Viktor Çervanaku ka kryer prej vitesh rolin e zyrtarit publik. Fillimisht si kryetar i Komunës Frakull në Fier dhe më tej si shef administrate pranë Operatorit të Sistemit të Transmetimit. Por, përtej kostumit të burokratit, ai dyshohet se ka drejtuar një familje të përfshirë gjerësisht në trafikun e drogave të forta.
Në 25 Nëntor të këtij viti, Prokuroria e Posaçme njoftoi shkatërrimin e një grupi që kishte trafikuar një sasi të madhe kokaine nga Kolumbia drejt Shqipërisë dhe njoftoi arrestimin e Viktor Çervanakut, vëllait të tij, Zenel Çervanaku, djalit Denilson Çervanaku dhe bashkëshortes së këtij të fundit, Enxhi Ferhati. Këto arrestime ishin të fundit në radhë në familjen Çervanaku. Më herët, ishte arrestuar djali tjetër i Viktorit, Anxhelino, i akuzuar për vrasje në tentativë.
Diçitura: Djali i Viktor Çervanakut, Anxhelino, i arrestuar në vitin 2020 për “vrasje të mbetur në tentativë”
Por, siç mëson “Gijotina.com”, edhe të tjerë anëtarë të familjes së ish-kreut të Komunës Frakull, po përballen me ligjin për shkelje të ligjit për drogat. Nipi i tij, djali i motrës, Rando Hadollari, u arrestua në vitin 2017 në Greqi. Dhe është dënuar me 15 vjet burgim, si drejtues i një organizate kriminale në vendin fqinj. Ndërkohë, motra e Çervanakut, Lumturia, nëna e Rando Hodollarit, po zhvillon një betejë të pamundur ligjore, për të çliruar rreth 100 mijë euro, të sekuestruara nga autoritetet shqiptare pas arrestimit të djalit të saj në Greqi.
Nipi, kreu i bandës në Greqi
Rando Hodallari, nipi i Viktor Çervanakut, etiketohet si kreu i një bande të rrezikshme kriminale në Greqi, që ka vepruar në kryeqytetin, Athinë.
Diçitura: Rando Hodollari, nipi i Viktor Çervanakut, i arrestuar në Greqi
Sipas të dhënave të siguruara nga “Gijotina.com”, rezulton se “grupi kriminal i organizuar në formën e një piramide, ka udhëheqës të organizatës shtetasin Rando Hodollari.
Ky grup ka filluar aktivitetin kriminal nga fillimi i dhjetorit i vitit 2017. Në shtëpinë e një prej bashkëpunëtorëve të tij, janë sekuestruar në total 63 kg cannabis sativa. Ndërsa në shtëpinë e bashkëpunëtorit tjetër është sekuestruar sasia 41.6 kg cannabis sativa.
Në banesën e Rando Hodollari janë sekuestruar shumat e parave, në vlerën 7600 euro. Sipas dokumenteve të drejtësisë greke, vlera tërësore e substancave të sekuestruara, e kalon shumën 100.000 euro. Ndërsa fitimet e organizatës kriminale nga veprimtaria e saj vlerësohet se janë shumë të mëdha.
Rando Hodollari është dënuar me 15 vite dhe 6 muaj burgim, për trafikim të lëndëve narkotike në kuadër të organizatës kriminale”.
Antimafia, sekuestro 100 mijë euro
Pas marrjes së informacionit nga autoritetet greke, Prokuroria e Fierit nisi hetimin pasuror për Rando Hodollari dhe nënën e tij, Lumturi Çervanaku, në bazë të ligjit “Antimafia”. Nga hetimi ka rezultuar se Lumturi Çervanaku ka disa llogari aktive në monedhën euro, pranë “Union Bank”.
Konkretisht, janë identifikuar llogaritë në emër të Lumturi Çervanaku, me gjendje aktuale shumën 10,272 euro; depozitë me afat në llogarinë me gjendje aktuale 32,636.27 euro; depozitë speciale me gjendje aktuale 65.500 euro. Sipas prokurorisë së Fierit, rezulton se Lumturi Çervanaku ka udhëtuar disa herë në Shqipëri në vitin 2017. Dhe ka depozituar shuma të konsiderueshme parash, të cilat rezultojnë të derdhura në Union Bank, në emër të saj.
Lumturi Çervanaku ka deklaruar para organeve hetimore se: “që prej vitit 1995 është emigrante në Greqi. Ajo ka qenë e martuar me shtetasin Gëzim Hodollari, me të cilin është ndarë në vitin 2005. Djali i saj Rando Hodollari, është dënuar nga autoritetet greke për shpërndarje narkotikësh. Ai është arrestuar në vitin 2018, është dënuar 15 vjet burgim dhe aktualisht vuan dënimin në burgun e Malandrionos. Në lidhje me të ardhurat e saj, ajo shpjegon se ato burojnë nga puna e saj dhe e djalit të saj Orionit. Të ardhurat i ka sjellë në disa pjesë në Shqipëri dhe i ka depozituar në Bankë”.
Në vijim të hetimeve, në korrik të vitit 2021, gjykata e Fierit pranoi kërkesën e prokurorisë dhe vendosi sekuestrimin e llogarive bankare të Lumturi Çervanakut.
Diçitura: Dokumentat e sekuestrimit të llogarive bankare të Lumturi Çervanakut
Shtetasja Çervanaku e ankimoi këtë vendim pranë Gjykatës së Apelit të Vlorës, e cila, me një vendim të Tetorit 2021, nuk pranoi të hiqte sekuestron. Lumturi Çervanaku nuk heq dorë dhe i drejtohet Gjykatës së Lartë. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë shqyrtoi çështjen dhe me vendimin e datës 3 nëntor 2022, vendosi që të mbahen të bllokuara llogaritë bankare të Lumturi Çervanakut.
Arrestimi i Viktor Çervanakut
Ndërkohë që Lumturi Çervanaku po mundohej të zgjidhte hallet e saj me drejtësinë, dy prej vëllezërve të saj, Viktori dhe Zeneli, sapo i nisën telashet. Në 25 nëntor 2022, SPAK njoftoi arrestimin e dy vëllezërve Çervanaku. Si edhe disa personave të tjerë, të dyshuar se kanë trafikuar rreth 400 kilogramë kokainë nga Kolumbia drejt Shqipërisë, nëpërmjet ngarkesave me pleh kimik. Ngarkesa me pleh kimik ishte porositur zyrtarisht nga kompania e hapur nga Zenel Çervanaku në janar të vitit 2022.
Diçitura: Ngarkesa me pleh kimik u porosit nga kompania e Zenel Çervanakut
Sipas SPAK-ut, hetimi për këtë rast është zhvilluar nga strukturat e Policisë së Shtetit dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), në bashkëpunim me autoritetet malazeze. Si dhe në koordinim të vazhdueshëm me disa nga agjencitë e huaja të zbatimit të ligjit. Referuar informacioneve që disponoheshin lidhur me një ngarkesë të dyshimtë me “pleh-organik” artificial. E cila ishte paketuar dhe ngarkuar në një kontejner që do transportohej me anije nga Kolumbia, përmes Portit të Pireut/Greqi. Me destinacion tranzit portin Bar/Malin e Zi, për marrës një shtetas nga Shqipëria.
Nga verifikimet e kryera rreth shtetasit shqiptar, rezultoi se në fillim të vitit 2022, kishte regjistruar një biznes në emër të tij me objekt të aktivitetit.
Ndër të tjerave edhe “Import-eksport dhe tregtim me shumicë e pakicë të plehrave kimike dhe mallrave të ndryshme, me adresë në Tiranë.
Më konkretisht sasia me “pleh-organik”, në muajin maj 2022 pasi ngarkohet në kontejner nëpërmjet një anije transporti është nisur për në portin e Pireut/Greqi. Dhe ka mbërritur në fillim të korrikut 2022. E prej andej me anije transporti pas 3 ditësh është dërguar në portin e Barit të Malit të Zi. Në territorin shqiptar është transportuar me kamion në muajin shtator 2022.
Pasi është zhdoganuar ngarkesa me “pleh-organik”, nën koordinimin e vazhdueshëm të personave nën hetim është mundësuar zhvendosja e saj në ambiente të ndryshme në Shqipëri. Dhe më datë 24 nëntor 2022, është bërë e mundur sekuestrimi i kësaj ngarkese në Farkë të Madhe Fier.
Diçitura: Denilson dhe Viktor Çervanaku, të arrestuar për kokainën në pleh kimik
Për interesa të këtij procedimi penal rezulton se Prokuroria e Posaçme, krahas veprimeve hetimore, ka pranuar kërkesën e autoriteteve malazeze të drejtësisë.
Duke autorizuar kryerjen e veprimit simuluese atë të “dorëzimit të kontrolluar”. Me qëllim dokumentimin e aktivitetit të dyshuar kriminal, identifikimin e grupit të personave që kanë organizuar. Si dhe financuar blerjen e ngarkesës, kanë mundësuar përzierjen. Si dhe blerjen e sasisë së dyshuar të lëndës narkotike të llojit kokainë në Kolumbi. Si dhe kanë mundësuar transportimin e saj deri në Shqipëri.
Me qëllim identifikimin e plotë të bashkëpunëtorëve. Të cilët kanë marrë pjesë në përgatitjen e dokumentacionit rreth hapjes në Shqipëri të kompanisë që do realizonte transportimin dhe marrjen në dorëzim të “ngarkesës” brenda të cilës dyshohej se është përzier lënda narkotike e llojit kokainë. Si dhe pagesat e realizuara për blerjen, transportimin dhe zhdoganimin e saj. Personat që do kujdeseshin për pritjen dhe marrjen në dorëzim të ngarkesës në Shqipëri. Madje dhe personat që do kujdeseshin për rruajtjen, magazinimin dhe ekstraktimin e lëndës së dyshuar narkotike nga sasia me “pleh-organik”. Si dhe kush ishin personat e specializuar që do mundësonin kryerjen e këtij procesi, janë autorizuar nga Gjykata e Posaçme gjitha veprimet mbi aplikimin e mjeteve të kërkimit të provës.
Lexo edhe “Mbretër të drogës”, shkatërrohet banda e shqiptarëve në Spanjë
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post