Një pjesë e mirë të studentëve në Tiranë akoma nuk kanë marrë bursat e katër muajve. Pavarësisht se ata kanë bërë thirrje vazhdimisht në media për këtë problematik, zëri i tyre ka rënë në vësh të shurdhët. Pasi institucionet përgjegjëse mbeten deri tek premtimet. Në janar kjo çështje bëri bujë në media. Asaj kohe rezultoi se, nga 1072 studentë që morën pjesë në studimin e Qëndresës Qytetare, 98 përqind e tyre nuk i kishin marrë bursën me vlerë 10 mijë lekë.
I kontaktuar për mediat me datë 25 janar 2023 rektorati i Universiteti të Tiranës deklaroi se “Studentët e plotësojnë formularin e bursës shumë më vonë se momenti i regjistrimi. Dhe fondet e bursave u vonohen me gati 4-5 muaj dhe u depozitohen në llogaritë e tyre në mënyrë të çrregullt”.
Më tutje nga rektorati është njoftuar se fondi i është kaluar fakulteteve dhe brenda janarit mund të bëhet kalimi i parave. Në total janë 30-40 mijë studentë që trajtohen me bursë nga shteti dhe u tha se paratë do të kalojnë për të gjithë.
Këshilli studentor vazhdon ankesat
Në fakt jemi sot 14 shkurt dhe ende për një pjesë të mirë të studentëve nuk janë dhënë bursat. Për të mësuar më shumë mbi këtë situatë Gijotina.com ka kontaktuar me Emiljando Kitën, pjesëtar i Këshillit Studentor tek Fakulteti i Shkencave Sociale.
Kita tha se shumë studentët nuk i kanë marrë bursat, qoftë ata që marrin bursa ekselence apo edhe ata që marrin bursë si ndihmë sociale. Sipas tij, ky avaz përsëritet çdo vit. Edhe pse bursat jepen që të ndihmojnë maturantët të shkojnë në universitete, kjo gjë nuk ndodh në Shqipëri. Më tutje ai shton se shkak për vonesën bëhen edhe burokracitë me dokumente që iu kërkohen studentëve.
“Jemi në muajin e katërt të këtij viti akademik e akoma pjesa më e madhe e studentëve me probleme ekonomike. Dhe studentët ekselent nuk i kanë marrë bursat. Bursat supozohet të ndihmojnë maturantët në pamundësi ekonomike që të vijnë në universitet, si dhe studentët gjatë studimeve.
Kur studentët shkojnë të interesohen nëpër sekretari përgjigjet janë gjithmonë evazive e të paqarta. Nuk i ka kaluar fondet ministria ose janë gjithë ato letra për t’u bërë e kërkojnë kohë. E kanë bërë traditë që bursat mos të jepen në fillim të vitit akademik. Atëherë kur studentët kanë më shumë nevojë për të paguar konviktin, librat, ushqimet e shumë shpenzime të tjera”, u shpreh Kita.
Më tutje ai tha se me studentët abuzohet në këtë aspekt sepse askush që ka fuqi nuk e ngre zërin.
“Për këtë problem këshilli studentor FSHS bëri një mbledhje me studentet, dhe zgjidhem problemet brenda fakultetit, por ky problem vjen nga Ligji Për Arsimin e Lartë. Askush nuk po flet për; – Mijëra maturantë në pamundësi ekonomike dhe të braktisur nga shteti nuk arrijnë të vijnë në universitet. – Mijëra studentë në pamundësi ekonomike e të braktisur nga shteti detyrohen të fillojnë punë, duke i kaluar studimet në plan të dytë. – Mijëra studentë në pamundësi ekonomike braktisin universitetin.
Kjo që po bëhet me studentët është shkelje e rëndë e kushtetutës, pasi neni 57 i kushtetutës sonë thotë se arsimi i lartë mund të kufizohet vetëm nga kritere aftësie. Ne si student kemi shumë të drejta dhe shteti duhet të na i garantojë. Nuk mund të vazhdojmë të jetojmë çençe. Gjithë kjo dhunë që ata ushtrojnë ndaj nesh, një ditë do u kthehet mbrapasht”, tha Kita.
Reagimi i Ministrisë
Jemi në një pikë ku studentët nuk kanë marrë bursat, rektorati vazhdon me justifikime të paqarta. Kështu studentët i kthejnë sytë nga Ministria e Arsimit, si institucioni që ndan fondet pët Institucionet e Arsimit të Lartë publike.
Në një kthim-përgjigje të kërkesë nga Gijotina.com, MASR ka deklaruar se fondet janë miratuar që në 30 dhjetor të vitit 2022. “Fondet e miratuara për vitin 2023, për institucionet e arsimit të lartë në zbatim të akteve ligjore dhe nënligjore janë miratuar dhe dërguar në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë me shkresën nr.8507/1. Datë 30.12.2022 të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit (këtu e në vijim MAS) dhe janë miratuar me shkresën nr. 23774/36, datë 20.01.2023 nga MFE”, informon Ministria.
Madje kjo përgjigje ka ardhur që me datë 7 shkurt, afati i fundit në të cilin Rektorati kishte lënë për të shpërndarë bursat tek të gjithë studentët. Ndërsa më tutje mimistria shpreh se institucionet kanë pasur një fond total prej rreth 1.35 miliardë lekësh.
Duke përfshirë edhe ato shuma që kanë mbetur nga dy vitet e shkuara.
“Por theksojmë se Institucionet e Arsimit të Lartë publike (këtu e në vijim IAL) kanë patur mundësi financiare për të paguar çdo detyrim për bursat e studenteve. Pasi të dhënat e realizimit të fondeve tregojnë se më datë 31 dhjetor 2021 IAL publike kanë trashëguar shumën 91.7 milion lekë. Në fund të vitit 2022 kanë trashëguar shumën prej 232.3 milion lekë. Dhe për vitin 2023 janë miratuar 1 miliard e 31 milion lekë të dhëna analitike tek tabelat si vijon” , tregoi ministria për Gijotina.com.
Pra deri në pikën e lëvrimit të fondit gjithçka është në rregull. Duket qartë që ngërçi është tek universitet vënë. Të cilët vazhdojnë të thonë që së shpejti do jepen bursat, dhe shpërndajnë vetëm një përqindje të vogël. Kjo për shkak të kleçkave në procedura.
Lexo edhe: 5 muaj pa bursa/ Studentët: Nëse nuk miratohen, do reagojmë ashpër
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016
Discussion about this post