Gjithçka po bëhet gati për të pritur finalen e parë dhe historike të UEFA Europa Conference League në Tiranë më 25 maj. Puna intensive ka nisur prej kohësh, me përgatitjen e planeve dhe organizimit në detaje të këtij eventi teksa së fundmi është shtuar edhe interesi i tifozëve për të qenë të pranishëm në Tiranë.
Në një intervistë për emisionin “Fax Sport” në Fax News Albania, zyrtari i FSHF-së, Fatjon Kodra tregon gjithçka lidhur me këtë ngjarje historike. Si erdhi kjo finale në Tiranë, sa loboi FSHF-ja dhe Presidenti Duka, si u shitën biletat e ndeshjes, siguria, ndryshimet në stadium, sa tifozë priten të mbërrijnë në Tiranë dhe sa fiton Shqipëria nga kjo finale?
Interesi i tifozëve – Interesi është shumë i madh dhe kjo u vu re qoftë edhe nga shitja e biletave ditën e djeshme ku rreth 8000 mijë bileta u shitën në më pak se dy orë. Kjo do të thotë se do të kemi një numër të lartë tifozësh nga të dyja klubet, të cilët duan të jenë këtu dhe të festojnë me ekipet e tyre. Për Federatën Shqiptare të Futbollit kjo ishte diçka e pritshme, nga eksperienca që kemi me ndeshjet ndërkombëtare dhe nga UEFA na është bërë e qartë që pritej të kishte një numër të lartë tifozësh. Duke parë dhe historikun e dy skuadrave në finale, Roma që kërkon një kupë europiane sepse i mungon dhe Feyenoord, interesi ka ardhur në rritje. Besoj se në ditët në vijim, do të ketë edhe më shumë rritje dhe ne shpresojmë shumë që të ketë një menaxhim të tifozëve që do të vijnë në Tiranë, që mos ta lënë për në ditën e fundit dhe të jetë më e thjeshtë edhe për ta.
Ndryshimet në stadium dhe pozicionimet e tifozerive – Stadiumi po i nënshtrohet disa ndryshimeve. Dy tifozeritë e klubeve do të vendosen në tribunat jugore (Roma) dhe veriore (Feyenoord). Secili klub ka pasur në dispozicion 4000 bileta. Kapaciteti i stadiumit është reduktuar, pasi do vendosen dy studio televizive për broadcaster. Për publikun e përgjithshëm kanë dalë në shitje rreth 8000 bileta, me tifozët që do të qëndrojnë në tribunën karshi. Nga informacionet që ne kishim, prioritet do t’i jepej shqiptarëve dhe i është dhënë në fakt shqiptarëve. Pjesa tjetër janë blerë nga të huaj. UEFA kërkon që vendi pritës të ketë një numër të konsiderueshëm tifozësh që ta shijojnë këtë finale.
Fan Meeting Point – Ka një plan të detajuar për organizimin e tifozëve para ndeshjes. Do ketë dy fan meeting point, ku tifozët e Romës do të qëndrojnë të bashkuar te diga e liqenit, ndërsa tifozët e Feyenoord do të qëndrojnë në pedonale. Rrugët për këto dy tifozeri nuk do të takohen, pasi siguria është shumë e lartë. Rreth 1500 forca policie do të qëndrojnë jashtë stadiumit dhe 650 forca sigurie do të jenë brenda stadiumit. Janë marrë masa edhe për transportin e tifozëve nga stadiumi dhe si do të vijnë ata deri në qendër të Tiranës, si do të pozicionohen në FMP dhe si do të vijnë në stadium.
Kur ka nisur puna për finalen? – UEFA e ka nisur punën që në shtator dhe çdo muaj ka pasur vizita inspektuese me grupe që kanë monitoruar çdo proces. Dy përfaqësi të klubeve pritet të mbërrijnë që sot në Tiranë dhe do të akomodohen në hotelet ku do të qëndrojnë dy skuadrat për të parë nivelin e shërbimit. Që nesër do të nisin punën, që nga aeroporti, për t’u njohur me terrenin dhe infrastrukturën, skemën si do mbërrijnë skuadrat në Tiranë, stadiumin dhe për të kuptuar gjithçka mbi 25 majin.
Përfitimet ekonomike – Fitimet deri në momentin që flasim nuk mund t’i përcaktojmë saktësisht, pasi ka një lëvizje dinamike shumë të madhe dhe nëse themi që mund të vijmë minimalisht 90.000 tifozë, shifrat mund të ndryshojnë. Por të ardhurat, duke nisur që nga taksat aeroportuale, transporti, taksitë, hotelet, restoranet, shërbimet, do të jetë një shifër shumë e madhe. Vetëm stafi i angazhuar për këtë finale është mbi 3000-4000 persona, që kanë nevojë për shërbime dhe ushqime që përkthehen në të ardhura. Vetëm në stadium UEFA do të shpenzojë deri në 400 mijë euro për të përshtatur stadiumin me standardet e kërkuara, për ekranet e mëdha që do të vendosen, banerimin, etj. Çështja e fitimit duhet parë në terma afatgjatë, pasi kjo finale do të shërbejë si një eksperiencë për Shqipërinë dhe tifozët që do të kthehen në vendet e tyre do t’i bëjnë një reklamë falas vendit tonë, duke sjellë më shumë turistë më pas.
Si erdhi kjo finale në Tiranë? – Sjellja e një finaleje të tillë në Tiranë ka nisur rreth 5 vite më parë sidomos me ambicien personale të Presidentit Duka. Është bërë një punë shumë e madhe edhe duke lobuar, duke qenë se Presidenti Duka është edhe anëtar i Komiteti Ekzekutiv të UEFA-s. Është plotësuar një dosje shumë e madhe, sepse UEFA duhej garantuar nga ne që ishim të gatshëm të përballonim një event të tillë. Shqipëria është ajo që përfiton më shumë, qoftë në imazh, qoftë në financa.
A mund të presë më Shqipëria një event të tillë? – Shpresojmë që me këtë herë të parë gjithçka të shkojë mirë dhe urojmë që në të ardhmen të presim finale të tjera, pasi ky stadium i përmbush të gjitha kushtet.
Discussion about this post