Protesta antiqeveritare e mijëra mbështetësve të opozitës në Shqipëri, që u zhvillua të shtunën, (11.02) përfundoi pa eksese të rënda. Disa protestues hodhën tymuese dhe bomba dore në hyrje të godinës së kryeministrisë, të mbrojtur nga disa qindra efektiva të policisë së shtetit në të gjithë perimetrin e godinës. Me sloganet “Shqipërisë do t’i dalim Zot” dhe “Demokracisë do t’i dalim Zot”, protestuesit kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, në vijim të pretendimeve të opozitës për korrupsion, për varfërinë papunësinë dhe emigrimin e rinisë.
Protesta
Protesta u drejtua nga Sali Berisha, ish kryeministër dhe ish kryetar i Partisë Demokratike, (PD) forca më e madhe politike opozitare në Shqipëri. Pjesëmarrëse në protestë ishte edhe “Partia e Lirisë”, ish Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) dhe lideri i saj, ish Presidenti Ilir Meta. Në protestë nuk u përfshi grupi i PD që njihet zyrtarisht dhe drejtohet nga Enkelejt Alibej, kryetar i grupit parlamentar të kësaj partie.
PD
PD vazhdon të jetë e mbërthyer nga lufta e brendshme, që kur sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, e shpalli Sali Berishën në maj 2021, person “non grata”për “akte korruptive që minuan demokracinë në Shqipëri” gjatë dy mandateve si kryeministër 2005-2013. Berishës dhe familjes së tij i është ndaluar hyrja në SHBA. Në korrik të vitit të kaluar edhe Britania e Madhe e shpalli Berishën „non grata”për „lidhje të qarta me grupe të krimit të organizuar dhe kriminelë, që kanë paraqitur rrezik për sigurinë publike në Shqipëri dhe në Mbretërinë e Bashkuar si edhe për gadishmëri për përdorimin e këtyre lidhjeve për të avancuar ambiciet e tij politike dhe për korrupsion”.
Berisha, që drejton fraksionin e PD të njohur si “Grupi i Rithemelimit të PD” dhe pret vendimin e gjykatës nëse ky grup është legjitim ose jo për të përfaqësuar PD, e quajti protestën para protestuesve, fillimin e një „revolucioni në Shqipëri”. “Ka ardhur koha që ky revolucion të nxjerrë paratë e korruptuara dhe t’i kthejë ato në paga dhe pensione më të larta”, theksoi ai në fjalën e tj para protestuesve.
Rini që synon të emigrojë, qytetarë të varfëruar
Në protestë morën pjesë edhe vajza dhe djem të rinj. Iljuza Stari, me një kapele ku është shkruar slogani i protestës erdhi nga Durrësi dhe sivjet merr diplomën e maturës. “Dëshëroj të iki nga Shqipëria sapo të marr diplomën. Jam e pakënaqur me arsimimin, me padrejtësitë që bëhen për të drejtën e studimit në universitet. Në rrethin tim familjar dhe shoqëror thuhet që të paaftët kanë zënë postet dhe vendet më të mira në adminisratën publike. Ka papunësi, mbaron arsimin e lartë dhe mbetesh pa punë. Por edhe pse dua të largohem nga Shqipëria, kam besim se demokracia do të kthehet dhe Shqipëria do të ndryshojë për mirë. Prandaj kam dalë sot në protestë” thotë ajo për DW.
Qytetarja
Vjollca Mehmetaj, ka ardhur në protestë nga Bajram Curri. “Nuk përballohen dot ꞔmimet e larta për jetën e përditshme. Nuk ia dal dot të ushqej familjen time. Nga njëra anë varfëtia jonë, nga ana tjetër anëtarë qeverie, njerëz në poste të larta po dalin të kenë miliona, të fituara jo pune por me dallavere dhe korrupsion.” thotë ajo për DW.
Përgjegjësi për korrupsion dhe emigrimin e shqiptarëve
Opozita ka bërë me përgjegjësi kryeministrin Rama për korrupsionin në nivel të lartë dhe për emigrimin e rinisë dhe të njerëzve të kualifikuar nga Shqipëria. Sipas të dhënave nga EUROSTAT në periudhën 2008-2021 nga Shqipëria janë larguar 750 mijë shqiptarë që kanë marrë leje qëndrimi në një nga vendet e BE, ku po studiojnë ose janë punësuar.
Kohet e fundit
Kohët e fundit opozita pretendon që kryeministri Rama ka korruptuar ish-zyrtarin e lartë të kundërzbulimit të FBI, Charles McGonigal,ndaj të cilit në SHBA kanë filluar tanimë hetimet „për përfshirje në afera korruptive dhe veprime që vënë në rrezik sigurinë kombëtare”.
Charles McGonigal akuzohet gjithashtu që nuk i ka treguar FBI arësyet e udhëtimit në Shqipëri në vitin 2017 së bashku me Agron Nezën, një ish-punonjës i Shërbimit Informativ Kombëtar,(SHIK) që aktualisht është qytetar amerikan. Për këtë të fundit ka dyshime se i ka dhënë Charles McGonigal 225.000 dollarë. Kryeministri Rama nuk e ka mohuar që ka patur takime me ish-zyrtarin e lartë të FBI. Por ka hedhur poshte pretendimet e opozitës se e ka korruptuar McGonigal dhe i ka cilësuar këto pretendime, „abuzim me lirinë e fjalës dhe me të vërtetën”. Opozita paralajmëroi vijimin e protestave para Parlamentit, ditën e hënë, më 13 shkurt.
Discussion about this post