Armando Broja po e pret me padurim Europianin si një mundësi të artë për të shkëlqyer me fanellën e Shqipërisë, por edhe për t’u treguar të gjithë atyre që dyshonin te ai, se mund të bëhet një emër i rëndësishëm.
Në një intervistë të gjatë për “The Athletic”, Broja ka treguar pikërisht këtë pritshmëri që ka rreth tij dhe asaj që vetë sulmuesi pret të ndodhë në Europian. Por ai është ndalur edhe te etapat e ndryshme të karrierës së tij, si dëmtimi i gjatë dhe vuajtjet, kthimi te Çelsi, zhgënjimi te Fullhemi e mbështetja e jashtëzakonshme dhe lidhja që ka krijuar me trajnerin Silvinjo.
REVANSHI NË EUROPIAN
“Nëse do të përfshihem, do të jetë një mundësi për t’u treguar njerëzve kush jam unë dhe çfarë mund të bëj. Sa herë që mendoj për këtë, më sjell një buzëqeshje në fytyrë, kam ëndërruar gjithë jetën që të jem pjesë e një gjëje të tillë.
Kam shumë për t’u treguar njerëzve dhe vetes time. Në futboll ka shumë kritika, njerëzit gjithmonë dyshojnë për ty. Ata kujtojnë vetëm ndeshjet e këqija dhe të gjykojnë në momentin tënd më të keq.
Kënaqësia e vërtetë në futboll është të kalosh të gjitha këto. Do të përdor të gjithë negativitetin si një karburant që të më furnizojë për të vërtetuar që njerëzit e kanë gabim. Më duhet ta bëj të gjithë jetën time dhe ky Europian ma jep këtë mundësi, që të tregoj se jam kthyer nga dëmtimi, që mund t’ia dal kundër disa prej kombëtareve më të mira në botë, ndaj disa prej mbrojtësve më të mirë, disa prej lojtarëve më të mirë.
Unë dua t’i tregoj botës, vendit tim, familjes time, njerëzve që kanë dyshuar te ynë, njerëzve që më kanë mbështetur, se unë mund të përmbush pritshmërinë dhe të bëhem ai lojtar që e di se mund të bëhem”.
LIDHJA ME SILVINJON
“Kam folur disa herë me të në telefon dhe personalisht. Ai erdhi të më takonte në Angli kur isha ende me paterica dhe kur isha te Fullhemi. Ai vazhdonte të më thoshte se sa shumë dëshironte të punonte me mua dhe se jam pjesë e madhe e asaj që Kombëtarja shqiptare po mundohet të bëjë. Ai më bëri të ndjehem i dëshiruar dhe i vlerësuar. Kjo është diçka që lojtarëve të rinj u nevojitet. Ai praktikisht më vuri krahun mbi shpatull atëherë kur më nevojitej.
Kur shkova në stërvitje me Shqipërinë në mars, e ndjeva dashurinë që në momentin kur mbërrita. Ai ishte ndoshta një nga momentet më emocionale, kur kam luajtur gjithashtu. Kisha të gjithë tifozët që thërritnin emrin tim dhe stadiumi ishte plot. Por ishte një realitet i trishte që unë përfundova duke luajtur më shumë minuta për Shqipërinë në atë periudhë se sa në katër muaj te Fullhemn”.
DËMTIMI I RËNDË
“Ishte një mëkat i madh ajo që ndodhi sepse, në atë periudhë shkëputje për shkak të Kupës së Botës, pata një shans të madh për të lënë shenjë te trajneri. Shpresoja t’ia dilja që të shpërtheja në ekip. E ndjeja me të vërtetë që mund të bëhesha pjesë.
Kur erdhi dëmtimi, unë vetëm po bërtisja në tokë me lotët që më rridhnin në fytyrë, sepse nuk ndihesha mirë. Fizioterpistët hynë dhe më dhanë oksigjen menjëherë. Nuk i lëvizja dot këmbët. Më trembi. Mbaj mend që shkova në dhomën e fizioterapisë dhe nuk mund të shihja për shkak të lotëve. Thjesht iu luta mjekut që të më jepte telefonin tim që të telefonoja mamin dhe babin.
Unë fola me Ben Çilluell për gjërat, sepse ai kishte qenë jashtë me lëndime më parë dhe klubi më mbështeti. Por ishte e vështirë të kalosh rehabilitimin i vetëm, të shikoje shokët e skuadrës duke stërvitur dhe luajtur. Ana mendore ishte ndoshta pak më e vështirë për t’u përballuar sesa dhimbja fizike. E pata të vështirë të isha jashtë loje për kaq shumë kohë.
Është një gjë e mirë për të cilën të reflektosh ndonjëherë tani, sepse tregon se si kam bërë përpara dhe jam bërë më i fortë. E vlerësoj edhe më shumë që jam në gjendje të luaj tani. Ka njerëz që nuk shërohen nga këto lloj lëndimesh. Mund të kishte shkuar lehtësisht ndryshe, ku mund të mos luash më futboll. Kjo është e frikshme”.
GOLI ME ÇELSIN KUNDËR FULLHEM
“Ishte e pabesueshme. Një nga momentet e mia më të mira. Nuk është goli më i bukur i karrierës sime, por ndoshta ai që do të thotë më shumë për mua. Ishte një gjë shumë e madhe. Unë isha duke buzëqeshur edhe një apo dy javë më pas prej tij.
Munda të luaja vetëm 60 minuta kundër Fullhemit, sepse këmbët e mia ishin të mbaruara atë natë. Ishte e mahnitshme vetëm të ishe atje. Kisha qenë jashtë loje për kaq shumë kohë, saqë mua më dukej si diçka e re përsëri”.
KTHIMI NË FUSHË DHE KRITIKAT E POÇETINOS
“A më surprizuan? Paksa, sepse kisha kaluar aq shumë me dëmtimin dhe ai po thoshte diçka për mua që kisha nevojë të jem më i lumtur. Ndjehesha sikur mund të kisha pasur më shumë besim nga ai.
Unë në thelb u futa në Premier Ligë direkt – që është e vështirë për t’u përballur gjithsesi, por nuk pata parapërgatitje.
Unë kam qenë gjithmonë mjaft i ashpër me veten time sepse pres shumë, por kam pasur gjithmonë një sjellje shumë të mirë për sa i përket stërvitjeve dhe ndeshjeve. Unë gjithsesi përpiqem të bëj më të mirën për ekipin; përpiqem të fitoj. Unë nuk jam një lojtar që fshihet apo ankohet.
Mendova se kur Nikolas Xhekson do të shkonte me Senegalin në Kupën e Kombeve të Afrikës (në fillim të vitit 2024) do të më jepej një mundësi për të luajtur shumë ndeshje. Fillova tre herë në janar, por mendova se ka pasur raste që mund të isha shfrytëzuar më shumë. Pata ndjesinë që njerëzit prisnin që unë të kaloja tre, katër lojtarë dhe ta çoja topin në cepin e poshtëm të portës. Por unë po luftoja për të rikthyer gjendjen time fizike dhe gjërat që më kalonin nëpër mendje ishin të tipit “Çfarë do të më ndodhë në janar?”.
Kishte shumë spekulime rreth meje në atë kohë, nëse do të shkoja në huazim. Unë thjesht dëshiroja përgjigje nga klubi, pak siguri dhe thjesht nuk e mora atë. Në fund vendosa të shkoj në huazim sepse doja të merrja më shumë minuta. Mendova se ishte koha perfekte ku mund të luaja futboll vazhdimisht për katër muaj deri në Europian”.
HUAZIMI TE FULLHEMI
“Marko Silva dëshpërimisht donte që unë t’i bashkohesha. Ai po më thoshte se do të luaja ndeshje, se do të kisha një mundësi për të filluar nga minuta e parë dhe për të marrë sa më shumë minuta.
Nuk ndihmoi që Muniz filloi të shënonte direkt. Unë e kuptoj plotësisht që nuk mund ta lësh një lojtar që shënon ndeshje pas ndeshje. Por më dukej sikur kisha biseda gjatë kësaj periudhe Silva do të thoshte: “Mos u mërzit, thjesht vazhdo të bësh atë që po bën, do të kesh mundësine”. Por nuk e kisha kurrë.
Nëse do të më aktivosh dhe unë bëj një ndeshje të pabesueshme, atëherë është shansi im. Bëra gjithçka që munda për t’u përfshirë. Nuk kishte asnjë lidhje me dëmtimin tim. U stërvita si profesionist. Unë ia kalova mirë me të gjithë lojtarët. Stafi ishte i mrekullueshëm. Shkova mirë me të gjithë.
Të gjitha mendimet të kalojnë në mendje: ‘Kam kaluar katër muaj të karrierës sime vetëm duke u stërvitur’, ‘Mund të qëndroja te Çelsi për katër muaj dhe të luaja më shumë’. Ta shpifte, por ky është futbolli. Duhet të ecësh përpara dhe unë e cilësoj atë si një tjetër mësim.”
E ARDHMJA PAS EUROPIANIT
“Kallum Hadson-Odoi është një talent i madh dhe ai pati një dëmtim të madh (tendinën e Akilit) te Çelsi, si unë. Gjërat nuk shkuan siç donte, kështu që ai iu bashkua Notingem Forestit dhe tani po shënon gola dhe po kthehet sërish vetvetja. Ata besuan te ai dhe kjo është ajo që i duhet një lojtari kur kalon një dëmtim të tillë.
Dominik Solankes nuk i dhanë ndeshje te Çelsi ose Liverpuli, por ai tani regjistron pesë sezone te Bornmuth, ku i është lejuar të bëjë gabime, të ketë ndeshje të këqija, të bëjë gjënë e gabuar dhe të duhur. Ai e përfundoi këtë sezon si një nga golashënuesit më të mirë në Premier Ligë dhe nëse dikush dëshiron ta blejë atë, do të kushtojë shumë para.
Asgjë nuk është vendosur ende, por nëse më duhet të shkoj diku tjetër për t’u rikthyer në shinat e duhura, atëherë sigurisht që do të doja ta bëja këtë. Si lojtar, nuk ka ndjenjë më të mirë sesa të jesh në fushë dhe të dish se ke një klub dhe një ekip që të mbron; një klub që të lejon të bësh gabime sepse e dinë se do të bëhesh dikush.
Por tani, i gjithë fokusi im është të bëj më të mirën për Shqipërinë në Europian. Jam i emocionuar si çdo shqiptar në botë. Po e pres me padurim”.
Discussion about this post