Nga Preç Zogaj
Protesta e datës 7 korrik u thirr si protestë, por kaloi si një grumbullim, si miting. Kështu i duhej Sali Berishës. Përveç nevojës për të sugjestionuar deputetët e PD-së zyrtare, që e kanë refuzuar lidershipin e tij, duke shpresuar që ata t’i bashkohen në shtator kur riformohen grupet parlamentare, qëllimi imediat kryesor i Berishës ishte dhe vazhdon të jetë presioni dhe kërcënimet kundër Gjykatës së Apelit, e cila pritet të shqyrtojë ankimimin e zotit Alibej kundër vendimit të gjyqtarit të shkallës së parë, zoti Zhukri, që ia ka kaluar PD-në Rithemelimit.
Sulmet më të mëdha të Berishës, shoqëruar me etiketime dhe sentenca tipike prej prokurori politik, kanë në shënjestër gjyqtaren e kësaj gjykate, zonjën Blerina Muça. “Arma” e re e sulmeve në fjalë është pikërisht fotografia e tij në Bulevardin e Kombit me një prani të konsiderueshme njerëzish në sfond. Është një gjë e njohur: politikanët autokratë e kanë përdorur deri ditën e fundit pozimin me turmën nga pas si një gogol kundër drejtësisë, kundështarëve brenda llojit, apo për t’u dhënë mesazhe fuqie SHBA dhe Perëndimit.
Po a mos vallë pjesëmarrësit në tubimin e 7 korrikut kanë qenë aty të gjithë për të mbështetur këto qëllime? Të gjithë jo, pa dyshim. Mjaft prej tyre, që nuk janë pjesë e eskortës së Rithemelimit, kanë qenë në bulevard për të shprehur e shfryrë revoltën e tyre kundër rritjes së çmimeve, kundër braktisjes dhe pashpirtësisë së qeverisë Rama, kundër korrupsionit galopant të zyrtarëve të saj të çdo niveli.
Vetë ata deputetë të PD-së zyrtare, që nxitën dhe morën me vetë mbështetës për të protestuar në një front të përbashkët, nuk kanë qenë aty për ti bërë presion Gjykatës kundër vetës së tyre. As për t’ju bashkuar “premtimit” për zhbërjen e reformës në drejtësi. As për t’i bërë karshillëk me turmë SHBA-së. Mund ta kishin menduar se do të përdoreshin si numra edhe për këto qëllime. Temë tjetër kjo. Tani është e qartë për të gjithë se protesta ka qenë lakmusi për të sjellë në bulevard sa më shumë njerëz, sa më shumë përrenj për lumin e madh. Kapitalizmin e saj do ta mbante për vete një njeri: Berisha.
Po a mund t’i imponohet turma drejtësisë ? A mund të mandatojë turma politikanë për të bërë edhe prokurorin, edhe gjykatësin? A është e mundur që me zërin e një politikani turma të diktojë vendime gjyqësore. Në diktaturë po. Shqipëria komuniste ka regjistruar kujtime të tmerrshme e të turpshme të “drejtësisë së popullit” përmes “heronjve të popullit”.
Në vendet ku sundon shteti i së drejtës kjo nuk mund të ndodhë. Qytetarët kanë liri dhe të drejta të tjera të mëdha të parashikuara në kushtetutë. Politika, partitë, opozita, krerët e saj kanë rolin e tyre të pazëvendësueshëm në ngrehinën e demokracisë, rol të cilin e përmbushin konform ligjeve të shkruara. Por ata nuk mund ti diktohen gjykatës me protestues, me miitingashë, me turmë. Edhe sikur në Bulevard të ishin dyfishi a dhjetëfishi i tubimit të shtatë korrikut. Turmat dhe politikanët nuk japin drejtësi.
Në rastin e konfliktit që ka lindur në PD dhe për çdo rast tjetër të ngjashëm apo të përafërt gjykata nuk numëron protestues, nuk numëron delegatë, nuk numëron votues. Gjykata gjykon vlefshmërinë juridike të akteve që paraqesin palët në raport me ligjin themeltar të partive, që është statuti në fuqi. Gjyqtari i gjykatës së faktit, zoti Zhukri, kundërshtoi në krye të herës të merrej me regjistrimin e Kuvendit të 11 dhjetorit duke u vetkonsideruar në konflikt interesi për shkak të lidhjeve të tij me thirrësin e atij kuvendi, zotin Berisha. Mbetet një çudi e madhe si e detyruan të merrej me një çështje, kur ai e kishte “shpallur” vendimin e tij pa i hyrë fare asaj. Sado vulnerabël për këtë shkak, vendimi i tij është vendimi i një gjyqtari. Tani e ka radhën gjykata e Apelit të shprehet. Kjo gjykatë do të vendosë a janë zbatuar apo janë shkelur nga Sali Berisha dispozitat e statutit të PD-së për thirrjen prej tij të Kuvendit të 11 dhjetorit. Le ta lemë gjykatën të japë në qetësi vendimin e saj. Pa e zvarritur më tej.
Në rrafshin mediatik debati për këtë temë është shteruar. Opinioni im ka qenë dhe është se Berishës i dukej hëm ulje, hëm e pasigurt të ndiqte rrugën statutore që parashikon përfshirjen e kryetarit të Partisë, të Sekretarit të Përgjithshëm dhe institucioneve të tjera të ligjshme të PD-së në thirrjen dhe organizimin e një Kuvendi Kombëtar. Ai i konsideroi dhe i trajtoi ata si të paqenë, të shkarkuar e të përjashtuar që përpara kuvendit-miting në stadium. Edhe sot kur pretendon se nuk i konsideron palë me të drejtë ankimimi dhe i sulet gjyqtares Muça pse nuk e ka menduar si ai, Berisha tradhton mendimin e tij se i konsideronte të përjashtuar e të paqenë drejtuesit legalë të PD-së që nuk iu bënë shtrocë atij.
Ai e ka shtyrë përpara deri në fund paligjshmërinë e veprimeve të tij në lidhje me kapjen e partisë dhe uzurpimin e selisë, me një vendim që nuk është i formës së prerë, duke përdorur retorikën e shumicës. Retorika është një gjë. Shumica është një gjë. E drejta dhe drejtësia një gjë tjetër. Mrekullia e drejtësisë qëndron në faktin se ajo guxon të jetë në anën e ligjit në fuqi edhe kur prej tij përfiton një njeri i vetëm kundër shumë të tjerëve. Po të ishte ndryshe, po të bëhej me berihaj, do të sundonin ligjet e xhunglës.
Pengimi i drejtësisë është pika e tretë në motivacionin e shpalljes së Berishës “non grata” nga SHBA. Besoj se kjo pikë e freskët ka nxjerrë nga gjumi i sirtarëve dy pikat e tjera: atë të minimit të demokracisë dhe korrupsionit domethënës. Meqenëse e ka marrë ndëshkimin dhe meqenëse mendon se e ka “normalizuar” e madje kthyer në favor ndëshkimin amerikan, ai nuk ka më frena në sulmet ndaj çdo gjëje që ka SHBA, apo rrezaton SHBA brenda. Siç është mbi të gjitha reforma në drejtësi. Është puna e tij të mos mendojë se ka edhe më keq. Një gjë është e sigurt. As ai, as Edi Rama, as Ilir Meta nuk do ta ndryshojnë dot kurrë kursin e drejtësisë drejt pavarësimit. Por kjo nuk do të thotë që KLGJ dhe korporata e drejtësisë të mos reagojnë kur cënohet integriteti i gjyqtarëve. Nuk janë prokurorët e gjyqtarët që duhen të dridhen nga kërcënimet dhe shantazhi i politikanëve të korruptuar që kanë vendosur pandëshkuershmërinë në sferat e larta. Është e kundërta: këta duhet të kenë frikë nga drejtësia. Ky do të jetë momenti i afirmimit të drejtësisë së pavarur, kurajoze, profesionale.
Discussion about this post