Pasi ka parë t’i hidhet në erë prona miliona euro në bregdetin e Golemit, biznesmeni Irfan Hysenbelliu ka rrëfyer në televizionin e tij News24, të vërtetën e tij, se si u përmbys marrëdhënia me Edi Ramën nga një simbiozë me përfitime të dyanshme në një armiqësi personale.
Hysenbelliu kujtoi bisedat me Edi Ramën kur të dy bashkë drekonin në ish-resortin Prestige.
“Rama zgjidhte konceptin, më zgjodhi edhe arkitektin” rrëfeu Hysenbelliu, ndërsa kujtoi diskutimet mbi sektorin e ndërtimit në Tiranë dhe preferencat që Rama kishte për arkitektët e huaj.
“Unë kam qenë vetë ballë për ballë me Edi Ramën, kemi diskutuar me të, ka qenë kryetari i grupit parlamentar, ka qenë Arben Ahmetaj, ka qenë Fuga. është bërë një debat dhe i kam thënë: Të të bëj një pyetje, si shpjegohet që ai as merr vesh shqip dhe çdo projekt ia jep këtij njeriu? Ky të jep mend dhe zhvillim ty? Si kuptohesh me atë njeri. Gjuhën se si kuptohet, ai e di vetë” tregoi Hysenbelliu bisedat që tregojnë edhe konfidencat që ka pasur dikur me kryeministrin.
Por përveçse ndërtues, Hysenbelliu është edhe një njeri me pushtet mediatik. Pronari i Neës24, Panorama dhe Balkanëeb, ai dikton direkt lajmet në televizion, përkrahjen e njërit politikan apo ndëshkimin e tjetrit. Bashkë me pushtetin mediatik, vjen edhe ndikimi politik.
Qëndrimi i mediave të Hysenbelliut ndaj Belinda Ballukut nuk është përtypur nga Rama. Zv.kryeministrja që drejton edhe Ministrinë e Energjisë dhe Infrastrukturës dhe që është përfolur si kandidate për Bashkinë e Tiranës u përmend nga Irfan Hysenbelliu si shkaku i prishjes së marrëdhënieve me Edi Ramën.
“Zonja Balluku e di mirë, sa herë ka ardhur te unë që kishte ndonjë problem për t’i dhënë ndonjë zgjidhje dhe unë jam munduar…” u shpreh pronari i mediave Neës24, Panorama dhe Balkanëeb për Belinda Ballukun, për të cilën nuk i kishte ndalur denoncimet e tenderave të rrugëve.
Prishja e pishinave në shtator, tregoi Hysenbelliu ishte sinjali i parë. Por Hysenbelliu nuk është bindur.
“Pse nuk e bëri këtë në shtator këtë që po bën sot? I çoi barbarisht fadromat mes fëmijëve që qanin, çoi një sinjal që ne të ndryshonim linjën editorial. Por ne vazhduam me denoncimet për rrugët dhe në këtë është i lidhur me zonjën Balluku dhe kryeministri Rama me zonjën Balluku se janë të lidhur bashkë ne kemi informacion se ata janë shumë afër njëri-tjetrit në këtë aksion që kanë bërë bashkë” tha Hysenbelliu, duke treguar se PPP jepen me një copë letër nga Edi Rama.
Biznesmeni e përmendi disa herë emrin e Ballukut. Sipas versionit të tij, ajo ishte një nga shtytësit kryesorë të sulmit ndaj tij.
“Më vjen keq për Ballukun që qe kaq e zjarrtë, se institucionet si KESH, OST, i ka ajo. Ajo firmos, Ju e patë se Rama e hedh firmën i fundit. Ju patë një dosje të tërë të abuzimeve publike që ka bërë ai.” tha Hysenbelliu duke e fajësuar në veçanti Ballukun për shkatërrimin e hotelit.
Nga një verifikim i shpejtë në mediat e Hysenbelliut, duket qartë se denoncimet ndaj tenderave të Ballukut janë të shumtë. Balluku është denoncuar përmes raporteve të KLSH për tenderat e rrugëve dhe po ashtu për abuzimet me tenderat e rrugëve të veçanta.
Vetë Rama nuk ka dhënë asnjë shpjegim se përse u prishën marrëdhëniet mes tij dhe Irfan Hysenbelliut. I pyetur se përse bën dallime me prishjen e hotelit në Golem, kryeministri u përgjigj: “Të gjithë të barabartë përpara ligjit, nuk do të ketë asnjë tolerim”.
Në anën tjetër, i tronditur nga shpërthimi me 70 kilogram tritol i pronës, Hysenbelliu ka dhënë edhe detaje të panjohura më parë për bisedat konfidenciale që ka pasur edhe me Linda Ramën, Lulzim Bashën apo Ilir Metën gjatë intervistës së tij.
Për Edi Ramën
“T’ia dijë për nder Fatos Nanos se do ishte emigrant më i rëndomtë i Parisit, t’ia dijë për nder. Dhe ai kur debatonte me Fatos Nanon dhe Ilir Metën i rrinte si zar, e keni parë. Ky është fundi i tij. Edi Rama është shumë i zoti për t’i mbyllur problemet. Por është shumë i zgjuar. Ka një zgjuarsi të jashtëzakonshme. Di të argumentojë. Mendon vetëm për skema para kundërshtarit. është shumë i qartë. I punon truri”
Për Linda Ramën
“Më vjen keq për të shoqen e tija. Sepse për të shoqen e tij kam shumë respekt. Dhe kam pas shumë miqësi me të. E kam çuar unë te Ylli Çabiri në punë. E kam punësuar. E kam çuar, e kam punësuar. Qante në atë kohë. E kam çuar unë te Ylli, se nuk e di a e ka memorien Ylli ta mbajë mend, ta pyesë. Po e kam çuar atje, se më thanë që Ylli Çabiri është. E kam çuar unë te Ylli Çabiri I kam ndihmuar, e kam përkrahur. Nuk mendoj që nga burri i saj do merrja këtë përgjigje sot. Besoj se edhe ajo s’do jetë shumë e kënaqur”
Për Lulzim Bashën
Kam ndejtur me kreun e opozitës. I thashë “Të hodhi në erë pallatin”. “Nuk ma hodhi mua tha ia hodhi vjehrrit” më tha. Më la një shije të keqe.
Për Ilir Metën
“Meta e donte shumë e mburrej me këtë “Është kështu e ashtu”. I kam thënë “Ky do të të bëhet një nga njerëzit më kundërshtar dhe do të të bëjë të flasësh me vete”.
Për Taulant Ballën
“Jam ndjerë keq kur folën për mikun tim Taulant Balla, që thanë që ka ndejtur aty, që unë e quaj vëlla, jam ndjerë keq, se nuk jam nga ata njerëz, por ato njerëz që e nxorrën atë fjalë ishin të irrituar”.
Discussion about this post