Pjesa më e madhe e sektorëve të ekonomisë shqiptare e ka të pamundur të mbrojë punonjësit nga rritja e çmimeve, duke rritur pagat. Bujqësia dhe industria ushqimore po marrin në konsideratë skenarët e falimentit nga rritja e kostove të lëndëve të para. Sektori i turizmit po bën rritje të detyruara për disa pozicione specifike nga mungesa e punonjësve. Rritje reale 12-15% do të ketë vetëm sektori fason, i cili po rrit fitimet nga kërkesa e lartë në tregjet ndërkombëtare. Ekspertët sugjerojnë si mjet efikas për të zbutur pasojat e krizës në shtresat vulnerabël paketat e ndihmës së menjëhershme që mund të aplikohen si nga qeveria, edhe bizneset
Çmimet për rreth 30 artikuj të shportës janë rritur me gati 20% nga janari në mars, sipas referencave të INSTAT dhe tregjeve me pakicë, por pagat nuk do të përdoren si mjet për të mbrojtur shtresat në nevojë, as nga qeveria dhe as nga pjesa më e madhe e sektorit privat.
Ekonomia shqiptare, edhe në kohë normale, ka probleme të tilla strukturore që prodhojnë punë me vlerë të ulët. Pandemia Covid-19 dhe tani lufta në Ukrainë e kanë përkeqësuar produktivitetin.
Kostot e lëndëve të para janë rritur në atë masë sa shumë fabrika po hartojnë skenarët e falimentit. Industrialistët thanë se, e kanë të pamundur të aplikojnë rritje të pagave në kushtet kur kostot e prodhimit janë rritur dhe transferimi i tyre në çmime nuk po bëhet tërësisht. Një pjesë e bizneseve po punojnë me humbje, tha kryetari i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka.
Në kushtet kur për biznesin e madh ka rritje të çmimit të energjisë, lëndët e para të gjitha janë rritur, nuk flitet për normë fitimi dhe qëndrimin në vend, madje do ta merrnim si pozitiv.
Edhe sektori i bujqësisë nuk do të mund t’i rrisë pagat këtë vit. Sipas të dhënave zyrtare në bujqësi janë të angazhuar rreth 42% e totalit të të punësuarve. Fermat në zonat prodhuese të Fierit dhe Beratit pohuan se punonjësit po ushtrojnë presion për rritjen e pagesës ditore në 1800-2000 lekë në ditë nga 1500 lekë aktualisht, mirëpo rritja është e pamundur pasi shumica e serrave dolën me humbje nga viti i kaluar.
Vlerat e larta të inputeve, nga njëra anë, dhe çmimeve e ulëta të prodhimeve, nga ana tjetër, e kanë vështirësuar klimën e biznesit në bujqësi. Sektori i turizmit dhe fasonit pritet të zbatojnë rritje page me ritme dyshifrore, për shkak të zgjerimit të aktivitetit në këta sektorë. Sektori i turizmit po zgjerohet vit pas viti, nga kërkesa e të huajve për të pushuar në vendin tonë.
Numri i strukturave hoteliere po rritet nga viti në vit dhe kjo po rrit konkurrencën në një kohë që gjetja e punonjësve është bërë e vështirë. Ariol Haxhillari, menaxher i përgjithshëm i FAFA Group, tha se për këtë vit është aplikuar një rritje me 20% e pagave me qëllim mbajtjen e stafit kryesor në punë.
Krizat kanë ndikuar pozitivisht vetëm sektorin fason. Lufta në Ukrainë pritet të sjellë ndikime pozitive për sektorin. Shumë klientë europianë, që kishin njësitë e prodhimit të këpucëve dhe veshjeve në Ukrainë, do të zhvendosen në vende të tjera, mundësisht në Europë.
Florian Zekja, përfaqësues i Unionit të Fasonëve Shqiptarë, tha se këto ditë janë shtuar kërkesat për të prodhuar në Shqipëri nga klientë që më parë kanë prodhuar në Ukrainë.
Edhe para luftës, sektori fason nuk ishte duke përballuar kërkesën për punë, që erdhi nga diversifikimi i prodhimit prej pandemisë Covid-19. Shumë vende europiane zhvendosën një pjesë të prodhimit nga Kina në Europë. Rritja e pagave për punonjësit në të gjithë industrinë pritet të jetë nga 12-15%, por ndoshta në nivele edhe më të larta, në varësi të fabrikave.
Eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa, thotë se mjeti efikas për të zbutur pasojat e krizës në shtresat vulnerabël, si për qeverinë edhe sektorin privat, janë paketat e ndihmës së shpejtë dhe të menjëhershme. Në rastin konkret, duhen aplikuar paketat e kompensimit.
P.sh., qeveria, taksat që mbledh më tepër nga rritja e çmimeve, duhet t’i përdorë për rritjen e kompensimeve për shtresat në nevojë. Ndërsa bizneset duhet të japin bonuse për punonjësit dhe kompensime monetare të menjëhershme, vetëm një herë etj.
Industria në mbijetesë, rritja e pagave vetëm për pozicionet strategjike
Industria përpunuese e ka të pamundur të rrisë pagat ndaj punonjësve, edhe pse presionet e mungesës së krahut të punës janë rritur. Kostot e larta të lëndëve të para, sidomos të energjisë elektrike, nuk po transferohen të gjitha në çmime, tha Alban Zusi, nga Qendra e Eksporteve Shqiptare, i cili operon në industrinë ushqimore, nëpërmjet fabrikës INCA.
Zusi tha se industria e përpunimit ka hyrë në një regjim kursimi ekstrem, për shkak të rritjes së çmimeve. “Karta sociale dhe menaxhimi i burimeve njerëzore ishte në fokusin e aktivitetin tonë gjatë dhe pas pandemisë, në një kohë kur fuqia punëtore po pakësohet gjithnjë e më tepër. Rritja e pagave këtë vit do të jetë e pamundur, përveçse për pozicione të veçanta, pa të cilat fabrikat nuk funksionojnë” – tha z. Zusi.
Të njëjtin mendim ndau edhe Nikolin Jaka, kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, i cili operon në sektorin e industrisë ushqimore të përpunimit të qumështit me produktet “Zepa Natyral”.
“Çdo sipërmarrës do të jetë i gatshëm dhe me prirje tepër sociale për rritjen e pagave, vetëm atëherë kur kemi rritje produktiviteti, rritje të eksporteve. Në situatën reale që ne po përjetojmë, nuk mendojmë se kemi hapësirat e duhura për rritje pagash” – tha z. Jaka.
Një pjesë e bizneseve po punojnë me humbje, shtoi ai. “Në kushtet kur për biznesin e madh ka rritje të çmimit të energjisë, lëndët e para, të gjitha janë rritur, nuk flitet për normë fitimi dhe qëndrimin në vend, madje do ta merrnim si pozitiv”, – tha kryetari i DHTI.
Të njëjtin shqetësim shprehu edhe Stefan Pinguli, i cili operon prej vitesh në industrinë ushqimore me fabrikën e prodhimit të birrës “Stela”. Sipas tij, rritja e kostove, sidomos çmimit të energjisë, e bën të pamundur rritjen e pagave. Ai tha se, rritja e pagave do të zbatohet vetëm për stafin e kualifikuar që nuk është i zëvendësueshëm dhe është potencial për emigracion.
Bujqësia, nën presion për rritjen e pagave, por është e pamundur
Në zonat më prodhuese të vendit, Fier dhe Berat, ku janë të përqendruara edhe serrat, një punonjës paguhet 1500 lekë në ditë. Mirëpo me rritjen e përgjithshme të çmimeve, punonjësit ditorë po refuzojnë të punojnë me më pak se 1800-2000 lekë në ditë, tha Mariglen Ziu, i cili zotëron një serrë perimesh në Qarkun e Beratit.
Zoti Ziu dhe fermerë të tjerë të zonës, prej dy vitesh po përballen me humbje të larta që janë krijuar nga rritja e çmimeve të lëndëve të para dhe nga çmimet e ulëta të prodhimeve bujqësore. “E kemi të pamundur të rrisim pagesën ditore për punonjësit, jo se nuk duam, po nuk kemi mundësi”, tha ai.
Ashtu si dhe sektorët e tjerë, bujqësia po vuan nga mungesa e fuqisë punëtore. Zhvendosja drejt qyteteve e të rinjve, emigracioni dhe produktiviteti i ulët i sektorit e kanë bërë punën në bujqësi të papreferueshme për të rinjtë.
Në tremujorin e tretë të vitit 2021, paga mesatare në bujqësi ishte 35,627 lekë, nga 36,397 lekë në të njëjtën periudhë të vitit 2019 ose 2.1% më e ulët. Ndërsa paga mesatare në shkallë vendi u rrit me 8.8% në të njëjtën periudhë krahasuese.
Hendeku ndërmjet pagës mesatare në bujqësi dhe pagës mesatare në ekonomi është thelluar ndjeshëm në tre vitet e fundit. Në tremujorin e tretë 2021, paga mesatare në bujqësi ishte 36.8% më e ulët se paga mesatare në ekonomi.
Në tremujorin e tretë 2019, kjo diferencë ishte 25%. Në vitin 2021, pagat në sektorin bujqësor pësuan ulje dhe mbeten ndjeshëm poshtë mesatares së para pandemisë.
Zhvillimet në sektor nuk paraqiten me optimizëm edhe për vitin 2022. Çmimet e larta të inputeve bujqësore, heqja e skemës së subvencionit dhe mungesa e punonjësve e kanë rënduar klimën e bizneseve në bujqësi. Fermerët kanë lajmëruar pakësim të mbjelljeve këtë sezon.
Turizmi, rritja e pagave deri në 20% këtë sezon
Gjithnjë e më shumë, bizneset në Shqipëri po vuajnë mungesën e krahut të punës, por kjo është më e dukshme në sektorin e turizmit. Hapja e strukturave të reja dhe puna me sezone e bën të vështirë mbajtjen e stafit, ndaj rritja e pagave është si mjet kryesor për mbajtjen e stafit në punë.
Ariol Haxhillari, menaxher i përgjithshëm i FAFA Group, tha se për këtë vit është aplikuar një rritje me 20% e pagave, me qëllim mbajtjen e stafit kryesor në punë. Rritja e numrit të turistëve vitet e fundit ka nxitur ndërtimin e strukturave të reja hoteliere kudo në vend. Por investimet e reja kërkojnë staf, i cili është shumë i vështirë për t’u gjetur tani.
Njësitë e mëdha hoteliere janë duke siguruar pagesa gjithëvjetore për një pjesë të stafit dhe këtë vit po aplikojnë rritje page për punonjësit sezonalë. Shumë struktura po sigurojnë punonjës të huaj për të përmbushur nevojat. Disa morën kuzhinierë nga Turqia dhe të tjerë, pastrues nga Azia.
Por rritja e pagave në sektorin e shërbimeve do të jenë në presionin e rritjes së kostove të tjera. Rritja e çmimeve për të gjitha lëndët e para që ato përdorin që nga ushqimet, energjia elektrike dhe nafta mund të gërryejnë planet për pagat.
Çmimet e paketave të vendosura vitin e kaluar mbeten të ulëta për të përballuar kostot e larta që po vijnë nga ndryshimi i çmimeve, sidomos pas luftës në Ukrainë. Pavarësisht ngjarjeve të fundit, sektori i shërbimeve do të aplikojë rritje të pagave këtë vit me ritme dyshifrore për disa nivele punonjësish.
Fasoni ecuri pozitive, rritja e pagave me ritme dyshifrore
Lufta në Ukrainë pritet të sjellë ndikime pozitive për sektorin fason. Shumë klientë europianë, që kishin njësitë e prodhimit të këpucëve dhe veshjeve në Ukrainë, do të zhvendosen në vende të tjera, mundësisht në Europë. Florian Zekja, përfaqësues i Unionit të Fasonëve Shqiptarë tha se, këto ditë është shtuar kërkesa për të prodhuar në Shqipëri nga klientë që më parë kanë prodhuar në Ukrainë.
Gjermania dhe vende të tjera të Europës Qendrore dhe Veriore kanë një histori të gjatë bashkëpunimi me ish-republikat e Federatës Ruse. Klima e njëjtë dhe afërsia gjeografike e kishin forcuar këtë partneritet ndër vite.
Por me fillimin e sulmeve të Rusisë në Ukrainë, investitorët nuk po ndihen të sigurt dhe janë duke kërkuar vende të tjera europiane për të zhvendosur prodhimin. Shqipëria mbetet e preferuar, pasi ka një forcë pune të kualifikuar që ende është konkurruese për nga niveli i pagave.
Edhe para luftës, sektori fason po përballej me një kërkesë të lartë për punë që erdhi nga diversifikimi i prodhimit prej pandemisë Covid-19. Shumë vende europiane zhvendosën një pjesë të prodhimit nga Kina në Europë. Që nga viti i kaluar, fabrikat shqiptare të fasonit po përballen me një kërkesë jo të zakontë për punë, e cila nuk po përballohet nga mungesa e fuqisë punëtore.
Lufta më Ukrainë e ka nxitur kërkesën, duke bërë që fabrikat shqiptare të kenë mundësi të zgjedhin mes klientëve, duke synuar mes atyre që ofrojnë çmime më të larta. Forca punëtore e rrobaqepësive ka një përvojë pune më shumë se 20-vjeçare dhe është e aftë të përmbushë kërkesa për qepje të veshjeve dhe këpucëve për klientë mbi mesataren e lart. Si rrjedhojë, ecuria e sektorit këtë vit do të jetë edhe më e mirë se parashikimi i janarit. Shitjet do të rriten me ritme dyshifrore dhe po kështu, edhe pagat.
Zekja, nga Unioni i Fasonëve, shprehet se rritja e pagave për punonjësit në të gjithë industrinë do të jetë nga 12-15%, por ndoshta në nivele edhe më të larta, në varësi të fabrikave.
Për herë të parë pas shumë vitesh, industria shqiptare e tekstilit po kthen mbrapsht porositë, ose ka luksin të përzgjedhë ndërmjet tyre, duke u fokusuar te markat që sjellin më shumë fitime. Ajo që nuk ka ndodhur prej tre dekadash, mund të ndodhë tani, që të krijohet klasteri për veshje dhe këpucë për produkte mbi mesataren dhe Shqipëria të dalë njëherë e mirë nga prodhimet fason me porosi të fragmentuar dhe nga klientë që kërkojnë vlerë të ulët.
Është momenti që fabrikat e veshjeve dhe këpucëve të negociojnë me partnerët e mëdhenj dhe të vendosin çmime dinjitoze, me të cilat të mund të përballojnë mirëmbajtjen e fuqisë punëtore, që është kthyer në problem dhe po pengon zgjerimin e industrisë.
Kërkesa për të prodhuar në Shqipëri nuk është e kufizuar vetëm për sektorin veshjeve dhe këpucëve. Industria ushqimore dhe ajo e automjeteve janë në fokus të klientëve të huaj, të cilët po vuajnë problematikën e zinxhirëve të furnizimit nga vendet aziatike./MONITOR
Discussion about this post