Të afërmit dhe mbështetësit e Alexey Navalnyt po i japin lamtumirën e fundit udhëheqësit të opozitës ruse në një funeral në Moskën juglindore, pas vdekjes së tij ende të pashpjegueshme, në një burg në Arktik.
Varrimi po kryhet në varrezat e afërta në Borisovskoye, ku forca të shumta të policisë janë që nga mëngjesi për të shmangur incidentet.
Mes thirrjeve të “Navalny”, një numër vajtuesish shtynë barrierat e kontrollit të turmës për të ndjekur nga afër procesin e varrimit të Navalnyt
Mësohet se ceremonia mortore ka mbaruar dhe kortezhi është larguar nga Kisha dhe është nisur për në varrezat e Borisovsky.
Fotot nga brenda kishës tregojnë arkivolin e hapur të Navalny
BBc njofton se amerat nuk u lejuan të filmonin ceremoninë mortore brenda kishës. Megjithatë, njerëzit që morën pjesë padyshim që kishin mundur të fotografonin. Një foto, e shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale, tregon arkivolin e hapur të Navalny.
Kjo është e zakonshme në traditën ortodokse ruse dhe do të thotë që vajtuesit mund të shohin dhe prekin fytyrën e të ndjerit.
Në foto, e cila është në fund të këtij postimi, Navalny shihet i shtrirë në arkivolin e tij, i mbuluar me trëndafila të kuq dhe të bardhë.
Ai është i rrethuar nga njerëz – duke përfshirë nënën e tij, Lyudmila, dhe babanë e tij, Anatoliy – duke mbajtur qirinj. Një prift ortodoks qëndron aty pranë.
Ambasadorët e Perëndimit bashkë me mijëra mbështetës të Navalny në varrimin e tij
Diplomatët e huaj, përfshirë ambasadorët gjermanë, francezë dhe amerikanë, kanë shkuar sot për t’i bërë nderimet e tyre Alexei Navalny në kishën ku u vendos arkivoli i tij.
Alexander Graf Lambsdorff, Pierre Levy dhe Lynne Tracy janë fotografuar pranë kishës, të veshur me të zeza dhe duke mbajtur trëndafila të kuq.
Rusët e trishtuar janë mbledhur në një akt sfide dhe trimërie
Qindra dhe ndoshta mijëra njerëz janë paraqitur sot për t’i thënë lamtumirën liderit të ndjerë të opozitës ruse.
Ky është një akt trimërie dhe sfide në vetvete, duke pasur parasysh se qindra persona u arrestuan më herët në memorialet spontane që u shfaqën në të gjithë Rusinë menjëherë pas vdekjes së Alexei Navalny dy javë më parë.
Ata janë të vetëdijshëm për mundësinë e arrestimit dhe nuk kanë paraqitur ndonjë slogan politik.
Deri më tani nuk ka pasur raportime për arrestime.
Familja e Navalny mban funeralin në Moskë për liderin e ndjerë të opozitës ruse
Të afërmit dhe mbështetësit e Alexei Navalny i dhanë lamtumirën e fundit liderit të opozitës në një funeral që nisi të premten në Moskë, pas një beteje me autoritetet për tërheqjen e trupit të tij pas vdekjes ende të pashpjegueshme në një koloni penale të Arktikut.
Mbështetësit e tij thonë se disa kisha në Moskë refuzuan të kryenin shërbimin përpara se ekipi i Navalny të merrte lejen nga njëra në lagjen Maryino të kryeqytetit, ku ai dikur jetonte para helmimit të tij në vitin 2020, kurimit në Gjermani dhe arrestimit të mëvonshëm në kthimin e tij në Rusi, shkruan France24.
Kisha e Ikonës së Nënës së Zotit që Qetëson Dhimbjen Time, e cila pranoi të mbante shërbimin, nuk e përmendi atë në faqen e saj në rrjetet sociale. Policia të enjten u pa duke vendosur barriera për kontrollin e turmës në kishë.
Varrimi u krye në varrezat afër të Borisovskoye, ku policia u pa gjithashtu të enjten.
Nëna e tij, Lyudmila Navalnaya, kaloi tetë ditë duke u përpjekur që autoritetet t’i jepnin trupin pas vdekjes së tij më 16 shkurt në Koloninë Penale nr. 3 në qytetin Kharp, në rajonin Yamalo-Nenets rreth 1,900 kilometra në verilindje të Moskës.
Autoritetet fillimisht thanë se nuk mund ta dorëzonin trupin sepse duhej të bënin analiza pas vdekjes. Zonja Navalnaya, 69 vjeçe, i bëri një thirrje me video presidentit Vladimir Putin që t’i japin trupin në mënyrë që ajo të mund ta varroste djalin e saj me dinjitet.
Pasi u publikua, të paktën një drejtor funerali tha se i ishte “ndaluar” të punonte me mbështetësit e Navalny, tha në mediat sociale zëdhënësja e ekipit të Navalny, Kira Yarmysh. Ata gjithashtu nuk ishin në gjendje të gjenin një makinë varrimi për funeralin.
“Njerëz të panjohur po i thërrasin njerëz dhe i kërcënojnë që të mos e çojnë askund trupin e Alexeit”, tha Yarmysh të enjten.
Autoritetet ruse nuk kanë shpallur shkakun e vdekjes së Navalny, 47 vjeç, i cili luftoi kundër korrupsionit zyrtar dhe organizoi protesta të mëdha si armiku më i ashpër politik i Putinit. Shumë udhëheqës perëndimorë fajësuan për vdekjen udhëheqësin rus, të cilin Kremlini e hodhi poshtë.
Nuk ishte menjëherë e qartë se kush nga familja ose aleatët e Navalny do të merrte pjesë në funeralin, kur shumë nga bashkëpunëtorët e tij janë në mërgim jashtë vendit për shkak të frikës nga ndjekja penale në Rusi. Fondacioni i Navalny për Luftën kundër Korrupsionit dhe zyrat e tij rajonale u konsideruan si “organizata ekstremiste” nga qeveria ruse në vitin 2021.
Ekipi i politikanit tha se funerali u transmetua drejtpërdrejt në kanalin e Navalny në YouTube.
E veja e tij, Yulia Navalnaya, akuzoi Putinin dhe kryebashkiakun e Moskës Sergei Sobyanin se po përpiqeshin të bllokonin një funeral publik.
“Ne nuk duam ndonjë trajtim të veçantë – vetëm për t’u dhënë njerëzve mundësinë për t’i thënë lamtumirën Alexei në një mënyrë normale,” shkroi Yulia Navalnaya në X.
Në një fjalim para ligjvënësve evropianë të mërkurën në Strasburg të Francës, ajo shprehu gjithashtu frikën se policia mund të ndërhyjë në tubim ose do të “arrestojë ata që kanë ardhur për t’i thënë lamtumirë burrit tim”.
Autoritetet e Moskës nuk pranuan të japin leje për një ceremoni të veçantë përkujtimore për Navalny.
Discussion about this post