Gjatë raportimit para Këshillit të Lartë të Prokurorisë për ecurinë e SPAK gjatë 2023, kreu i SPAK, Altin Dumani ka shtruar disa nga problematikat që përballet institucioni që ai drejton.
Pikë së pari, Dumani ka vënë theksin se përveç Policisë së Shtetit, asnjë institucion tjetër, qoftë në nivel qendror ashtu edhe lokal, nuk raportojnë për veprën e “korrupsionit” apo paligjshmëri të tjera penale.
“Ka pasur rënie me 40% në 2023, përjashtuar Policinë e Shtetit që ka pasur rolin e saj në referimin e veprave penale të ndryshme. Nuk referojnë në Prokurorinë e Posaçme vepra me natyrë korruptive. SPAK i vetëm nuk mund të adresojë dhe përballojë luftën kundër korrupsionit apo veprave të tjera penale që kryhen nga subjekte që mbajnë funksion shtetëorr. Duhet forcuar bashkëpunimi. Ne si strukturë, BKH apo Prokuroria jemi shumë të hapur me çdo institucion”, tha ai.
Nga ana tjetër, ai vuri theksin edhe për mungesën e hetuesve dhe këshilltarëve ligjorë.
“E nevojshme shtimi i numrit të hetuesve te Byroja Kombëtare e Hetimit me qëllim adresimin e çështjeve që ne kemi. S’kemi njerëz që t’u delegojmë procedimet penale që kemi në hetim. 1/3 e hetuesve janë të angazhuar te Qendra e Përgjimeve, por që të kryhen veprime konkrete hetimore, nga 60 bien shumë. Na duhen propozime konkrete për rritjen e numrit si nevojë imediate”, tha Dumani.
“Vazhdon të ngelet problematikë ngarkesa e shtuar”, theksoi ai. “Sidomos ngrarkesë që shtohet duke marrë parasysh se drejtuesit të SPAK i bie barra të përfaqësojë komisionerin publik në Kolegjin e Posaçëm të Apelit. Është një detyrë e re, ka 30 ankimime të komisionerëve publik që duhet të ndiqen nga drejtiesi i SPAK. Parashikohet që ai duhet të ndjekë 150 seanca gjyqësore, në periudhën 2025-2026. Është problematikë që e adresoj pranë KLP pasi parashikon rritje të volumit të punës, në një kohë që numri i burimeve njerëzore është i njëjtë”, saktësoi.
Ai solli në vëmendje se mungon përcaktimi i qartë ligjor lidhur me statusin ligjor të prokurorëve të posaçëm pas mbarimit të mandatit.
Kreu i SPAK pohoi se përfaqësues të DEA dhe FBI janë atashuar pranë SPAK për të dhënë ndihmën e tyre në hetime. Sipas tij, është forcuar sektori financiar, për të hetuar pasuritë.
“Të rritet kufiri i shifrës së korrupsionit që hetohet nga SPAK”
Kreu i SPAK tha se kufiri i shifrës së korrupsionit, që hetohet nga SPAK – aktualisht 50 mijë lekë – duhet të jetë më i lartë.
“Duhen parë kompetencat e SPAK për korrupsionin, të flasim për kufirin monetar prej 50 mijë lekësh, ky kufi duhet të jetë shumë më i lartë, ka vend dhe për të riparë edhe disa vepra penale të tjera, por këtë e shoh si emergjente”, u shpreh Dumani.
“Prokurorë të SPAK-ut mund të pushohen nga puna”
Kreu i SPAK, paralajmëroi këtë se prokurorë të strukturës hetimore të posaçme mund të shkarkohen nga detyra në kuadër të procesit të rivlerësimit.
Dumani tha se është drejt fundit procesi i rivlerësimit për prokurorët e parë të emëruar në SPAK kur u çel struktura e re hetimore.
“Edhe ne s’jemi të gjithë njësoj, mund të ketë hetues që lënë për të dëshiruar në punën e tyre, janë në proces rivlerësimi, flas për 28 të parët që janë emëruar fillimisht. Të shohim rezultatet, metodika e rivlerësimit mua më pëlqen. Ndoshta ndonjë prej tyre do e kalojnë testin e vlerësimit, vendimin e merr një komision i posaçëm”, tha ai.
“Drejtuesit e policisë të lidhur me krimin”
Kreu i SPAK, Altin Dumani tha se mbetet ende problematike përfshirja e policëve në krimin e organizuar, duke penguar punën për bashkëpunimin me policinë.
“Në raste të caktuara, sidomos ato të krimit të organizuar, nuk bashkëpunojmë dot me policinë sepse na rezulton se ka policë të përfshirë dhe është në nivele te larta”, tha Dumani.
Discussion about this post