Në Shqipëri, një grup deputetësh socialistë njoftuan sot depozitimin e dy nismave të reja ligjore të cilat synojnë të pengojnë marrjen e posteve publike apo drejtimin e forcave politike, nga persona të lidhur me ish Sigurimin e shtetit. Propozimi vjen një ditë pasi parlamenti miratoi disa ndryshime ligjore që mundësojnë një hapje më të plotë të dosjeve të ish Sigurimit si dhe heqin pengesat për riverifikimin e figurës së personave që kanë një çertifikatë të mëparshme pastërtie, kur për ta, shfaqen informacione të reja. Ndryshimet e mbrëmshme u kundërshtuan nga deputetët demokrat që mbështesin ish kryeministrin Sali Berisha. Ky i fundit tha sot sipas tij ai ishte një ligj për një njeri, duke ju referuar ish presidentit Ilir Meta. Vetë zoti Meta deklaroi se e konsideronte votimin e parlamentit diçka të pavlerë.
Pa kaluar as 24 orë nga votimi mbrëmë i disa ndryshimeve ligjore që lidhen me dosjet e ish Sigurimit të Shtetit, kryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla dhe tre deputetët të tjerë të shumicës prezantuan sot nisma të reja ligjore për vendosjen e barrierave ndaj personave që në të kaluarën kanë patur lidhje me ish Sigurimin. “Nisma e parë, ajo për ndryshime në ligjin e dekriminalizimit parashikon ndalimin e personave për të marrë poste publike nëse vërtetohet lidhja e tyre me shërbimet sekrete të regjimit të kaluar. Nisma e dytë, ajo për ndryshime në Ligjin e partive politike, ka të njëjtën qasje, nuk mund të jenë kryetar të partive politike në një sistem politik pluralist demokratik ata që kanë qënë dikur bashkëpunëtor, me status oficeri, me status denoncuesi të Sigurimit të shtetit”, bëri të ditur zoti Balla. Socialistët kanë depozituar më parë dhe një tjetër ndryshim të kërkuar nga Autoriteti i Dosjeve, për një ndërhyrje në Kodin zgjedhor, ku përfshihet detyrimi i kandidatëve në zgjedhje që të pajisen më parë me një çertifikatë pastërtie.
Me ndryshimet e bëra mbrëmë në parlament, personat që zotërojnë një çertifikatë të marrë nga komisionet Mezini e Bezhani, në gjysmën e dytë të viteve ’90, i nënshtrohen sërish verifikimit.
Kjo kishte qenë një kërkesë e kahershme e Autoritetit të Dosjeve, e cila u mor në konsideratë vetëm tani, pasi emri i ish presidentit Ilir Meta rezulton të jetë, sipas Autoritetit, në dokumentat e ish Sigurimit. Edhe propozimi i sotëm për ndërhyrjen në ligjin për partitë politike, duket se synon të godasë sërish atë, pavarësisht se në rast se vërtetohen dyshimet për një bashkëpunim të mundshëm të tij me ish Sigurimin, ai do të pengohej të kandidonte, sipas ndryshimeve që parashikohen të bëhen në Kodin zgjedhor.
Vetë zoti Meta, i cili ka mohuar në mënyrë kategorike, përfshirjen e tij me ish shërbimin sekret të diktaturës, duke folur për manipulim të dosjes, u shfaq sot sërish i qetë: “U mbars mali dhe polli një mi, thotë populli. Dhe këtu, mali I mbars në 25 korrik në mes të vapës, dhe polli një mi mbrëmë në mesnatë. Kështu që është një gjë që s’ka asnjë vlerë. Me vlerë zero”.
Ndryshimet e mbrëmshme morën një mbështetje të gjerë. Deputetët demokratë që njohin si kryetar të grupit zotin Enkelejd Alibeaj votuan në favor, pasi u përfshinë dhe propozimet e tyre lidhur me deklasifikimin e të gjithë dokumentave të ish Sigurimit dhe një hapje më të plotë të dosjeve. Grupi tjetër i deputetëve përkrahës të ish kryeministrit Sali Berisha, i cili ka rimarrë drejtimn e Partisë, e kundërshtuan dhe nuk morën pjesë në votim.
Sot zoti Berisha tha se sipas tij, ai ishte një ligj për gjueti shtrigash ndaj zotit Meta: “Ne nuk jemi kurrë për gjah shtrigash, të bësh një ligj për vetëm një njeri. Nuk jemi kurrë për shkatërrimin e sigurisë juridike përfundimtare, sepse kur ti thua që nuk njeh vërtetimet e dy komisioneve të mëparshme, në një kohë kur në të drejtë kushtetuese dhe në parimet e shtetit ligjor ato nuk mund të anulohen me asgjë tjetër, përveçse me gjykatë”.
Zoti Berisha tha se mbështet lustracionin, për të cilin është paraqitur një projektligj. Një nismë të ngjashme kanë kërkuar dhe grupi tjetër i deputetëve, së bashku me disa propozime të tjera për ndërgjegjësimin e shoqërisë për krimet e komunizmit apo dhe ndalimin e propagandës komuniste. /Voa/
Discussion about this post