Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut kanë nisur një protestë, e nxitur nga fakti që nuk u lejohet ta mbajnë provimin e jurisprudencës në gjuhën e tyre amtare, pra shqipen.
Studentët kanë vendosur pankarta në qendër të Shkupit, me mbishkrime për të drejtat e tyre.
“Ligji në letër, diskriminim në praktikë”, shkruhet në një njërën prej pankartave, teksa një numër i madh kanë marrë pjesë.
Ky provim i domosdoshëm për ushtrimin e profesionit juridik si avokat, gjyqtar apo prokuror, në praktikë zhvillohet kryesisht në gjuhën maqedonase, edhe pse shqipja ka ligjërisht status zyrtar.
Argumenti i studentëve është se kjo situatë krijon një pengesë për ta dhe shumë pabarazi, pasi kufizon mundësitë e tyre profesionale dhe ndikon drejtpërdrejtë në përfaqësimin e shqiptarëve në sistemin gjyqësor të vendit fqinj.
Kërkesat e tyre janë që provimi të zhvillohet plotësisht në shqip, me procedura të barabarta për të gjithë kandidatët dhe zbatim real të të drejtave gjuhësore të garantuara me ligj.
Me thirrjet “Le të flasim shqip!” dhe “Drejtësi”, studentët shqiptarë nga Tetova i janë bashkuar studentëve të Shkupit në marshimin drejt Ministrisë së Drejtësisë.
Të shumtë në numër dhe me pankarta në duar, ata po protestojnë kundër pamundësisë për ta dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, një e drejtë e garantuar me Kushtetutë dhe ligj.
Studentët kërkojnë dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë, ndërsa në pankartat e tyre shfaqen mesazhe si: “Ligji për gjuhët është i qartë”, “Mos mohoni të drejtën e fituar”, “Marrëveshja e Ohrit nuk negociohet” dhe “Dorëheqje”.










Discussion about this post