Nga Kastriot Myftaraj
Pak kohë më parë kryeministri Edi Rama pati një takim me tregtarët e mëdhenj të naftës, të quajtur grosistë, që ishte inskenuar si teatër politik ku udhëheqësi doli si mbrojtës i interesave popullore që iu bënte gjyqin grosistëve të pangopur të naftës.
Para takimit, Edi Rama u interesua të mësonte se cilët kishin kishin ardhur dhe që do të përbënin auditorin të cilit do t’ i fliste para kamerave televizive.
-Nuk paska ardhur Shefqet Kastrati!- I tha Edi Rama i pakënaqur ndihmësit të tij, drejtorit të komunikimit në Kryeministri Endri Fugës.-Ai duhet të ishte në rreshtin e parë, në qendër. Ti Fugë (kështu i drejtohet Rama ndihmësit kur është i pakënaqur me të) e di ka rëndësi të krijohet tabloja e duhur për sytë e shikuesit. Lideri duhet të ketë dikë përballë të cilit t’ i drejtojë gishtin dhe te i cili populli të shohë fajtorin, nga i cili e mbron udhëheqësi i tij i dashur. Janë disa gjëra që nuk ndryshojnë kurrë, si në kohën kur ishin në politikë me Enver Hoxhën im atë Kristaqi dhe yt gjysh Myqeremi, si sot. Kujt t’ ia drejtoj gishtin unë këtu, Frident Kuqit?!
-Kastratit i dha leje zëvendëskryeministri që të mos vinte sot.- tha Endri Fuga.
-Ouuuu, po merr gjithmonë e më tepër kompetenca Ben Ahmetaj,- tha Rama duke folur në vetën e tretë për të pranishmin me të cilin ishte veçanërisht i pakënaqur, -nuk e di ai se është tigër prej letre, siç thoshte Mao Ce Duni. Me mua kërkon ta bëjë tigrin ai?
-Kastratit i ka thënë Policia e Shtetit të mos vijë për arsye sigurie, ashtu ka pasur një problem që e di ti dhe nuk duhet të qarkullojë shumë.- Tha Arben Ahmetaj.
-Kjo është e vërtetë shef, por nuk i kemi thënë që të mos vijë në kryeministri. Këtu e marrim përsipër sigurinë e tij plotësisht.- Tha Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi.
-Domethënë meqënëse Kastrati ka pasur atë problemin që e dijmë ne dhe Policia i ka thënë atë që dijmë ne, Tigri ynë me arsyen e mosarsyes së tij i thotë të mos vijë sot në mbledhje.
-Shefqet Kastrati ka dërguar djalin në takim.- tha Ben Ahmetaj.
-Pse mos e ka thirrur takimin Zahoja apo Gregu?- Tha Edi Rama dhe shtoi me zemërim: Mirë ma bëjnë këta si Kastrati se unë i mbroj, them që nuk ka oligarkë në Shqipëri. Kur Saliu e thërriste Rezart Taçin ky ngrihej edhe në orën tre të natës nga gjumi dhe i shkonte në zyrë nëse e kërkonte. Nejse, më thoni tani cilin nga këta do të vini në qendër të sallës përballë meje që t’ i drejtoj gishtin si personifikim i grosistëve të pangopur të naftës që duan të shtrydhin popullin të cilin e mbroj unë?
-Po vemë Frident Kuqin, -tha Arben Ahmetaj.
-Nuk ka ardhur as Fridenti, edhe ai ka dërguar djalin.- Tha Endri Fuga.
-Ah sa mirë që ma bëjnë mua këta, -tha Edi Rama, – nuk vjen në takimin e thirrur nga unë ky Fridenti që na shkonte në ambasadaën amerikane dikur dhe ankohej se Saliu e favorizonte Rezart Taçin, duke e lejuar të shiste naftën virgin të ARMO-s për ta përzier me naftë importi. Kështu ma shpërblen Fridenti që kur erdha unë në pushtet këtë punë e bënte ai me Beson e Taivanit. Të thërresë kryeministri mbledhje dhe të mos vijë Frident Kuqi, ky është injorim publik. Nuk e di Fridenti që unë e shkrij për 24 orë biznesin e tij. I ka vjedhur edhe logon ortakut grek të cilit ia rrëmbeu biznesin. Më kanë thënë se veç të tjerash kjo është edhe vepër penale. Meqënëse nuk ka ardhur Fridenti, me siguri nuk ka ardhur as Paulin Gega, se ata bashkë janë gjithmonë.
-Jo, Paulin Gega ka ardhur madje bashkë me djalin, shef!- Tha Fuga.
-Aha paska ardhur,- tha Rama.- E ç’ më duhet, Paulinin të ve përballë vetes unë në sallë për t’ i drejtuar gishtin si i akuzuar! Tjetër hall ka Paulini që paska ardhur, e ka ngatërruar Fridenti në një çështje për të cilën ka përgjime, se Paulini shkon me mendjen e Fridentit dhe bën gafa, por së shpejti do të plasë edhe kjo. Cilin do të vemë përballë meje në sallë, Fugë? Po prit një herë, -tha Edi Rama, -a të thashë që të vinte edhe Maltin Korkuti, drejtori i përgjithshëm i Bankës Credins? Sepse kjo bankë ka nja katër kompani nafte që thotë se I kanë mbetur në dorë por në të vërtetë është ngatërruar në cdo aferë të pistë në biznesin e naftës që ka ndodhur në këtë vend njëzet vjetët e fundit, domethënë qëkur është krijuar.
-U nis të vinte shef,- tha Endri Fuga, -por kur po i hipte makinës u kthye mbrapsht se i thanë që te Blloku po vinte rrotull një motor i zi dhe ti e di shef se paraardhësi i tij Santoja e pësoi nga një motor i zi.
Edi Rama mori në telefon Gledin Nanon, drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit:
-Gledis, do ta bëjmë Bllokun varrezën e bankierëve tani? Ç’ është ai motor i zi që vjen rrotull nëpër bllok?
-E kemi ndaluar dhe kontrolluar shef, por nuk na mbetet veçse të ndalojmë fare qarkullimin e motorëve të zinj.- U përgjigj Gledis Nano.
Edi Rama u kthye nga ndihmësat e tij.
-Tani kë do të vini përballë meje në sallë që t’ i drejtoj gishtin dhe të shohë populli fajtorin? –Tha Edi Rama.
-Pse të mos vemë Lugj Aliajn shef, -tha Ben Ahmetaj,- njerëzit e kanë parë në televizor dhe do të mendojnë se është oligark.
-Ide e mirë, -tha Edi Rama. Kur hynë në sallë dhe Edi Rama u ul në tribunë, tha:
-Ti Luigj dil ulu në rreshtin e parë përballë meje!
-Mua më gjete për rolin e “Lipe Nashit”,- tha Luigji që është njeri me humor dhe që e kishte fjalën për historinë e dënimit nga Enver Hoxha të grupit armiqësor të naftës në vitet shtatëdhjetë, kur u arrestua dhe dënua me burg ndër të tjera drejtori i përgjithshëm i Naftës, Lipe Nashi.
-Epo meqënëse nuk ka ardhur shefi yt të bëjë rolin e Piro Gushos, -tha Edi Rama, duke e vazhduar shakanë. Piro Gushoja kishte qenë sekretari i parë i partisë për Fierin që u quajt nga Enver Hoxha kreu i grupit armiqësor në naftë dhe për këtë vrau veten.
Kështu i binte që “Piro Gushoja” të ishte Çet Kastrati!
Pasi Rama mbajti fjalimin e tij, Luigji kërkoi leje të fliste.
-Nuk lejohet të flasësh.- Tha Edi Rama.
-Edhe Lipe Nashit dikur ia dhanë të drejtën e fjalës.- Tha Luigji.
-Mirë meqënëse kërkon të flasësh na thuaj një gjë, se ti i di mirë këto historitë e vjetra të kohës së komunizmit, -I tha Edi Rama,- ky grupi armiqësor në naftë doli para atij në ushtri apo më pas?
Grupi armiqësor në ushtri kishte pasur në krye Beqir Ballukun gjyshin e ministres së tanishme të Infrastrukturës dhe Energjitikës, Belinda Balluku, që në këtë mbledhje ishte në krah të Edi Ramës.
-Nuk e di,-tha Luigji që e vuri re sesi u prish në fytyrë Bela.
-Ja që kot e kërkove të drejtën e fjalës, edhe një gjë që të pyetëm, nuk e dije.-Tha Edi Rama.
Discussion about this post