave e publikuara së fundmi nga Instituti i Statistikave.
“Mungesa e punonjësve na detyroi të kërkojmë punonjës nga vende të tjera, për secilin prej tyre kompania paguan 350 euro vetëm shpenzime administrative veç pagës, banesës dhe ushqimit që iu paguanim,”- thotë Alberto Fedozzi, duke u ankuar për kostot që ka biznesi nga mungesa e krahut të punës.
Sipërmarrës në fushën e turizmit po ashtu ankohen se nuk arrijnë të kenë stafe të plota në sezon, ndërsa pretendojnë se edhe rritja e pagave nuk u ka siguruar krah pune të mjaftueshëm.
Alketa Llamani (Dhimitri) drejtuese e Qendrës Rinore të Vlorës, thotë se kjo mungesë solli promovim të idesë se zgjidhje konkrete ishin punonjësit e huaj, por kjo thjesht ka sjellë kosto shtesë.
“Më se shumti u identifikuan shpenzime të mëdha nga ana e operatorëve turistikë,” tha ajo, ndërsa shtoi se mjaft prej punëtorëve të huaj u kapën në kufijtë e vendit duke e larguar.
Në fakt, të huajt që vijnë sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë Kombëtare për Punësimin, nuk e mbushin vakumin e krijuar prej ikjeve. Agjencia raportoi se në vitin 2021 në vend u punësuan 5034 të huaj. Deri në gusht 2022, sipas të dhënave të publikuara nga agjencia u rrit në 5233, por kjo është vetëm sa një e treta e shqiptarëve që kanë emigruar në Britaninë e Madhe vitin që shkoi.
Sipërmarrësit ndërkohë e kanë humbur besimin që kjo mund të jetë një zgjidhje e qëndrueshme. Fedozzi i tha BIRN se ai i kishte kërkuar punëtorët e “arratisur” edhe pranë agjencisë ndërmjetësuese dhe partnerëve të tyre në Bangladesh, por as ata nuk vendosën dot kontakt me punonjësit. Megjithëse sipas kontratës, agjencia ndërmjetësuese duhej të sillte punonjës të tjerë pa kosto ekstra për kompaninë e tij, Fedozzi nuk është i bindur.
“Nuk jemi të sigurt nëse duam të punojmë sërish me të huaj,”- përfundoi ai./BIRN
Discussion about this post