Projektbuxheti i vitit 2022 është paraqitur nga qeveria me shifra pozitive dhe si një shpresë për rimëkëmbje, por nga ana tjetër ka pasur një sërë kritikash si nga opozita, ekspertë dhe bizneset në vend. Për një analizë më të detajuar rreth pikave pozitive dhe negative të këtij projektbuxheti, ka folur në një intervistë për “Gijotina.com” eksperti i ekonomisë Koço Broka.
Broka është shprehur pozitiv se, vitin që vjen ekonomia mund të nisë të rimëkëmbet, por për këtë ai kërkon që qeveria të rrisë produktivitetin, të mbështesë fermerët dhe çdo biznese tjetër, të rrisë pagat, si dhe kërkon gjithashtu rishikim e skemës së pensioneve. Në të kundërt, të rinjtë do të largohen nga vendi. Sa për borxhin publik, ai tha se e sheh si një risk real, i cili rrezikon qëndrueshmërinë ekonomike.
Zoti Broka, buxheti i viti 2022 përveç vlerësimeve për shifrat pozitive është shoqëruar edhe me debate. Ju si ekspert, cilat pika do evidentonin si problematiket ose që duhet të ishin bërë ndryshe dhe cilat do të jenë frytdhënëse?
Përgjigje:Nga përbetimi për konsolidimin fiskal, në rritjen galopante të borxhit publik.
Këto debate nuk janë rastësi. Para dy muaj opinioni publik u njoh me programin e Qeverisë. Në të lexon se ndër shënjestrat kryesorë janë :
“-Rritja ekonomike do të jetë mesatarisht 4.5 % në vit dhe do të mbështesë një rritje edhe më të madhe të pagave në nivel vend.
-Konsolidim i përshpejtuar fiskal duke synuar borxh nën 60% në fund të mandatit”.
Kjo e fundit u koracua edhe nga Ministrja e Ekonomisë dhe Financës e cila tërhoqi vemendjen gjatë diskutimit të programit katër vjecar se “Ne do të vijojmë me konsolidimin fiskal pa cënuar mirëqenien e qytetarëvedhe duke vijuar investimet dhe mbështetjen strategjike në fushat prioritare të programit…me një buxhetim të kujdesshëm në mbështetje të rritjes ekonomike, duke hyrë në një trajektore më të kujdesshme, drejt konsolidimit fiskal. Në fund të këtij mandati ne synojmë të ulim nivelin e borxhit drejt 60%-it, duke reduktuar, gjithashtu, normën e interesit të tij.”
Rifillimi i konsolidimit fiskalgjatë këtij mandati ishte e besueshme, edhe për faktin se gjatë miratimit të buxhetit të vitit 2020 disa ditë pas tërmetit të vitit 26 Nëntorit 2019, deficiti buxhetor i vitit 2022, ishte parashikuar vetëm -22,705 milion lekë ose -1.1 % e PBB. Dhe me kuadrin makroekonomik fiskal për periudhën 2022-2024, i miratuar pas ndodhisë së tërmetit dhe zhvillimit të pandemisë, më 13.1.2021, Qeveria ishte angazhuar se deficiti i buxhetit për vitin 2022, të ulej në, -51,585 milion lekë ose -2.9 % të PBB. Ndërsa gjatë tetorit në një konferencë shtypi me ndërkombëtarë, Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, tërhoqi vemendjen se “…politika fiskale do të mbetet plotësisht e orientuar për t’ju rikthyer objektivit të saj prioritar të konsolidimit fiskal në afatin e mesëm dhe afatin e gjatë, në përputhje si me rregullat fiskalë të sanksionuara në Ligjin Organik të Buxhetit për uljen e vijueshme të borxhit publik deri sa ai të zbresë poshtë nivelit 45% të PBB, ashtu edhe në linjë me përcaktimet e Kritereve Ekonomike dhe rekomandimet specifike të Komisionit Europian.” Përkundrajt qëndrimeve të mësipërme, me rishikimet e buxhetit për vitin 2021 e me draft buxhetin e vitit 2022, deficiti buxhetor parashikohet -100,883 milion lekë ose -5.4% të PBB, duke ndjekur një politikë tej ekpasioniste, larg konsolidimit fiskal. Kjo nuk mund të mos ngjallë diskutime e debate.
-Por, kjo është në rafshin ekonomik midis specialistëve të saj. Përvec tij ka një aspekt tjetër, që i hedh benzinë zjarrit, që është aspekti politik dhe ndodh rëndom gjatë diskutimit dhe miratimit të draft-buxhetit. Atakimi politik për rritjen e borxhit nuk ka munguar në vite, e sidomos kur pas një trajektore duke rënëse me fillimin e viteve 2000 , me rifillimin e rritjes së tij, gjatë fazës së dytë të asaj dekade e sidomos vitit elektoral të 2009 ,dhe më pas kur kapërceu kufirin 60% të PBB dhe po ndodh dhe tani. Por me sa duket atakimi i borxhit shpesh është bërë në radhë të parë e kryesisht nga interesat e ngushta partiake, pa nxjerrë konkluzionet e mësimet duhura që mund dhe ja vlen të shërbejnë për cdo qeveri. Psh borxhi i madh që u morr në atë vit, justifikohet ende nga opozita e sotme, etëm me krizën e vitit 2008.
Në fakt teza kryesore, ishte se buxheti i madh të rijep pushtetin, se sa të jem unë kryeministër do kini rritje të pagave dhe pensioneve… Për rrjedhojë qëndrimi kryesor që u mbajt ishte deficiti i lartë, borxhi i madh publik i marrë në atë vit zgjedhor por edhe më pas. Për këtë flet fakti se në vitin 2009 deficit fiskal arriti 7.1% e Produktit të Brendshëm Bruto. Borxhi publik atë vit u shtua me 86.6 miliard lek ose shtesë prej 4.91 pikë përqindje ndaj PBB, për të arritur në 884,5 miliard lekë në vitin 2013. Vertet pagat dhe pensionet janë rritur me ritme më të larta se pas 2013, por deficiti i sigurimeve shoqërore u rrit jashtëzakonisht duke bërë presion që ai të përballohëj ose me rritje të tatim taksave ose me rritje të borxhit publik, rritjes të detyrimeve ndaj biznesit duke e shpënë ekonominë në kolaps. Madje duhet thënë se e gjithë kjo rritje e borxhit publik u bë në kushtet e rritjes galopante të kostos së shërbimit të borxhit. Kjo për faktin se u rritën me ritme të larta veçanërisht shpenzimet për interesat e borxhit te jashtëm, të cilat në vitin 2009 u shtuan me 67.5% në krahasim me vitin 2008, si rezultat i huamarrjes të eurobondit me terma të larta tregtare. E njëjta gjë ndodhi dhe me borxhin e brendshëm, si rrjedhojë e normës së lartë të bonove të thesart, duke rritur koston e shërbimit të borxhit gjithsej nga 35.5 miliard lekë në vitin 2008 në 56.1 miliard lekë në vitin 2013.
Krejt ndryshe ka ndodhur me këtë të fundit pas vitit 2013, duke e ulur dukshëm atë drejt nivelit të 2008 si rrjedhojë e politikës monetare, uljes së kursit të këmbimit sidomos lek/euro por edhe duke shrytëzuar konjukturat ndërkombëtare. Psh për eurobondin e 2018 me të drejtë nga ekonomistë e financierëve objektivë tej përkatësisë partiake, është evidentuar se marrja e tij, rezultoi mjaft e zgjuar, jo vetëm se përmes tij u mundësua një hua, që me kosto 3.5% në vit shleu një hua me kosto 5.5% në vit, por lehtësoi punën për shlyerjen e borxhin në vitet vijues.
Kjo eksperiencë konkrete për fat të keq nuk interpretohet në radhë të parë e mbi të gjitha mbi shifrat dhe faktet, të cilat jo rastësisht janë dhënë gjërësisht më sipër, por kryesisht nga këndvështrimi politik e partiak, duke ngjallur debate shpesh pa bukë. Është e vërtetë që për vitin 2020 me gjithë rritjen e lartë të borxhit publik, në vendin tonë kostoja e shërbimit të borxhit nuk u rrit, madje u ul dicka, si rrjedhojë e qëndrimeve ndërkombëtare në fushën monetare e financiare që shtesa e borxhit gjatë pandemisë së Covid-19, të mos reflektohej në koston e tij. Por kjo nuk përjashton që me fillimin e ringritjes të ekonomive, rritja e kostos të shërbimit të borxhit të fillojë. Madje ky risk është paralajmëruar nga FMN
Borxhi publik ka qenë një nga pikat më të debatuara, ju si e shikoni vendimin e qeverisë për të marrë borxh të ri, apo vihet në rrezik buxheti i shtetit dhe çfarë do rekomandonit ju në këto raste?
Këtu ja vlen të evidentoj se për vitin 2020 dhe buxhetin fillestar të vitit 2021 zor të thuhet se shumëkush atakoi rritjen e borxhit, duke patur parasysh synimin e përballimit të pandemisë apo të tërmetit. Cështja që u shtrua pas ndodhjes të këtyre katastrofave ishte; nëse investimet e parashikuara në sektorë të tjerë do të vazhdonin si më parë apo do të rishikoheshin për t’u dhënë përparësi atyre investimeve efikase që mbështesin zhvillimin e qëndrueshëm dhe njëkohësisht mundësonin mbështetjen e shtresave në nevojë për të frenuar rënien e mëtejshme të tyre në varfëri!?
Në fakt shpenzimet për vitet 2020-2021-2022 edhe duke përjashtuar ato të tërmetit kanë qënë mjaft më të larta, se ato të vitit 2019, duke ndikuar në një rritje jo të vogël të borxhit. Kjo ka ndodhur kur rekomandimi i institucioneve ndërkombëtare që ndezin dritën e gjelbër, të verdhë, apo të kuqe për marrjen e borxhit publik , ka qënë që të realizohet “rindërtimi i hapësirës për manovrim të politikës fiskale duke ulur deficitin shumë të lartë fiskal” se “vendi nuk ka amortizues të mjaftueshëm në rast të përballjes me një valë të re pandemike. Në mungesë të konsolidimit fiskal, shtrëngimi i kërkesës dhe rritja e normave të interesit në tregun financiar ndërkombëtar mund të çojnë në shfaqjen e riskut të rifinancimit. Por edhe ngaanalizat e mjaft ekonomistëve në vëndin tonë, dëshmohet se hapësirat fiskale janë të kufizuara për të marrë një borxh me rritje galopante Kjo rritje nuk mundëson një zhvillim dhe rritje të qëndrueshme.
Në vitin e kaluar gjatë diskutimit të buxhetit Ministrja e Financave dhe Ekonomisë deklaroi se qeveria për vitin 2021 synon që niveli i borxhit publik (në terma relativë) t’i rikthehet trajektores rënëse. Kushdo mund të shohë fjalën e saj të datës 2.11.2020. Por kjo me sa duket nuk po ndodh edhe në kushtet kur si rezultat i hapjes së ekonomisë, kushteve të favorshme ndërkombëtare, apo stimulit fiskal, pritshmëria e rritjes të PBB, është rritur për këtë vit nga 5.5 % në 7.6 % e më tepër si deklaron kryeministri. Në se me LIGJ Nr. 137/2020 PËR BUXHETIN E VITIT 2021, në nenin nr 19midis të tjerash thuhet “Stoku i borxhit publik vlerësohet të arrijë në 1331 953 milionë lekë, pa përfshirë efektet e mundshme prej ndryshimit të kursit të këmbimit”, me aktin normativ Nr 31 Datë 27.10.2021, që u votua në Kuvend këtë javë, thuhet se qeveria vendosi që, “stoku i borxhit publik të arrijë 1425 690 milion lekë, papërfshirë efektet e mundshme të kursit të këmbimit”. Pra, ka një shtesë borxhi prej 93.7 miliard lekë, dhe krahasuar me atë që është prashikuar me Ligjin nr 137/2020 dhe një shtesë prej 201 miliard lekë më shumë se në vitin 2020, ose mbi 300 miliard lekë krahasuar me vitin 2019. Pra jo vetëm që nuk mbahet parasysh praktika e gabuar e rritjes së borxhit në vitet 2009-2013, por nuk mbahet parasysh as se shtesa e të ardhurave buxhetore nga viti 2014-2019 ka qënë për 5 vjet më pak 100 miliard lekë ose vetëm sa 1/3 e shtesës së borxhit të sanksiounar për tu marrë gjatë viteve 2020-2021, pa dhënë garanci se cfarë politikash zhvillimi do të bëhet ndryshe.
Kjo rritje galopante e borxhit ka ndodhur edhe pse rritja e të ardhurave të buxhetit gjatë 9 mujorit ka qënë e kënaqshme dhe dukshëm tej planifikimit. Në një kohë që defici i buxhetit në fund të shtatorit ishte 35.9 miliard lekë, ai për gjithë vitin është parashikuar 120.5 miliard!?. Me të drejtë Guvernatori i Bankës së Shqipërisë ka tërhequr vëmendjen qoftë edhe “për një shpërndarje më të mirë kohore të shpenzimeve gjatë vitit”
Skeptimizmi nuk mund të mos rritet kur në relacionin e buxhetit 2022, me të drejtë trajtohet pritshëria e të ardhurave buxhetore nga Tatimet Doganat &Kontributet, por pa hedhur dritë për pritshërinë e të ardhurave buxhetore nga ndihmat sipas destinacioneve përkatëse, për mbështetjen buxhetore, dhe për shpenzimet Të dhënat e realizimit te buxhetit për 9 mujorin Janar-Shtator 2021 tregojnë se ndërsa kjo mbështetje e huaj buxhetore ishte parashikuar të shtohej me 22 miliard krahasuar me faktin e së njëjtës periudhë të vitit të kaluar, në fakt ajo nuk është realizuar madje është dicka më pak se vitin e kaluar Transparenca e plotë për buxhetin ishte një nga shqetesimet e ringritura edhe nga Fondi Monetar në vizitën e fundit.
Sa më sipër nuk përjashton por presupozon pyetjen e ngritur nga opozita se cilat janë drejtimet e shtimit të borxhit publik gjatë vitit 2021 dhe nuk justifikon një përgjigje jo të qartë të saj.
Në buxhetin e viti 2022, qeveria parashikon të shtojë 7 kontrata koncesionare të tjera, cili është qëndrimi juaj për këtë? Do rekomandonit anulimin e disave prej tyre?
7 kontratat koncesionare të prezantuara në relacion e buxhetit 2022 përbënin një shqetësim real për mbarë publikun. Por Ministjra e Financave dhe Ekonomisë ka bërë shpjegimin përkatës gjatë shtjellimeve të saj në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave, se ato nuk përfshihen në buxhetin e vitit 2022, për rrjedhojë nuk mendoj të ndalem më gjatë.
Qeveria ka parashikuar në buxhet një fond prej vetëm 2.6 miliard lekësh për indeksimin e pensioneve, a mendoni se është i mjaftueshëm?
Rritja e nivelit dysheme dhe tavan e kontributit të sigurimeve shoqërore të mundësojë kthimin mbrapsh në pensionet e atyre që i paguajnë ato.
Mendimi dhe qëndrimi im si ekonomist është se, duhet domosdoshmërisht të krahasohet ritmi i rritjes të nivelit mbi të cilin derdhen kontributet e sigurimeve shoqërore dhe ritmet e rritjes së pensioneve. Ritmi i rritjes së këtyre te fundit është minimal dhe ai mbulon vetëm indeksimin e inflacionit.
Ndërkohë, ritmi i rritjes të nivelit dysheme e tavan të derdhjes të sigurimeve shoqërore, sidomos vitet e fundit, është disa fish më i lartë. Kjo në vend të luftojë informalitetin bën presion ta rritë atë për faktin se sidomos kontribuesit evetpunësuar në zonën urbane si qytetarë të lirë shtrojnë pyetjen: A më kthehen mbrapsh kontributet e derdhura, kur gjatë viteteve të fundit por dhe në këtë mandat të ri parashikohet për të rritur nivelin dysheme të derdhjes së tyre nga 30 .000 në 40. 000 lekë, po pa rritjen përkatëse të pensionit?
Herët a vonë studentët u a bëjnë këtë pyetje pedagogëve të tyre të financës, se përvec inflacionit a mban parasysh qeveria në sektorin e pensioneve vlerën në kohë të parasë? Në se mbahet parasysh vlera në kohë e parasë nga Qeveria, kjo do jetë një arsye për t’i rezistuar tundimit për të emigruar në vende me të ardhura më të larta. Ata do jenë të gatshëm të punojnë dhe të derdhin taksa dhe kontribute në Shqipëri, kur e dinë se këto u kthehen ose do tu kthehen mbrapsht.
“Zgjidhja” e deficit te sigurimeve shoqërore nëpërmjet rrugës aktuale, për të rritur nivelin dysheme e tavan mbi të cilin derdhen kontributet pa rritjen e koreluar të pensionit, pa kthimin të paktën mbramsh të kontributit që është paguar, për mua është një rrugë e gabuar e njëjtë me atë të fshatarit që mendon se e kishte mësuar kalin pa ngrënë…
Kjo rrugë duhet zëvendësuarsa më shpejt me kryerjen e reformës se pensioneve duke patur parasysh defektet e reformës të vitit 2015 por dhe problematikën jo të vogël në këtë sektor.
Problemi i stanjacionit të nivelit mesatar të pensioneve apo të ardhurave të pensioneve në më pak se 17000 lek të reja është një problem tjetër i madh që është ndikuar nga heqja e ish kërkesës së Ligjit për sigurimet shoqërore se “Shuma bazë që iu jepet gjithë pensioneve të siguruar, duht të sigurojë të paktën një standard jetese minimal”. Aq më tepër që qeverisja aktuale është qeverisje e majtë dhe ka si bastion të saj edhe një shumicë jo të vogël votuesish.
Ju si ekspert, çfarë rekomandimesh keni për një plan buxheti më të mirë dhe një ekonomi në rritje?
Jo thjesht rritja e kapitalit dhe investimeve publike por rritja e eficencës së tyre dhe produktivitet, kjo është dhe duhet të jetë përparësia e Qeverisë.
Një ndër problematikat kryesore që do të evidentoja unë si eknomist është ajo që trajtohet me cdo studnet në Hyrje në Ekonomi apo Economics se Y=F(A, K, L) , ku Y simbolizon prodhimin, K -kapitalin, L –punën, dhe A produktivitetin. Sipas kësaj formule, Prodhimi (Y) është F-funksion e tre faktorëve kryesorë, punës, kapitalit, produktivitetit. Vendi une ka hyrë në një stad të tillë, ku moshat e reja që plotësojnë moshën për punë është më i vogël se sa ai që dalin nga fuqia punëtore, në pension. Në këto rrethana kur popullsia në moshë pune ka filluar të bjerë, kërkohet që shtesa e prodhimit të vijë kryesisht jo vetëm nga shtimi i kapitali por edhe nga rritja e eficencës së tij dhe rritja e produktivitetit. Kjo kërkon madje shtellime në rafshin teorik dhe sidomos atë praktik. Në se flitet dhe të dhënat konfirojnë për rënie të numrit të krerëve në blegtori, duhet patur parasysh se rënia e të punësuarve në këtë sektor që ka vështirësitë e veta dhe nuk proferohet si prindërit nga të rinjtëe sotëm, është shkaku kryeosor i tyre. Në fshatra dhe sidomos ata malore pakësimi i të rinjve si rrjedhojë e migrimit të brendshëm dhe të jashtëm është evident. Kjo do të thotë se duhet menduar seriozisht për rritjen e produktivitetit të punës në blegtori por dhe në gjithë sektorët e ekonomisë.
Më ka rënë rasti të udhëtoj me një emigrant nga Peshkopia që punonte në Francë. E pyes; çfarë do të veçoje nga ajo punë që bën në Francë, krahasuar me punën që ke bërë në Shqipëri? “Produktiviteti” më përgjigjet, “Bëj të njëjtën punë por në Francë prodhoj disa ose shumë fish të asaj që prodhoja në Shqipëri”. Kjo do të thotë se vëmendja duhet përqëndruar në rritjen e tij. Nuk mjafton vetëm shtimi i kapitalit dhe për rrjedhojë i borxhit por rritja e eficiencës të kapitalit dhe investimeve.
Kjo kërkon që të krijohen gjithë hapësirat e nevojshme që biznesi privat të rrisë prodhimin nëpërmjet rritjes së produktivitetit. Natyrisht kjo është e lehtë për t’u thënë dhe nuk mungon të shkruhet në programe partish dhe programe elektorale. Por, kryesorja është që rritja e produktivitetit të realizohet si përparësi për rritjen e prodhimit, për këdo duke filluar nga kreministri deri tek bariu, e kjo të jetë aq e natyrshme, sa mendësia e atij emigranti për të cilin fola më sipër. Ai e konkretizoj me faktin se, një fermer me familjen e tij, ndonse rrëzë alpeve në Francë, mbarështonte rreth 70 krerë lopë dhe nga to merrte 4000-4500 litra për krerë, pra rreth 300 000 litra qumësht, që e bënte kaçkavall dhe e shiste me 12-13 euro kg. Sejcili mund të bëjë llogaritë se sa ishte prodhimit dhe të ardhurat bruto të tij.
Në këtë rafsh rritja e vëmendjes drejt dixhitalizimit, fondet e caktuara për bashkëpunimin e universiteteve tona me universitetet nga më të mirat ndërkombëtare, kthesa rrënjësoreqë po synohet në laboratorët në shkolla dhe universitete, rritja e punës kërkimore shkencore dhe fondet jo të pakta për ngritjen e sturt-up- eve janë nga elementët më të mirë të buxhetit 2022. Por këtij angazhimi duhet ti përgjigjet dhe stafi pedagogjik i universiteteve dhe shkollave tona. Është e njohur ecuria dhe zhvillimi i Koresë së Jugut. Në një artikull në vitin 1992, tërhiqja vëmendjen për të mësuar nga eksperienca koreane në tërësi, por edhe në një moment që po e rievidentoj. Duke kaluar nga një ekonomi e mbyllur në një ekonomi e hapur me orientim eksporti, një rëndësi jo të vogël kishte angazhimi i personelit inxhinjero- teknik, universiteteve, që jo vetëm të prodhonte Samsungun tanimë të mirënjohur por edhe që ajo të bëhej një firmë konkurruese në tregun ndërkombëtar. Ishte angazhim i Universiteteve dhe personelit inxhero -teknik që e bënë të mundur këtë, dhe Samsungu të jetë një kompani vërtet konkurruese si për televizorët apo tani dhe për celularët. Rritja e eksportit të produkteve bujqësore dhe objektivi i vënë për tu arritur në fund të mandatit në vendin tonë, nuk mund të bëhet duke i mbajtur kontributet e sigurimeve shoqërore gati tre herë më të ulta se sa të vetpunësuarit në zonën urbane, duke thelluar këtë diferencë por edhe duke ndikuar në rritjen e deficitit të sigurimeve shoqërore.Rritja galopante e borxhit është rruga më e lehtë që mund të bëjë një qeveri dhe një kryeministër, por fati i saj gjatë viteve 2009-2013 është i qartë. Ai mbetet i paqartë për ata që nuk duan ta shohin dhe nuk pranojnë të reflektojnë.
Ju Faleminderit!
Intervistoi: Esmeralda Hida
Discussion about this post