Deputetët e Partisë Demokratike, Gazment Bardhi dhe Elda Hoti, kanë mbërritur në Gjykatën e Posaçme të martën në mëngjes. Ata janë thërritur si dëshmitarë në procesin ndaj kryebashkiakes në detyrë të Tropojës, Zyra Islamaj.
Zyra Islamaj, e cila ushtronte kompetencat e kryetares pas arrestimit të Rexhë Byberit, akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për veprën penale “korrupsion pasiv”.
Kryetarja në detyrë e Bashkisë përmes një tenderi të hapur, ka ndërhyrë tek ndërtuesi Rrok Gega, në mënyrë që ky i fundit të ndërtonte një urë mbi përroin që kalon pranë shtëpisë së motrës së saj. SPAK thotë se Islamaj planifikoi të angazhonte edhe teknikun e mirëmbajtjes së rrugëve, punonjës në Bashkinë Tropojë, për ta ndihmuar ndërtuesin.
Edhe ndërtuesi, nga ana e tij, ka pohuar se ky ndërtim nuk ka qenë në procedurat e tenderimit dhe ai do t’ia bënte dhuratë Kryetares së Bashkisë Tropojë.
Bardhi pasi doli nga ambientet e GJKKO tha për gazetarët se i qëndrojnë kallëzimit, ndërsa theksoi se dosja ka kaluar për gjykim në GJKKO.
“Bëhet fjalë për nënkryetaren e bashkisë së Tropojës që është marrë e pandehur dhe është dërguar në gjyq me akuzën për korrupsion në rastin e një prokurimi publik, ku dyshohet se ka përfituar ndërtimin si dhuratë të një ure nga ana e kompanisë private që ishte kontraktuar për të ndërtuar një rrugë nga bashkia e Tropojës.
Arsye që erdhëm sepse një grup deputetësh janë firmëtarë të kallëzimit. Patjetër që i qëndrojmë kallëzimit që kemi bërë në SPAK. Kallëzimi i bërë prej nesh është gjetur i drejtë dhe me provat e duhura nga ana e SPAK, e cila në përfundimit të hetimeve i është drejtuar për gjykim Gjykatës së Posaçme”, tha Bardhi.










Discussion about this post