Vetëm SPAK-u mund t’ia heqë duart nga arka e fondeve kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj. Dhe e veçanta gjatë këtij viti është se fjala magjike, parulla apo legjenda që maskon përvetësimin është zgjedhur “investimi për fëmijët”. Në emër të tyre u hodhën miliarda lekë tek Piramida drejt e në xhepat e dy oligarkëve. Fondet e rikonstruksionit po përfundojnë në projekte suvatimi dhe bojatisje. Ndërsa shkollat e reja që po ndërtohen numërohen me gishta dhe financohen nga Bashkimit Evropian.
Duke dëgjuar çdo ditë ministrin Taulant Balla që flet për sigurinë në shkolla, oligarkëve u ka lindur ideja dhe i propozuan Lali Erit një projekt të ri në emër të fëmijëve.
Aktualisht shkollat kanë oficerë sigurie, kamera, policë bashkiakë që rrinë tek dera, rojë që e paguajnë prindërit me lekët e tyre. Por nuk mjaftoka!
Veliaj preferon të bëjë një tjetër lëvizje që do t’iu kushtojë më shumë xhepave të taksapaguesve të Tiranës. Lali Eri do të paguajë një polici private që do të mbikëqyrë shkollat dhe zyrat e tij.
Për këtë Lali Eri ka firmosur më datë 11 tetor 2023, tenderin “Shërbime të integruara sigurie për godinat, në institucionet e arsimit parashkollor e shkollor dhe institucionet e tjera të Bashkisë Tiranë”. Tenderi bie era korrupsion, pasi bashkon në një sistem mbikëqyrje shkollat me zyrat e bashkisë. Pse pa kamera e mbikëqyrje qenkan zyrat e Lali Erit? Pse dashka të marrë paratë e fëmijëve dhe të fryjë tenderin? Me këtë veprim fondi i prokuruar kalon mbi kufirin e lartë monetar dhe kufizon pjesëmarrjen e shumë kompanive të sigurisë fizike që operojnë aktualisht në treg.
Bashkia Tiranë do të shpenzojë 4.7 miliardë lekë deri në vitin 2026 me këtë projekt Big Brother aspak të nevojshëm. Me kaq lekë mund të bëheshin dy shkolla të reja në Tiranë!
Duke gërmuar dokumentet e tenderit, do të shohim që e gjithë kjo lojë është për t’i siguruar fonde për tre vjet dy oligarkëve. Sipas ligjit, një tender kaq i rëndësishëm dhe më këtë vlerë monetare të lartë duhej të zhvillohej me përpikëri dhe në përputhje me ligjin mbi prokurimet.
Në fakt, Veliaj as nuk e merr parasysh fare ligjin, ai bënë tenderët sipas interesave personale, kur qëllimi final nuk është objektivi i shkruar në kontratë, por përfitimi.
Prandaj edhe këtë herë ai ka firmosur një kontratë shpejt e shpejt, pa garë fare. Në dokumente shohim që për këtë prokurim është paraqitur vetëm një ofertë, ajo e bashkimit të kompanive “PC Security” shpk dhe Elektrosek” shpk.
Ata nuk patën asnjë firmë tjetër përballë dhe fituesi u shpall në mungesë të konkurrencës. Prokurimit i është vënë “Flamuri i Kuq” nga Open Data për riskun e lartë të korrupsionit me fondin.
Me kë po i ndan lekët Lali Eri?
Skandal që thellohet edhe më shumë kur të zbulojmë prapaskenat e errëta të pjesëmarrësve në tender. “PC Security” është emri i ri i një kompanie të vjetër që ka rrënjë të thella në botën aferave. Kompania u themelua nga oligarku i karburanteve dhe koncesioneve në Porto Romano, Pirro Bare.
Në prill 2019, në mënyrë të dyshimtë, Bare ia shiti kompaninë administratorit Ilir Hoxhallari për vetëm 100 mijë lekë. Kuptohet se ky veprim është bërë thjesht për të mbuluar me tym paratë që do të vërshonin drejt kësaj kompanie përmes tenderëve.
Pas kësaj, Ilir Hoxhallari dhe ortaku i tij në bizenes të tjera Ilir Trebicka do të shpalleshin investitorë strategjikë Divjakë me fermën e frutave “goji berry”, investitorë e ndërtues vilash në Dhërmi e sipërmarrës impiantesh fotovoltaike për prodhim energjie në bashkëpunim me Belinda Ballukun.
Plani i zhvillimit ishte për 800 hektarë por ky eksperiment dështoi pas disa viteve pasi kulturat rezultuan jo të përshtatshme për kultivim në tokë të kripur. Por në vitin 2020 kompania e fitoi statusin e investitorit strategjik duke shtuar tre kultura të reja të përshtatshme: Rrushin, dardhën dhe kivin. Kështu me anë të së njëjtit vendim u miratua edhe leja për ndërtimin e një agroturizmi brenda në fermë.
Më pas në zonën e përfituar nga shteti me 1€ dhe Ilir Hoxhallari e Ilir Trebicka diversifikuan planin e tyre duke ndërtuar një impiant fotovoltaik për t’i shitur shtetit shqiptar energji me lejen e Belinda Ballukut.
Firma tjetër, “Elektrosek” është në pronësi të Ilir Manes, që gjithashtu ka histori të bujshme si një prej kompanive më të favorizuara në abuzimet me prokurimet publike të institucioneve shtetërore. Pak kohë më parë u zbulua skandali i një tenderi të paracaktuar për Manen nga Posta Shqiptare.
Pra, siç shohim. Lali Eri është siguruar që kjo shumë parash të shkojë në duar të oligarkëve.
Projekti fiktiv ”i sigurisë së integruar”
Tenderi nuk justifikohet as me nevojën e vendosjes së kamerave të sigurisë (pasi ato ekzistojnë) por nuk ka as argumentim mbi fondin limit që është gjigant, 4.7 miliardë lekë (pa TVSH). Arsimi parauniversitar është një ndër tre sektorët që zë më shumë peshë në buxhetin e Bashkisë së Tiranës. “Veç investimeve në çerdhe, kopshte dhe shkolla, bashkia synon edhe implementin e një sistemi të integruar të shërbimeve nëpërmjet monitorimit me kamera të sigurisë dhe sisteme alarmi me qëllim rritjen e sigurisë në këto institucione”, nënvizohet në projektin e tenderit.
Nuk mjaftojnë shkollat, por ky sistem sigurie përfshin edhe institucionet ku ushtrojnë funksionet strukturat e Bashkisë Tiranë. Lali Erit nuk i dalin kamerat pa fund që ka aktualisht në zyrat e veta, por donte edhe këtë tender.
“Referuar kërkesave të vazhdueshme lidhur me pajisjen me sistem sigurie për godinat ku ushtrojnë funksionet strukturat e Bashkisë Tiranë”, theksohet në projektin e mbushur me gënjeshtra.
Në termat e referencës nuk ka një numër të saktë kamerash që do të vendosen në çdo shkollë, as nuk jepet kostoja për çdo pajisje.
Që ky është një tender fasadë për përvetësimin e një fondi gjigant kuptohet menjëherë nga kërkesat për fituesin. Numri i përgjithshëm i operatorëve dhe policëve privatë është 26 dhe do të kenë 6 makina. Pra, nëse ndodh diçka këto 6 makina (2 në çdo turn) përgjigjen për të reaguar menjëherë. Me kaq njerëz nuk vëzhgon dot as dyqanet e një rruge në Tiranë, ndërsa Lali Erit i mjaftojnë për të gjitha shkollat dhe çerdhet, përfshirë institucionet, në të gjitha njësitë administrative nga Krraba në Baldushk, në Ndroq e deri në prapa Dajtit! Ky projekt nuk garanton asnjë lloj sigurie, por është thjesht një tender i përvetësimit të mbi 5 milionë eurove!
Lexo edhe:Veliaj vjedh tenderin e kopshteve 100 MLN lekë për “lodra didaktike”, prindërit i paguajnë vetë
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post