Rrjetet sociale fillimisht u cilësuan si një revolucion në fushën e komunikimit, por askush nuk foli për disavantazhet që ato kanë. Nëpërmjet tyre njerëzit me adresa fallso bullizojnë, ofendojnë e kërcënojnë të tjerët dhe shpesh herë dalin nga këto histori pa u ‘lagur’. I tillë është dhe rasti që Fiks Fare trajtoi mbrëmjen e së mërkurës, ku një 37-vjeçare shantazhohej në Tik tok. Nën emrin e saj shantazhuesit hapnin adresa të ndryshme me foto dhe video të 37-vjeçares dhe familjarëve të saj. Por edhe pse ka bërë kallëzim në polici për çfarë i ka ndodhur, 37-vjeçarja nga Mokra e Pogradecit kërkon ndihmën e Fiks Fare, pasi policia nuk ka bërë asgjë.
E.H prej muajit Janar 2023 ka një konflikt me disa persona të cilët pretendojnë se denoncuesja i ka hapur rrjete sociale denigruese. Në këmbim personat e konfliktit, denoncueses së Fiks Fare i kanë marrë disa foto dhe video nga rrjetet e saj sociale Facebook dhe Instagram dhe më pas i kanë hapur adresa të ndryshme sociale ku e ofendojnë qytetaren dhe e shantazhojnë.
Ajo tregon se në përdorim ka një faqe Tik Tok dhe përdor vetëm atë. Aty ka njohur një vajzë e cila përdorte një adresë me foto dhe video të modeleve ruse, ku administratoren e faqes e ka këshilluar të mos përdorte imazhin e të tjerëve pasi mund të kishte probleme. Pas kësaj denoncueses E.H i janë hapur disa adresa ku në titull mbajnë emër dhe mbiemër të qytetares të shoqëruara me ofendime. Gjithashtu pak ditë më parë i kanë mbërritur dy video ku një person me emrin E.P banues në Sarandë e ka kërcënuar me thikë në dorë për jetën e saj dhe të familjarëve të saj duke i thënë: Do të pres kokën dhe do të ngul thikën në fyt!
Me datë 20 mars 2023, 37-vjeçarja tregon se dikush me emrin Denis i shoqëruar nga një vajzë tjetër i ka shkuar në shtëpi dhe e ka shantazhuar. Denoncuesja ka marrë në telefon 129-ën, por nuk ka patur asnjë reagim nga uniformat blu të qytetit të Pogradecit. Me datë 22 Mars denoncuesja është paraqitur pranë Komisariatit të Policisë Pogradec dhe punonjësit e policisë i kanë thënë se dosja do të shkojë në prokurori. Gjatë kësaj periudhe denoncueses i vijnë herë pas here sms shantazhuese ku i thonë se do ta shkatërrojnë atë dhe familjen e saj, madje kërcënimët janë edhe më të rënda ku shkruhet ”koka jote do të jetë për pak ditë në liqenin e Pogradecit”.
Pas takimit me gazetarët e Fiks Fare denoncuesja drejtohet në Prokurorinë e Pogradecit. Në zyrën e informacionit i thonë se duhet të bëjë një kërkesë për përshpejtim dosje. Më pas drejtohet në komisariatin e qytetit ku shefi i këtij institucioni Klodian Kondi i thotë se është në dijeni të rastit dhe se të gjitha kallëzimet bashkë me faktet janë depozituar në dosjen hetimore.
Përsa i përket fotove dhe videove të fundit që i kanë mbërritur në adresë, shefi i thotë se duhet të bëjë një kallëzim tjetër dhe t’i bashkangjiten dosjes për hetim. Në rast se do të ketë diçka urgjente duhet të telefonojë përsëri në numrat e telefonit të policisë 112 ose 129. Për shqetësimin e qytetares nga qyteti i Pogradecit, gazetarët e Fiks Fare telefonuan zyrën e koordinatorit për të Drejtën e Informimit të Prokurorisë në qytetin e Pogradecit për të pyetur se çfarë masash janë marrë për sigurinë e qytetares dhe të familjarëve të saj deri në përfundim të hetimeve të kësaj çështje.
Në një bisedë telefonike gazetarëve ju kërkua që t’i drejtoheshin me një kërkesë për informacion. Në të njëjtën ditë, ky institucion ktheu përgjigje se ka regjistruar procedimin penal me numër 102 në datën 24 mars 2023 me akuzën e kanosjes. Por, përmend se s’mund të japë më shumë informacion për shkak të sekretit hetimor. Në të njëjtën përgjigje prokuroria shkruan se, pa cënuar këtë sekret, në datën 17 mars 2023, në orën 12.00 në Policinë e Pogradecit ka paraqitur ankim shtetësja E.H, e cila ka deklaruar se prej 1 muaji është kanosur nga shtetasi E.P. 6 ditë më vonë, ankuesja është riparaqitur në polici dhe ka deklaruar se në banesën e saj ka shkuar shtetasi D.P, ku e ka qëlluar në pjesën e krahur dhe e ka shtyrë.
Policia pohon se ankuesja s’ka pranuar të shkojë për vizitë në spital. Oficeri i policisë gjyqësore ka kqyrur dhe ka marrë nga ankuesa 2 video me pamje filmike. Në fund, Prokuroria e Pogradecit nuk jep asnjë informacion për veprimet e mëtejshme, duke cituar se janë “sekret”. Nga data 17 mars, kur ishte dita e parë e kallëzimit të denoncueses, e deri në ditët e sotme, ndaj personit të kallëzuar s’ka asnjë masë shtrënguese; detyrim paraqitje, arrest shtëpie apo arrest me burg! Për pasojë, nga mungesa e veprimeve të policisë dhe prokurorisë, ankuesja vijon të ndihet e kërcënuar, pasi çdo ditë, ajo shikon në rrjete sociale kërcënimet e radhës./TCH/
Discussion about this post