Tajlanda nuk ka dhënë pëlqim për dërgesën me mbetje toksike që po transportohet me të paktën 100 kontenierë (të paktën 800 tonë) me vend origjine Shqipërinë, me një anije të trustit tregtaro-ujor të “Maersk Campton”.
Anija në fjalë sipas “Basel Action Network”, që dha alarmin e para që nga qendra e saj në SHBA, ka fikur sinjalin prej datës 31 korrik dhe nuk po arrihet të gjendet vendndodhja, teksa ndalesën tranzit të radhës u njoftua se kishte Cape Town, në Afrikën e Jugut. BAN njoftoi se sinjali GPS i anijes rezulton i fikur ende dhe nuk arrihet dot të lokalizohet.
Autoritetet vendase i thanë mediave dhe publikut se janë informuar për anijen që po transporton mbetje të rrezikshme industriale, kryesisht karboniko-kancerogjene nga filtrimi prej shkrirjes së çelikut dhe po marrin masa nëpërmjet institucioneve përkatëse për ta ndaluar hyrjen e ngarkesës dhe njëkohësisht kërkuar informacione dhe hetime nga Shqipëria dhe Afrika e Jugut, që gjithashtu këshillohen të marrin masa. Njësia OLAF në Shqipëri konfirmoi se po ndjek rastin në fjalë.
“Agjencitë përkatëse qeveritare ‘nuk janë njoftuar dhe nuk kanë dhënë pëlqimin për këto dërgesa’, tha në një e-mail Departamenti i Punëve Industriale të Tajlandës, i cili mbikëqyr menaxhimin ndërkombëtar të mbetjeve. “Aktualisht jemi duke koordinuar dhe monitoruar për të parandaluar këtë trafik të paligjshëm”, raportoi “theedgemalaysia” për zhvillimet e fundit.
Ka dyshime të forta se poseduesit dhe dërguesit e ngarkesës mund të kenë ndryshuar destinacion shkarkimi të mbetjeve toksike gjatë rrugës, pas refuzimeve të pritjes nga Tajlanda.
Vendet e treta të kontinentit të Afrikës janë kthyer në një “depozitë grumbullimi” të mbetjeve toksike helmuese dhe kancerogjene nga nënproduktet industrialo-elektronike në dy dekadat e fundit. Kryesisht shtete në trazira të thella politike, luftë civile apo ekstremisht të varfra dhe mungesë legjislacioni apo ekzekutivi.
“Zyrtarët tajlandezë, pasi morën informacionin se kontejnerët ishin ngarkuar në anije në Shqipëri në fillim të korrikut, thonë se po punojnë me homologët në Shqipëri dhe Singapor, ku anijet do të ankorohen më vonë këtë muaj, për të ndaluar dërgesat”, specifikon media në fjalë.
Anija e mallrave u raportua dje (12 Gusht) nga agjencia e specializuar ekonomiko-politike “Bloomberg”, referuar me burim të sigurt tek “Basel Action Network”, se po transportonte mbetje të rrezikshme industriale nga Shqipëria në Tajlandë.
“Autoritetet tajlandeze po bëjnë gara për të ndaluar rreth 100 kontejnerë transporti që dyshohet se janë mbushur me mbetje të rrezikshme industriale nga Shqipëria, që arrijnë në portet e vendit”, raporton media tajlandeze.
Fillimisht u raportua për 40 kontenierë në bordin e anijes së transportit “Maersk”, por sipas autoriteteve tajlandeze dyshohet për të paktën 100 kontenierë me mbetje të rrezikshme.
“Basel Action Network, një organizatë jofitimprurëse me bazë në SHBA që gjurmon tregtinë toksike, e cila më parë paralajmëroi dhe Malajzinë për dërgesat e paligjshme të mbetjeve industrialo-elektronike, javën e kaluar informoi Tajlandën se kontejnerët, që organizata beson se janë të mbushura me pluhur potencialisht të dëmshëm të furrës me hark elektrik, po shkonin drejt saj”, vijon “theedgeofmalaysia”.
Duke i shtuar alarmit, një nga anijet që transportonte kontejnerët nuk është më e dukshme në shërbimet e gjurmimit të vendndodhjes detare. Lajmi ka marrë jehonë edhe nga media të tjera ndërkombëtare.
“U errësua ndërsa iu afrua Cape Town në fund të muajit të kaluar – pasi Rrjeti i Veprimit Basel tha se paralajmëroi autoritetet e Afrikës së Jugut për dërgesën”, vijon raportimi.
Sipas të dhënave, 40 kontejnerë u ngarkuan në anijen “Contship Vow” më 4 korrik në portin e Durrësit të Shqipërisë. Kontejnerët u transferuan më pas në ‘Maersk Campton’ në Trieste dhe transferohen më tej në një anije të “Maersk”, në Singapor, më 18 gusht.
Anija është planifikuar të mbërrijë në portin Laem Chabang të Tajlandës më 20 gusht. Ndërkohë, një tjetër ngarkesë prej rreth 60 kontejnerësh, të cilat u nisën nga Durrësi dhe u ngarkuan në një tjetër anije të “Maersk” jashtë Shqipërisë, po bëjnë gjithashtu rrugën e tyre për në Singapor, për t’u nisur më pas drejt Tajlandës.
Anija ‘Maersk Campton’ fiku sinjalin më 31 korrik. Drejtori ekzekutiv i “BAN”, Jim Puckett, dyshon se mënyra e veprimit të kapitenëve të kësaj anije lidhet me faktin se duan t’i shmangen përgjegjësisë para ligjit.
Drejtoria e Doganave informon se ka nisur një hetim ndërkombëtar dhe në bashkëpunim me OLAF po punohet për lokalizimin e anijes. Drejtoria e Doganave konfirmon se kjo anije për të cilën shkruajnë mediat është nisur nga Porti i Durrësit, ka pasur një ndalesë në Trieste dhe më pas ka nisur rrugëtimin për në Tajlandë, por nuk janë informuar se ngarkesa që kishte brenda ishte me mbetje të dëmshme dhe të ndaluara.
“Ka nisur një hetim ndërkombëtar për rastin, pas një njoftimi të mbërritur nga Sekretariati i Konventës se Bazelit për trafik mbetjesh toksike nga Shqipëria drejt Tajlandës. Menjëherë drejtoria Antitrafik pranë doganës Shqiptare është bërë pjesë e hetimit në bashkëpunim me OLAF. Dogana konfirmon se anija që ka fikur sinjalin e vendndodhjes është nisur nga Durrësi dhe pas një ndalese në Trieste ka vijuar rrugëtimin e saj me destinacion Tajlandën”, thuhet në reagimin e Drejtorisë së Doganave.
Tajlanda dhe vendet e tjera të Azisë Juglindore kanë parë një fluks mbeturinash nga vendet e zhvilluara, nga plastika e ndotur deri te mbetjet industriale dhe elektronike, të cilat mund të jenë të mbushura me toksina.
Sipas Konventës së Bazelit të Kombeve të Bashkuara – një pakt global i nënshkruar nga shumë ekonomi të zhvilluara – vendet duhet të japin pëlqimin që mbeturinat të shkojnë në rrugën e tyre.
Lexo edhe:
Çfarë përmbajnë mbetjet toksike që u nisën me anije nga Shqipëria?
Discussion about this post