Nga Spartak Ngjela
Çfarë po ndodh me vrasësin e shumëfishtë Nuredin Dumani i arrestuar e në proces penel dhe, gjithashtu, edhe vrasësit e tjerë me pagesë, në këtë kohë kur këta vrasës janë në pendim e po denoncojnë si deponime fakte rrëqethëse për këtë krim?
Ajo që po vihet re është një fakt i ri: janë rreth dhjetë vrasës me pagesë që po rrëfejnë krimet e tyre si të penduar, dhe po kuptohet se goditja antikrim në Shqipëri po hyn në një fazë të re. Dhe procesi kuptohet që do të vijojë, sepse të penduarit njohin mbi 70 përqind të individëve të grupimit aktual “vrasës me pagesë”, që kanë vepruar në Shqipëri.
SPAK në këtë kohë po i jep shoqërisë shqiptare frymëmarrjen e prestigjit të munguar.
l.
Duhet ta themi që në fillim se vrasja me pagesë ka mbi 20 vjet që është fenomen në rritje në Shqipëri.
Për ta sqaruar këtë na duhet të themi se: vrasja me pagesë është biznes me vdekjen: ajo është pagesa që merr vrasësi nga i porosituri për vrasjen e kryer.
Po pse është kthyer në fenomen në Shqipëri kjo lloj vrasjeje?
Sepse vrasësit me pagesë, sot në Shqipëri, janë grupe individësh të cilët kanë zhdukur gjurmët duke blerë policinë dhe prokurorinë e korruptuar.
Nëse nuk do të ishte korruptuar policia dhe prokuroria shqiptare, ky lloj krimi, edhe pse do të ekzistonte, nuk do të kishte mundur që të ishte kthyer në Shqipëri si një fenomen kombëtar.
Duhet të kemi parasysh se, kur krimi blen policinë dhe prokurorinë, shteti ka rënë, sepse ai vjen e drejtohet nga krimi në shumë aspekte të aktivitetit shtetëror, sidomos në treg.
Kjo ka qenë historia rreth 30 vjeçare e krimit të vrasjes me pagesë edhe në Shqipëri, sepse, ky lloj krimi, me anë të korrupsionit shtetëror, duke paguar, ka hyrë në treg, në investime dhe në koncesione duke blerë administratën e lartë shtetërore me paratë e krimit.
Dhe, për të sqaruar këtë, duhet të kuptohemi se: vrasja me pagesë, kur ajo kthehet në fenomen, bëhet biznes fitimprurës që kalon me stade: nga krimi i rrugës, te krimi i organizuar dhe, nga krimi i organizuar te bashkëpunimi i tij me korrupsionin shtetëror.
Por ajo që është më thelbësore në këtë lloj krimi, nuk është i paguari që vret, por paguesi që kërkon të vrasë armikun ose rivalin e tij në politikë, në tregti, në biznes apo në investim.
Dhe duhet të kujtohemi ndërkaq se: i korruptuari i politikës së lartë është i ndërgjegjshëm që ka hyrë në krim, qëkurse ky ka marrë ryshfetin e parë për të dhënë një leje ndërtimi, një koncesion apo një licencë shtetërore për aktivitet ekonomik.
Por, ky është vetëm fillimi. Se, më pas, fillon procesi që, brenda interesit të korrupsionit shtetëror, gjithkush mund të paguajë për një licencë shtetërore, por vjen një kohë që, për këtë, fillon e paguan edhe krimi i organizuar. Por, prandaj, pikërisht këtu, fillon hapi i parbashkët i bashkëpunimit të korrupsionit të lartë shtetëror me krimin e organizuar. Fitime dhe para të korruosionit të lartë shtetëror në bshkëpunim me krimin e organizuar.
Pse, a nuk quhet SPAK “Prokuroria dhe Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Dhe, a nuk e ka ndërtuar këtë institucion drejtpërsëdrejti ekspertiza dhe politika amerikane?
ll.
Por si po janë situatat antikrim sot në Shqipëri, kur SPAK na ka dhënë një rast konkret që e ka prekur opinioni publik shqiptar me një intensitet të lartë?
Na duhet të theksojmë se sot në Shqipëri ka filluar e para çështje penale masive kundër krimit të vrasjes me pagesë. Në këtë vorbull ka qenë i pari vrasësi me pagesë Nuredin Dumani, një i akuzuar penalisht ky për vrasje por që është në pendim, duke rrëfyer gjerësisht për të gjithë vrasësit e tjerë me të cilët ai ka bashkëpunuar.
Por edhe vrasësit e tjerë që Dumani i ka rrëfyer dhe që janë arrestuar, ashtu sikurse dhe vetë Dumani, kanë filluar të zbërthehen si të penduar, dhe prandaj vargani i krimeve të zbuluara dhe vrasësve, po shtohet.
Dhe nga të arrestuarit kanë filluar të flasin si të penduar edhe rreth dhjetë të tjerë.
I gjithë ky hetim po drejtohet si i ndërmarrë nga SPAK. Dhe prandaj po ka sukses.
Në lidhje me vrasësit me pagesë, krimi, që po hetohet nga SPAK, po godet sot ashpër dhe me spektër të gjerë në tri fusha: në polici, ne prokurori dhe në lukuninë e vrasësve me pagesë.
Kjo, sepse kanë filluar të funksionojnë me forcë deponimet e të pendehurve që sot janë në gjendje arresti.
Ata po denoncojnë ndodhi kriminale të tmerrshme, sepse e njohin shumë mirë fenomenin e vrasjeve të shumëfishta e të paguara. Në këtë vorbull krimi, SPAK i ka të gjitha mundësitë e një hetimi të përgjithshëm e të suksesshëm për të shpëtuar Shqipërinë nga ky krim gjigant. Dhe këtu sigurisht që po kuptohet se ka hyrë në ndihmë edhe SHISH, por edhe gjurmimet e agjencive inteligjente ndërkombëtare.
lll.
Është një fenomen i njohur në kriminalogji fakti që, vrasësi i shumëfishtë, pasi zbulohet, vjen e lëshohet i gjithi brenda psikologjisë së krimit, por gjithmonë sipas këtij monologu të brendshëm që bën vetë vrasësi: “sa më shumë të gëzohen hetuesit me deponimin tim për vrasjet e mia, aq me i lehtësuar jam unë”. Ky është ai që tani quhet “i penduari” klasik.
Por ka edhe një arsye tjetër për këta lloj vrasësish: kur vrasësi i paguar tradhtohet nga brenda grupit, domethënë kur ky goditet por nuk eliminohet nga kundërshtarët, ai kërkon ndihmën e shtetit, sepse vetë vrasësi në këtë rast ka tre motive: ai kërkon a) të godasë tradhëtinë e brendshme me anë të shtetit; b) kërkon të garantojë veten e familjen e tij; dhe c) ai kërkon t’i shpëtojë dënimit të rëndë penal me beneficin ligjor që i jep pendimi si rrethanë lehtësuese në dënim.
lV.
Në bashkëpunimin e tij me hetuesin, të penduarit i duket sikur tani edhe ai është një pjesë e rëndësishme e shtetit. Madje kalon shpejt në iluzionizëm patologjik dhe, si i tille, ndihet i gëzuar dhe rrëfen e rrëfen gjithçka që ka bërë ai vetë, por edhe vrasësit e tjerë që ai i njeh. Madje psikologjikisht, nën këtë iluzion, atij i duket vetja si të jetë një individ në rolin e një detektivi antikrim. Dhe vazhdon rrëfimet e tij nën peshën e një gëzimi krijues dhe analizuese faktesh kriminale.
Duhet të theksojmë që në fillim se, vrasësit me pagesë në Shqipëri nuk janë profesionistë në fshehjen e provave, por janë blerës të shkëlqyer te policisë dhe prokurorisë. Kjo është arsyeja juridike e bashkëpunimit midis krimit të organizuar dhe korrupsionit të pushtetit gjyqësor.
Por na duhet të vëmë në dukje se, në këtë gjendje të tillë kriminale
korruptive, sigurisht që ka vendin e vet edhe politika e lartë: që nga kryetarët e bashkive e deri te ministrat e kryeministrat.
Kjo gjendje kriminale, me lidhje korruptive, tani është e trajtuar gjerësisht në literaturën juridike botërore të goditjes së këtij lloj krimi.
Dhe duhet të theksojmë se vrasësi me pagesë, që sot është fenomen në Shqipëri, është bërë fenomen pikërisht për faktin se vrasësit me pagesë kanë blerë pushtetin gjyqësor – edhe policinë, edhe prokurorinë, por edhe gjykatën.
V.
Në këtë arsyetim që i bëmë këtij krimi, sigurisht që hyn edhe Nuredin Dumani, por dhe të penduarit e tjerë vrasës me pagesë.
Këta që janë sot nëpër procesin Dumani, dihet se të gjithë kanë qenë vrasës me pagesë.
Po vrasje politike, a kanë kryer këta?
Kjo ende nuk dihet, por, në lidhje me këtë aspekt ngrihen këto pyerje:
Këta vrasës me pagesë, a kanë marrë pjesë në vrasjet politike të dyshuara përgjatë këtyre njëzet viteve të fundit?
E pra, është i vrarë Sokol Olldashi? Është i vrarë Trebicka?
Po në lidhje me biznesmenët e fuqishëm që janë vrarë nga Dumani e company, kush i ka përfituar bizneset dhe kapitalet e tyre pas vrasjeve: porositësit e vrasjeve, apo politika e lartë shtetërore e korruptuar?
Vl.
Çdo gjë mund të ketë ndodhur e mund të ndodhë në këtë vend ku krimi është bërë sundues i gjithçkaje.
Po hetimi, a do ta ketë aftësinë profesionale dhe guximin profesional për ta hetuar nëse me këtë krim janë të lidhur edhe individë të politikës së lartë shqiptare?⁹
Ka një metodë në hetimin e të pandehurit që është vrasës me pagesë dhe është një i thyer si i penduar: kur ka porosi vrasjeje nga Politika e Lartë, dhe ky e tregon me prova, këtij i garantohet shkarkimi i të gjithë dënimit penal, dhe merr garanci për jetën, duke shkuar në Evropën Perëndimore ose në Amerikë me gjithë familjen e tij.
Por, a do të jemi ne përballë këtij fenomeni me çështjen Dumani e company.
Duhet pritur. Por nëse kjo zbërthehet, sigurisht që në mbrojtje të nivelit të lartë duhet të jenë edhe hetuesit e SPAK-ut.
Vll.
Nëse çështja Dumani dhe të të penduarve të tjerë do të hetohet me profesionalizëm, ajo do të japë një mendim profesional për gjendjen e shëmtuar të policisë shqiptare dhe të përhapjes së gjerë të vrasjeve me pagesë.
Korrupsion dhe bashkëpunim i krimit të organizuar me policinë kriminale, me prokurorinë dhe me gjykatën: kjo është gjendja sot në Shqipëri.
Por në këtë rast duhet të kujtohemi se nuk ka mundësi të korruptohet dhe të bashkëpunojë me krimin e organizuar policia dhe prokuroria dhe në këtë bashkëpunim të mos jetë aktive edhe politika e lartë.
Sigurisht, kjo çështje tani është e gjitha në dorë të SPAK-ut.
Por, në lidhje me këtë lloj hetimi,
dy janë fushat ku e përdor krimin e organizuar politika e lartë: në vrasjen e rivalëve politik dhe në vrasjen e individëve të fuqishëm në treg. Sepse, politikës së lartë të korruptuar, rivali i rrezikon pushtetin, kurse kapitalisti i madh në treg nuk e lë politikën e lartë të korruptuar që të ketë hapësirë në treg për pastrimin e parasë që e ka bërë me anë të korrupsionit nëpërmjet klientëve të saj.
Vlll.
Tani gjithçka është në dorë të SPAK-ut.
Spaku duhet të bëhet dora e fortë dhe mendja e lartë profesionale për të filluar reformën në të dy institucionet e korruptuara: në polici dhe në prokurori dhe, njëherësh, edhe në politikën e lartë, nëse kjo ka bashkëpunuar me krimin e organizuar të llojit Dumani.
Këtu, në fakt, duhet të jetë e përqendruar e gjithë vëmendja e hetimit të kësaj çështjeje.
Deri tani ky lloj krimi dhe i gjithë krimi i organizuat ka pas blerë prokurorinë dhe policinë madje edhe gjykatën. Dhe kjo ndërkohë është e provuar se vrasësit e penduar po japin prova të shumta, por edhe shkarkimi nga detyra e prokurorëve dhe gjyqtarëve nga ONM për pasuritë e tyre të “çmendura”, po të njëjtën gjë provon – një pushtet gjyqësor të korruptuar.
Përfundimisht, na duhet të ritheksojmë se Shqipëria më në fund, ka hyrë në periudhën historike kur shteti do ta mundë krimin, i cili deri tani e ka të pushtuar shtetin në Shqipëri.
Discussion about this post