Nga Besnik Gjongecaj
Një diktaturë tjetër pothuajse ka përfunduar së ndërtuari në Shqipëri. Sot, pas diktaturës së parë dhe pas rrëzimit të saj në fillim të viteve ‘90, shqiptarët po përballen me një diktaturë të dytë. Vetëm tri dekada më vonë. Pas një kohe fare të shkurtër në pikëvështrimin relativist të “kohës historike”. Ringjallja e një diktature të re nga hiri i së parës dhe sa hap e mbyll sytë, i ka bërë lëmsh të gjitha. Ka krijuar një gjendje absurde në Shqipëri, pa pikë kuptimi, ku bashkëjetojnë ligësia e metodave të një shoqërie totalitare së bashku me mirazhin e një demokracie që nuk është atje. Gjenerata që jetoi diktaturën ka filluar të krahasojë sa herë i bie puna të trokasë dyerve të pushtetit dhe sa herë i duhet të vendosë ushqim në tavolinë. Këtë e bën duke zhvarrosur të shkuarën sa për të ringjallur kujtesën e krijuar dhimbshëm në kohën e diktaturës komuniste. Aq cinik është ky proces krahasimi sa jo rrallëherë njerëzit e kësaj gjenerate dyshojnë se mos ishte më mirë atëherë sesa sot. Më mirë në atë diktaturë të pamëshirshme se në këtë demokraci të rrejshme?! Ja pse, jo rrallëherë ata që krahasojnë pushtohen nga ndjesia se kanë sakrifikuar kot në rrëzimin e diktaturës, po aq sa edhe në ndërtimin e kësaj gjasme demokracie. Çka po i ngjan gjithmonë e më shumë një inflacioni gjigant sakrificash, që ashtu si inflacioni i parasë e zhyt shoqërinë në mjerim ekonomik, ai e ka zhytur këtë vend dhe qytetarët e tij në një zhgënjim të paanë. Ndërsa gjenerata që nuk e ka jetuar diktaturën e parë, pasi pyet prindërit dhe merr përgjigje që nuk janë më të tilla, në të gjitha kuptimet, shkon t’i marrë ato në një shkollë ku gjithçka mund të bëhesh, por jo një qytetar i përgatitur për demokraci. Megjithatë, ndryshe nga prindërit e tyre, të rinjtë nuk kanë se ç’të krahasojnë, prandaj edhe nuk zhgënjehen. Ata e pranojnë realitetin e sotëm me lehtësinë e një fluturaku, si një realitet “të dhënë njëherë e përgjithmonë”. Madje, si një realitet që vjen nga hiçi, që nuk ka të shkuar dhe prandaj, është jashtë fuqive të tyre për ta ndryshuar atë në të ardhmen. Ja pse, tragjikisht, nga njëra anë në Shqipëri po rritet një gjeneratë pa rini, e mplakur, e boshatisur nga misioni i ndryshimit të botës, dhe nga ana tjetër, gjenerata e vjetër po kërruset rëndshëm nën peshën stërmadhe të krizës së identitetit të saj.
Ajo që i bashkon të dyja gjeneratat, sado që duken të ndara nga njëra-tjetra, është humbja e luftës me jetën. Dhe jo në një vend dosido, por ekzaktësisht në atdheun e tyre. Ja pse, jo vetëm njëra, por të dyja gjeneratat largohen nga Shqipëria drejt një bote që nuk e njohin, duke pranuar edhe poshtërimin nga vendi i huaj, të cilit nuk i takojnë. Largohen të shurdhuar nga keqkuptimi fatal se ai që po i degdis drejt së panjohurës është atdheu dhe jo diktatura që rëndon mbi të.
Një gjë është e vërtetë, megjithatë: Popujt nuk i krijojnë kurrë diktaturat. Po aq e vërtetë është se edhe diktaturat nuk krijohen jashtë popujve, por nga bastardë që lindin në gjirin e tyre. Aq më shumë, diktaturat nuk mbijetojnë kurrë nëse popujt i refuzojnë ato. Ja pse aty ku ka diktaturë nuk ka vetëm krime dhe kriminelë, por edhe një popull fajtor dhe kokulur. Një diktaturë, prandaj, që të shndërrohet në përbindësh dhe të fillojë vetësugjestionimin, sipas të cilit “bota i takon vetëm përbindëshit”, ka kaluar përmes një procesi të gjatë të denatyrimit të popullit të vet. Ajo që ka vite që ndodh ekzaktësisht edhe në Shqipëri. Një popull i denatyruar është një popull jo i lirë. Populli që fillon të humbë lirinë, burgos vetveten para se këtë gjë t’ia bëjnë të tjerët, diktatorët. E gjitha kjo ndodh kur qytetari fillon të zëvendësojë lirinë me autocensurën, të cilën e prodhon vetëm frika. Frika se humb vendin e punës, frika se i rrëmbejnë tokën, frika se mbetet pa mjekim, frika se të mohojnë të drejtën për të pasur një strehë, se një fodull kokëbosh nuk të jep provimin, se nuk të diplomojnë, se të shohin nga vrima e çelësit… Ndërsa “përbindëshi rri dhe vështron nga sipër”, zgërdhihet dhe shtrëngon edhe më shumë litarin në qafën e shqiptarit.
Para së gjithash, diktatura është një çështje e shpërndarjes së pushtetit brenda kufijve të një vendi. Ajo nuk do të formohej kurrë si e tillë nëse një grusht njerëzish nuk do të gjenin hapësirë të rrëmbenin një pushtet që nuk i takon atyre por njeriut të thjeshtë, popullit. Se si aplikohen të dy parimet, parimi i subsidiaritetit (subsidiarity principle) ose parimi i shpërndarjes së pushtetit sipas rëndësisë më të vogël, si dhe parimi i kontrollit dhe balancimit të pushteteve (checks and balances principle) brenda një shoqërie, e gjitha kjo përcakton në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe statusin politik të saj. Ndërsa parimi i parë detyron që pushteti të fillojë të ndahet nga poshtë, d.m.th. nga njeriu i thjeshtë dhe jo nga sipër, nga Kryeministri i vendit (e keni vënë re që Kryeministri i di dhe i bën të gjitha në Shqipëri, aq sa të krijon përshtypjen që nuk ka fare nevojë për popull!?), parimi i dytë siguron ndarjen e pushteteve dhe kontrollin reciprok midis tyre, çka e heq mundësinë e manipulimit të njërit apo tjetrit pushtet, ose, nëse e specifikojmë për Shqipërinë, e heq mundësinë e Kryeministrit të manipulojë pushtetin legjislativ dhe veçanërisht atë të drejtësisë. Për shkak se këto dy parime janë shkruar vetëm në letër dhe nuk janë aplikuar kurrë në realitetin politik të Shqipërisë, në këtë vend është krijuar një hendek gjigand midis shqiptarëve dhe qeverisë së tyre. Nga njëra anë populli i boshatisur nga pushteti dhe kapaciteti vendimmarrës dhe nga ana tjetër kryeministri dhe qeveritarët e tij të velur nga pushteti që i kanë vjedhur këtij populli. Por, ndërtimi i diktaturës nuk mbaron këtu. Këtu vetëm fillon. Veçanërisht mungesa e aplikimit të parimit të dytë (checks and balances) bën të mundur që pushteti i vjedhur të kthehet menjëherë në para të vjedhur. Në një proces spontan, sipas një kursi që përcaktohet nga shpirtligësia e diktatorit. Madje, në një proces që nuk ka nevojë as të organizohet, as të shtyhet, as të sforcohet. Është kjo shpërndarje kriminale e pushtetit dhe e parasë, e cila ka krijuar një hapësirë gjigante ku manipulohet çdo gjë në këtë vend, pa përjashtim. Ku përbindëshi-diktaturë bëhet çdo ditë edhe më shumë përbindësh, rrëmben çdo ditë edhe më shumë pushtet, edhe më shumë para.
Në Shqipëri, diktatura u përsërit sepse u përsos. U përsos në tragjizmin dhe ligësinë e saj. Diktatura e dytë është edhe më tragjike se e para, sepse po trondit themelin kombëtar të shqiptarëve. Në diktaturën e parë njerëzit mbaheshin me forcë brenda kufijve të vendit. Diktatori donte njerëz brenda kufijve për të mbajtur në këmbë diktaturën, sado paradoksale të duket kjo, sepse të paktën thellë në qenien e tyre ata ishin jo bashkëpunëtorë, por kundërshtarë të diktaturës. Diktatori, nga ana tjetër, nuk i mbante njerëzit me pahir sepse donte të forconte patriotizmin, as për t’i lidhur ata me tokën e vendit të tyre, as për të forcuar dashurinë e shqiptarëve për atdheun. Sigurisht që jo, sepse vetëm nëpërmjet ideologjizimit të vendit ai i shkatërronte të gjitha këto menjëherë dhe së bashku: patriotizmin, lidhjen me tokën, dashurinë për atdheun. Ai i mbante shqiptarët me forcë brenda Shqipërisë për t’i përdorur si mburojë njerëzore (human shield) kundrejt çdo tentative të Perëndimit për të rrëzuar diktaturën e tij. Thjesht, mish për top! Diktatura e dytë, kjo e sotmja, e koncepton forcimin e saj jo te mbajtja e shqiptarëve brenda kufijve të shtetit, përkundrazi, te zbrazja e Shqipërisë prej tyre. Më pak shqiptarë janë më pak kundërshtarë të saj dhe është jashtë çdo dyshimi që procesi i zbrazjes së Shqipërisë i ka dhënë oksigjen diktaturës së dytë në këtë vend. Ndërkohë që produkti i saj politik është ndoshta ai i qeverisjes më të urryer që shqiptarët kanë pasur në krejt historinë e tyre. Çka bën që jo pak shqiptarë të bien në grackën e ndarjes së kësaj urrejtje edhe me vetë Shqipërinë, atdheun e tyre, ndërsa largohen prej tij pa e kthyer kokën mbrapa.
Diktatura e dytë është jo vetëm më tragjike, por edhe më e ligë se e para, sepse po e shet veten si demokraci në tregun politik ndërkombëtar. Në diktaturën e parë perëndimorët rrinin jashtë Shqipërisë dhe as nuk lejoheshin të trokisnin në derën e saj. Diktatori i asaj kohe ishte shumë i qartë në poshtërsinë e tij të mbajtjes së një populli të tërë në izolim. Ndryshe nga diktatura e parë, madje megjithëse të akuzuar për ndërtimin e një regjimi hibrid në Shqipëri, qeveritarët e sotëm po manovrojnë ligësisht me alibinë se, në gjithçka që bëjnë në Shqipëri kanë edhe mbështetjen e Perëndimit. Ky i fundit hesht edhe kur kuptohet lehtësisht se ajo që ndodh në Shqipëri nuk ka lidhje me asnjërën: as me demokracinë dhe as me stabilitetin e saj. Qëndrimi cinik i Perëndimit ndaj asaj që po ndodh në Shqipërinë e sotme përhapet në eter si “për hir të stabilitetit mund të pranojmë një demokraci të çalë”. Që në fakt, pikërisht për këtë arsye, është rruga më e drejtpërdrejtë për të mos i pasur të dyja: as stabilitetin dhe as demokracinë. Ligësisht, prandaj, po krijohet me shpejtësi humnera e një boshllëku gjigand që mbushet çdo ditë dhe me shpejtësi nga diktatura e dytë.
Po spiunët ku janë në këtë skematizim të diktaturës?! Ku janë 80 lekshat!? – më pyeste me ngulm një i njohuri im i vjetër, i cili “më detyroi” t’ia jap shkrimin për ta lexuar para se ta çoja për botim. Ku janë ata që çonin në burg të pafajshmit pasi i fusnin në kurthin e ankimit për tolonat apo racionet e ushqimeve që diktatura e parë shpërndante për familjet?! Pse nuk i ke pasqyruar ata në diktaturën e parë, vazhdonte pa pushim ai. Si mund të skematizosh diktaturën e parë të këtij vendi pa 80-lekëshat?! Ata ishin shpirti pervers i saj, syri regjistrues te vrima e çelësit që i mbante lidhur shqiptarët në një tmerr që nuk merrte fund asnjëherë, gati bërtiste miku im i vjetër ndërsa i merrej fryma. Atëherë po të përgjigjem, i thashë më në fund. Nuk i kam pasqyruar sepse nuk gjej gjë të krahasueshme me ta te diktatura e dytë. Dhe mora frymë lirisht, më në fund. Por, me sa u duk, fundi i asaj bisede ishte i largët. Po këta 80 lekëshat e gjasme opozitës së sotme, si të duken ty? Hija e komanduar, si të duket ty, nuk është 80 lekësh?! – vazhdoi më me pasion se më parë miku im i vjetër. E para, i thashë i lodhur, sot nuk bëhet fjalë për 80 lekësh, por për miliona. E dyta, ç’lidhje ka 80- lekëshi i diktaturës së parë me gjasme opozitën e sotme? – përfundova arsyetimin tim. Megjithëse shumë i ashpër, m’u desh ta përfshij reagimin e të njohurit tim të vjetër në fundin e këtij shkrimi. Një 80 lekësh në diktaturën e parë i merrte jetën një njeriu dhe i “varroste” përfundimisht të afërmit e tij, vazhdoi ai. 80-lekëshat e gjasme opozitës së sotme kërkojnë as më shumë dhe as më pak ekzekutimin e opozitës së vërtetë të këtij vendi; kërkojnë t’i bëjnë gropën asaj. Ta lënë vendin pa opozitë, ja çfarë kërkojnë 80-lekëshat e sotëm. Që diktatura e dytë të arrijë të përfundojë plotësisht së ndërtuari, më në fund. Dhe ti më kalon te paratë, rreth të cilave as ti dhe as unë nuk do të marrim vesh ndonjëherë se ç’ka ndodhur, përfundoi i miku im i vjetër duke u larguar pa më thënë as natën e mirë.
Discussion about this post