Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka kritikuar draftin e Partisë Socialiste për reformën e re administrativo-territoriale, duke e cilësuar propozimin për reduktimin e numrit të bashkive si një “lojë numrash” që, sipas saj, i shërben vetëm interesave të qeverisë dhe jo qytetarëve.
Përmes një video në rrjete sociale, Tabaku u shpreh se reforma territoriale duhet të kishte në qendër përmirësimin e shërbimeve, forcimin e demokracisë lokale dhe rritjen e përgjegjësive të pushtetit vendor, por sipas saj, propozimi aktual ndjek të njëjtën filozofi si reforma e vitit 2015.
Sipas saj, në vend që të analizohen problematikat e reformës së vitit 2015, qeveria po propozon një tjetër reformë të hartuar me të njëjtën metodë dhe me objektiva politikë.
“Në vend që të analizohen gabimet dhe problemet e reformës së vitit 2015, propozohet një reformë e hartuar me të njëjtën metodë, me të njëjtën filozofi dhe vetëm në funksion të interesit politik. Propozimi për të reduktuar numrin e bashkive është një lojë numrash. Ndërkohë që duhej të kishim ndërtuar një reformë që niset nga funksionet dhe përgjegjësitë e pushtetit vendor, nga bashkitë që janë të afta të ofrojnë më shumë shërbime, të menaxhojnë më mirë territorin dhe të kenë qëndrueshmëri financiare”, shprehet deputetja demokrate.
Sipas Tabakut, një reformë e vërtetë duhet të bazohet te funksionet dhe përgjegjësitë e bashkive, aftësia e tyre për të ofruar shërbime cilësore, për të administruar territorin dhe për të garantuar qëndrueshmëri financiare, e jo te reduktimi i thjeshtë i numrit të njësive vendore.










Discussion about this post