Albcontrol, kompania me pronësi shtetërore, që menaxhon trafikun ajror, ka të paarkëtuara rreth 6.7 miliardë lekë (65 milionë euro) për periudhën 2021-2022, që duhet t’i kishte marrë nga aktiviteti normal i saj, ulje-ngritje e mbikalime.
Pjesa më e madhe e këtyre të ardhurave të paarkëtuara (mbi 90%, ose rreth 60 milionë euro) është krijuar në 2021-2022 dhe lidhet me bllokimin e llogarive të saj në Eurocontrol, si rrjedhojë e konfliktit mes qeverisë shqiptare dhe investitorit italian, Francesco Becchetti.
Ky i fundit, pasi ftoi gjyqin me qeverinë shqiptare për një shumë prej 110 milionë eurosh, po synon mbledhjen e parave në llogaritë që shteti shqiptar ka jashtë kufijve.
E dhëna është bërë e ditur në shënimet shpjeguese të pasqyrave financiare të bilancit të Albcontrol të vitit 2022.
“Gjatë vitit 2022, ashtu si dhe gjatë vitit 2021, shoqëria nuk ka arkëtuar asnjë të ardhur nga shërbimi onroute dhe terminal charge, si pasojë e një vendimi të shkallës së parë të Brukselit për ngrirjen e llogarive të Albcontrol, pranë organizatës Eurocontrol”, thuhet në shpjegimet e bilancit.
Eurocontrol është organizatë paneuropiane e dedikuar në mbështetjen e aviacionit europian, me seli në Bruksel.
Zëri “Llogari të arkëtueshme nga kompanitë ajrore”, i cili paraqet të drejtat për arkëtim për shoqërinë, por që nuk janë arkëtuar paratë për këto të ardhura, është rritur me shpejtësi nga viti 2021, kur u bë dhe bllokimi i llogarive të Albcontrol, pranë Eurocontrol.
Nga 607 milionë lekë që ishte ky zë në dhjetor 2020, arriti në 2.9 miliardë lekë në 2021 dhe 6.7 miliardë lekë në vitin 2022.
Mungesë transparencë në bilancin e 2022
Në bilancin e vitit 2021, Albcontrol e pranonte se ishte në vështirësi likuiditeti për shkak se të ardhurat e saj ishin bllokuar në llogarinë e saj në Bruksel nga Eurocontrol.
Sipas raportit të vitit 2021, gjatë periudhës Janar- Dhjetor 2021, nga aktiviteti i “Mbikalime & ulje ngritje”, është arkëtuar e duhet të ishte në dispozicion të shoqërisë për të plotësuar detyrimet e programit, shuma me vlerë neto 20.98 milionë euro, ose 2.57 miliardë lekë.
Ndërsa në bilancin e vitit 2022 nuk sqarohet se pse është rritur kaq shumë zëri i “Llogari të arkëtueshme nga kompanitë ajrore”, sa është shuma e paarkëtuar nga bllokimi i llogarive për vitin 2022, nëse ka shanse që kjo shumë të arkëtohet ndonjëherë, apo shuma është kaluari në llogari të Beccheti.
Audituesit, me të cilët u konsultua “Monitor” thanë se, duke pasur parasysh informacionin lidhur me vendimin e gjykatës belge për rreth 110 milionë Euro, pra rreth 12 miliardë lekë, jepet rezervë për të gjithë vlerën e kërkesave të arkëtueshme prej 6,748,776,109 lekë, që duhet të zhvlerësohen tërësisht dhe të kalojnë në humbje pasi gjasat për të mos u arkëtuar janë më të larta se mundësia e realizimit të tyre.
Audituesit thonë se normalisht shënimet shpjeguese në bilanc duhet të jepnin një pamje më të qartë të situatës së krijuar prej çështjes Becchetti, por gjithashtu pasqyrat duhet të përfshinin më shumë informacione përshkruese lidhur me këtë çështje.
Edhe raporti i auditorëve të pavarur, ndonëse është opinion me rezervë, sërish nuk jep shumë shpjegime për situatën reale të Albcontrol, por mjaftohet duke thënë se duke qenë se llogaritë bankare të shoqërisë Albcontrol pranë Eurocontrol janë ngrirë “Gjatë kryerjes së procedurave të mëpasshme të auditimit kemi ndeshur në informacione publike, si rrjedhojë e vendimit të gjykatës së apelit në Bruksel, që mund të krijojë ekzistencën e një pasigurie materiale mbi aftësinë e shoqërisë për të vazhduar në vijimësi”.
Të ardhurat e Albcontrol, 23% më të ulëta se në 2019-n
Në vitin 2022, të ardhurat e deklaruara të Albcontrol ishin 2.7 miliardë lekë, pothuajse në të njëjtin nivel me vitin e mëparshëm. Ndonëse situata me fluturimet u përmirësua ndjeshëm pas kufizimeve në lëvizje të vitit 2020, sërish të ardhurat ishin 23% më të ulëta se në 2019-n, pikërisht për shkak të pamundësisë së arkëtimit të të ardhurave nga shërbimi onroute dhe terminal charge, që derdhen pranë organizatës Eurocontrol. Kompania ka mundur të arkëtojë vetëm të ardhurat që merr nga fluturimet që realizohen mbi territorin e vendit.
Si rrjedhojë e mosrritjes së të ardhurave dhe shtimit të shpenzimeve, Albcontrol ka deklaruar një fitim minimal prej 16 milionë lekësh, nga 533 milionë lekë në 2021.
Konflikti me Becchetti
Përballja e Shqipërisë me investitorin italian, Francesco Becchetti, në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve, përfundoi me një vendim në favor të tij, duke i akorduar një kompensim prej 110 milionë eurosh në vitin 2020.
Pas këtij vendimi, investitori ka synuar mbledhjen e parave në llogaritë që shteti shqiptar ka jashtë kufijve, ku një prej tyre është llogaria e Albcontrol në Eurocontrol në Bruksel, ndërkohë që qeveria thekson se beteja ende nuk ka mbaruar.
Në 26 maj 2021, në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve (ICSID) u paraqit një tjetër kërkesë e Shqipërisë sa i takon përplasjes me investitorin italian Francesco Becchetti ku u regjistrua një kërkesë për korrigjim të vendimit për anulim të paraqitur nga Republika e Shqipërisë. Por në prill 2023, Becchetti fiton përfundimisht Arbitrazhin me qeverinë shqiptare.
Zanafilla e përplasjes mes shtetit dhe investitorit nisi në qershor të 2015-ës, kur u bllokuan asetet e Francesco Becchetti-t. Bllokimi i këtyre aseteve çoi edhe në mbylljen e televizionit Agon Channel, element që u përdor nga Beccheti për të çuar çështjen në Arbitrazh.
Discussion about this post