Ka nisur në orën 10:00 seanca e parë Parlamentare e legjislaturës së 10-të të Republikës së Shqipërisë. Sot, 140 deputetët e dalë nga zgjedhjet e 25 Prillit, nga ku 74 PS, 59 PD, 4 LSI dhe 3 PSD, do të ulen në sallën e Kuvendit për të shënuar nisjen zyrtare të kësaj legjislature. Vlen për tu theksuar se PD dhe LSI, dy partitë opozitare më të mëdha në vend, kthehen sot në Kuvend, 30 muaj pasi dogjën mandatet në shkurt të 2019.
Rregullorja e Kuvendit përcakton se drejtues i seancës së parë plenare është deputeti më i vjetër në moshë, deri në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit. Këtë përgjegjësi e pati deputetja e PS-së Luljeta Bozo.
Seanca e parë pati më së shumti një atmosferë formale, ku nisi procesi i verifikimit të mandateve të ligjvënësve dhe betimit të tyre. Kjo do të jetë seanca e parë, pas të cilës do të thërritet një e dytë, në të cilën do të votohet kryetari i ri i Kuvendit. Gijotina.com, njoftoi më herët se seanca e dytë do të nisë në orën 17:00.
Surprizat këtë seancë i rezervon PD, ku ditën e enjte, kreu i demokratëve, Lulzim Basha deklaroi se ish-kryeministri dhe lideri historik i PD, Sali Berisha nuk do të jetë pjesë e grupit parlamentar të PD-së, deri në zbardhjen e plotë të vendimit të DASH, e ku të sqarohet e gjithë e vërteta. Berisha pas këtij veprimi të Bashës ka deklaruar se nuk do të krijoj një grup të ri, por do të vazhdoj betejën për të rikthyer sovranitetin e PD.
Ky vendim “atëvrasës”, nuk e ka penguar Berishën të paraqitet në Parlament, krah deputetëve të tij të besuar, Flamur Nokës, Edi Palokës dhe Tritan Shehut. Pas mbylljes së seancës, ai tha se vijon të jetë pjesë e grupit të PD, dhe se do ndërmarri çdo nisëm që PD të kthehet në piedestalin e dikurshëm.
Basha pas seancës në Kuvend: Rama është i vetmi armik!
Kreu i PD, Lulzim Basha, ka deklaruar pas seancës në Kuvend se i vetmi armik është Edi Rama.
“Ka vetëm një armik, ai është Edi Rama”- ka folur shkurt Basha teksa po shkonte drejt selisë së demokratëve.
Ai është pyetur nga gazetarët nëse ka pasur presione për përjashtimin e Berishës ndaj grupi parlamentar i PD.
Ky i fundit ka hedhur një sërë akuzash në dy ditët e fundit mbi një marrëveshje të mundshme Basha-Rama për përjashtimin e tij nga grupi i PD.
Ditën e djeshme, Lulzim Basha njoftoi vendimin e tij si kryetar për të përjashtuar nga grupi parlamentar i PD, Sali Berishën derisa zgjidhte pozicionin me DASH pas shpalljes ‘non grata’.
Menjëherë Berisha e kundërshtoi vendimin e Bashës duke e akuzuar këtë të fundit për pakte me Edi Ramën dhe se ka qenë i detyruar pasi është kërcënuar me sanksione. Sot Berisha pavarësisht këtij vendimi shkoi dhe u paraqit në Kuvend, por si deputet i pavarur edhe pse pretendon se është anëtar i grupit parlamentar të PD.
Rama i shtrin dorën Bashës, asnjë koment për Berishën
Kryeministri Edi Rama, pas daljes nga Kuvendi, nuk ka pranuar të përgjigjet për përjashtimin e ish-kryeministrit Sali Berisha nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike.
“Ndalova për t’ju uruar të gjithave dhe të gjithëve një punë të mbarë dhe të frytshme si shërbëtorë të publikut në këtë shesh në hyrje të Parlamentit. Unë do të angazhohem personalisht dhe PS do të bëjë të gjitha përpjekjet që të kemi sa më shumë energji të shpenzuara për njerëzit dhe problemet e tyre reale, ëndrrat dhe shpresat e tyre dhe sa më pak energji për atë që politika ka bërë në shumë e shumë vite duke u bërë një pronë e politikanëve”.
I pyetur nga gazetarët nëse është i kënaqur që Basha “vrau” babanë e tij, ai injoroi pyetjen, teksa shtoi se dora vazhdon të jetë e shtrirë për bashkëpunimin me opozitën.
“PS e ka marrë një mandat për të udhëhequr dhe PS sot është në një moment jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe duhet të shohim përpara. Jam shumë i përgatitur që të jem në lartësinë e fjalëve dhe duke dhënë shembullin i pari dhe duke u përmirësuar edhe me ju. PS ka marrë një mandat të tretë për ta dërguar Shqipërinë në një tjetër nivel. Vijmë në këtë Kuvend më dorën e shtirë pa marrë parasysh si do shkonin zhvillimet në PD, dhe dora është e shtirë për të bashkëpunuar në funksion të njerëzve,” tha Rama.
Kuvendi miraton Komisionin e Verifikimit të Mandateve
Kuvendi ka miratuar komisionin e verifikimit të mandateve i cili përbëhet nga 9 deputetë 5 nga mazhoranca dhe 4 nga opozita. Anëtarët e mazhorancës janë Klotilda Bushka, Ermonela Felaj, Aurora Mara, Nasip Naço dhe Toni Gogu.
Nga Opozita deputetët Saimir Koreshi, Dhurata Çupi, Greta Bardeli, Belind Këlliçi. Anëtarët e Komisionit u miratuan në mënyrë unanime me votë të hapur komisionin
Tashmë, ky komision do të caktojë kryetarin dhe më pas paraqet raportin për vlefshmërinë e mandateve të deputetëve.
U përjashtua nga grupi parlamentar i PD-së, ku u ul Berisha në Kuvend
Ish-kryeministri Sali Berisa, lideri historik i PD-së, ka hyrë sot në Kuvend si deputet i pavarur. Kjo pasi u përjashtua nga grupi parlamentar dje nga kreu i PD-së, Lulzim Basha, deri në sqarimin e pozicionit të tij në lidhje me vendimin e SHBA-ve për shpallje non-grata.
Berisha që në hyrje të Kuvendit u prit me eufori nga mbështetësit e tij, ndërsa ai nuk i shmangu deklaratat dhe akuzat për kryeministrin Edi Rama dhe Bashën, ku foli për pazare mes tyre.
Para hyrjes në Kuvend, Berisha bëri deklarata të forta ndaj kreut aktual të PD-së duke e akuzuar për një marrëveshje me Ramën, e cila ia dorëzoi sovranitetin e partisë këtij të fundit.
Siç mund të shihet edhe në foto, Berisha është ulur nga fundi përkrah Fatmir Mediut dhe aleatëve të tij të cilët akoma e mbështesin edhe pas vendimit të Lulzim Bashës.
Pasi zbriti nga makina, Berisha u prit nga Edi Paloka, Flamur Noka dhe Tritan Shehi, të cilët e përshëndetën dhe e shoqëruan për në sallë.
Berisha nuk njeh përjashtimin: Jam pjesë e grupit të PD
Ish-kryeministri Sali Berisha u shpreh i vendosur për të mos e njohur vendimin e kreut të PD, Lulzim Bashës për ta përjashtuar nga grupi parlamentar.
Pas mbylljes së seancës së parë të Parlamentit, Berisha tha për mediat, se është pjesë e grupit të PD, dhe mund të hyjë kur të dojë në selinë e partisë.
Ndër të tjera, ai tha se pakti Rama-Basha vazhdon në kurriz të zgjedhësve, ndërsa shtoi se do të ndërmarri çdo nismë ligjore për të rikthyer PD në piedestalin e dikurshëm.
“Jam i vendosur për të mbrojtur interesin publik të qytetarëve dhe publikut. Për të denoncuar të gjitha aferat e këtij regjimi të kakistokracisë, regjim i cili ka zgjedhur shpifjen dhe trillimin për eleminimin e opozitarëve shqiptarë. Se çfarë date është pakti, do t’jua lë historianëve. Ajo që ndodhi është një marrëveshje Rama-Basha në kurriz të zgjedhësve shqiptarë. Partia Demokratike është parti e të drejtave njerëzore, parti e interesit kombëtar. Jam i bindur se demokratët shqiptarë me vendosmëri do të dinë të vendosin PD në piedestal. Do të marr çdo nismë ligjore dhe statutore për rikthimin e PD në piedestal. Siç e shihni jashtë, jam anëtar i grupit të PD. Vendimi dhe kompromisi Basha-Rama është nul, nuk ka mbështetje ligjore të pazareve prapa shpine. Në çdo kohë mund të hyj në selinë e PD. Do të jetë shumë e afërt dita kur PD të rifitojë të gjithë forcën dhe legjitimitetin për të shporrur një klikë sunduese të bazuar mbi krimin dhe drogën. Grupi ishte në krahun e vet, as është pyetur fare”, tha Berisha.
Mbrëmjen e djeshme, Lulzim Basha njoftoi se vendosi përjashtimin nga grupi parlamentar të ish-kryeministrit dhe liderit historik të PD, Sali Berisha. Vendimi sipas Bashës është personal dhe nuk e hodhi në votim, pasi nuk donte përçarje në parti.
Berisha pas këtij veprimi ka deklaruar se nuk do të krijoj një grup të ri, por do të vazhdoj betejën për të rikthyer sovranitetin e PD. Madje, në daljen e tij për media, ai ka artikuluar dhe dorëheqjen e liderit të sotëm të opozitës, duke u shprehur se duhet të kishte dhënë dorëheqjen pesë herë para se të vriste sovranitetin e PD.
Noka, Paloka dhe Shehu në Kuvend përkrah Berishës
Ish kryeministri Sali Berisha ka shkuar në Kuvend i shoqëruar nga deputetët Flamur Noka, Edi Paloka dhe Tritan Shehu. Ashtu siç kishte paralajmëruar një natë më parë ai ka hyrë në kuvend si deputet i pavaruar.
Në hyrje të kuvendit u prit me ovacione nga mbështetësit e tij, ndërsa sulmoi hapur kreu i PD Lulzim Basha të cilin e akuzoi për pazare dhe e akuzoi si tradhtar që shiti partinë e tij.
Më herët Basha iu drejtua kuvendit pas mbledhjes që zhvilloi me grupin parlamentar të PD, i cili tashmë është përçarë në pro dhe kundër tij për shkak të vendimit të marrë për përjashtimin e liderit historik të PD Sali Berisha.
Nis seanca plenare, drejtohet nga Bozo
Deputetja më e vjetër e PS, Luljeta Bozo ka mbajtur fjalën për nisjen e seancës së re Parlamentare, të legjislaturës së 10-të të Republikës së Shqipërisë.
Bozo ka shprehur emocionet e saj pasi është zgjedhur për herë të parë deputete, teksa theksoi se kjo legjislaturë do të mbahet mend gjatë për shkak të numrit të lartë të grave e vajzave.
“Pas një karrierë të gjatë profesionale, kam nderin të hap legjislaturën e 10 parlamentare. Ndihem e emocionuar pasi kurrë më parë kjo sallë e nderuar s’ka pasur kaq shumë vajza e gra në radhët e saj.
Jam jo vetëm krenare për këto arritje, por kam bindjen e thellë se kjo legjislaturë do të mbahet mend gjatë për thyerjen e barrierave e stereotipeve gjinore, forcimin e rolit të gruas.
Kemi marrë përgjegjësi të madhe, për misionin historik, për ta ccuar Shqipërinë drejt Europës. Për të krijuar një Shqipëri që brezat që vijnë ta adhurojnë.
Mbështetës potenciale në këto reforma mbeten SHBA, aleati ynë më i fuqishëm, BE etj. Na besuan për të çuar drejtësinë përpara, administratën, për aq sa mundemi çështjen e pronave, arsimin, shëndetësinë, ekonominë në të gjitha degët e saj, bujqësisë, energjetike, arti dhe kultura, pa hequr vëmendjen“.
Ndër të tjera, Bozo i ka kërkuar të gjithë deputetëve socialistë e demokratë të punojnë pa ngjyra partiake.
“Sot Shqipëria nuk është më shprehje gjeografike. Shtëpia jonë e përbashkët është strehë e mirë për këdo.
Ne vijojmë të ndodhemi para dy sfidave që kanë të bëjnë me rimëkëmbjen, tërmetin e pandeminë. NE të gjithë së bashku do ia dalim. Zonja e zotërinj. Populli nga zgjodhi me votën e tij, të punojmë pa parë ngjyra partiake. të kryejmë me sukses punën e nderuar të deputetit. Paçim punë të mbarë të gjithë, të majtë e të djathtë. Ne punojmë për të mirën e vendin tonë. Në këtë proces do të kemi mbështetjen e shqiptarëve. Punë të mbarë të gjithëve”, tha Bozo.
Seanca e parë pritet të ketë më së shumti një atmosferë formale, ku do të nisë procesi i verifikimit të mandateve të ligjvënësve dhe betimit të tyre. Kjo do të jetë seanca e parë, pas të cilës do të thërritet një e dytë, në të cilën do të votohet kryetari i ri i Kuvendit. Gijotina.com, njoftoi më herët se seanca e dytë do të nisë në orën 17:00.
Më herët, ka qenë ish-kryeministri Sali Berisha që mbante i pari fjalën, por këtë herë duket se është Bozo që i ka “rrëmbyer” vendin Berishës.
Nuk i dorëzohet presionit të SHBA, Sali Berisha mbërrin në Kuvend
Ashtu sic kishte paralajmëruar, ish-kryeministri dhe lideri historik i PD, Sali Berisha ka mbërritur në Parlament. Pavarësisht vendimit të Lulzim Bashës për ta lënë jashtë grupit parlamentar, Berisha nuk është stepur dhe ka vendosur të paraqitet në Parlament.
“Njeriu që shet partinë Demokratike në pazare të fëlliqura me Edi Ramën. Është njeriu që do të marrë përgjigjen që meriton. Lëvizja ime e radhës është një lëvizje statutore. Lëvizjet janë të ndryshme, por emergjenca është kjo, Partia Demokratike do të vendosë legjitimitetin e grabitur nga Rama-Basha”,– tha Berisha.
Ish kryeministri Sali Berisha është pritur me brohoritma para kuvendit. Ai ka deklaruar se sot nis beteja e PD. Në krah të Berishës është shfaqur deputeti Flamur Noka, i cili e quajti vendim individual përjashtimin e Berishës nga kreu aktual i PD Lulzim Basha.
Berisha sulmoi drejtpërdrejt Lulzim Bashën, të cilin e quajti tradhtar, që ka shitur partinë e tij për interesa të fëlliqura.
I dolën kundër Bashës, shtatë deputetët e besuar të Berishës
Edhe pse deklaroi se vendimi për përjashtimin e Berishës ishte personal për të mos shkaktuar përçarje në PD, Lulzim Basha duket se nuk e kishte parashikuar reagimin e disa prej deputetëve më të rëndësishëm në parti, që i dolën zyrtarisht kundër.
Situata është shfaqur e tensionuar mbrëmjen e djeshme në mbledhjen e grupit parlamentar, me 7 deputetët që kundërshtuan hapur vendimin e Bashës.
Flamur Noka, Albana Vokshi, Tritan Shehu e Bujar Leskaj, nuk ngurruan t’ja thonë në sy Bashës, se vendimi i tij do të ketë kosto elektorale për PD.
Çfarë deklaroi secili prej tyre:
Flamur Noka: Folëm në zyrë, por do ta shpreh edhe këtu. Mohimi i Sali Berishës, është mohim i PD. Me këtë vendim, po i jepni PD-së goditje të rëndë. Po i jepni Ramës atë që ai ëndërronte. Vendimi duhet të shkojë për referendum në anëtarësi. Vendimi i gabuar, po mohojmë historinë. Sali Berisha është njeriu më proamerikan i 30 viteve të fundit të demokracisë. Berisha themeloi PD-në u ngrit kundër regjimit mbi vlerat dhe parimet e demokracisë amerikane u themelua PD. Busulla ka një dhe vetëm një e Berishës dhe e PD-së: Orientimi i euroatlantik. Në lidhje me vendimin Berisha po ecën në drejtimin që ka mbajtur. Përjashtimi është mohim i Partisë Demokratike, është të mohosh suksesin e kësaj force. Arsyet pse e ka marrë këtë vendim i di kryetari sepse e ka marrë vetë.
Albana Vokshi: Është vendim tronditës. Jam kundër vendimit, por mund ta kem subjektiv, për shkak të marrëdhënies që kam prej vitesh me Sali Berishën. Unë nuk jam e bindur si ju zoti kryetar që vendimi është në interes të PD. Nga qindra mesazhet që kam marrë, më rezulton së është vendim i gabuar, pasi shumica e demokratëve janë kundër. Ju thatë që mbani barrën, por barrën duhet ta mbajmë të gjithë dhe vendimi të votohet në forume. Nëse ju dobësoheni, dobësohet partia, ndërsa ne si ekip punojmë për t’ju rritur ju. Ne duhet të shprehemi me vote sepse jemi parti e mendimit të lirë
Tritan Shehu: Vrave PD-në. PD ka hyrë në një spirale shumë të rrezikshme. Një vendim i tille nuk mund të merrej nga vetëm një njeri, qoftë dhe kryetari. Duhej ta gjykonim sëbashku. Kam qenë kryetar i partisë, por të tilla vendime nuk duhet të merren nga 1 njeri, sepse vihet në dyshim ekzitenca e partisë. Këtë vendim nuk e merr dot ti, sepse PD ka forume.
Oerd Bylykbashi: Vendimi do të sjellë përçarje, jo vetëm horizontale, por dhe vertikale, nga lart-poshtë. Ne kemi marrë 622 mijë vota, por a na çon ky vendim tek 750 mijë vota nesër, sepse do të ketë pasoja.
Kreshnik Çollaku: Pse ta hedhim në votë? Asnjë nuk do ta votonte, kështu që le ta marrë peshën kryetari. Ështe një vendim vetëkryqëzues.
Bujar Leskaj me ironi: Nuk kam marrë leje lart. Nuk kam marrë leje, nuk flas dot.
Luçiano Boçi (pa qëndrim të dalë në media, por i njohur kundër).
Mbrëmjen e djeshme, Lulzim Basha njoftoi se vendosi përjashtimin nga grupi parlamentar të ish-kryeministrit dhe liderit historik të PD, Sali Berisha. Vendimi sipas Bashës është personal dhe nuk e hodhi në votim, pasi nuk donte përçarje në parti.
Berisha pas këtij veprimi ka deklaruar se nuk do të krijoj një grup të ri, por do të vazhdoj betejën për të rikthyer sovranitetin e PD. Madje, në daljen e tij për media, ai ka artikuluar dhe dorëheqjen e liderit të sotëm të opozitës, duke u shprehur se duhet të kishte dhënë dorëheqjen pesë herë para se të vriste sovranitetin e PD.
Basha mbledh grupin parlamentar para seancës plenare
Kryedemokrati Lulzim Basha ka mbledhur grupin parlamentar të Partisë Demokratike, një orë para para fillimit të seancës së parë plenare për sezonin e ri parlamentar. PD kthehet në Kuvend, 30 muaj pasi braktisi mandatet në shkurt 2019.
Mësohet se, në selinë blu kanë mbërritur disa nga deputetët e zgjedhur të PD-së, mes tyre Agron Gjekmarkaj e Xhelal Mziu, ndërsa vetë kryedemokrati nuk ka mbërritur ende.
Ky është një takim rutinë mes demokratëve, por pas lajmit të dhënë një ditë më parë nga Basha, i cili përjashtoi liderin historik Sali Berisha nga grupi parlamentar, nuk mund të zhvillohet më njësoj.
Gjatë mbledhjes së zhvilluar një natë më parë në ambientet e selisë blu, pati debate shumë të forta mes demokratëve. Bujar Leskaj, Flamur Noka, Albana Vokshi, Kreshnik Çollaku, Oerd Bylykbashi, Tritan Shehu dhe Luçiano Boçi dolën hapur kundër vendimit të marrë nga Basha duke krijuar përçarje në parti.
Mbrëmjen e djeshme, Lulzim Basha njoftoi se ka vendosur përjashtimin nga grupi parlamentar të ish-kryeministrit Sali Berisha. Vendimi sipas Bashës është personal dhe nuk e hodhi në votim, pasi nuk donte përçarje në parti.
Berisha pas këtij veprimi ka deklaruar se nuk do të krijoj një grup të ri, por do të vazhdoj betejën për të rikthyer sovranitetin e PD. Madje, në daljen e tij për media, ai ka artikuluar dhe dorëheqjen e liderit të sotëm të opozitës, duke u shprehur se duhet të kishte dhënë dorëheqjen pesë herë para se të vriste sovranitetin e PD.