I gjithë shteti është vënë në funksion të planeve të Rakip Sulit për blerjen e votave në Bashkinë Kamzë.
Administrata e drejtuar prej Sulit po i bën presion bizneseve dhe qytetarëve të thjeshtë, u merren kartat ID për 10 mijë lekë, ndërkohë shpërndahen paratë e tenderëve tek njerëzit e besuar që më pas i hedhin për blerjen e votave. Madje, edhe SPAK-u i shërben indirekt kryebashkiakut aktual duke thirrur në shenjë presion ish-zyrtarë të PD-së me dosje hetimore, si Xhelal Mziu që të mos marrin pjesë në fushatë.
Metoda e blerjes së votës me para në dorë
Metoda më e përhapur që po përdoret nga njerëzit e Rakip Sulit është shkuarja nëpër shtëpi dhe blerja me 10 mijë lekë një votë. Një denoncim është bërë së fundmi nga një qytetar në Babrru, ku është shprehur se kreu i njësisë administrative të Paskuqanit i ka ofruar para në këmbim të votës për Rakip Sulin.
Familja Bregasi ka denoncuar se Eduard Bodini, drejtuesi i njësisë administrative të Paskuqanit, shoqëruar edhe nga disa persona të tjerë të Partisë Socialiste, i kanë shkuar në shtëpi dhe në këmbim të votës për Rakip Sulin u kanë premtuar 10 mijë lekë të reja. Në këmbim të pagesës, Bodini i ka kërkuar kartën e identitetit, por pas refuzimit, ai është larguar nga banesa e familjes së Lavdim Bregasit.
“Ka ardhur me kryeplakun e fshatit. Ne i thamë nuk ta japim. Pse duke marrë karta do marrë qeverinë ai dhe të na gënjejë me 100 mijë lekë?”, deklaroi qytetari.
Po kështu, edhe kandidati i koalicionit “Bashkë fitojmë”, Arjan Hoxha ka denoncuar zhvendosjen e votueseve përveç intimidimit të qytetarëve duke u marrë kartat e identitetit.
“Kemi disa individë që vazhdojnë të mbledhin karta identiteti nën presionin politik të kryebashkiakut në ikje. Por asnjë votues i Kamzës nuk bie pre e intimidimit dhe presionit të pushtetit lokal dhe qendror, si OSHEE, ZRPP apo punonjës të Tatimeve që vijnë çdo ditë në banesat e qytetarëve për t’i intimiduar dhe joshur për të ceduar vullnetin e tyre në datë 14 maj”, tha Hoxha me këtë rast.
“Kemi denoncuar dhe ndjekur disa raste ku këta janë të vendosur në disa pika si me shpërndarjen e pakove ushqimore si me mbledhjen e kartave ID kundrejt pagesës apo edhe me legalizimet”, u shpreh Hoxha.
Ndonëse, Prokurori i Përgjithshëm Olsjan Çela ka shpërndarë këto ditë një qarkore për prokuroritë e rretheve që të hetojnë këto raste, nuk ka akoma ndonjë arrestim.
Asfalt në këmbim të votës
Një fenomen tjetër i denoncuar nga kandidati i opozitës për Bashkinë Kamëz, Arjan Hoxha, është shtrimi i rrugëve të lagjeve në këmbim të marrjes së votave, si dhe presioni për taksat.
Ai i ka kërkuar kryebashkiakut Rakip Suli të mos i bëjë presion qytetarëve për votën ose përndryshe do të mbajë përgjegjësi.
“Kam parë si zona të tëra janë lënë në harresë. Rrugët janë të pashtruara. Servilët e bashkisë turren për të bërë asfalt elektoral duke shtruar rrugë pa standard që mund të përmbyten nesër me dy pika shi. Kur rrugët i shtrojmë vetë përse na duhet të paguajmë taksa për taksidarët e bashkisë. Ju shpesh herë keni denoncuar sulmet dhe presionet. I garantoj Rakip Sulit që për çdo presion që i bëni bashkë qytetarëve tanë do mbani përgjegjësi direkte ju”, ka deklaruar Hoxha.
Xhelal Mziu, i mbajtur peng nga tri dosje
Sikur të mos mjaftonte ndarja grupit të Alibeajt nga Partia Demokratike, disa ish zyrtarë të PD-së në bashkinë Kamëz kanë hedhur baltë ndaj kandidatit Hoxha dhe punojnë kundër tij. Njëri nga këta është ish-kryetari i bashkisë Kamëz dhe aktualisht deputet i PD-së, Xhelal Mziu. Ky publikisht nuk merr pjesë në fushatë, por dukshëm është i rreshtuar kundër kandidatit të opozitës.
Qëndrimi i tij shpjegohet me presionet që me sa duket i bën mazhoranca përmes SPAK-ut. Dihet se Mziu është peng i tri dosjeve hetimore në SPAK.
Xhelal Mziu është kallëzuar tri herë në SPAK gjatë vitit 2021. Ai akuzohet se ka shpërdoruar detyrën kur si drejtues i bashkisë ka dhënë leje ndërtimore dhe nuk ka marrë 3% të sipërfaqes të caktuar nga ligji për fondin e banesave sociale. Në dy kallëzimet e tjera, Mziu akuzohet për lejimin e ndërtimit të një thertoreje në kundërshtim me ligjin dhe dhënien e një lejeje për një linjë autobusësh për kompani pa licencë.
Suli u jep paratë e tenderëve, biznesmenët punojnë për fushatën e PS-së
Kryebashkiaku i Kamzës, Rakip Suli e ka filluar fushatën qysh në muajin tetor, me sigurimin e milionave për blerje votash. Kjo bëhet përmes sajimit të tenderëve fiktivë e me fonde limit më tepër se kostoja faktike.
Më 18 prill, ishte tenderi i radhës që mbylli Rakip Suli, me vlerë kontrate 560 milionë lekë me TVSH, dhënë firmës “KUPA Sh.p.k” të mikut të tij Shkëlqim Kupa dhe firmës “Udha Sh.p.k” të Arben Çelës. Në këtë prokurim ishin edhe 9 firma pjesëmarrëse me oferta më të ulëta, mes tyre firma “Almo Konstruksion Sh.p.k”, me ofertë 110 milionë lekë më lirë se bashkimi i firmave “Kupa Sh.p.k” e “Udha Sh.p.k” të miqve të kryebashkiakut Rakip Suli.
Por Suli ua dha fondin miqve të tij. Tenderi është i sajuar sepse punimet do të bëhen 2 vjet pasi rruga e tenderuar është paguar 3 herë në vlerat 270 milionë lekë, 310 milionë lekë e 330 milionë lekë dhe figuron e ndërtuar dhe e rikonstruktuar.
Saktësojmë, se vetëm në Bashkinë Kamzë në 4 vitet e drejtimit nga Rakip Suli, biznesmeni Shkëlqim Kupa ka marrë afro 12 milionë Euro tenderë pa garë.
Sipas informacionit zyrtar, Rakip Suli ka në proces 18 tenderë të tjerë me vlerë 6.8 milionë Euro, që do t’i bëjë para datës 14 maj.
Disa ditë më herët, Suli kishte qerasur edhe një tjetër biznesnesmen të PS-së. Referuar Buletinit të Njoftimeve Publike datë 10 Tetor 2022, Bashkia Kamëz ka zhvilluar tenderin me objekt: “Ndërtim rruga Kongresi i Dibrës”. Në këtë Buletin shpallet shoqëria fituese “Dajti Park 2007” Shpk. Kontrata për këtë objekt prokurimi është lidhur në datë 17.10.2022, referuar kjo Buletinit të 24 Tetorit 2022.
Shkelja flagrante e ligjit ka të bëjë me faktin se, në të njëjtin Buletin, pra atë të datës 10 tetor 2022, po vetë Bashkia Kamëz ka bërë publike faktin që ka nënshkruar kontratën për një objekt tjetër prokurimi me shoqërinë “Dajti Park 2007” Shpk, konkretisht për rrugën “Pavarësia e Kosovës – Pasho Vasa – Pishtarët e Demokracisë”.
Normalisht kjo shoqëri duhej skualifikuar nga tenderi sepse i ka patur të angazhuar punonjësit në kontrata të tjera, ndërkohë që për shoqërinë “Dajti Park 2007” Shpk ky arsyetim nuk vlen.
Gjithashtu, ju bëjmë me dije se, shoqëria fituese “Dajti Park 2007” Shpk është në pronësi të familjes Qefalia, eskponentë kryesore në fushatën elektorale të Partisë Socialiste, me seli në Dajt. Për arsye që vetkuptohen “Qefalia” Shpk u bë “Vllaznia” Shpk dhe më pas në “Dajti Park 2007” Shpk.
Theksojmë se kryebashkiaku i Kamzës ka 34 tendera me “Flamur të kuq” për riskun e lartë të korrupsionit.
Përdorimi i Administratës
Kryebashkiaku e merr administratën e bashkisë në takimet e tij elektorale. Punonjësit e bashkisë në përgjithësi janë militantë të PS-së. Vetëm në administratën e brendshme ka 67 emërime në kundërshtim me ligjin për nëpunësin civil, ka denoncuar më herët për mediat kandidati Hoxha.
Kamza, së fundmi ka qenë edhe objekt i “Ndalim i zhvillimit të veprimtarive me karakter publik, të raportuara nga bashkia”, për shkak të përdorimit të burimeve shtetërore në fushatë. Në një vendim të KQZ-së përfshihet ndalimi i “Eventit tematik me banorët e Kamzës dhe Vorës, në kuadër të fushatës zgjedhore”, me vend zhvillimi: Kamëz, Vorë, me datë zhvillimi: 22.4.2023, ora 17.00”.
Kujtojmë se Bashkia Kamëz do të kryejë votim elektronik, prandaj beteja e mazhorancës për manipulimin e votës është kaq e mprehtë!
Discussion about this post