Shqipëria dhe Kosova njohën këtë të premte kundërshtarët e kualifikueseve të Kupës së Botës 2026. Shorti i hidhur në selinë qendrore të FIFA-s në Zyrih përcaktoi 12 grupet me nga katër dhe pesë skuadra për kontinentin europian.
Shqipëria, e cila ishte pjesë e vazos së tretë, është në grupin K bashkë me Anglinë, Serbinë, Letoninë dhe Andorrën. Shqipëria është përballur më parë me të gjithë kundërshtarët.
Ndërsa Kosova, e cila ishte pjesë e vazos së katërt, është pjesë e grupit B, së bashku me Zvicrën, Suedinë dhe Slloveninë.
Fushata eliminatore do të fillojë në muajin mars dhe do të mbyllet në muajin nëntor 2025. Ndeshjet do të luhen me sistem vajtje-ardhje. Më vonë, do të publikohet edhe kalendari i plotë i ndeshjeve të kombëtares shqiptare
Skema e kualifikimit
Grupet me nga 5 ekipe do t’i nisin kualifikueset në muajin mars 2025, ndërsa grupet me nga 4 skuadra në muajin shtator 2025. Të gjitha ndeshjet kualifikuese do të përfundojnë në nëntor 2025. 12-të vendet e para të grupeve do të kualifikohen direkt në Kupën e Botës 2026, ndërsa 4 vendet e mbetura do të përcaktohen nga faza play-off.
12 vendet e dyta nga grupet e kualifikueseve marrin pjesë në play-off, së bashku me 4 ekipe nga UEFA Nations League 2024/25 që në bazë të paraqitjeve në grup, do të ketë edhe një klasifikim të përgjithshëm të të gjitha ligave (A, B, C, D).
16 skuadra në fazën play-off do të ndahen në 4 grupe me nga 4 ekipe. Në çdo grup do të luhen dy ndeshje gjysmëfinale me vetëm një takim dhe më pas do të përcaktohen 4 finalet e fazës play-off. 4 ekipet fituese do të kualifikohen në Kupën e Botës 2026. Ndeshjet e fazës play-off do të luhen në periudhën 26-31 mars 2026.
NDARJA E GRUPEVE
GRUPI A: FITUESJA E GJERMANI/ITALI; SLLOVAKI; IRLANDA E VERIUT; LUKSEMBURG.
GRUPI B: ZVICËR; SUEDI; SLLOVENI; KOSOVË.
GRUPI C: HUMBËSJA E PORTUGALI/DANIMARK; GREQI; SKOCI; BJELLORUSI.
GRUPI D: FITUESJA E FRANCË/KROACI; UKRAINË; ISLANDË; AZERBAJXHAN.
GRUPI E: FITUESJA E SPANJË/HOLANDË; TURQI; GJEORGJI; BULLGARI.
GRUPI F: FITUESJA E PORTUGALI/DANIMARKË; HUNGARI; IRLANDË; ARMENI.
GRUPI G: HUMBËSJA E SPANJË/HOLLANDË; POLONI; FINLANDË; LITUANI; MALTË.
GRUPI H: AUSTRI; RUMANI; BOSNJË; QIPRO; SAN MARINO.
GRUPI I: HUMBËSJA E GJERMANI/ITALI; NORVEGJI; IZRAEL; ESTONI; MOLDAVI.
GRUPI J: BELGJIK; UELLS; MAQEDONIA E VERIUT; KAZAKISTAN; LIHTENSHTEJN.
GRUPI K: ANGLI; SERBI; SHQIPËRI; LETONI; ANDORRA.
GRUPI L: HUMBËSJA E FRANCË/KROACI; ÇEKI; MALI I ZI; ISHUJT FAROE; GJIBRALTARI.
Kupa e Botës me 48 ekipe
Kupa e Botës 2026 do zhvillohet në Amerikën e Veriut. 11 stadiume pritëse do jenë në SHBA, 3 në Meksikë dhe 2 në Kanada. Për herë të parë, Kupa e Botës do jetë “XXL” me 48 skuadra në fazën finale, aty ku rriten shanset e Shqipërisë për një vend në grupe. Do jenë 16 skuadra të UEFA-s që do jenë pjesë e turnet më të rëndësishëm të futbollit në botë.
Gjithsej do të jenë 104 ndeshje, me finalen që do të luhet në Nju Jork, në stadiumin e Nju Xhersit. Turneu do të fillojë më 11 qershor 2026 dhe do të mbyllet më 19 korrik 2026.
Formati me 32 ekipe me tetë grupe është zëvendësuar nga një me 12 grupe me katër ekipe në kampionatin e ardhshëm. Dy skuadrat e para në secilin grup, plus tetë skuadrat më të mira të vendit të tretë, do të kalojnë në raundin e 32-të. Miratimi i 12 grupeve me nga katër u zgjodh mbi opsionin e 16 grupeve me tre ekipe, bazuar në një rishikim të plotë që mori në konsideratë një sërë faktorësh, duke përfshirë përvojën e ekipit dhe tifozëve, mirëqenien e lojtarëve dhe integritetin sportiv.
Formati i ri do të thotë se skuadra që triumfon në finalen e 19 korrikut do të ketë luajtur tetë ndeshje për t’u kurorëzuar kampione, një më shumë se në ‘Katar 2022’.
Vendet pritëse, Kanadaja, Meksika dhe Shtetet e Bashkuara kualifikohen automatikisht për Kupën e Botës. 45 vendet e tjera do të përcaktohen nga garat kualifikuese nga çdo konfederatë kontinentale. Nga UEFA që përfshin Europën janë 16 kombëtare. Nga CAF që është Afrika do të jenë 9 kombëtare. Azia 8 dhe Amerika e Veriut dhe Latinë nga 6 kombëtare, si edhe një nga Oqeania.
Lexo edhe:
Discussion about this post