Më 27 Maj, Gjykata Kushtetuese vendosi të lërë në fuqi vendimin nr. 00-2021-1489 (157), datë 30.9.2021, përsa i përket detyrimeve të prapambetura të “Albchrome” shpk sipas Drejtorisë Rajonale Tatimore e Tatimpaguesve të Mëdhenj (DRTTM) dhe institucioneve të tjera.
Në vitin 2006 “Albchrome” shpk i është nënshtruar kontrollit nga DRTTM-ja, për deklaratën tatimore të vitit 2004. Në përfundim të këtij kontrolli, DRTTM-ja ka nxjerrë njoftimin ku përcaktoheshin detyrimet, interesat dhe gjobat në ngarkim të kompanisë, të cilat kanë pësuar dhe penalitete me kalimin e kohës. Pas një kalvari të gjatë nëpër dyert e gjykatave shqiptare, detyrimet financiare për një nga pasuritë më të mëdha të nëntokës shqiptare do të derdhen në buxhetin e shtetit.
Por vendimi i GJK-së ishte një fitore që u zvenit sepse të martën e kaluar ndodhi aksidenti i radhës në minierën e Albchrome-s në Bulqizë. Minatori 51-vjeçar Besim Toska është plagosur në këmbë gjatë punës dhe është transportuar me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë sipas Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës. Policia e Bulqizës ka njoftuar se aksidenti ndodhi në orën 12:00, por nuk ka dhënë shumë informacione për rrethanat e ngjarjes. Por kjo nuk është hera e parë e as e vetme që ka ndodhur në historikun e saj 21-vjeçar. Por le t’i marrim faktet me radhë.
Pronarët në vite të Albchrome shpk
Në vitin 2001 ishte kompania italiane “Darfo” që kishte fituar të drejtën për shfrytëzimin e pjesës më të madhe të rezervave të kromit dhe prodhimin e ferro-kromit në Shqipëri për 30 vjet, duke përfshirë minierën e Bulqizës, fabrikën e pasurimit në Burrel, si dhe fabrikën e ferro-kromit në Elbasan.
Në vitin 2007-të Albanian Chrome, pjesë e grupit austriak “Deco Metal” në atë kohë hyri në tregun e Shqipërisë duke blerë të drejtat koncesionare të kompanisë “Darfo”.
Kjo kompani u largua në vitin 2013, pas disa protestash nga sindikatat e kohës për pagat dhe kushtet e punës. Në janar të 2013-s, Balfin group, në pronësi të biznesmenit Samir Mane bleu të gjitha aksionet gjatë kohës në pushtet të Partisë Demokratike me kryeministër Sali Berishën. Partia Socialiste, nën drejtimin e kryeministrit të sotëm Edi Rama, kishte kritika të shumta duke e quajtur si favorizim për pronarin e Albchrome, oligarkun Samir Mane.
Me ndryshimin e pushteteve, një muaj më mbrapa në 1 Nëntor 2013, qeveria “Rama 1” bllokoi liçencën e kompanisë “Albchrome” shpk. Një dokument i firmosur nga ministri i Energjetikës Damian Gjiknuri në atë periudhë, solli “pezullimin e pjesshëm” të kontratës konçesionare që e kishte Samir Mane dhe pezullimi i saj përfshinte zonën me të rëndësishme dhe më problematike të konçesionit, zonën “D”.
Këto janë galeritë dhe minierat e zonës që konçesionari i ka dhënë me nënkontraktim ku në disa raste kanë sjellë dhe përplasjet me pasoja jetë njerëzish.
Ndonëse vendimi për pezullimin e kontratës konçesionare të Manes në zonën “D” të Bulqizës ishte një vendim me rëndësi i dorës së parë në biznesin milioner të kromit në Shqipëri, asokohe qeveria nuk bëri publik këtë aksion sipas artikullit ekskluziv nga gazeta “Dita” për atë periudhë. Sipas gazetës, zyrtarë shtetërorë “nën ndikimin e Samir Manes”, u përpoqën të shmangnin zhurmën mbi këtë veprim dhe ti jepnin oligarkut avantazhin për ta mbyllur problemin pa shumë bujë.
Pas 9 vitesh, në 14 janar 2022 Samir Mane i shet Albchrome-in konglomeratit turk, Yildirim Group. Yildirim Group, me qendër në Stamboll të Turqisë, operon në nëntë sektorë, në katër kontinente. Ky grup ka punësuar rreth 14 mijë persona në mbarë globin dhe është një aktor në fushën e energjisë, menaxhimin e porteve, ndërtimin, minierat, etj.
Albchrome me Samir Mane: Vdekje, aksidente dhe mjerim
Me ardhjen e Balfin Group pronari i së cilës është Samir Mane, kompania rriti kapacitet prodhuese duke sjellë fitimet të cilat për periudhën 2013-2020 kapin vlerën e 42 milionë dollarëve ose 4,2 miliardë lekë të reja.
Kompania edhe pse pati humbje në vitin 2013 dhe 2019, përsëri ka patur fitime përgjatë viteve që e kanë kompensuar humbjen e tyre. Në vitin 2020 puna vazhdoi me të njëjtat ritme por fitimet ishin 5 milionë lekë ndërkohë që prodhimi i kromit ishte më i larti gjatë 5 viteve të fundit sipas të dhënave nga të publikuara nga shoqëria në QKB.
Gjatë periudhës së shfrytëzimit të minierës nga “Albchrome” shpk për periudhën 2013-2021 kanë vdekur 9 minatorë dhe rasti i fundit ishte në maj 2021. Sipas Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës (SMBB) disa prej familjeve të viktimave nuk kanë marrë as dëmshpërblimin për jetën, ose vijnë dyerve të gjykatave. Nga ana e vet kompania mohon vdekjen e këtyre punëtorëve edhe pse janë raste që janë bërë publike.
Ka patur aksidente pa fund brenda minierave por Albchrome shpk ka përdorur çdo mjet që të mos bëhen publike sipas SMMB-së.
“Në shumicën e rasteve punëtorëve nuk iu është dhënë as dëmshpërblimi për aksidentin e ndodhur, duke ua lënë si përgjegjësi vetë punëtorëve. Tre-katër vitet e fundit Albchrome-i refuzonte edhe pranimin e raporteve shëndetësore”, deklaron Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës.
Galeritë e Bulqizës janë një prej zonave me më shumë aksidente të rënda në punë në Shqipëri, sipas të dhënave nga Inspektorati i Punës. Vitin e kaluar në miniera e karriera u aksidentuan 28 persona, 6 prej të cilëve humbën jetën.
Sipas minatorëve, shfrytëzimi masiv ka nisur me hapjen e pusit të thellësisë ndaj rezervave të kromit në minierën e Bulqizës. Në këtë rast flluan të vendoseshin makineri të shfrytëzimit masiv në të gjitha nivelet aktive të minierës, të cilat rritën ndjeshëm nxjerrjen e kromit dhe kanë zvogëluar jetëgjatësinë e minierës.
Megjithatë rritja e ngarkesës në punë nuk u shoqërua me rritjen e pagave që marrin minatorët në kompani pasi sipas tyre nuk ka ndonjë diferencë të madhe prej pagave të marra në vitin 2013.
Në 15 nëntor 2019 u krijua Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës me kryetar Elton Debreshin, kandidat i pavarur në zgjedhjet parlamentare të 2021 për zonën e Bulqizës. Pas pesë ditësh në 22 nëntor të 2019-tës, Debreshi u pushua nga puna te Albchrome me arsyetimin se kishte munguar pesë ditë pa i justifikuar. Kryetari i SMBB-së akuzoi kompaninë se pushimi i tij erdhi si pasojë e pjësëmarrjes në sindikatë.
Largimi i Debreshit solli rebelimin e minatorëve të tjerë, të cilët zhvilluan një protestë disa ditore duke bojkotuar punën në minierë pasi kërkonin kthimin e tij. Një muaj më pas, Prokuroria e Dibrës pushoi hetimet për sindikalistët, duke e quajtur të ligjshme protestën e minatorëve.
Pas Debreshit, ishte radha e minatorëve Beqir Duriçi, Behar Gjimi dhe Ali Gjeta për t’u pushuar nga puna. Në periudhën nëntor-dhjetor 2020, katër minatorët që u angazhuan në krijimin e Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës u pushuan nga kompania AlbChrome me arsyetime që nuk lidheshin me angazhim sindikal, por me vendin e punës sipas shkresave zyrtare.
Dy vite më pas Gjykata e Shkallës së Parë e konsideroi të pajustifikueshëm pushimin e minatorit Beqir Duriç nga kompania AlbChrome dhe urdhëruan këtë të fundit t’i paguajë 12 muaj pagë.
Edhe Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, një vit pas pushimit të katër minatorëve që u angazhuan në krijimin e sindikatës, doli në përfundimin se Beqir Duriçi dhe Behar Gjimi janë pushuar nga puna për shkak të përkatësisë në një organizatë sindikale.
Burimi: Qendra Kombëtare e Biznesit
Kryeministri Edi Rama nuk miratoi statusin e minatorit
Në 2009, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, kryeministri Edi Rama si kryetar i opozitës asokohe, vizitoi qytetin e Bulqizës dhe minatorët duke premtuar miratimin e statusit të minatorit.
“Ne do ta firmosim statusin e minatorit pas 28 qershorit si një akt koshience dhe njëkohësisht si një akt faljeje, që ne me atë firmë do t’ua kërkojmë të gjithë atyre që sot nuk janë më,” tha Rama.
Ai u zgjodh kryeministër 4 vjet më vonë dhe ka 9 vjet në pushtet, por statusi i minatorit akoma nuk është miratuar. Madje në 2017, ish-deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim në qarkun e Dibrës, Përparim Spahiu depozitoi në Kuvendin e Shqipërisë një draftligj për statusin e minatorit, mazhoranca e rrëzoi atë me pretendimin se sillte efekte negative në skemën e pensioneve dhe buxhetin e shtetit.
Në dhjetor 2020 u dorëzua peticioni për miratimin e statusit të minatorit prej 10,680 firmash pranë Kuvendit të Shqipërisë, Kryeministrisë, Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për miratimin e statusit të minatorit.
Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës kërkoi përmes këtij statusi sigurimin e jetës së minatorëve, rritjen e pagave dhe përfitimeve të tjera për minatorët, rritjen e pensioneve si dhe garantimin e kujdesit shëndetësor të veçantë për minatorët.
Por deri më sot, minatorët asnjëherë nuk e kanë marrë përkrahjen e shtetit dhe injorimi që i bëhet peticionit për statusin e minatorit tregon indiferencën e qeverisë shqiptare karshi këtij problemi madhor.
Discussion about this post