Federata Shqiptare e Futbollit organizoi, në datat 18 dhe 19 nëntor, seancat e radhës të Kursit të Mjekësisë Sportive. Në fokus të këtyre dy ditëve ishte ndihma e shpejtë dhe trajtimi i urgjencave mjekësore, me qëllim përgatitjen e stafit të fizioterapistëve për t’u përballur me çdo situatë të mundshme gjatë ndeshjeve apo seancave stërvitore.
Trajnimi u drejtua nga drejtori i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, doktor Skënder Brataj, i cili në një prononcim për fshf.org shpjegoi rëndësinë e këtij kursi të organizuar nga FSHF pranë ambienteve të Klinikës së Kombëtares.
“Ky kurs i Mjekësisë Sportive, që zhvillohet pranë Klinikës së Kombëtares për dy ditë, ka si qëllim dhënien e ndihmës së parë në rastet e urgjencave që mund të ndodhin gjatë ndeshjeve apo në çdo situatë tjetër, ku mund të kemi një arrest kardiak.
Duke u bazuar në eksperiencën time dhe duke parë rastet e ndryshme që kanë ndodhur në botë, por edhe në Shqipëri, është shumë e rëndësishme përgatitja e personelit mjekësor, që nga fizioterapistët e deri te pjesëtarët e tjerë të stafit. Ata duhet të jenë në gjendje, përmes këtij kursi dyditor, të njohin dhe të zbatojnë procedurat e ndihmës së parë, masazhin kardiak dhe përdorimin e defibrilatorit.Kjo u jep një garanci më shumë ekipeve të çdo federate, pasi në rast se ndodh diçka në fushë apo në ambientet ku zhvillohen stërvitjet, personeli mjekësor duhet të jetë në gjendje të aktivizojë sistemin e urgjencës, të kryejë masazhin kardiak dhe të mbajë në jetë një person deri në mbërritjen e ekipit të urgjencës.
Minutat e para janë qëllimi kryesor i këtij trajnimi, pasi dihet se qelizat cerebrale mund të mbijetojnë vetëm 4-6 minuta pa furnizim të mjaftueshëm me oksigjen. Pas 6-10 minutash mund të shfaqen dëmtime, ndërsa pas 10 minutash ato mund të bëhen të pakthyeshme.
Ndaj, krahas stafit mjekësor, është e rëndësishme që edhe persona të tjerë të pranishëm në vendngjarje të dinë si të veprojnë përmes një protokolli të caktuar, për të ndihmuar në mbajtjen në jetë të një personi. Ky trajnim ka si qëllim që personeli që qëndron pranë ekipeve, si gjatë ndeshjeve ashtu edhe në stërvitje, të jetë i përgatitur për të garantuar jo vetëm jetën, por edhe cilësinë e saj, duke parandaluar pasoja të rënda që mund të çojnë në invaliditet apo gjendje kome”, u shpreh Brataj.









Discussion about this post