Rreth pasdites të premten, më 20 tetor, banorët e lagjes “Al-Zahra” qëndronin para rrënojave dhe pluhurit që dikur ishin shtëpitë e tyre. E premtja supozohej se do të ishte e veçantë: dita e lutjeve islamike shënonte fillimin e fundjavës, dhe në “Al-Zahra” do të thoshte falafel dhe humus, kafe dhe qaj. Të gjitha të shërbyera në apartamentet e mëdha familjare ose në vilat buzë Detit Mesdhe. Banorët këtu e dinin se ishin më fatlumë se shumica në Gaza.
Mirëpo gjatë natës bombat izraelite rrënuan blloqet me 25 apartamente, shtëpi e qindra banorëve. Izraeli ka qenë duke e bombarduar Gazën për ditë të tëra si kundërpërgjigje ndaj sulmeve të Hamasit më 7 tetor, mirëpo deri atë ditë “Al-Zahra” nuk ishte goditur.
Disa prej atyre që jetonin këtu – mes tyre doktorë, avokatë, akademikë, disenjatorë mode dhe interpretues – tentuan të qëndronin dhe të mbijetonin në rrënoja, por shumica mblodhën çka mundën dhe u shpërndanë nëpër Rripin e Gazës.
Hana Hussen, e cila u rrit në “Al-Zahra”, e tmerruar ndoqi lajmet mijëra kilometra larg në Turqi. Atje ishte zhvendosur dy vjet më parë. Duke u ngutur telefonoi në shtëpi atë ditë. I thirri për të parë nëse familja ishte e sigurt. I porositi se i donte fort. Pastaj u shkëput linja.
Banorët e blloqeve të apartamenteve të shkatërruara ishin strehuar nga bombat në universitetin afër, falë përpjekjeve të dentistit lokal Mahmoud Shaheen, i cili udhëhoqi evakuimin e madh të fqinjëve të tij. Rrëfimi i tij është bërë i njohur në fillim të javës, kur për BBC-në tregoi se si agjentët izraelitë e kishin telefonuar për ta urdhëruar që të largonte banorët nga lagjja pasi do të bombardohej.
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kanë thënë për BBC-në se nuk ishin në gjendje t’u përgjigjeshin pyetjeve specifike kur u pyetën në lidhje me vendimin për të bombarduar “Al-Zahran”. Hamasi po sulmonte Izraelin nga e gjithë Rripi i Gazës dhe ishte “ngulitur në infrastrukturën civile”, deklaroi ushtria izraelite. Ajo nuk ka përmendur asnjë operativ të Hamasit të vrarë në sulmet në “Al-Zahra” dhe besohet se askush nuk ka vdekur.
Izraeli thotë se strategjia ka qenë që ta çrrënjosë Hamasin, të cilin e akuzon se vepron afër civilëve – dhe se është duke ndërmarrë masa për të shmangur viktimat civile, siç ishte telefonata që ia bënë Mahmoudit.
Agjenti që kishte thirrur dentistin i kishte thënë se “ne shohim gjëra që ju nuk i shihni”. Fqinjët e Mahmudit mund të kenë shpëtuar të gjallë, por jo të gjithë i mbijetuan asaj që do të vinte.
Rripi i Gazës është i populluar dendur me nivele të larta varfërie dhe me kontrolle të forta në hyrje dhe dalje. Por “Al-Zahra” ishte lagje e shtëpive të mëdha dhe hapësirave të ndritshme, pemëve me bajame dhe fiq, e terreneve sportive dhe parqeve.
Qyteti i Yasser Arafatit
“Al-Zahra” nisi të ndërtohej në vitin 1990 nga presidenti i ndjerë i Autoritetit Palestinez, Yasser Arafat, si vend për stafin dhe mbështetësit. Vendësit thonë se ajo kishte ende lidhje të forta me PA-në, që drejton Bregun e pushtuar Perëndimor dhe që kundërshton fort Hamasin.
Ndodhet vetëm në veri të lumit Ëadi Gaza – zonë që Izraeli urdhëroi civilët të lëviznin në jug më 13 tetor. Kjo pasoi ditë bombardimesh, përgjigjen e Izraelit ndaj qindra të armatosurve të Hamasit që u futën andej kufirit duke vrarë më shumë se 1 mijë e 400 njerëz, kryesisht civilë, duke përfshirë shumë fëmijë, dhe duke marrë më shumë se 200 pengje. Brutaliteti i sulmeve në fshatrat jugore të Izraelit dhe masakra e të rinjve të mbledhur në një festival muzikor ka traumatizuar Izraelin.
Të gjithë ata me të cilët ka folur BBC-ja këmbëngulën se, në dijeninë e tyre, kjo zonë ishte aq larg nga Hamasi dhe operacionet e këtij grupi sa është e mundur të jetë në Gaza, të cilën Hamasi e ka sunduar që nga viti 2007. “Nuk kishte asnjë ushtri këtu”, ka thënë një palestinez. “Unë mendoj se nuk kishte asnjë përkrahës të Hamasit që jetonte këtu”.
Për Nashëa Rezeq, i cili kishte jetuar në “Al-Zahra” për 18 vjet, lagjja ishte “qyteti më i madh nga të gjithë”.
E përfshirë shumë në komitetet e lagjeve dhe në këshill lokal rinor, Nashëa ka qenë gjithashtu nga menaxhuesit e një grupi të komunitetit në Facebook për më shumë se një dekadë. Nëse e pyetni për një banor të caktuar, ajo ka mundësi të dijë atë dhe ndoshta edhe numrin e telefonit.
Faqja në Facebook ka rreth 10 mijë ndjekës. Në prag të luftës kishte postime për turne bilardosh në një kafene lokale dhe një mesazh urimi për një student të diplomuar.
Tani grupi në Facebook është vendi ku ata ndajnë përditësime mbi shkatërrimin e lagjes së tyre dhe konfirmojnë vdekjet e atyre që jetonin atje. Asnjëherë më parë nuk e ka mbajtur Nashëan kaq të zënë.
Një postim i fundit mban zi për një familje të vrarë nga një raketë që goditi restorantin e tyre italian.
Kur u shpall lufta, Nashëa u nis në jug me burrin dhe katër fëmijët e saj, siç bënte familja gjithmonë gjatë përshkallëzimeve. Ajo ia dha fqinjit të saj një çelës, duke i kërkuar që të kujdeseshin për bimët e shtëpisë së saj të dashur.
Dy ditë pas bombardimeve të para, ndërtesa e saj – më e larta në “Al-Zahra” – u shkatërrua në mëngjes.
“Dikush më thirri dhe më tha: ‘Sapo kalova pranë ndërtesës tuaj dhe gjithçka është përtokë”, kujton ajo.
Ajo e përshkruan shtëpinë e saj në katin e pestë si “shumë të madhe dhe të gjerë”. Familja e saj e bleu atë dhe e meremetoi gjatë dhjetë vjetëve të fundit – së fundmi ata kishin blerë kondicioner, televizor dhe mobiliet.
“Shumë njerëz thonë se janë vetëm para, por për mua shtëpia ime ishte shpirti im”, thotë ajo.
Kudo rrezik
Tani është në jug të Gazës. Thotë se familja e saj është ende në rrezik. “Tri ditë më parë, ata bombarduan shtëpinë pranë nesh. Tymi i atij bombardimi na mbyti”.
Fëmijët e saj vazhdojnë të pyesin pse nuk mund të kishin marrë me vete kondicionerin e ri dhe televizorin kur ata ikën nga “Al-Zahra”. Ata gjithashtu vazhdojnë të pyesin se kur mund të shkojnë në shtëpi dhe të mbledhin lodrat e tyre.
Për Nashwan janë bimët e saj të shtëpisë: “I doja të gjitha”.
Profesori i universitetit, Ahmed Hammad, i cili jetonte në ndërtesën afër Nashëas, ishte anëtar i vjetër i këtij komuniteti. Ai ishte një nga ata që zgjodhi të qëndronte pas bombardimeve.
Profesor i medias dhe komunikimit, rreth të 50-ave, Ahmedi mezi pret të tregojë punimet e tij hulumtuese dhe flet me krenari për gjashtë fëmijët, nga tetë deri në 27 vjeç.
“Njëri prej tyre është stomatolog, njëri punon në IT, njëri prej tyre ka studiuar letërsi angleze në universitet. Tre të tjerët janë ende në shkollë”, thotë ai.
Kur folëm në telefon muajin e kaluar, Ahmedi dhe familja e tij ishin strehuar në shtëpinë e tyre në “Al-Zahra”, tani pa dyer dhe dritare. Duke mos qenë më në gjendje të shkonin në punë apo shkollë, ata e kalonin kohën e tyre duke kërkuar dru për të djegur që të mund të gatuanin. Ata qëndruan pasi ishin shumë të frikësuar për t’u evakuuar, duke u shqetësuar se do të kapeshin nga sulmet teksa lëviznin drejt jugut.
Por natën e 27 tetorit Izraeli intensifikoi sulmet ajrore dhe zgjeroi operacionet tokësore – dhe ne humbëm kontaktin me Ahmedin. Ditë më vonë ra në kontakt për të thënë se ishin larguar nga lagjja e tyre pas një “nate shumë, shumë të vështirë” dhe në mëngjes u bë edhe më keq.
Ai e përshkruan shmangien e “bombardimeve të vazhdueshme” në udhëtimin në jug. “Sa herë që binte një bombë, ne shtriheshim në tokë”.
Në Turqi, Hana e mbante në dorë telefonin duke pritur për lajme të reja nga familja. Teksa priste, tregoi histori për atë që ajo e quajti “vendi më i bukur, më i ngrohti në botë”.
Banorët e “Al-Zahras” u mblodhën në plazh dhe mbushën rrugën kryesore që të çonte atje në lindje dhe perëndim të diellit. Të premteve, Hana dhe miqtë e saj shkonin atje për të treguar shaka dhe histori që ndodhnin gjatë javës, thotë ajo.
Se sa shumë e ndryshoi lufta jetën këtu, Hana thotë se filloi të merrte mesazhe “përhumbëse” nga të njëjtat shoqe – njëra duke pyetur nëse Hana do të kujdesej për fëmijët e saj nëse do të vdiste, të tjerat duke kërkuar këshilla për “opsione alternative për produktet higjienike për gratë”. Një tjetër donte që të kishin ujë të pastër për të pirë.
Pas shumë ditësh pritjeje, Hana më në fund kontaktoi me familjen e saj, përfshirë vëllanë e saj, Yahya, të cilin ajo e përshkruan si shpirtin e saj binjak.
Yahya ishte në mesin e gjeneratës së re të sipërmarrësve në “Al-Zahra”. Disenjatori 30-vjeçar preferon të flasë për jetën e tij të mëparshme, në vend të akomodimit aktual të mbipopulluar në jug të lagjes, ku eci me familjen e tij disa orë pasi shtëpia e tyre u shkatërrua. Njerëzit shpesh postonin video nga çatitë e “Al-Zahras”. Disa shfaqnin ngjyra spektakolare teksa perëndonte dielli.
“Të gjitha ato gjëra na bënë të ndihemi të kënaqur”, thotë Yahya nëpërmjet WhatsAppit.
Duke përmendur disa nga gjërat e tij të preferuara për lagjen e tij, Yahya shkruan: “Dritat gjatë natës. Deti. Është qytet i qetë dhe elegant”.
Tani ai ndonjëherë i përfundon papritmas bisedat në WhatsApp. “A mund të shkoj tani sepse ka një bombë afër meje”, thotë ai në një mesazh.
Ai u largua nga “Al-Zahra” me dy çanta që përmbanin një iPad, dokumente, kapuç, shishe uji, pasaportën, çokollatë dhe një çantë të ndihmës së parë. U detyrua të linte pas punimet e tij të ndërlikuara – pëlhurat, fustanet dhe fundet.
“Dhe makina e qepjes. Dhe shumë kujtime të bukura”, thotë ai.
Ndërkaq Mahmoud thotë se ndihet me fat që ka para të mjaftueshme për çmimet e fryra të artikujve të përditshëm. Një nga miqtë e ngushtë të Mahmoudit ka mbetur në një vilë në “Al-Zahra” dhe dentisti së fundmi i dërgoi miell që të mund të bënte bukë. Por të njëjtët artikuj janë gjithnjë e më të pamjaftueshëm.
“Sot shkova në të gjitha dyqanet duke kërkuar thjerrëza… dhe nuk dua të bëj të madhe, hyra në të paktën 40 dyqane për të kërkuar thjerrëza dhe nuk gjeta asnjë”, thotë ai. “Një shitës më tha: ‘Mos e humb kohën kot’”.
Mahmoud thotë se shpreson të kthehet në “Al-Zahra” pas përfundimit të luftës. “Shpresoj se Zoti do të na lejojë të mbijetojmë dhe më pas do të përpiqemi t’i rregullojmë gjërat”.
Discussion about this post