GIJOTINA
  • Lajme
    • Politikë
    • Aktualitet
    • Ekonomi & Sociale
    • Kosovë & Rajon
    • Botë
  • Fact-Checking & Analize
  • OP-ED
    • Opinion
    • Editorial
    • Sondazh
  • Intervista
  • Sport
  • Të tjera
    • Art & Kulturë
    • Teknologji
    • Shëndet & Fitness
    • Kuriozitete
    • Show Biz
    • Lifestyle
    • Horoskopi
    • Moti
Nuk ka rezultat
View All Result
GIJOTINA
Nuk ka rezultat
View All Result
Fillimi Lajme Kosovë & Rajon

Dorëzohet Vuçiç: Ja kur do të hiqen barrikadat në veri të Kosovës

08:02 - 29/12/22
në Kosovë & Rajon
Kohë leximi: 4 min
A A
Dorëzohet Vuçiç: Ja kur do të hiqen barrikadat në veri të Kosovës
Facebook Twitter LinkedIn WhatsApp

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pas takimit me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova, tha se heqja e barrikadave në veri të Kosovës do të nisë mëngjesin e së enjtes. “Për 24 orë apo 48 orë do të hiqen barrikadat”, tha ai. Udhëheqësi takoi përfaqësuesit e serbëve nga Kosova mbrëmjen e 28 dhjetorit në kazermën e Ushtrisë Serbe në Rashkë, afër kufirit me Kosovën.

Pas takimit, Vuçiç lexoi konkluzionin e përfaqësuesve të serbëve nga veriu i Kosovës, lidhur me heqjen e barrikadave.

“Besimi i serbëve në institucionet diskriminuese të Prishtinës nuk ekziston, dhe është i pamundur të arrihet”, thuhej në konkluzionin e lexuar nga Vuçiç.

“Ne nuk kemi besim te [kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe nuk mund të kemi. Nëse vazhdojnë arrestimet dhe terrori kundër popullit serb, do ta mbyllim përgjithmonë veriun e Kosovës për institucionet diskriminuese të Prishtinës. Pastaj, do të vendosim barrikada që nuk do të hiqen kurrë dhe që për Prishtinën ato do të jenë një kufi që nuk do të kalohet kurrë”, u tha në deklaratën që e lexoi Vuçiç.

Vuçiç tha se në këtë deklaratë kërkohet nga ai “të mos ketë njohje të pavarësisë së Kosovës, në asnjë formë, sepse është territor i Serbisë”.

I pyetur nga gazetarët për kthimin e serbëve nga veriu në institucionet e Kosovës, Vuçiç u përgjigj se “heqja e barrikadave nuk ka të bëjë me këtë çështje”. “Kthimi në institucione kushtëzohet me Marrëveshjen e Brukselit, e cila flet për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 28 dhjetor u ka bërë thirrje serbëve në Kosovë të aplikojnë për punë në institucionet e Kosovës, pasi zyrtarët serbë në veri të Kosovës, në nëntor u tërhoqën nga institucionet.

Çfarë u diskutua me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës?

Në këtë takim mori pjesë edhe nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiç, i cili është nën sanksione nga Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar, për shkak të dyshimeve për përfshirje në krim të organizuar ndërkombëtar dhe korrupsion.

Vuçiç tha paraprakisht se janë dhënë garanci se kërkesat e serbëve për heqjen e barrikadave do të plotësoheshin.

Ai po ashtu tha se Dejan Pantiç ka mbërritur në shtëpi dhe se kjo është një “fitore simbolike”.

Arrestimi i ish-policit serb, në të cilin Kosova dyshon se ka sulmuar anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka qenë arsyeja e barrikadave që përfaqësuesit serbë në veri të Kosovës vendosën që nga 10 dhjetori.

Lirimi i tij është një nga kushtet për heqjen e bllokadave dhe më 28 dhjetor autoritetet në Kosovë ndryshuan masën e sigurisë, nga paraburgimi në arrest shtëpiak.

Vuçiç tha se kërkesa e tyre e dytë ishte që “njerëzit që ishin në barrikada të mos ndiqen penalisht”.

“Këtë e kemi të shkruar në letër, padyshim”, theksoi ai.

Duke folur për kërkesën e serbëve për të mos lejuar hyrjen e forcave speciale të Kosovës në veri, ai përmendi deklaratën e misionit të NATO-s (KFOR) të datës 28 dhjetor.

“Ne kemi një dokument të posaçëm që i jep të drejta edhe popullit serb në veri të Kosovës edhe shtetit të Serbisë, por gjithashtu i imponon KFOR-it obligim që të parandalojë hyrjen e forcave të sigurisë së Kosovës në veri për herë të parë”, tha ai.

Deri më tani Serbia ka qenë zëshëm kundër dërgimit të njësive speciale të Policisë së Kosovës në veri, duke thënë se kjo është në kundërshtim me marrëveshjet ndërkombëtare. Megjithatë, një marrëveshje për një gjë të tillë nuk është arritur kurrë.

Kosova ka marrëveshje me NATO-n që Forcat e Sigurisë së Kosovës të mos dërgohen në veri pa pëlqimin e komandantit të KFOR-it dhe kjo nuk ka qenë çështje e diskutimit.

Para nisjes së takimit, presidenti i Serbisë deklaroi se do të “pranoj çdo vendim” të serbëve nga Kosova lidhur nga barrikadat në veri.

Ai tha se pret që serbët “të vijnë me kërkesa për të dhe për Serbinë”, dhe shtoi se ata nuk i besojnë as Bashkimit Evropian dhe as SHBA-së, e më së paku kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviç, tregoi më herët se Vuçiqi u ka kërkuar serbëve në veri të Kosovës që të tërhiqen nga barrikadat.

Ai tha se kjo kërkesë u bë pas deklaratës së lëshuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian lidhur me situatën në veri të Kosovës.

Në një deklaratë të përbashkët më 28 dhjetor, SHBA-ja dhe BE-ja mirëpritën garancitë e lidershipit të Kosovës që konfirmuan se nuk ka lista për arrestimin e qytetarëve serbë ose përndjekjen e atyre që protestojnë paqësisht apo për vendosjen e barrikadave.

Tensionet në veri janë ngritur që nga nëntori, kur serbët u larguan nga institucionet e Kosovës. Por, tensionet kulmuan me vendosjen e barrikadave më 10 dhjetor.

Për shkak të barrikadave, rrugët që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën dhe Serbinë, janë bllokuar.

Këto dy pika kufitare, që nga 10 dhjetori janë të mbyllura.

Autoritetet në Kosovë më 27 dhjetor mbyllën edhe pikën kufitare të Merdares, pasi në anën serbe të kufirit, u vendosën barrikada.

Për vendosjen e barrikadave, Kosova ka fajësuar “grupet kriminale” që mbështeten nga Serbia. Beogradi ndërkaq ka shprehur përkrahjen për barrikadat.

Së fundi, në veri janë regjistruar një sërë incidentesh me armë zjarri, granata dore dhe shok bomba.

Cak i sulmeve kanë qenë pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, ata të misionit të BE-së për Sundim të Ligjit, EULEX, dhe gazetarët./REL

 

Etiketa: KosovePresidentVucic

Lajme të lidhura

Zgjedhjet në Kosovë/ Nis votimi në Diasporë, mbi 19 mijë persona kanë të drejtë vote
Aktualitet

Zgjedhjet në Kosovë/ Nis votimi në Diasporë, mbi 19 mijë persona kanë të drejtë vote

10:59 - 27/12/25
Sot votohet në përfaqësitë diplomatike të Kosovës
Aktualitet

Sot votohet në përfaqësitë diplomatike të Kosovës

09:59 - 27/12/25
Greqia ndërpret furnizimin me naftë/ Qeveria e Maqedonisë së Veriut shpall krizë energjetike
Aktualitet

Greqia ndërpret furnizimin me naftë/ Qeveria e Maqedonisë së Veriut shpall krizë energjetike

16:59 - 25/12/25
Para
“Ka nisur prej javësh”, Sara Hoxha flet për lidhjen Elhaida- Ledian

“Ka nisur prej javësh”, Sara Hoxha flet për lidhjen Elhaida- Ledian

Discussion about this post

TË FUNDIT

Aksident i rëndë në Burrel, ndërron jetë 41-vjeçari
Aktualitet

Përplasen dy makina në Divjakë! Njëra prej tyre përfundon në kanal, tre të plagosur rëndë!

22:57 - 27/12/25

Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Divjakë, ku dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën. Si...

Lexo më shumë
Zelensky: Putin të ndalojë bombardimet, Ukraina gati për armëpushim

Putin flet para takimit Trump–Zelensky: Nëse s’ka paqe, Rusia do të përdorë forcën

21:54 - 27/12/25
Një dekadë pas “ftohjes”/ Rama dhe Kokëdhima ribashkohen, darkojnë në restorant!

Një dekadë pas “ftohjes”/ Rama dhe Kokëdhima ribashkohen, darkojnë në restorant!

21:38 - 27/12/25
Ndodh edhe kjo/ Hajduti bie nga çatia, pronari i shtëpisë i jep ndihmën e parë

Bënin ‘kërdinë’ duke vjedhur, merr fund ‘aventura’ e katër të rinjve shqiptarë në Itali

21:30 - 27/12/25
Egnatia kërkon “hakmarrjen” ndaj Dinamos, Edlir Tetova: Daja ka qenë trajneri im, por i kemi marrë masat

Egnatia kërkon “hakmarrjen” ndaj Dinamos, Edlir Tetova: Daja ka qenë trajneri im, por i kemi marrë masat

21:00 - 27/12/25

GIJOTINA

Gijotina është media e pavarur, e iniciuar nga gazetarë profesionistë dhe të rinj, të karakterizuar nga paanshmëria, që sjellin tek ju gjithçka ndodh në Shqipëri, me lajme të shpejta, cilësore, investigime, fact-checking dhe analiza, duke denoncuar çdo shkelje apo abuzim ndaj qytetarëve shqiptarë.

KONTAKT

  • Contact page
  • [email protected]
  • [email protected]
  • [email protected]

Harta e Faqes

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Lajme
    • Politikë
    • Aktualitet
    • Ekonomi & Sociale
    • Kosovë & Rajon
    • Botë
  • Fact-Checking & Analize
  • OP-ED
    • Opinion
    • Editorial
    • Sondazh
  • Intervista
  • Sport
  • Të tjera
    • Art & Kulturë
    • Teknologji
    • Shëndet & Fitness
    • Kuriozitete
    • Show Biz
    • Lifestyle
    • Horoskopi
    • Moti

© 2022 Gijotina Dev By Techzero1.com