Sa më shumë të ishin të zhytur në mashtrime, evazion dhe korrupsion, aq më të përshtatshëm ishin bashkëpunëtorët e Erion Veliajt në ndarjen e parave në tendera. Një nga këta është biznesmeni Skënder Biba, të cilit Veliaj, para se të arrestohej, i ka dhënë tenderin 1.6 miliardë lekë për asfaltimin e rrugëve të Zall Herrit. Por pasi kryebashkiaku i Tiranës ra në pranga, tenderi ka mbetur pezull sepse plasën denoncimet e bizneseve të tjera.
Veliaj skualifikon 21 kompani për të favorizuar Bibën
Sinjalin e parë për shkeljet në këtë prokurim e dha Open Data Albania. “Skualifikim i të gjithë operatorëve konkurrues përveç fituesit/ Skualifikim i ofertës me vlerë më të ulët”, kështu e ka klasifikuar tenderin monitoruesi. Prandaj procedura është shënuar me “Flamur të kuq”, që është shenja e riskut të korrupsionit.
Bëhet fjalë për tenderin me objekt: “Rehabilitimi i infrastrukturës rrugore në Njësinë Administrative Nr.11 + Zall Herr”. Fondi limit prej 156 641 744,00 lekësh është financuar nga të ardhurat e Bashkisë Tiranë për vitin 2024 të miratuara miratuar me vendim të Këshillit Bashkiak më 22 dhjetor 2023.
Megjithëse ishte gjithë vitit përpara, Veliaj e kishte lënë tenderin për ta bërë në fund të vitit 2024, ndërsa punimet me siguri janë parashikuar të nisin para zgjedhjeve të 11 majit 2025.
Kështu, më 14 nëntor 2024 tenderi është deklaruar i hapur ndërsa dorëzimi i dokumenteve është bërë deri më 2 dhjetor 2024.
Si fitoi oferta më e shtrenjtë?
Është për të ardhur keq se si 22 kompani që marrin pjesë në tender rrinë dhe vështrojnë korrupsionin në tryezën e tenderit dhe nuk ngrenë kokën se mos Bashkia e Veliajt i heq nga lista. Në fazën e parë të tenderit janë skualifikuar 7 ofertat konkurruese që mund të merrnin më shumë pikë sesa kompania fituese. Arsyet e paraqitura janë të natyrës burokratike që komisioni mund t’i shmangte duke komunikuar me kompanitë për të rregulluar të metat në dokumentacion. Për shembull ngarkimi gabim i sigurimit të ofertës mund të korrigjohej, Apo mosdeklarimi i drejtuesit teknik mund të bëhej, sepse nuk ka kompani ndërtimi të këtij niveli pa drejtues teknik në licencën e shoqërisë. Po ashtu, po të kihet parasysh se objekti është rikonstruksion rruge, duket tendencioze kërkesa për drejtues teknik inxhinier ndërtimi dhe jo hidroteknik.
Si pasojë e këtyre veprimeve është eliminuar për shembull oferta e kompanisë “Liqeni VII” që është 92,334,471 lekë dhe është shpërblyer firma “Biba-X” që bënte propozimin më të shtrenjtë me vlerë totale të kontratës 114,490,463 lekë.
Më 10 janar 2025 është shpallur fituesi nga Erion Veliaj dhe më 4 prill i është firmosur kontrata me urdhër të kryetares së komanduar Anuela Ristani.
Denoncimet në KPP
Me datë 14 shkurt 2025, Pranë Komisionit të Prokurimit Publik, nëpërmjet Sistemit të Ankesave Elektronike është paraqitur ankesa e operatorit ekonomik “Blueprint Technologies” SHPK, duke kërkuar modifikimin e dokumenteve të tenderit të procedurës së prokurimit.
Me datë 25 .02.2025, vetëm 1 javë pasi ishte arrestuar kryetari bashkisë Erion Veliaj, KPP vendosi: Të pranojë ankesën e paraqitur nga operatori ekonomik “Blueprint technologies” shpk dhe u urdhëruar Bashkia Tiranë të kryente ndryshimet e pikave të paligjshme. Më 19 mars 2025, pasi formalisht u bënë këto ndryshime, u lejua bashkia të vazhdonte me procedurën prokuruese.
Megjithëse shpresuan se do të trajtoheshin me barazi, pas arrestimit të Veliajt, kompanitë u gjetën në një realitet të pandryshuar.
Pasi u njoftua mbi skualifikimin, njëra prej kompanive pjesëmarrëse, “LiqeniVII” ka bërë denoncim në KPP duke kundërshtuar vendimin e komisionit të tenderit.
Duke qenë se zgjedhjet janë afër dhe në rrugët e Zall Herrit duhet hedhur asfalt për të mashtruar votuesit, duket e vështirë që KPP të pezullojë sërish tenderin.
Biba-X, kompani e skandaleve të mëdha
Emri i kompanisë “Biba X” u shfaq në skandalin e tenderit të Unazës së Re në Tiranë, në vitin 2018. Ajo ishte ortake me shoqërinë “DH Albania” dhe së bashku u shpallën fituese të procedurës mbi 20 milionë euro për ndërtimin e një loti të Unazës së Re.
Raportimet mediatike dhe më tej hetimet e prokurisë, zbuluan se “DH Albania” ishte një kompani fantazëm, e cila kishte përdorur dokumente false, duke u sjellë si degë e shoqërisë amerikane “Dunëell Haberman”.
Skandali, i cili përfshinte ish-ministrin Damian Gjiknuri dhe drejtorin e ARRSH Afrim Qendro, përfundoi vetëm me shkarkimin e këtij të fundit dhe dënimin e Avdjol Dobit, 26-vjeçari shqiptar që rezultonte në letra si administrator i kompanisë “DH-Albania”.
Më vonë, Agjencia e Prokurimit Publik e dënoi kompaninë “Biba X” me përjashtim nga pjesëmarrja në tendera publikë për një periudhë 14-mujore. APP konstatoi se kompania e tre vëllezërve Barush, Skënder dhe Luan Biba kishte keqinformuar autoritetet për përfitimin e një kontrate me vlere rreth 100 mijë euro.
Në Prill të vitit 2021, kompania “Biba X” u shpall fituese e tenderit “Rikonstruksioni i disa akseve rrugore, Faza II”, e zhvilluar nga Bashkia Vlorë. Tenderi ishte me fond limit 11.7 milionë lekë të reja dhe “Biba X” fitoi me ofertën më të lartë ndër tre konkurrentë që morën pjesë në garë.
APP deklaroi se kishte nisur hetimin administrativ nga raportimet dypalëshe ndërmjet APP-së dhe Inspektoratit Shtetëror të Punës. Nga verifikimet e kryera, rezultoi se “Biba X” kishte marrë pjesë në procedurën tenderuese, ndërkohë që kishte në fuqi një gjobë nga Inspektorati Shtetëror i Punës.
Në përfundim, Agjencia e Prokurimit Publik vendosi përjashtimin e “Biba X” për 14 muaj nga e drejta për të marrë pjesë në procedurat tenderuese, me argumentin se “ka keqinformuar për qëllime kualifikimi”.
Por ç’ndodhi më pas? Më 16 maj 2022, Armand Beu dhe Klajdi Kaja, të cilët humbën jetën teksa po punonin në Bypassin e Vlorës, mësohet se ishin punësuar nga kompania Biba-X. Të rinjtë humbën jetën nga rrëzimi i kamionit të kompanisë Biba-X, e cila ishte e përjashtuar nga tenderat për një periudhë prej 14 muajsh.
Edhe pse e përjashtuar kompania ka vazhduar të kryejë punime në Bypassin e Vlorës. Epo duhet një mbrojtje e fuqishme nga politikanë të korruptuar që të kesh guximin të kryesh veprime të tilla. Një nga këta përkrahës të Bibës është Erion Veliaj. Kujtojmë se më 10 shkurt 2025, kryebashkiaku i Tiranës u arrestua për korrupsion, fshehje të pasurisë dhe pastrim parash të krimit.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post