Afrim Qendro, kreu i IKMT, vetëm në dy javët e fundit, mori nga buxheti i shtetit afro 3.1 miliardë lekë. Këtë e realizoi me rrjetin e tij të kompanive që përfituan tenderat fiktivë në bashkitë e Vlorës, Himarës dhe Tiranës.
Në bashkinë Himarë, Qendro përdori direkt “START CO”, kompani që e ka në emër të bashkëshortes Anila Qendro.

Projekti i Bashkise Himarë ka si objekt “Rikonstruksioni i rrugës Milto Kallushi, Loti II”. Për këtë punë është përllogaritur Fondi Limit 104 milionë e 166 mijë e 667 lekë të reja, pa përfshirë TVSH.
Tenderi u mbajt 26 qershor 2026. Ku të paktën sipas dokumenteve, rezulton se ishin 5 pjesëmarrës.

Duke konstatuar shkelje, Open Data Albania do ta klasifikonte menjëherë tenderin me risk korrupsioni dhe do ta shënonte me “Flamur të kuq”.
Ajo që të bën përshtypje është siguria me të cilën e ka hartuar ofertën kompania e kreut të IKMT. Propozimi 999 milionë lekë pa TVSH i “Start CO” shpk është ndër më të lartët.
Ndërkohë operatori ekonomik “PE – VLA – KU” SHPK, ofroi ta bënte këtë punë me 873 milionë lekë.
Por kishte edhe oferta më të ulëta. Përshembull kompania “T & XH” SHPK ofroi vlerën 739 milionë lekë.
Gjithashtu kishte edhe kompani të pakënaqura që e dinin se fituesi ishte i paracaktuar. Për këtë flet veprimi i firmës “RAFIN COMPANY” SHPK e cila aplikoi ofertën me vlerë 0 (zero leke) pa TVSH.

Si përfundim, ofertat më të ulëta u hodhën në kosh, ndërsa Operator Ekonomik Kontraktues u shpall bashkimi “START CO” SHPK dhe “ViaNex” SHPK.
Kështu më 27 korrik 2026, zyrtari që kishte deleguar Vangjel Tavo, i dërgoi Qendros formularin e fituesit.
Distanca në të cilën do të shtrihet projekti është rreth 1 kilometër, pjesa më e madhe e së cilës kalon në krah të përroit. Sipërfaqja përreth është një zonë me ritme të larta zhvillimi turistik, por edhe rezidencial në formën e komplekseve të mëdha të banimit.

Segmenti i ri rrugor do të lidhet me rrugën kryesore nëpërmjet një rrethrrotullimi të ri.
Ndërkaq Qendro nuk kënaqet me pak. Për më tepër, që po afron fundi i pushtetit dhe nxiton të marrë sa më shumë lekë nga tenderat
Kompania e bashkëshortes së Qendros mori edhe një paratë e blerjes së autobusëve të Bashkisë Himarë. Objekti i Tenderit ishte “Blerje e pesë autobuzëve për transportin publik” me fondin limit 833 milionë lekë pa përfshirë TVSH.
START CO SHPK e ka marrë edhe këtë tender me flamur korrupsioni dhe me ofertë të lartë. Oferta e kompanisë së Qendros ishte 799 milionë lekë pa TVSH dhe u shpall fituese më 6 korrik 2026.

Qendro duhet t’i sillte autobusët elektrikë për sezonin turistik, por Tavo i ka lënë 3 muaj afat. Dhe me siguri, kjo është koha për t’i sjellë nga Kina mjetet e transportit.
Për këto tendera, Qendro duhet të ketë shkëmbyer mendime me mikun e tij kryebashkiakun Vangjel Tavo, pasi këto ditë, kreu i IKMT drejtonte operacionin për prishjen e një hoteli pesëkatësh në Himarë.
Kurse në Bashkinë Vlorë, Qendro është si në shtëpinë e tij. Për të marrë tenderin “Rikonstruksion i Rrugës Her Bert”, kreu i IKMT përdori firmën “ERAL CONSTRUCTION COMPANY” shpk që e administrojnë të afërmit e tij nga Progonati.

Në lojë ishte Fondi Limit 280 milionë lekë nga të ardhurat e Bashkisë Vlorë.
Tenderi u zhvillua me shpejtësi rrufe. Në 2 korrik 2026 u shpall njoftimi, më 20 korrik u mbajt procedura me 5 pjesëmarrës dhe më 31 korrik “Erali” u shpall fitues.

Sigurisht, pasi ishin skualkifikuar të gjithë përvec kompanisë fituese. Përsëri tenderi meriton flamurin e korrupsionit.
“ERAL” e mori tenderin me ofertën 210 milionë lekë, ndërkohë që “RSM COMPANY” propozoi ta bënte këtë punë me 182 milionë lekë pa TVSH.
Ndërsa operatori ekonomik “MELA” aplikoi me ofertën 191 milionë lekë.

Por nuk mbyllet këtu. Bashkia Vlorë kishte mbetur pa kondicionerë tani në periudhën e nxehtë të verës.
Pra, edhe kontrata “Pajisje per sistemin e ngrohje-ftohje” me vlerë 125 milionë lekë pa TVSH i shkon Qendrove.
Këtë tender për blerjen dhe instalimin e kondicioerëve, kompania “START CO” shpk e firmosi si fituese më 12 qershor 2026.

Qendro ka krijuar kompani sipas llojit të furnizimeve që kërkojnë institucionet. Për disa lloje prokurimesh përdoret firma “LIGUS” shpk.
Më konkretisht, tenderi i bashkisë Vlorë ka si objekt “Blerje autobot dhe automjet lavazho për Ndërmarrjen e Pastrimit”. Për këtë furnizim ishin ndarë nga buxheti 207 milionë lekë. Megjithëse ka shumë kompani që mund t’i sjellin këto mjete nga importi, tenderi u zhvillua me vetëm një pjesëmarrës: “LIGUS” shpk.

Më 14 korrik 2026, kryebashkiakja Brunilda Mersini shpalli fituese kompaninë e Qendros, të cilin e ka mik të vjetër.
Aktualisht kjo kompani përbëhet nga dy pronarë: Amarilda Çelaj dhe Erion Muçaj.

Personi që ka hapur “Ligus” shpk në Mars 2015 quhet Natali Dhima. Në Janar 2017, Natalia ia ka dhuruar të gjitha aksionet e kompanisë “Ligus”, një personi tjetër që quhet Shupo Qëndro nga Progonati i Tepelenës, që siç mësohet është njeri i afërt i Afrim Qëndros.
Por 6 muaj pasi Shupo Qëndro e kishte përfituar përmes dhurimit kompaninë “Ligus”, ka vendosur që në korrik 2017 të dhurojë 50 për qind të aksioneve tek një person tjetër, që është Erion Muçaj nga qyteti i Gjirokastrës.
Të dy së bashku aksionerët risin në mënyrë të menjëherëshme kapitalin e kompanisë me 74 milionë lekë të vjetra secili.
Por, në datën 14 Tetor 2020 sërisht Shupo Qëndro, çuditërisht vendos të largohet përfundimisht nga kompania “Ligus”, duke vendosur t’ia dhurojë 50 për qind të aksioneve të tij, shtetases Amarilda Çelaj nga qyteti i Vlorës.
Dhe për ta mbyllur këtë xhiro me paratë e buxhetit të shtetit, Qendro do të fovorizohej edhe me një tender tjetër. Këtë radhë nga kryebashkiakja e Tiranës Anuela Ristani, përmes Drejtorisë së Rrugëve.
Objekti i Tenderit është “Materiale për mirëmbajtjen e Sinjalistikës Unaza e Madhe”. Furnizimi është përllogaritur të kushtojë plot 600 milionë lekë pa TVSH.

Edhe ky tender është dekoruar nga Open Data Albania me flamur korrupsioni. Njerëzit e Ristanit thjesht kanë plotësuar letrat për fituesin e paracaktuar “ERAL CONSTRUCTION COMPANY” shpk, që është shpallur më 10 gusht 2026.
Me paratë e tenderave ngrihen kullat “Luzaj Toëer” në Vlorë
Modeli i këtij biznesi është në çdo hap i lidhur me pushtetin. Kështu, Afrim Qendro pasi siguron miliarda lekë nga tenderat, ngre kullat në Vlorë, lejen e të cilave ia ka dhënë Kryeministri Rama.
Gjatë kohës që ishte Prefekti i Qarkut Tiranë, Afrim Qëndro, është shpërblyer me leje kullash. Miratimi i zhvillimit për ndërtimin e kompleksit “Luzaj Tower”, që përfshin dy kulla prej 21 dhe 22 katësh, është dhënë për shoqërinë “Eral Construction” sh.p.k., e cila është në pronësi të të afërmve të tij, Gramoz Qëndro dhe Ervin Qëndro. Kompleksi “Luzaj Tower” përfshin një kombinim të hoteleve dhe apartamenteve rezidenciale me vendndodhje strategjike.


Si i mbijetoi Afrim Qendro skandali “Dh Albania”?
Afrim Qendro është kukull e telekomanduar nga Rama dhe bën gjithçka për kryeministrin, pasi ai e ka shpëtuar disa herë nga burgu.
Qendro ka patur një sërë detyrash të larta publike ashtu sikurse politike, si kordinator elektoral i PS në Qarqet e Tiranës dhe Vlorës, anëtar i Asamblesë Kombëtare dhe në Asamblenë e Tiranës.
Ai fillimisht ka qenë drejtues i Ndërmarrjes Nr.1 në Bashkinë e Tiranës, më tej drejtues i Inspektoratit Ndërtimor të Tiranës.
Qendro ka ushtruar detyrën e Nën/Kryetarit të Bashkisë së Vlorës (2020-2021) ndërsa më herët ka mbajtur funksione të larta drejtuese në Autoritetin Rrugor Shqiptar, si Zv/Drejtor i Përgjithshëm dhe Drejtor i Drejtorisë së Projekteve të Brendshme dhe të Huaja Teknike (2013-2017) si dhe Drejtor i Përgjithshëm.
Më 16 janar 2019, ish-drejtori i ARRSH-së, Afrim Qendro është thirrur për të dëshmuar në prokurorinë e kryeqytetit në lidhje me skandalin e firmës ‘DH Albania’, e cila fitoi dy tendera me vlerë 30 milionë euro, 18 milionë për ndërtimin e lotit të parë te Unaza e Re dhe 12 mln euro të linjës së tensionit 220 kw Burrel-Peshkopi. Afrim Qendro dha dëshminë e tij përballë oficerit të policisë gjyqësore Ludovik Ndokaj për rreth dy orë.

Pas zbulimit të skandalit, rezultoi se ‘DH Albania’ tenderin e Unazës së Re e kishte fituar me dokumente të falsifikuara, gjoja ishte kompani amerikane. Administratori i kompanisë “DH-Albania” Avdjol Dobi kishte falsifikuar dhe përdorur më pas një vërtetim të lëshuar nga Departamenti i Shtetit të Delaware, ku tregohej se kompania “Dunëell Haberman”, e cila pretendohet se është mëma e firmës shqiptare “DH-Albania”, nuk kishte detyrime financiare në SHBA.
Për ta mbuluar skandalin, Rama do ta largonte Qendron nga drejtimi i ARRSH. Në 22 janar 2019, në vend të Qendros do të vinte ish-ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Sonila Qato.
Më 18 nëntor 2021, Kryeministri Rama do ta shpërblente Qendron me postin e Prefektit të Tiranës. Ndërsa në 13 shkurt 2026, Qendro u vendos kryetar i ri i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IKMT). Kjo lëvizje u bë pasi i liroi vendin prefektit Shkëlqim Hajdari, ndërsa ky do të zëvendësonte Dallandayshe Bicin e cila kishte dhënë dorëheqje.

Ka pasur sinjale edhe nga organet shtetërore për abuzimet me tenderat nga Qendrot, por nuk ua kanë vënë veshin organet ligjzbatuese dhe prokuroria.
Një prej këtyre procedurave të përfituara nga ‘Start & Co” është edhe tenderin rreth 150 mijë euro i Skerdi Drenoves kur drejtonte OST, për aplikacionet EMS.
Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, institucioni i drejtuar nga Skerdi Drenova ka kryer shkelje të rënda, duke shpallur fitues kompaninë e familjes së Afrim Qendros.
Audituesit shtetërore konstatojnë se “…. pavarësisht se është oferta e vetme ekonomike, rezulton se Operatori Ekonomik “Start & Co” nuk ka plotësuar të gjitha kriteret e dokumneteve standarde, duke u kualifikuar dhe shpallur fitues me pa të drejtë nga ana e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave”.
Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, “kompania fituese, për të plotësuar kriterin e punëve të ngjashme, ka paraqitur tre fatura të njëjta, duke trefishua artificialisht vlerën totale të shërbimit. Pra në këto kushte KVO nuk duhej ta kualifikonte Start CO”.

A do të mundet ta shpëtojë përsëri Edi Rama shërbëtorin e tij, nëse SPAK i merr në dorë dosjet e Qendros? Ndoshta Qendro e ka të qartë se mund t’i shkojë pranë Erion Veliajt, prandaj është lëshuar mbi tenderat sikur të ishte dita e fundit në detyrë!
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.










Discussion about this post