Samir Mane është Stacionin “shtet” më vete në Palasë! E gjithë Himara përdor Stacionin e Transferimit të Mbetjeve në Qafën e Vishës (Vumblo), resorti “Green Coast” dhe fshati Palasë do të kenë një vendepozitim më vete.
Ky është një kthim pas, që del jashtë planit të menaxhimit të mbetjeve që Himara e ka hartuar me Bankën Botërore. Shtylla e kësaj skeme është grumbullimi në Vumblo, një stacion i ndërtuar me financimin e Bankës Botërore. Pas ndarjes së mbetjeve të riciklueshme bëhet trasnderimi në vend-depozitimin e përhershëm në Bajkaj.

Të ishte për fshatin Palasë, Vangjel Tavo nuk do të investohej kaq shumë, por është “i shqetësuar” për oligarkun Samir Mane.
Në fshatin Palasë ka nevojë për kosha dhe pastërti, jo për një landfill. Aty dalin ndonjë herë punonjësit e Bashkisë Himarë, kur ka ndonjë ankesë se mbeturinat janë bërë mal në mes të fshatit.
Ndërkaq, nga paratë e taksapaguesve të Himarës ndahen 750 milionë lekë për të hapur një gropë plehrash vetëm për “Green Coast”.
Nuk e dimë, nëse kryebashkiaku Vangjel Tavo e ka studiuar këtë ide para se të firmoste tenderin. Deri tani nuk na rezulton të ketë as projekt, as studim mjedisor të publikuar. Madje nuk përcaktohet as vendi.
Palasa është ngjitur me Zonën e Mbrojtur Natyrore Llogara-Karaburun dhe kjo do të kërkonte një studim për ndikimin në mjedis.
K veprim vjen në vazhdën mungesës së respektit pë mjedisin që është treguar gjatë ndërtimit të resorteve. Me arrogancë dhe pa respektuar asnjë ligj, Bashkia Himarë dhe Agjencitë qeveritare të Mjedisit, të Zonave të Mbrojtura, miratuan një landfill për mbetjet inerte që krijonte “Green Coast”.


Sic rezultoi, kjo pjesë nuk ishte në kufijtë e Bashkisë Himarë, por në territorin e Parkut Kombëtar.
Gjashtë vjet më pas, kryebashkiaku Vangjel Tavo, del me një projekt të ri, tashmë për gropë plehrash.
E kemi fjalën për tenderin e Bashkisë Himarë “Ndërtimi i pikës së transferimit të mbetjeve Palasë”, i njoftuar më 23 prill 2026.
Paratë janë ndarë për nipin e Sadri Abazit që i ka ngulur prej vitesh thonjtë e korrupsionit në arkën e Bashkisë Himarë. Këtë e dëshmon procedura e mbajtur më 8 maj 2026, ku kanë marrë pjesë në mënyrë fiktive 4 kompani.
Pjesëmarrësit janë: ALKO IMPEX CONSTRUCTION SHPK me pronar Arbër Abazin dhe tre kompani ortake në vite në kontrata bashkëpunimi në punët publike. Këto kanë bërë oferta që nuk e dëmtojnë Arbër Abazin, ndërsa janë prezent për të dëshmuar se tenderi ka pasur konkurrencë.

Kështu më 18 maj 2026, Arbër Abazi është shpallur fitues nga Vangjel Tavo.

Po kush ishin “konkurrentë” të Arbër Abazit? E para është AGRI CONSTRUCTION shpk, me pronar Petrit Patushin, që dyshohet se ka bërë ofertë në marrëveshje me Abazin.
Më 1 prill 2025, AGRI CONSTRUCTION shpk dhe ALKO IMPEX CONSTRUCTION SHPK, fituan së bashku me kontratë BOE, tenderin e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” për “Rikonstruksionin e Godinës së Diegie Plasitkës në QSUNT, Tiranë”.
Janë 5.3 miliardë lekë që këta dy biznesmenë i morën si ortakë në një tender me “Flamur të kuq” korrupsioni.

Kompania tjetër “konkurrente” është “EVEREST” shpk me pronar Sokol Çupin. Edhe ky është ortak në tendera dhe mik me Arbër Abazin.
Në vitin 2019, të dy ortakët me marrëveshje morën nga Bashkia Tiranë tenderin me objekt ’’Rehabilitimi i fasadës së pallatit te kryqëzimi i rrugës së Dibrës me Unazën e Vogël’’
Më 28 qershor 2019, Cupi dhe Abazi morën plot 263 milionë lekë pa TVSH për këtë bojatisje.

Tenderi është “kryvepër” korrupsioni. Në mënyrë të jashtëzakonshme, Open Data Albania i ngriti procedurës dy “flamuj të kuq”. “Skualifikim i të gjithe operatorëve konkurrues përvec fituesit/ Skualifikim i ofertës me vlerë më të ulët”, do të shënohej në klasifikimin e tenderit. Flamuri i dytë ishte për “Anulim të Tenderit dy ose më shumë herë”.
Ndërsa “konkurrenti” i tretë i tenderit fiktiv është firma “ARKONSTUDIO” shpk me pronarët Erjon Kërri dhe Krenar Dila.
Kompania e tyre në marrëveshje të firmosur me Arber Abazin, do të fitonte më 18 dhjetor 2024, tenderin e Shoqërisë Rajonale Ujësjellës Kanalizime Sarandë SH.A.
Bëhet fjalë për kontratën “Zgjerimi i rrjetit të kanalizimeve dhe rehabilitimi i Stacioneve të Pompimit të Ujrave të Ndotura, Ksamil” me fond limit 917 milionë lekë pa TVSH. Bashkuëpunimi ishte formën e bashkimit të operatorëve ekonomikë: “ARKONSTUDIO” sh.p.k – “ALKO IMPEX CONSTRUCTION” sh.p.k.

Në këtë formë ortakët kanë përfituar kontratë edhe nga Bashkia Lezhë në vitin 2022.
Më konkretisht, tenderi kishte si objekt “Ndërtimin e infrastrukturës rrugore në plazhin e Tales, njësia administrative Shënkoll”.
Kështu, më 2 dhjetor 2022, “ARKONSTUDIO” SHPK dhe “ALKO-IMPEX General Construcion” shpk përfituan fondin 769 milionë lekë.

Edhe këtë tender ortakët e morën me “Flamur të kuq”. Ishin vitet e arrogancës, kur Arbër Abazi nuk kujdesej as për të ruajtur fasadën e tenderave. Ndërsa tani, që SPAK e ka nën hetim, ka përdorur trukun me pjesëmarrës me rol fiktiv në tender.

Madje njëri prejt tyre ka bërë ofertë me vlerë 0 (zero) lekë.
Ndërkaq, Vangjel Tavo e ka Arbër Abazin klient të vjetër, për të cilin duhet të ketë marrë porosi nga lart që ta trajtojë me preferencë.
Më 20 maj 2025, kryebashkiku i Himarës, Vangjel Tavo, do t’i jepte Abazëve, tenderin e pastrimit 2.6 miliardë lekë.

Kryebashkiaku Tavo, duke e favorizuar në tendera Abazin, mund të jetë thjesht zbatues i urdhrave. Gjithsesi përgjegjësia mbetet e shkruar në dokumente me emra konkretë.

Qysh kur OSBE e futi Sadri Abazin në rrethin e politikanëve të inkriminuar, filloi të dalë në plan të parë Arbri me kompanitë ALKO.
Sadri Abazi është deputeti i përmendur në një raport sekret të OSBE, që është publikuar para 9 vjetësh. Aty thuhet ndër të tjera: “Lidhjet e tij të forta me liderët e PS-së i kanë siguruar mbrojtje dhe fshehje të aktiviteteve kriminale të kompanive te tij. I karakterizuar nga një arrogancë ekstreme dhe një tendencë për shantazh, ai është gjithnjë nën shoqërinë e vëllezërve të tij, të cilët janë shumë agresivë. Pasuria e tij përllogaritet në rreth 100 milionë euro”.
Në raportin konfidencial të OSBE thuhet gjithashtu se, një burim pranë deputetit socialist Sadri Abazi ka pranuar se ai investoi 800 mijë euro në fushatën elektorale të PS-së në Dibër dhe i dha Partisë Socialiste 500 mijë euro të tjera që të gjente një vend të sigurt në listën e kandidatëve për deputetë të vitit 2009”.

E ndërkohë, asgjë nuk e ndal biznesin e tenderave korruptivë.
Teksa Prokuroria e Posaçme (SPAK) po gërmon në zyrat dhe dosjet e tij, Arbër Abazi, pronari i kompanisë “ALKO IMPEX CONSTRUCTION”, ka arritur të rrëmbejë një tjetër tender për shërbime pastrimi. Këtë radhë është Bashkia Vorë me kryetarin Blerim Shira. Kontrata është nënshkruar më 10 shkurt 2026.

Abazi ka siguruar një monopol de-facto në shërbimet e pastrimit dhe mirëmbajtjes rrugore, duke u shfaqur si fitues i vetëm në shumë procedura me vlerë të lartë monetare.
Më herët më 20 nëntor 2025, Arbër Abazi kishte përfituar kontratën për pastrimin në Bashkinë Elbasan me vlerë 3.14 miliardë lekë pa TVSH.

Ndërsa më 8 gusht 2025, Bashkia Kavajë i kishte lidhur kontratën Abazit për pastrimin e Golemit, me vlerë 3.31 miliardë lekë pa TVSH. Janë endera që ngjajnë si pikat e ujit. Të njëjtit pjesëmarrës, i njëjti fitues me oferta të shtrenjta sa fondi limit!
Në 5 vitet e fundit, dy kompanitë e lidhura me të, Alko Impex Construction dhe Alko Impex General Construction kanë marrë mbi 90 milionë euro pagesa nga Thesari i Shtetit.
Janari i vitit 2026 shënoi një kthesë për biznesmenin. SPAK ushtroi kontroll të befasishëm në banesën dhe zyrat e tij, duke sekuestruar pajisje elektronike dhe dokumente në kuadër të hetimeve për korrupsion me lotet e Unazës së Madhe dhe aferës “Berberi”.
Abazi u thirr në SPAK pasi në përgjimet e prokurorisë dyshohet se kanë dalë komunikime që zbardhin skemën e paracaktimit të fituesve. Po ashtu është zbardhur shpërndarja e “ryshfetit” në këmbim të kontratave miliona euroshe.
Me urdhër të SPAK dhe me miratim të GJKKO, hetuesit e BKH po kryejnë kontrolle në ambiente dhe tek disa shtetas të dyshuar për përfshirje në afera korruptive. Por, paralelisht hetimeve të SPAK, po shohim se Abazi dhe oligarkët e tjerë vazhdojnë lojën me tenderat!
gijotina.com/








Discussion about this post