Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ndodhet për vizitë në Shtetet e Bashkuara gjatë së cilës deri tani ka zhvilluar takime me biznese amerikane kryesisht të fushës së teknologjisë informatike në Silicon Valley pjesën perëndimore të Shteteve të Bashkuara dhe që prej dy ditësh ndodhet në Uashington, ku është takuar me ligjvënës të ndryshëm nga të dy partitë si dhe me këshilltarin e presidentit Biden për sigurinë kombëtare, Jack Sulivan. Por cili është synimi i kësaj vizite të gjatë, cilat janë pritshmëritë e tij nga kjo dhe si është situata në Kosovë. Për të gjitha këto me kryeministrin Kurti bisedoi shefi i shërbimit shqiptar të Zërit te Amerikës, Arben Xhixho.
Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër kjo është ndër vizitat më të gjata të një kryeministri të Kosovës në Shtetet e Bashkuara dhe ajo që ka rënë në sy është takime të shumta me bizneset kryesisht të lëmit të informatikës që ju keni zhvilluar. Publiku tashmë është njohur me emrin e shumë kompanive që ju keni takuar dhe pa kaluar në listën e tyre. Cilat janë pritshmëritë pas takimeve me këta drejtues, a ka një premtim konkret për në Kosovë?
Albin Kurti: Në fund të muajit të kaluar isha vetëm dy ditë në Uashington, D.C. me rastin e funeralit të zonjës sekretare Madeleine Albright, së cilës i kemi shumë borxh si shtet i Kosovës dhe komb shqiptar, sepse ndërhyrja e NATO-s kundër Jugosllavisë dhe Serbisë së (Slobodan) Millosheviçit para 23 vjetësh, mban vulën dhe nënshkrimin e saj. Dhe pas një jave erdha sërish në Uashington D.C. Po i fillojmë negociatat për marrëveshje me MCC-në (Korporatën Sfidat e Mijëvjeçarit) për programin e Kompaktit që është 236 milionë dollarë dhe përfshinë trajnime të profesionistëve për çështjen e sektorit të energjisë dhe sidomos të grave aty dhe në anën tjetër gjithashtu bateritë akumuluese. Nga Uashington D.C. fluturova në San Francisko, ishte hera parë që shkova në bregun perëndimor në Silicon Valley ku u takuam me shumë ndërmarrës të cilëve ua shpjeguam që Kosova është vend i përshtatshëm për investime meqenëse ka qeverisje demokratike, është e para sa i përket sundimit të ligjit në Ballkan sipas World Justice Project, sa i përket korrupsionit ka lëvizur lart për të mirë në 17 vende sipas Transparency International, ndërkaq sipas Reporterëve pa Kufij po ashtu 17 vende më lart sa i përket lirisë së mediave. Kemi bërë Gjykatën Komerciale në Kosovë dhe gjithashtu rritja ekonomike impresive dyshifrore në Kosovë ishte ftesë e jona, jo që bizneset të vijnë dhe të sakrifikohen në Kosovë, por që të vijnë dhe të fitojnë aty.
Zëri i Amerikës: Ju jeni një vend i vogël dhe për të tërhequr investimet duhet të jeni një vend tërheqës për ta. Kosova po ashtu nuk ka një traditë të madhe, çfarë u ofroni ju bizneseve që vendet tjera të rajonit nuk mund ta ofrojnë?
Albin Kurti: Në Kosovë janë 650 kompani vetëm në fushën e teknologjisë së informacionit, 10 për qind prej tyre janë me pronësi të huaj, 21 për qind janë me pronësi të përzier dhe 70 për qind prej tyre eksportojnë, 60 për qind e produkteve që bëhen janë për eksport. Pra Kosova ka indikatorët që të shndërrohet në një lloj Estonie të Evropës Juglindore, kemi moshën mesatare 30 vjeç, dy të tretat e popullsisë nën 35 vjeç, që të gjithë dinë anglisht dhe një pjesë e mirë edhe gjermanisht, ka talent që do çliruar dhe sikurse biznesmenët amerikanë po ashtu edhe ata shqiptaro-amerikanë i kemi ftuar që të vijnë dhe të fitojnë në Kosovë e në të njëjtën kohë edhe ne të kemi një zhvillim edhe më të hovshëm socio-ekonomik.
Zeri i Amerikës: Për një vizitor të huaj, sado që Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, megjithatë nuk mund të mos marr parasysh faktin tjetër që Kosova është ende një vend që nuk është anëtarësuar në OKB, ka probleme të pazgjidhura me fqinjin e vet në veri. Pra, ka disa lloj pasigurish. Dhe këtu do dalim te çështja e vjetër, ajo e normalizimit të marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë. Duket që gjatë administratës suaj, marrëdhëniet me Serbinë nuk kanë shënuar përparim, madje mund të argumentohet se kanë shënuar hapa pas. Si e shikoni ju zgjidhjen?
Albin Kurti: Nuk ka hapa pas, mirëpo Serbia ka ngelur pas, meqenëse ajo nuk i pranon krimet që i ka kryer në Kosovë dhe gjithashtu refuzon që ta njohë pavarësinë e Kosovës. Presidenti amerikan (Joe) Biden e ka formuluar shumë mirë çështjen, ka thënë që duhet të kemi normalizim të plotë përmes një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme, e cila në qendër të saj e ka njohjen reciproke. Unë jam i gatshëm për njohjen reciproke, Serbia nuk është dhe nuk ka kurrfarë faji asnjë instancë e shtetit të pavarur të Kosovës për faktin që nuk e kemi suksesin e pretenduar në dialogun me Serbinë. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, qenia e saj nuk është problematike. Raportin me Serbinë nuk e kemi normal, duam ta normalizojmë, mirëpo për këtë qëllim është Serbia ajo që duhet të ndryshojë.
Zëri i Amerikës: Arritja e një marrëveshjeje me Serbinë, sipas mendimit mbizotërues, do të kërkonte edhe lëshime nga Kosova. Pak kush mendon se Serbia thjeshtë do ta njohë Kosovën, pra që është kërkesa maksimale dhe u zgjidh çështja. A është Kosova gati të bëj lëshim dhe çfarë?
Albin Kurti: Në të kaluarën kemi pasur për një dekadë një dialog në të cilin Kosova bënte koncesione në pritje të njohjes nga Serbia, që vije në fund. Dhe ai fund nuk ndodhi. Tash kemi një zhvendosje të çështjes nga, le të themi, procesi i stërzgjatur në kohë, tek hapësira e një marrëveshjeje në qendër të së cilës është njohja reciproke. Unë nuk them që njohja reciproke është e vetmja gjë në marrëveshje, mirëpo është në qendër të saj. Andaj, përderisa Serbia thotë që kurrë nuk do t’ju njohim dhe presidenti i saj thotë që Reçaku nuk është një ngjarje e vërtetë, pra masakra e 15 janarit të vitit 1999, atëherë këtu edhe ndodhet problemi që nuk e kemi ende një marrëveshje të tillë. Ne jemi të gatshëm, konstruktiv, të përkushtuar, kreativ. Kemi dhënë propozimet tona për deklaratë të paqes për mossulmim të njëri tjetrit, pastaj për reciprocitet të të drejtave, mirëpo janë refuzuar nga Serbia e cila nuk e ka dhënë asnjë ide.
Zëri i Amerikës: Sa i rëndësishëm është për ju normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë? Apo mendoni se do të ishte mirë të normalizoheshin, por Kosova mund të eci, të zhvillohet edhe kështu siç është, pavarësisht se Serbia nuk po e njeh. Prishtina nuk ka pse bën lëshime thjeshtë për njohje. A i qëndroni kësaj teorie?
Albin Kurti: Ne dëshirojmë që të ketë normalizim. Dua dialog për marrëveshje, jo dialog për dialog. Mirëpo, më duhet të konstatoj që 83 për qind janë rritur eksportet në këtë vit, ndonëse nuk na njohu Serbia, investimet e huaja direkte janë rritur për 22 për qind, buxheti krahasuar me para dy viteve për 26 për qind, pastaj të hyrat tatimore janë rritur për 34 për qind, ato doganore për 31 për qind. Pra, Kosova është një storie suksesi e punës dhe qëndresës së popullit të saj dhe e ndihmës dhe mbështetjes së NATO-s, në veçanti të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky rrëfim i suksesit duhet të mbrohet dhe qëllimi i vizitës sime është: sa më shumë investime në Kosovë dhe sa më shumë siguri për Kosovën.
Zëri i Amerikës: Gjatë qëndrimit këtu ju u takuar me Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të presidentit Biden, Jake Sullivan, i cili mbështeti fuqishëm procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, por po ashtu ai kërkoi edhe zgjidhjen e çështjeve ende të pazgjidhura. Një prej tyre është çështja e asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kjo kërkesë u është bërë edhe nga BE-ja. A do ta njoh Kosova këtë asociacion?
Albin Kurti: Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese në Kosovë. Ajo ka konstatuar që 23 nene të Kushtetutës, praktikisht shkelen dhe mund të ketë asociacion të komunave, por jo mbi baza etnike.
Zeri i Amerikës: A mund t’i bëhen modifikime, qeveria e Kosovës e ka nënshkruar atëherë, parlamenti e ka ratifikuar, a mund të ndryshojë kjo marrëveshje në mënyrë të që të njihet asociacioni?
Albin Kurti: Në mënyrën se si është në frymën dhe germën e saj, jo.
Zëri i Amerikës: Atëherë si do të dilet nga ky ngërç? Uashingtoni e kërkon, Brukseli po ashtu e kërkon, ju çfarë qëndrimi do të mbani?
Albin Kurti: Duhet ta keni parasysh se në qendër të marrëveshjes për normalizim nuk është asociacioni i komunave me shumicë serbe dhe nuk ka asnjë zyrtar amerikan që e thotë këtë gjë. Në qendër është njohja reciproke. Nuk kemi nevojë ta heqim nga qendra njohjen reciproke e ta sjellim asociacionin, ka kaluar ajo kohë. Tjetra që duhet theksuar është se në Shtëpinë e Bardhë unë u prita nga zotëri Jacob Sullivan, i cili është njeriu kryesor i sigurisë kombëtare dhe për këtë qëllim unë kam ardhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, investime nga Amerika në Kosovë dhe siguri për Kosovën, sidomos nga Amerika. Me këtë rast unë kam treguar lidhjet e fuqishme që Serbia i ka me Rusinë, pastaj në të gjitha takimet me afër 20 kongresistë e senatorë, kam kërkuar që të mbyllet Qendra Humanitare Ruse në Nish, pastaj të hiqet zyra e Rusisë brenda ministrisë së Mbrojtjes në Beograd dhe gjithashtu një zonë rrotull kufirit të Kosovës me Serbinë ku ndodhen 48 baza operative ushtarake dhe të xhandarmërisë që janë ofensive, të largohen prej aty. Pra, për sigurinë e Kosovës kemi nevojë për një demilitarizim të një brezi rrotull kufirit të Kosovës me Serbinë dhe të gjitha këto gjëra unë i kam diskutuar dhe mund të them që lidhja jonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është tejet e fuqishme, është e pathyeshme dhe është e tillë që na i bën Shtetet e Bashkuara të Amerikës partnerë, aleatë dhe miq të përhershëm.
Zëri i Amerikës: Presidenti Vuçiç është shprehur disa herë se trysnia mbi të po rritet nga perëndimi, nga Uashingtoni, nga Brukseli për të normalizuar marrëdhëniet me Kosovën. A po shtohet e njëjta trysni edhe mbi ju – mbi Prishtinën?
Albin Kurti: Nuk do ta kisha quajtur trysni, unë kam bashkëbisedim në formë partneriteti me të gjithë, barazi të palëve në çdo situatë dhe Republika e Kosovës ndonëse nuk është në NATO, dëshiron të anëtarësohet në programin e partneritetit për paqe. Është absurde që Serbia ka program të tillë me NATO-n e nuk ka Kosova. Serbia e cila pretendon një lloj neutraliteti karshi invazionit rus në Ukrainë, që është një gjë e shpifur dhe ne kërkuam që të ndihmohet Kosova për programin e partneritetit për paqe dhe gjithashtu kërkuam që baza ushtarake amerikane e cila ndodhet në Bondsteel, në pjesën lindore të Kosovës ta ngrisë statusin e saj në një bazë të përhershme.
Zëri i Amerikës: Zyrtarë të lartë amerikanë kanë theksuar se normalizimi i marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë do t’u kundërvihej përpjekjeve të Rusisë për të destabilizuar Ballkanin. A mendoni që në këtë kuadër sot, kur po dështon tashmë gjeopolitika e sigurisë së Evropës, është momenti i përshtatshëm dhe duhet shfrytëzuar për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe si mund të arrihet kjo?
Albin Kurti: Padyshim që neve na duhen marrëdhënie normale me Serbinë, mirëpo për këtë duhet të ndryshojë Serbia. Kosova është në rregull, e orientuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian, NATO-ja, Gjermania, Franca, Britania e Madhe dhe Italia. Pra ne jemi në rregull, ata që nuk janë në rregull do të duhej të ndryshojnë, dhe ne në këtë insistojmë. Konsiderojmë që tash është koha që Ballkani Perëndimor komplet të integrohet në Bashkimin Evropian, por e kemi tash edhe një problem shtesë – rreshtimin praktik të Serbisë me Federatën Ruse. Serbia me këtë qasje po e shndërron veten në një Bjellorusi të Ballkanit, ndërkaq në anën tjetër Republika Serbe me Banja Llukën e saj po bëhet një lloj Kaliningradi në Ballkan. Këtu Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë rolin vendimtar për ta ndryshuar gjendjen për të mirë.
Zëri i Amerikës: Si janë marrëdhëniet tuaja me administratën amerikane? A jeni i kënaqur me mbështetjen e Uashingtonit për vendin tuaj apo prisni më shumë?
Albin Kurti: Unë besoj që Shtetet e Bashkuara të Amerikës e njohin mirë Kosovën dhe kombin shqiptar dhe e kuptojnë që nuk mund të kenë asnjë komb dhe shtet tjetër sikurse neve sa i përket vlerave të përbashkëta që ndajmë dhe qëllimeve të përbashkëta që i kemi. Por në këtë situatë kur e gjithë vëmendja është e orientuar në Ukrainë, është detyrë e imja si kryeministër i Republikës së Kosovës që të vë theksin se një pjesë e kësaj vëmendjeje duhet të shtohet në Ballkan, pikërisht në Kosovë, meqenëse nuk ka javë që nuk na përmendin krerët në Kremlin, të cilët e shohin Kosovën si një shans për ta sulmuar edhe NATO-n. Pra nuk e mbron vetëm NATO-ja Kosovën, e mbron edhe Kosova NATO-n, sepse e mbron rrëfimin për ndërhyrjen e suksesshme të NATO-s në Ballkan.
Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër faleminderit shumë, ishte kënaqësi!
Albin Kurti: Faleminderit juve, gjithashtu!
Discussion about this post