Fundviti shënon një kohë ku blerjet e ushqimeve bëhen thelbësore për shumë familje. Fokusi kryesor i tyre është çmimi, i cili vazhdimisht rritet vit pas viti.
Nga një vëzhgim në treg rezulton se me një shumë të caktuar parash sot mund të blesh më pak produkte.
Në një krahasim me vitin e kaluar, kur me 10 mijë lekë mund të blihej një gamë më e gjerë e produkteve, tani kjo shumë ka bërë një diferencë të dukshme.
Nëse vitin e kaluar mund të blinim 23 produkte bazë të shportës me një shumë prej 10 mijë lekësh, tani kjo sasi është ulur dukshëm.
Me të njëjtën shumë, në dhjetor 2023 mund të blihen vetëm 17 produkte të njëjta, duke përfshirë një gamë më të ngushtë të artikujve ushqimorë.
Në këtë situatë, një numër i konsiderueshëm i produkteve është zvogëluar, duke bërë që shporta të jetë më e dobët krahasuar me vitin e kaluar.
Përveç uljes së numrit të produkteve në shportë, një faktor i rëndësishëm është rritja e vlerës totale të shportës.
Kur më parë me 10 mijë lekë mund të mbulonin koston e 23 produkteve bazë, tani për të njëjtat produkte, shuma totale ka arritur 12.3 mijë lekë. Kjo rritje e shumës është një shenjë e qartë e shtrenjtimit të çmimeve, duke shtuar sfidat dhe kufizimet për konsumatorin e përditshëm
Vrojtimet në treg tregojnë se çmimet janë shtrenjtuar për rreth 20-25% krahasuar me një vit më parë, çka do të thotë se 10 mijë lekëshi sot vlen 20-25% më pak.
Të dhëna më të detajuara tregojnë se rritja më e madhe e çmimeve ka ndodhur për vajin e ullirit, mishin e pulës, pataten, vezën dhe larësin e rrobave, duke arritur nga 39-61% (shiko tabelën).
Shtrenjtimi i çmimeve ka ndikuar shumë në blerje e familjeve. Familjarët theksojnë se rritja e çmimeve prek jo vetëm një produkt, por përfshin gjithë shportën e tyre.
Luljeta Dermyshi tregon se pazari për familjen e saj prej katër personash është rritur aq shumë sa i është dashur të heqë dorë nga shpenzimet e tjera për të mbuluar blerjen e ushqimeve kryesore .
“Janë rritur me të vërtetë shumë, nëse më parë bëja pazar me 10 mijë lekë në javë, tani ai 10 mijë lekësh është vetëm për tre-katër ditë.
Bukën nga 90 lekë e blejmë në 110 lekë, apo miellin nga 90 lekë në 115 lekë. Këto janë gjerat bazë. Nuk po flasim për vajin e ullirit, që gati është dyfishuar, ka shkuar në 800 lekë e sipër për kg”- tregon ajo
Matilda, një tjetër familjare në Tiranë me 7 pjesëtare në familje, tregon se për të, çmimet janë bërë të papërballueshme.
Ne na është dashur të shkurtojmë listën e gjërave që blinim më parë, pagat nuk është se janë rritur shumë por çmimet po. Si familje e madhe nuk na del për të blerë gjëra që tashmë konsiderohen luks, edhe pse janë të domosdoshme.
Fëmijëve nuk po u blejmë çokokremin, që ka shkuar në 700 lekë vetëm një kavanoz. Kjo nuk është shumë e domosdoshme por makaronat, orizi, sheqeri dhe shumë produkte të tjera janë dhe ato janë rritur tej mase shumë. Vetëm se janë rritur kaq shumë, ne nuk po e bëjmë bakllavanë sivjet, se vetëm gjalpi ka shkuar në 1200 lekë kg – shprehet Matilda
Në përgjithësi, është bërë e zakonshme që çmimet të rriten çdo fund vit, veçanërisht për produktet e tavolinës së vitit të ri si gjeli i detit, vera dhe pijet freskuese.
Pijet freskuese kanë shënuar rritje prej rreth 17%, ndërsa për verën dhe gjelin, çmimet e tyre janë rritur me rreth 10% dhe 20% përkatësisht. Shtrenjtimi i gjelit dhe pulës ka ardhur si pasojë shpenzimeve të larta për fermerët për mbarështimin e tyre.
Pensionistët, të cilët ndikohen më shumë nga rritja e çmimeve, për festat e fundvitit morën një bonus prej 5 mijë lekësh. Megjithatë, kjo shumë nuk mund të mbulojë shumicën e nevojave për produkte bazë ushqimore.
“5 mijë lekë të reja nuk na del as për ushqime, për asgjë. Zgjasin a nuk zgjasin 3 ditë me këto çmime që janë rritur”- shprehet Agimi, pensionist në Tiranë.
Flutura, një tjetër pensioniste që është duke bërë pazarin me bonusin e marrë, na tregon që këto para nuk do t’i dalin për të blerë ushqimet për tryezën e ndërrimit të vitit.
“Me bonusin që mora nuk do blej gjë për tavolinën e viti të ri do e kaloj si çdo ditë të bëj një gjellë të vogël për vete dhe bashkëshortin. Nuk ka shumë që mora shpërblimin dhe po blej ushqimet e muajit , po nuk del shumë me këto çmime që janë rritur, patatja ka shkuar më shumë se 100 kg, karota nga 100 lekë ka shkuar 140. Zgjedhim pak që ta plotësojmë gjellën se për mish apo ndonjë gjë tjetër nuk na del shumë. “
Qytetarët thonë që çmimet janë rritur shumë veçanërisht bulmeti, ashtu sikur u përmend edhe më sipër, gjalpi ka shkuar në 1200 lekë nga 950 që ka qenë më parë.
Qumështi një nga produktet bazë është rritur me më shumë se 30 lekë, ose me 20%. Djathi i bardhë, një tjetër produkt bulmeti, ka arritur në 650 nga 560 që ishte më parë me rritje 16%.
Veza po ashtu ka shënuar një nga shtrenjtimet më të mëdha me 39%, tashmë 10 kokrra veze po blihen 70 lekë më shumë se në dhjetorin e vitit 2022.
Përveç ushqimeve edhe detergjentet, larësit që janë disa nga produktet më të rëndësishme në buxhetin e konsumatorëve janë rritur.
Një larës rrobash sot kushton 61% më shumë se vitin e kaluar, duke arritur në vlerën e 1400 lekëve nga 870 që ishte më parë.
Shampo për flokët është shtrenjtuar me 75 lekë më shumë, në vlerën e 500 lekëve. Sapuni i duharve bazë e higjienës së familjeve ka arritur në vlerën e 170 lekëve.
Ushqimet rëndojnë më shumë në Shqipëri se kudo tjetër për shkak të peshës së lartë që ato zënë në buxhetin e një familjeje, me rreth 41% të totalit, nga 13% që është mesatarja europiane dhe nën 40% për shtetet e tjera të rajonit, sipas të dhënave të Eurostat./Monitor
Discussion about this post