Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka bllokuar dy ngarkesa me 54 ton mish pule me origjinë nga Brazili dhe ka refuzuar 25 ton produkte gruri në Pikën e Inspektimit Kufitar në Morinë, gjatë kontrolleve të muajit nëntor.
Sipas AKU-së, dy ngarkesat me mish pule, të importuara nga kompania ZICO sh.a., janë bllokuar në Pikën Kufitare të Durrësit, pasi të dhënat e certifikatave shoqëruese nuk përputheshin me ato të regjistruara në sistem.
Ndërkohë, në Pikën Kufitare Morinë është refuzuar një ngarkesë me 7 ton miell gruri dhe 18 ton “Hime Gruri”, të importuara nga subjekti “Mirela Bërdufi”.
Në njoftim thuhet se shkak për refuzimin është bërë mungesa e dokumentacionit shoqërues, mungesa e numrit LOT, problemet me datat e prodhimit dhe skadencës, si dhe mospërputhjet në të dhënat e proteinave dhe mungesa e analizës për aflatoksinën.
Njoftimi i AKU-së
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit bën me dije se gjatë muajit nëntor 2026 në Pikat e Inspektimit Kufitar (PIK) janë importuar në total 5277 ngarkesa, nga të cilat 1276 ngarkesa me origjinë shtazore, 2834 ngarkesa me origjinë joshtazore dhe 1167 ngarkesa MBIB (produkte të mbrojtjes së bimëve dhe inputeve bujqësore).
Gjithashtu, janë marrë në total 167 mostra, nga analizimi i të cilave nuk kanë rezultuar raste jokonforme deri më tani.
Për sa i takon rasteve të refuzimeve në kufi, rezultojnë të jenë 3 ngarkesa, 2 në PIK Durrës dhe 1 në PIK Morinë.
Dy ngarkesat me 54 ton mish pule, të importuara nga subjekti ZICO sh.a., do të kthehen në vendin e origjinës, në Republikën Federative të Brazilit, pasi të dhënat e certifikatave shoqëruese nuk përputheshin me të dhënat në sistem.
Ndërsa në PIK Morinë është refuzuar një ngarkesë me 7 ton “Miell gruri tip 400 dhe 500” dhe 18 ton “Hime gruri”, të importuara nga subjekti “Mirela Bërdufi”, me destinacion kthimin në Kosovë.
Sipas AKU-së, për produktet e grurit kishte mungesë të theksuar të dokumentacionit shoqërues. Në pjesën më të madhe të ngarkesës me miell gruri nuk lexohej data e prodhimit dhe e skadencës, niveli i proteinave në ambalazh nuk përputhej me atë në dokumente, si dhe mungonin numri LOT dhe fleta e analizës së aflatoksinës.
Për produktin “Hime gruri” mungonte numri LOT në etiketa, duke pamundësuar lidhjen e produktit me dokumentacionin shoqërues.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit thekson se mbetet i angazhuar në garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorit.










Discussion about this post