Lista voluminoze e borxheve në fletë formati A4 është e përhapur në të gjithë zyrën e ngushtë të Arben Sakollarit në cepin e një magazine që shet inpute për bujqësinë te “Pushimi i Shoferit” në zonën bujqësore më të zhvilluar në vend. Zotit Sakollari i kanë rënë shitjet e fidanëve dhe inputeve të tjera të paktën me 30%, ndërsa borxhet e larta të krijuara nga furnizimet e mëparshme po ia bëjnë të vështirë mbijetesën. Në sezonin që u mbyll, lista e borxheve arriti 16 milionë lekë (135 mijë euro), shuma më e madhe e akumuluar ndonjëherë që nga fillimi i aktivitetit.
Por më e keqja është se ka humbur shpresa, pasi fermerët po refuzojnë të mbjellin dhe të investojnë në sera në vazhdim. Zoti Sakollari është barometri më i mirë i zhvillimeve në bujqësinë e zonës, pasi ka njohuri me detaje sesa fidanë janë mbjellë këtë vit, sa dynymë, çfarë po mbillet etj. Këtë vit nuk bëhet fjalë për luhatje sezonale të sektorit, por me fenomenin e braktisjes, pasi emigrantët që u kthyen nga jashtë vite më parë dhe investuan kursimet në sera, tani po ikin sërish.
Eduart Sharka, ekonomist me përvojë i cili mban bilancet e rreth 200 fermerëve në këtë zonë, thotë se shkaktar kryesor për rënien e prodhimit bujqësor është paketa fiskale e vitit 2022 dhe konkretisht dy masa: E para, norma e kompensimit të prodhuesit bujqësor nga 6% u bë 0%, duke filluar nga ky vit, ndërsa nga 2019-a ishte ulur nga 20 në 6%. E dyta, vendosja TVSH-së 10% të furnizimit të inputeve bujqësore, siç janë plehrat kimike, pesticidet, farat dhe fidanët, përveç hormoneve të klasifikuar në kodet 2937 të Nomenklaturës së Kombinuar të Mallrave, nga zero për qind që ishin deri në fund të vitit 2021.
Sipas zotit Sharka, këto masa fiskale ndaj sektorit bujqësor u morën në një periudhë të vështirë, pasi çmimet e lëndëve të para po rriteshin, ndërsa çmimet e ofruara për prodhimet bujqësore ishin në rastin më të mirë njësoj, ose më të ulëta. Presionet e dyanshme rritën kostot e prodhimit nga njëra anë dhe të ardhurat nga shitjet ranë. Pothuajse të gjitha serat rezultuan me humbje para se të nisnin efektet e paketës fiskale. Me gjithë defektet që kishte skema e subvencionit të TVSH, ajo arrinte të mbulonte deri diku humbjet te fermerët. Edhe pse skema e TVSH-së favorizonte zinxhirin e grumbullimit, fermerët morën çmimet më të larta nga tregtarët e grumbullimit, teksa këta të fundit arrinin të mbanin një normë të kënaqshme fitimi pikërisht nëpërmjet skemës së kompensimit në bujqësi.
Stimujt u hoqën në një kohë që qeveria nuk e kishte menduar një skemë të re kompensimi për fermerët, duke bërë që shumë prej tyre, për shkak të humbjeve të larta të mos mbjellin për sezonin e ri. Braktisja e serës sikur edhe një sezon të vetëm, krijon hendek të madh në të gjithë zinxhirin bujqësor dhe më vonë, kërkon kosto të dyfishta për ta rimbjellë. Rënia e fortë e sektorit bujqësor këtë vit u lajmërua nga operatori më i madh i eksportit në vend “Doni Fruits”, i cili ka ndërtuar një nga njësitë më moderne të grumbullimit në rajon.
Alban Vinca, drejtor i eksporteve në “Doni Fruits”, tha se vitin e kaluar kishte një rënie me gati 15% të shitjeve jashtë, krahasuar me vitin e mëparshëm nga kompania e tij dhe të njëjtat ritme ishin për janarin. Sipas tij, eksportet do të pësojnë tkurrje edhe këtë vit, pasi sipërfaqja e mbjellë në sera ka rënë ndjeshëm. Për të ruajtur qëndrueshmërinë e aktivitetit, zoti Vinca shpjegoi se ”Doni Fruits” është duke realizuar ciklin e mbyllur në bujqësi, duke synuar mbjelljen dhe përpunimin e prodhimeve.
Luhatja e prodhimit bujqësor në zonën e Myzeqesë është sinjalizuesi më i qartë i inflacionit dhe çrregullimit të ekonomisë vendase. Duke qenë se shporta e konsumit në Shqipëri është e përqendruar në mbi 42% të saj në ushqime dhe kryesisht në prodhime të vendit (domate, kastravec, qepë, patate etj.) rritja e tyre e kombinuar me valën e çmimeve të larta të importit mund të shkaktojë një “tërmet” në inflacion.
Me gjithë problematikën dhe zhvillimin ende primitiv, bujqësia është sektori më i madh në ekonominë shqiptare, duke kontribuar në rreth 22% të vlerës së shtuar bruto (2020), sipas Eurostat dhe 43.5% të punësimit total, sipas INSTAT. Për shkak të peshës së lartë, luhatjet në këtë sektor reflektohen gjerësisht në treguesit kryesorë, si në punësim, rritjen ekonomike. Sektori po ndikon negativisht edhe në zhvillimet demografike, pasi shumë fermerë po zgjedhin të emigrojnë, në vend që të integrohen në sektorë të tjerë.
Si e dëmtoi heqja e subvencionit të TVSH-së bujqësinë
Sektori i bujqësisë kishte probleme edhe në të kaluarën, por heqja e skemës së TVSh-së dhe vendosja e taksës tek inputet bujqësore dhanë goditjen më të madhe, thotë Eduart Sharka, kryetari i Sindikatës së Fermerëve. Goditja e parë për bujqësinë është heqja e skemës së TVSH-së të rimbursueshme. Ndryshe nga sa ndodh në vendet e Europës, fermeri në Shqipëri nuk pret faturë, autofaturë e TVSh-së e pret grumbulluesi.
Ligji i skemës së TVSH-së detyronte që grumbulluesi të paguante fermerin mbi çmimin e shitjes edhe 6% e TVSh-së dhe kjo quhej TVSH e zbritshme. Për produktet që shiteshin brenda vendit, TVSH-ja i ngarkohej konsumatorit, çka është shumë e padrejtë, kurse për produktet e eksportit, rimbursohej, tha zoti Sharka.
Duke qenë se grumbulluesit kryesorë i blinin mallrat e eksportit nga fermerët, 6% që iu ishte paguar fermerëve mbi çmimin e tregut, rimbursohej nga shteti si tepricë kreditore e TVSH-së. Për vitet 2014-2018, TVSh-ja e kompensueshme ishte 20% dhe për periudhën 2019-2021 u ul në 6%. Këto fonde i kushtuan buxhetit të shtetit, por skema, pavarësisht se konsiderohej e padrejtë, që një tregtar të paguajë një tjetër për llogari të shtetit pa mbajtur komision, ndihmoi indirekt fermerin, tha Sharka.
Pra edhe pse një skemë e tillë nuk gjendet të jetë zbatuar në asnjë vend të zhvilluar pati efekte pozitive, pasi tregtari duke e ditur që do të merrte 6% rimbursim TVSH, e mbante si normë fitimi shumën e paguar në çmimin e shitjes për fermerin. Skema ishte garanci për grumbulluesin nëse ai rrezikonte që produktet e blera nga fermeri p.sh. me çmim 50 lekë/kg, t’i shiste me të njëjtin çmim. Heqja e skemës së TVSH-së do të thotë se grumbulluesi duhet të blejë produkte me çmim 10% më pak te fermeri që të ruajë normën e fitimit.
Zoti Sharka thotë se AZHBR ka rritur subvencionin ndaj fermerëve, me rreth 6 milionë euro, pasi u hoq kompensimi, por në fakt përfitimet indirekte me skemën e vjetër ishin shumëfish më të mëdha, duke konsideruar peshën e bujqësisë në PBB-së.
Rritja e kompensimit direkt me 6 mln euro nga qeveria është llogaritur 6% i totalit të fondit të eksporteve prej 100 mln euro, thotë zoti Sharka dhe nuk është llogaritur nga fondi i blerjeve të fermerëve.
Goditja tjetër është vendosja 10% e TVSH-së tek inputet bujqësore. Masa e miratuar, sipas Sharkaj, është absurde, pasi 10 mln eurot e llogaritura për t’u arkëtuar nga TVSH-ja shkojnë për fondin e subvencioneve direkte për fermerët që shpërndan AZHBR. Pra paratë e marra nga tregtarët për rritjen e çmimit të inputeve bujqësore të fermerëve nga buxheti i shtetit do të kalojnë në skemën e subvencioneve. Fondi për subvencione direkte për fermerët nga AZHBR për këtë vit është 35 mln lekë euro, nga 7 mln euro që ishte në 2021.
Fondi i subvencioneve është shtuar duke llogaritur nga qeveria 6% e fondit të eksporteve që rimbursohej për TVSH-në në vlerën e 6 mln eurove+10 mln euro të llogaritura që do të arkëtohen nga TVSh-ja e inputeve. Qeveria pohon se ka 3-fishuar fondin e subvencioneve nga viti 2021 në 2022, pasi fondi është pakësuar me heqjen e skemës 6% të TVSH-së dhe vendosjen e TVSH-së së inputeve – shpjegoi zoti Sharka.
Ndërhyrjet për përmirësim
Ekspertët në zonat bujqësore të vendit rekomandojnë ndërhyrje shumëpalëshe për të mbajtur në binarë sektorin bujqësor. Ekspertët Eduart Sharka dhe Myftar Sharka, njëri ekonomist i cili mban bilancet e bizneseve fermere dhe tjetri drejtor finance në kompaninë e eksportit “Doni Fruits” japin një seri rekomandimesh se ku duhet ndërhyrë për të përmirësuar të ardhurat e fermerëve:
-Shërbimi i konsulencës për orientim në mbjellje. Fermerët vuajnë nga mungesa e njohurive për kulturat që duhet të mbjellin në raport me nevojat të tregut. Shpesh, nga mungesa e orientimit, ata mbjellin më shumë se kërkesa e për rrjedhojë marrin çmime të ulëta. Fermat gjithashtu vuajnë nga mungesa e profesionistëve, sidomos agronomëve që t’i këshillojnë për përdorimin e pesticideve, trajtimin e bimëve, kohën e vjeljeve, llojin e fidanëve. Shpesh fermerët humbasin prodhimin për arsye të mungesës së njohurive.
-Të vendoset subvencion për njësi prodhimi ose të normës së fitimit. Fermerët prodhues kërkojnë kompensim të drejtpërdrejtë për çdo njësi prodhimi. Kjo sipas ekspertëve duhet të realizohet, ose duke kompensuar normën e munguar të fitimit, ose duke mbuluar një pjesë të kostove. Një skemë tjetër është që shteti të blejë stoqet e pashitura të prodhuesit dhe t’ua falë grumbulluesve. Në këtë mënyrë do të marrë një pjesë të shpenzimeve nëpërmjet taksave kur grumbulluesit t’i shesin prodhimet e marra falas.
-Subvencionet duhet të jenë të vazhdueshme dhe në rritje në mënyrë që të mos ndërpriten ciklet e prodhimit dhe të hartohen plane biznesi të qëndrueshme dhe në këtë mënyrë të lidhen edhe kontrata të qëndrueshme ndërmjet operatorëve të sektorit.
-Krijimi i bursës bujqësore. Ekspertët rekomanduan krijimin e një databaze me çmime ditore të prodhimeve bujqësore, në mënyrë që të kenë njohuri për ecurinë e të ardhurave të pritshme nga shitjet. Bursa duhet të përmbledhë të dhëna për çmimet me shumicë dhe pakicë. Nga sera në tavolinë, çmimet e produkteve janë 120% më të larta, por 60% e çmimit shkon te grumbulluesit dhe te tregtarët dhe jo te prodhuesit. Nëse një kilogram domate, aktualisht kushtoi 120 lekë në treg, vetëm 40 lekë shkojnë për fermerin që e ka prodhuar.
Katër arsyet pse po braktisen fermat
Fatkeqësitë e shpeshta natyrore, për shkak të ndryshimeve klimatike, amullia në politikën fiskale, kostot e larta dhe mungesa e fuqisë punëtore janë shndërruar në probleme që po çojnë sektorin bujqësor në rënie, shpjegojnë ekspertët e bujqësisë. Vetëm këtë vit, serat në zonën e Kutallisë në Berat u dëmtuan dy herë nga kushtet klimatike – një herë nga përmbytjet e nëntorit 2021 dhe një herë prej ngricave të janarit 2022.
Kostot e larta të inputeve janë shqetësimi më i madh aktualisht. Çmimi i një kuintali ure është rritur me 50% në sezonin e fundit të mbjelljeve, ndërsa në të njëjtën masë janë rritur që nga çmimet e farave, fidanëve, plastmasës , hekurit, plehrave dhe pesticideve. Këto rritje ndodhën në një kohë kur prodhuesit kishin pësuar humbje gjatë sezonit të dytë të mbjelljeve, si rrjedhojë e prodhimit jo cilësor nga fara e keqe.
Në mes të këtyre vështirësive, në paketën fiskale 2022 qeveria hoqi stimujt fiskalë, duke taksuar me 10% TVSH inputet që para 1 janarit 2022 ishin 0% dhe gjithashtu u hoq kompensimi me 6% i TVSH-së. Një vështirësi tjetër që ka vënë bizneset fermere në vështirësi vitet e fundit ka qenë mungesa e punonjësve. Kompania e grumbullimit dhe eksportit “Doni Fruits” këto ditë pret të punësojë rreth 35 gra nga Nepali, pasi nuk kanë mundur të plotësojnë kërkesën në zonë.
Modeli që po nxit eksportet
Kompania “Doni Fruits” pak vite më parë realizoi një investim rreth 8,5 milionë euro në ngritjen e një njësie moderne grumbullimi dhe magazinimi të perimeve dhe frutave për eksport në Këmishtaj të Lushnjes. Kompania është më e madhja në sektorin e eksportit të prodhimeve bujqësore dhe e vetmja që eksporton në tregjet e BE-së për të garantuar qëndrueshmërine e biznesit.
Për t’u zgjeruar më tej, ajo po synon të realizojë ciklin e mbyllur në sektorin bujqësor. Alban Vinca, drejtori i eksporteve, tha se kompania përveçse blen produkte nga fermerët, i furnizon ata me fara dhe jep shërbime konsulencë në mënyrë që të njehsohet edhe prodhimit për eksport sipas kërkesës. Furnizimi me fara dhe fidanë, në fakt, është njëfarë kreditimi, pasi ju zbriten nga çmimet kur grumbullojnë prodhimet finale.
Por për të garantuar furnizimet me disa klientë seriozë, kompania “Doni Fruits” ka marrë me qira mbi 53 hektarë tokë, 5 prej të cilave i ka sera. Sipas tyre, prodhimi në fushë paraqet risk të lartë pasi vetëm vitin e kaluar pësuan humbje rreth 70 mijë euro nga përmbytjet e një sipërfaqe të mbjellë me lakër. Në dy-tre vitet në vazhdim, kompania “Doni Fruits” ka plane të zgjerohet në sektorin e përpunimit dhe prodhimit në sera. Por planet rrezikojnë të shtyhen për shkak të dobësive që po sjell rënia e prodhimit bujqësor që grumbullojnë nga fermerët.
Për të rritur produktivitetin, kompania realizon vetë prodhimin e kutive të kartonit, por lëndën e parë (tabakatë e kartonit) i merr nga Turqia. Gjeografia e eksportit përfshin 35 vende. Përfaqësues nga kompania pohuan se, rritja po vjen për shkak të krijimit të ciklit të mbyllur që nga blerja e farave, fidanëve, mbjellja dhe eksporti. Prej këtij vizioni, kompania ka arritur të nënshkruajë kontrata furnizimi me Burger King, KFC, Spar etj.
Cikli i mbyllur siguron cilësinë e produktit, lehtësinë në gjetjen e tregjeve dhe çmime më të larta. Vitet e fundit, eksportuesit kanë rritur këshillat për fermerët për varietetet që duhet të kultivojnë. Së fundmi, ata thonë se ka levendi për preshin francez dhe një varietet të lakrës së butë të bardhë. Kultivimi i këtyre dy kulturave dimërore nuk ka shumë kosto, ndërkohë që ka çmime të larta shitjeje thonë ekspertët e “Doni Fruits”. Drejtuesit e financës dhe eksportit në kompani theksojnë se bujqësia shqiptare do të zgjerohet dhe do të jetë rentabël vetëm nëse qeveria rrit masën e subvencionit direkt te fermerët.
Kompania ka kontrata me më shumë se 1300 fermerë, prej të cilëve grumbullon rregullisht prodhime. Mirëpo shumica e fermerëve ngurojnë të punësojnë me kontrata afatgjata, pasi mendojnë se çmimet e negociuara paraprakisht janë në disvafor të tyre. Në zonat më prodhuese në vend janë edhe rreth 23 kompani që merren me grumbullimin dhe shitjen e perimeve të serave në qarqet e Fierit dhe Beratit. Shumica e tyre nuk kanë magazina frigorifer dhe linja përzgjedhje, pastrimi dhe ambalazhimi, me ndonjë përjashtim. Fermerët e intervistuar ankoheshin se eksportuesit u imponojnë atyre çmime shumë të ulëta. Fermeri Stavri Gjini pohoi se shpesh eksportuesit koordinohen duke ju ofruar atyre çmime të ulëta me qëllim që të rrisin fitimet, ndërsa fermerët duke qenë të vegjël dhe të paorganizuar në kooperativa/grupe, nuk kanë fuqi të negociojnë për çmimin. Vetë eksportuesit shpjegojnë se ata blejnë nga fermerët me çmime të ulëta, për shkak se në tregjet e eksportit shesin me çmime të ulëta zakonisht pa kontrata paraprake./ Monitor
Discussion about this post