Autoritetet e Kosovës kanë ndaluar mbrëmjen e djeshme një spiune të inteligjencës ushtarake ruse, Daria Aslamova, e cila po provonte të hynte në territorin e Kosovës nga pika kufitare në veri.Lajmin e ka bërë me dije ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, i cili ka dhënë dhe detaje e ndalimit të saj.
“Sot, në pikë kalimin kufitar në veri të vendit është ndaluar Daria Aslamova. Shumë shtete e kanë vërtetuar se ajo ka qenë e angazhuar në spiunazh për inteligjencën ushtarake ruse dhe se ka vepruar në petkun e gazetares. E njëjta ka marrë pjesë edhe në luftimet në Ukrainë duke propaganduar mbi pushtimin rus ndaj Ukrainë”, shkruan Sveçla në rrjetet sociale.
Por, kush është Daria Aslamova?
Disa burime thonë se ajo ka lindur në kryeqytetin e Armenisë, Jerevan, me datën 9 shtator, 1969. Por, një version më i besueshëm është dhënë që Aslamova u lind në Khabarovsk, qytet në jug-lindje të Rusisë, po ashtu në shtator të të njëjtit vit. Çfarë dihet me siguri është shkollimi i saj në Universitetin Shtetëror të Moskës në Departamentin e Gazetarisë. E famshme do bëhej në vitet 90-të kur punonte për “Komsomolskaya Pravda”, dikur gazetë ruse, tani tabloid me pronar, Grigory Berezkin, që ka lidhje të afërta me Gazprom-in.
“Komsomolskaya Pravda” ishte/është një nga gazetat më të shitura në Rusi për shumë vite dhe gjithashtu tabloidi më i klikuar rus. I shërben pushtetit atje dhe njihet për shkrimet konspiracioniste, si ai i vitit 2015 kur në faqen e parë ishte vendosur një artikull që pretendonte se “SHBA-të kanë orkestruar Charlie Hebdo-n”. Shkrimi s’kishte asnjë informacion të bazuar.
Por, kjo gazetë famën e madhe e mori në vitet 90-ta kur kishte arritur të shiste deri në 22 milionë kopje në ditë. Në të njëjtën kohë, famë mori edhe Daria Aslamova. Aslamova kishte filluar të mbulonte zonat e luftës, apo “pikat e nxehta” dhe u bë e njohur për mbulimin e aspektit seksual të konflikteve, fushë e pambuluar më parë nga të tjerët.
Në vitin 2011 ishte arrestuar katër herë në Egjipt, ku kishte shkuar si gazetare, por në fakt ishte me detyrë rekrutuese.Viti 2012 e gjen atë në rajonin e kufirit mes Sirisë dhe Turqisë. Ajo ishte futur fshehurazi edhe në kampe luftimesh. Më pas kishte realizuar edhe intervistë me presidentin sirian, Bashar al-Assad.Më vonë do dilnin shkrime se ajo e kishte joshuar Assad-in për të realizuar intervistën.
Por, Aslamova vetë, në një intervistë, deklaronte se ekipi i Assad-it i kishin thënë se “presidenti të do të rregulluar shumë dhe me taka të larta”.“Ajo që më befasoi në fillim të pritjes së tyre në Siri ishte se ata më kërkuan të isha plotësisht spontane dhe më treguan se mund të vishja rroba që më pëlqenin, të zgjidhja take të larta dhe të tregoja feminitetin tim”, tregon ajo kur ishte pyetur rreth intervistës.
Në Siri ishin ndarë të pakënaqur që presidenti i tyre dha një intervistë me këtë gazetare dhe kishin raportuar se si ajo në fakt ka profesione të tjera.Një faqe në internet me emrin “Crow” kishte zbuluar se “gazetarja ruse Daria Aslamova është një yll pornografie”.Kjo, pasi disa faqe pornografike në internet janë plot me foto eksplicite të saj me të brendshme, disa prej të cilave janë publikuar në ballinat e revistave ruse të seksit.
Nga ana tjetër, gazeta e quajtur “Watan” kishte hulumtuar për të kaluarën e saj “dhe konfirmoi se Aslamova ishte një yll pornografie dhe një ‘prostitutë’ që tërhiqte politikanët për t’i rrëzuar ata”. E kaluara me pullë të kuqe e ruses do të rikthehej edhe një herë në vitin 2017 kur ishte ndaluar në aeroportin e Kisinau-t, kryeqytetit të Moldavisë.
Ajo në Moldavi po shkonte për të intervistuar presidentin asokohe moldav Igor Dodon.Portalet në Moldavi nxorën fotot e Aslamova-s, teksa tregonin edhe për lidhjet e saj romantike me shumë politikanë, përfshirë Ruslan Khasbulatov, aleatin kryesor të presidentit rus një kohë, Boris Yeltsin. Khasbulatov, pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, do fitonte kontrollin e Parlamentit rus dhe u shndërrua në personin numër dy për nga fuqia në Rusi, pas Yeltsin-it.
Ishte pikërisht përplasja e këtyre të dyve më pas që kishte çuar në atë që njihet si Krisja Kushtetuese e Rusisë në vitin 1993, kur ai në aleancë me zëvendës-presidentin, Aleksandër Rutskoy, ishte përplasur me Yeltsin-in sa u përket fuqive ekzekutive të postit të presidentit. Në fund fiton Yeltsin me shpërbërjen e dhunshme të parlamentit në tetor të vitit 1993. Gjithsesi, Aslamova s’ishte lënë të futej në Moldavi jo për historinë e saj dhe lidhjet, por për faktin se tashmë ishte zbuluar se punonte për inteligjencën ruse.Në vitin 1999 spiunia kishte provuar t’i futej politikës, por pa sukses.
Ju kthye prapë gazetarisë dhe në vitin 2003 arriti të realizonte intervistë edhe me presidentin tiranik të Irak-ut, Saddam Hussein. Më parë kishte intervistuar edhe kriminelin serb Radovan Karagjiç.Aslamova do shkruante edhe libra një kohë që do shndërroheshin nga më të lexuarit në Rusi.
Një kohë të gjatë kishte vendosur që të mos bënte më gazetari terreni, por të punonte në desk, megjithatë luftën në Ukrainë e ka përcjellë nga vendi i ngjarjes krah ushtarëve rusë.Për shkak të informacioneve se ajo punon për inteligjencën ruse, një numër i madh shtetesh evropiane dhe jo vetëm, Aslamova-s ia kanë ndaluar hyrjen.
Discussion about this post