Këtë vit Ujësjellësi i Durrësit vjen me lajme të mira, pasi parashikon që, përmes një investimi rreth 650 mijë euro, të ndërhyjë për përmirësimin e furnizimit me ujë në disa zona me boshllëqe të theksuara në pjesën turistike të Gjirit të Lalëzit.

Procedura e çelur nënvizonte se bëhet fjalë për një projekt “çelësa në dorë”, i cili përfshin të gjitha fazat, nga projekt-ideja deri te zbatimi i plotë.
Projekti është është bazuar në nevojën për sigurimin e një furnizimi të qëndrueshëm dhe të vazhdueshëm me ujë të pijshëm për popullsinë e zonës, duke përfshirë fshatin Fushë-Draç dhe zonat turistike, si dhe në domosdoshmërinë për përmirësimin e kapacitetit të rrjetit ekzistues të ujësjellësit.
Bëhet fjalë për tenderin ‘Furnizimi me ujë i zonës së Gjirit të Lalëzit’ me fond limit 650 milionë lekë pa TVSH. Procedura është hapur më 13 shkurt 2026, por “kucedra” korrupsion e ka bllokuar dhe zvarritur për shkak të pazareve që bëhen me tenderin.

Open Data Albania e ka shënuar procedurën me “Flamur të kuq”, një legjendë që tregon riskun e korrupsionit. Përshkrimi i vlerësimit lidhet me mënyrën e shpalljes së fituesit. “Skualifikim i te gjithë operatoreve konkurrues përvec fituesit/ Skualifikim i ofertës me vlerë më të ulët”, shpjegohet në këtë klasifikim.

Në dokumentin e klasifikimit të kompanive pjesëmarrëse në tender bie në sy se është skualifikuar oferta më e ulët, që është e operatorit ekonomik G.A.C.
I habitur nga ky skualifikim, administratori i G.A.C. ka denoncuar në Komisionin e Prokurimit Publik (KPP).

Më 25 mars 2026, kompania ka kërkuar shfuqizimin e vendimit të skualifikimit. Kështu përballja me drejtorin e ri të Ujësjellësit Durrës do të zhvendosej në Tiranë.
Në vitin 2025, Ujësjellësi i Durrësit regjistroi tre drejtorë njëri pas tjetrit. Në tetor, në krye të Shoqërisë Rajonale Ujësjellës – Kanalizime Durrës është bërë ndryshimi i fundit.

Në vend të ish-drejtorit Sedi Çaushi është emëruar administratori i ri Olsen Kavalli. Ai kishte mbajtur deri në atë kohë detyrën e kryeinxhinierit të Ujësjellësit. Kavalli duke parë paraardhësit që nuk arritën të akomodohesin në atë zyrë, ka nisur me nxitim të bëjë shpejt e shpej ca tendera.
Në datën 8 prill 2026, KPP do të vendoste kundër drejtorit, i cili këmbëngulte t’ia jepte tenderin kompanisë “ED KONSTRUKSION” shpk.

Sipas vendimit pranohej ankesa e G.A.C. shpk dhe urdhërohej komisioni i Olsenit të rivlerësonte ofertat.
Dhe si me magji, pas dy javëve, KPP më 24 prill do të ndryshonte qëndrim dhe do ta lejonte Olsen Kavallin të vazhdonte pazarin e tij.

Megjithëse pretendohet se është bërë “rivlerësim”, rezultati është i qartë, është lënë e skualifikuar oferta me vlerë më të ulët. Por kush është firma që ka zgjedhur Olsen Kavalli, duke marrë parasysh edhe vonesën e projektit?
Kompania “ED KONSTRUKSION” shpk ka pronar Alfred Ibrahimin, personazh i përmendur për korrupsion dhe mashtrim. Ibrahimi është bashkëpunëtor i drejtorëve të Erion Veliajt përmes kompanisë “5D”, në tendera të ndryshëm. Paratë e fituara me këto skema, Ibrahimi i investoi edhe në Prishtinë në “United Hospital”. Bashkëpunimi u prish me zhurmë në vitin 2023, pas akuzave të mjekëve kosovarë për mashtrim dhe tjetërsim të paligjshëm të pronës.

Grindja e tyre arriti në prokurori, pasi spitali me kapital 8 milionë euro po bëhej pjesë e një transaksioni të dyshimtë për 650 mijë euro.

Ndërkohë, emri i Ibrahimit është futur në dosjen e SPAK për Belinda Ballukun. Kjo është afera korruptive mbi projektin e Unazës së Re, ku e implikuar kryesore është ish-zëvendëskryeministrja. Fituesit e 7 tenderave për Unazën e Re u paracaktuan nga Balluku, për të cilën SPAK kërkonte arrestimin.

Një nga këto është tenderi me objekt “Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja – Bulevardi i Ri, Loti 2”, që e ka fituar Bashkimi i Operatorëve “4 A-M” e Ardit Metaliaj ( e cila është kompani hije e Bashkim Ulajt), “ED KONSTRUKSION” me pronar Alfred Ibrahimin si dhe “I.D.K – KONSTRUKSION” e Bajram Dalipajt (babai i drejtorit të OSSH, Blendian Dalipaj). Fondi limit ishte në vlerën prej 2 miliard e 485 milionë lekë të reja.
“ED KONSTRUKSION” shpk ka qenë gjithnjë në qendër të skandaleve. Kështu, në gusht 2022, kompania e Ibrahimit do të habiste shumëkënd me tenderin e Ujësjellësit Rajonal të Memaliajt. Sipas të dhënave zyrtare, bashkimi i kompanive “KEG” SHPK & “ED KONSTRUKSION” SHPK ka garuar me veten. Në këtë situatë me “mungesë konkurrence” fituesi tregohet “bujar” duke e ulur vlerën e kontratës me vetëm 1 463 lekë, në raport me fondin limit.
“ED KONSTRUKSION” SHPK është një kompani tipike që vepron në këtë mënyrë duke fituar tenderë pa garë me çmime mbi 95% të fondit limit.
Ndryshimi i pushtetit në vitin 2013 duket se i ka marrë shumë për mbarë kësaj kompanie, pasi rezulton se që prej vitit 2015 deri në 2020 të ketë 8 fishuar xhiron duke shkuar nga 1.1 milion euro në vitin 2015 në 8.3 milion euro në vitin 2020.
Ajo që vlen të theksohet është fakti se shumicën dërrmuese të xhiros, rreth 86%, kompania e ka realizuar pikërisht prej kontratave publike. Nga totali prej rreth 25.7 milion euro xhiro që ka patur nga vitin 2015 në 2020, plotë 22 milion i ka realizuar pikërisht me tenderët e bashkive.
Ndërkaq, më 15 shkurt 2023, mes 6 personave të arrestuar me urdhër të SPAK, përveç 4 zyrtarëve të bashkisë së Dimalit, janë edhe 2 punonjës të kompanisë së ndërtimit “Ed Konstruksion”. Bëhet fjalë për të akuzuarit Vait Koshi dhe Arjan Demiraj.
Katër zyrtarët jepnin leje ndërtimi kundrejt ryshfetit që varionte nga 2500 euro deri në 3 mijë euro.
Mirëpo kjo nuk është e vetmja. Pasi jepnin lejet e ndërtimit, i impononin qytetarët që ndërtimi në terren të bëhej pikërisht nga kompania e preferuar e zyrtarëve të bashkisë. Vetëm gjatë viteve të fundit, kompania Ed Konstruksion ka marrë mbi 110 milionë USD tendera nga pushteti vendor dhe qëndror.
Dëmet më të mëdha kjo kompani i ka bërë me fondet e ujësjellësve, sidomos, pasi këto shoqëri kaluan në varësinë e zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Më 17 prill 2024, kompania e Ibrahimit u bë protagoniste e tenderit ‘Rikonstruksioni i skemave të furnizimit me ujë për fshatrat Kuç i Zi dhe Belorta, Bashkia Korçë’. Ky tender kishte një fond limit prej 763 milionë lekë (pa TVSH) dhe për këto para është bërë ‘luftë’ prej disa muajsh.

Tenderi mori vlerësim me “Flamur të kuq”nga Open Data Albania për shkeljet. “ED KONSTRUKSION” SHPK e fitoi tenderin pas ndërhyrjes së KPP.
Ndërkaq, Ibrahimi është gjendur në letrat e SPAK edhe në dosjen ikonë të korrupsionit me emrin “5D”. Ju kutojmë se, në prill 2024, SPAK ka provuar se disa ish drejtorë të Bashkisë së Tiranës, mes tyre Redi Molla dhe Mariglen Qato, janë pronarë “de facto” të kompanisë “5D”. Ky subjekt ka përfituar në bashkëpunim me kompani të tjera rreth 30 milionë euro tenderë nga institucionet publike, kryesisht nga drejtori në varësi të Bashkisë Tiranë, disa nga të cilat, në periudha të ndryshme janë drejtuar nga Molla dhe Qato.
Hetimet kanë provuar gjithashtu se shumica e tenderëve janë përfituar në mënyrë të parregullt, pa plotësuar kriteret.
Në bashkëpunim me firmën “5D” ka marrë tendera edhe kompania ‘Ed Konstruksion’ që u shërbente drejtorëve të Erion Veliajt në Bashkinë Tiranë.
Dhe në fund lind pyetja: A do të rregullohet furnizimi me ujë në Gjirin e Lalëzit? Ndërkohë që pazari me Ibrahimin po vazhdonte zyrave, sezoni turistik ka nisur me të njëjtin problem si vitet e kaluara.
gijotina.com/









Discussion about this post