Presidenti i FSHF-së, Armand Duka ka dhënë një intervistë për televizionin “Top Channel” ku ka folur në lidhje me eksperiencën e tij 4-vjeçare si anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s dhe me sfidat që është përballur në këtë mandat të parë në organin më të rëndësishëm të qeverisjes së futbollit eurpopian.
Gjithashtu, numri një i FSHF-së ka shpjeguar edhe për arsyet drejt rikandidimit për një mandat të dytë në KE-në e UEFA-s, me zgjedhjet që do të mbahen në Kongresin e 47-të të zakonshëm të UEFA-s, i caktuar për t’u zhvilluar në Lisbonë, Portugali, më datën 5 prill 2023.
Përveç kësaj, Presidenti Duka ka analizuar edhe sfidën e ardhshme të Kombëtares shqiptare që po përgatitet për eliminatoret e Kampionatit Europian 2024 me një trajner të ri në stol dhe pritshmëritë që ai ka nga Silvinjo dhe stafi i tij.
Më poshtë, intervista e plotë e Presidentit të FSHF-së për gazetarin Endi Tufa të televizionit “Top Channel”.
– President, një kandidim i dytë në UEFA, për një tjetër mandat 4-vjeçar në Komitetin Ekzekutiv. Si kanë shkuar 4 vitet e para? Çfarë keni mësuar të re tashmë që ishit pjesë e brendshme e qeverisë europiane dhe çfarë keni përfituar personalisht dhe profesionalisht nga kjo eksperiencë e parë?
– Pa dyshim, të qenit anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s është një eksperiencë e re për mua, një eksperiencë ndryshe. Është edhe një ngarkesë, sidomos duke pasur parasysh që 4 vite nuk kanë qenë 4 vite të zakonshme, por kanë pasur veçoritë e veta. Ka pasur ngjarje të jashtëzakonshme, duke pasur parasysh pandeminë dhe jemi detyruar që shumë nga vendimet të merren online sesa me takime dhe diskutime fizike. Më pas, lufta në Ukrainë. Gjithsesi, vendimet e marra gjatë kësaj periudhe kanë qenë shumë të rëndësishme dhe të vështira për futbollin europian në përgjithësi.
Nëse do kemi parasysh Protokollin e Rikthimit në Lojë përgjatë pandemisë. Ishim e vetmja organizatë në botë që përfunduam të gjitha aktivitetet sportive. U rikthyem më shpejt në lojë, protokollet e miratuara, respektimet e tyre. Pastaj, vendimet për organizimin e aktiviteteve sportive në Ukrainë, apo ndërprerjen e tyre në Rusi. Në të njëjtën kohë, edhe zhvillimi i Kampionatit Europian ‘EURO 2020’, që u zhvillua në 2021, me veçoritë e veta. Ka qenë një eksperiencë e bukur, e veçantë, por jo në tablonë e një aktiviteti normal. Duke pasur parasysh këtë lloj eksperience, e gërshetuar edhe me eksperiencën e drejtimit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së më ka propozuar përsëri për të qenë kandidat për një mandat të dytë 4-vjeçar në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s.
– Në kandidimin e parë, u duk që do të ishte Shqipëria që do të kishte një zë në organet më të larta të futbollit europian. Mendoni që ka përfituar Shqipëria dhe a ka qenë një zë në këtë qeveri?
– UEFA është një organizatë e tillë që nuk do të ndryshojë strategjitë apo politikat e saj. Është një organizatë solide që funksionon me procedura dhe rregulla shumë strikte dhe kontributi i Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit aty është për zhvillimin e futbollit europian në përgjithësi. Për ato politika dhe strategji që duhet të ndjekë, vendimet që merren aty për futbollin europian, për futbollin e fëmijëve në të gjithë Europën, ku bëjmë pjesë dhe ne. Organizata vetë ka në parimet apo në themelet e saj solidaritetin dhe fair-play-n, kështu që pa dyshim edhe Shqipëria ka përfitimet e saj. Dhe për të mos thënë që disa vende si Shqipëria e kanë të vështirë jo vetëm zhvillimin e futbollit, por edhe mbijetesën nëse nuk do të ishin anëtarë të UEFA-s.
– Si funksionon rikandidimi? Tashmë ju njohin më shumë, mendoni se keni më shumë avantazhe?
– Tashmë, kandidaturat janë zyrtarizuar. Janë kontrolluar edhe nga Komitetet e domosdoshme për t’u quajtur të ligjshme, të rregullta dhe etike. Janë 11 kandidatura nga 11 vende të Europës për 7 vende në Komitetin Ekzekutiv. Të 11-të janë drejtues Federatash të mëdha, të mesme e të vogla, me një të kaluar shumë të mirë, si edhe me eksperiencë. Nuk mund të them se kush janë favoritë, por varet se cilët do të mbështesin më shumë 55 Federatat anëtare të UEFA-s. Pa dyshim që gjatë 4- vjeçarit, disponibiliteti, kontributi dhe angazhimi im në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s ka qenë 100%. Besoj se kjo do të vlerësohet me një notë pozitive nga 55 vendet anëtare.
– Ndryshojnë zgjedhjet për President të FSHF-së me zgjedhjet për anëtar të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s?
– Fatmirësisht, në Europë nuk është se kemi një qeveri, një politikë apo një bashki, që duan të ndikojnë. Është thjesht politikë e Federatave anëtare, vullneti dhe mendimi i tyre. Pa dyshim, që edhe nëse nuk janë të shkruara, ndiqen disa parime, si ajo e shpërndarjes gjeografike, për të pasur një lloj balance gjeografike me anëtarët e Komitetit; të shpërndarjes së Federatave të mëdha, të mesme dhe të vogla, në mënyrë që Komiteti Ekzekutiv të mos jetë 100% me Federata të mëdha, apo të mesme e të vogla. Pra, ndiqen disa parime. Duke pasur parasysh, që nga ana jonë, unë jam i vetmi kandidat, ky është një argument më tepër për Federatat anëtare, për të mbështetur kandidaturën.
– Sapo ka filluar një mandat 4-vjeçar në krye të Federatës së Futbollit, që do të thotë se përfundon më shpejt ky mandat përpara atij si anëtar i KE-së së UEFA-s. Është një lloj sinjali për vazhdimësi?
– Unë personalisht, jo vetëm në futboll, por në të gjitha aktivitetet e mia, punoj, mendoj le të themi për përjetësinë. Edhe pozicioni një ditë mbaron, edhe jeta një ditë mbaron, por të gjitha punët i bëj me kënaqësi, me plane afatgjatë sikur do të vazhdojnë përgjithmonë. Pastaj, në momentin e duhur marr vendimet e duhura për vazhdimësinë.
– Për të kaluar te Kombëtarja, përpara janë eliminatoret e kampionatit Europian që nisin në mars. Tashmë Shqipëria nis një aventurë të re me një trajner të ri. Nuk e di si e keni para punën që nga momenti i zgjedhjes së trajnerit Silvinjo e deri më tani, takimet që ka pasur e deri te ndeshja e parë zyrtare me Poloninë?
– Për një gjë jam shumë bindur dhe i sigurt, që nga e dita e parë kemi emëruar stafin e ri teknik të ekipit Kombëtar me në krye Silvinjon, impenjimi e angazhimi i tyre ka qenë 100% dhe shumë më i madh se sa në të gjithë ditët e mëparshme të Kombëtares shqiptare. Vetë Silvinjo dhe stafi i tij janë gjithë kohës full-time në Federatë, madje edhe sot që ne po flasim janë këtu, kanë kontaktuar e takuar pothuajse të gjithë lojtarët, duke i vizituar nëpër skuadrat e tyre dhe futbollistët kandidatë për ekipin Kombëtar apo le të themi atë grupin e madh që ata mendojnë se do të jenë pjesë e ekipit në eliminatore, dhe ato që mbase janë të dëmtuar. Kanë bërë çdo plan dhe çdo projekt mirë për të organizuar qoftë dhe grumbullimin e parë. Gjithashtu janë bashkuar me stafin administrativ të Federatës që grumbullimin të mos e bëjmë më në Durrës, por në Tiranë dhe ne të përfundojmë qendrën në Shtëpinë e Futbollit, duke kompletuar të gjitha ambientet e stadiumeve me palestrën, fizioterapinë e gjithçka tjetër për t’i dhënë dhe ekipit një pasqyrë ndryshe, për t’i dhënë edhe atyre të kuptojnë që ne këtë herë duhet të jemi ndryshe dhe duhet të jemi gati për t’u kualifikuar në Europian.
Sa i përket përgatitjes, në futboll është shumë e rëndësishme të mendosh për ndeshjen e radhës, dhe ndeshja jonë më e rëndësishme është Polonia më 27 mars. Patëm menduar për të organizuar një ndeshje miqësore me Uzbekistanin përpara sfidës së parë zyrtare, thuajse kishim përfunduar gjithçka me një kundërshtar që na përshtatej për nivelin që ne kërkonim, në ditët e fundit Uzbekistani nuk ka sjellë një konfirmim dhe nuk jam i sigurt nëse do të bëhet ajo ndeshje apo jo. Ne do të vazhdojmë të insistojmë të kërkojmë që ata të vijnë për të luajtur një miqësore këtu dhe urojmë që të mos kemi pengesa për organizimin e ndeshjes.
– Si i shikoni këto eliminatore, në krahasim me ato të kaluarat? Ka ardhur një trajner i ri, ka një qasje pozitive…
– Energji e re, skuadra është në nivel të kënaqshëm, grupi është më i balancuar se sa më parë, sepse nuk kemi kundërshtarë të nivelit të Anglisë siç kishim në kualifikueset e Botërorit, por kjo nuk do të thotë që ne jemi kualifikuar në Euro 2024, vetëm se kemi dëshirë, vetëm se po bëjmë të gjitha përgatitjet apo pse mendojmë që grupi është i balancuar. Këtë duhet ta bëjë ekipi në fushë, duhet ta bëjmë të gjithë ne për ta përgatitur atmosferën dhe ekipin në fushë dhe le të themi dhe forma dhe gjendja e futbollistëve në ato çaste e të gjithë parametrat e tjerë që duhen për futbollin. Ne kemi bërë maksimumin, futbollistët vërtetë duken të motivuar nga takimet dhe informacionet që kam marrë nga stafi i Kombëtares.
Në grupin tonë padyshim që ashtu siç kemi ardhur nga vazo e tretë në vlerësimin sportiv ky është vendi ynë, por ne do të kërkojmë të sfidojmë një nga dy vendet e para për të qenë pjesë e Europianit, pra te renditemi në fund të parët ose të dytët. As ne, as stafi dhe as ekipi nuk duet të mendojmë që lufta jonë fitohet ose humbet vetëm me Çekinë dhe Poloninë, përkundrazi luftën do ta fitojë ajo skuadër që nuk do të bëjë asnjë hap fals kundër Moldavisë dhe Ishujve Faroe. Ne duhet të kemi shumë kujdes, pasi kemi eksperienca të hidhura me ekipe që janë konsideruar të vogla, por sot nuk ka ekipe të vogla në Europë. Në të gjitha ndeshjet duhet të djersitësh dhe të djersitësh shumë dhe është shumë e vështirë të arrish rezultat, kështu që kurrë nuk duhet të mendojmë që kundërshtari jonë është vetëm Çekia dhe Polonia, por kundërshtarët tanë janë të katër ekipet e grupit me të cilat duhet të bëjmë mirë. Çekia dhe Polonia, duke qenë skuadra të niveleve të larta, me Poloninë që mori pjesë në finalet e Botërorit, mbase ka më shumë eksperiencë për të mos bërë hapa fals me dy skuadrat e tjera, por ne duhet të kemi shumë kujdes.
– Pak ditë më parë është zbardhur buxheti i shtetit për sportin. FSHF nga njëra anë merret si shembull që punon e pavarur dhe nuk ka nevojë për ato fonde që në një farë mënyre janë një lloj ndihme sociale për shumë federata të tjera. Por nga ana tjetër ndoshta mungesa e FSHF-së me futbollin që konsiderohet sporti më masiv dhe ka federatën më të madhe në vend, bie në sy. Ka një lloj lidhje kjo me faktin nëse aplikuar ose jo për të marrë fonde nga buxheti për sportin?
– Arsyetimi juaj apo edhe arsyetimi i shumë njerëzve, që FSHF krahasimisht me buxhetet e veta nuk është se një pjesë nga ai mini-buxhet që kishte shteti do ta ndikonte, por në shenjë simbolike pse jo, duhet të kishte një buxhet dhe për FSHF-në dhe nëse jo për FSHF-në qoftë edhe për një akademi futbolli në Shqipëri për të dhënë një mesazh pozitiv për futbollin. Ne organizojmë aktivitete sportive shumë më shumë se të gjitha federatat e tjera së bashku, aq aktivitete sportive sa organizojmë ne në 10 ditë të gjitha federatat e tjera mund ta organizojnë gjithë vitin. Kështu që diçka nga buxheti mund të ishte dhënë, nuk është çështje aplikimesh, nuk është dhe çështje dashakeqësie në fakt mendoj unë nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, por është thjeshtë mendimi që çfarë mund të bëjë FSHF me kaq para, më mirë rregullojmë këto të vegjlit apo fukarenjtë me aq lekë. Gjithsesi, unë mendoj që e kanë gabim, mirë do të ishte që të jepnin mbështetjen e tyre për diçka, por nëse nuk vënë një buxhet për FSHF-në apo për një projekt për shembull për futbollin në shkolla, ne kemi kampionatin e shkollave tashmë që është më i madh se sa të gjitha aktivitetet e tjera, minimalisht Ministria e Arsimit dhe Sportit mund të paguajë trajnerë për ekipet publike, për familje që nuk kanë mundësi të paguajnë për fëmijët e tyre për t’i angazhuar me futboll. Duke qenë që FSHF ka projekte që u sigurojnë falas materialet sportive, topa, për fusha futbolli, atëherë të paktën trajnerët mund t’i paguante nëpërmjet këtij buxheti minimal MAS dhe do të ishte brenda edukimit nëpërmjet futbollit. Kështu që e kanë menduar gabim, nuk është konsultuar njeri me ne apo nuk kanë kontaktuar njeri, nuk na ka kërkuar kush aplikim për vitin 2023. Për vitin 2022 na kanë kërkuar aplikim, kemi bërë një mal me letra, sepse të thuash na evidento të gjitha aktivitetet që organizon, për shembull Federata e Ping Pongut e dërgon, sepse tre ndeshje ka, ndërsa ne kemi 600 ndeshje në javë, kemi dërguar një mal me letra dhe morëm zero lekë.
Discussion about this post