“Ishin për në burg, por gjykatat…”, ja si po i legalizon Rama pallatet pa leje të oligarkëve

1 javë më parë

Kryeministri Edi Rama iu rikthye temës së tij të preferuar-sulmit ndaj gjyqësorit-kur institucionet e qeverisura prej tij dështuan për të identifikuar një pallat të tërë pa leje, në zonën luksoze të Liqenit të Thatë në Tiranë. Rama deklaroi në një diskutim me përfaqësues të medias fundjavën e kaluar se lufta e qeverisë së tij ndaj ndërtimeve të paligjshme pengohet nga sistemi i drejtësisë, i cili është ende në fazën e reformimit, 6 vjet pas miratimeve të ndryshimeve kushtetuese në Parlament. Shkëndija e këtij diskutimi lindi pasi zv.kryeministrja Belinda Balluku e konsideroi “mister” faktin se si kompania “Xheluks” në pronësi të biznesmenit Julian (Lul) Morina, kishte ndërtuar godinën 9-katëshe, pa asnjë leje dhe pa u vënë re nga strukturat përgjegjëse, përfshirë Policinë e Shtetit, Policinë Bashkiake dhe Inspektoratin Ndërtimor Vendor. “Dy kate nën tokë dhe shtatë kate mbi tokë, nëntë kate ndërtim pa asnjë letër. Sesi kjo ka ndodh është një mister për ne”, deklaroi pak ditë më parë ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku.

 Dështimi

Pasi qeveria deklaroi se kishte vendosur konfiskimin e pallatit pa leje, bazuar në një Vendim të debatuar të Këshillit të Ministrave, të miratuar në 7 shtator 2022, institucionet përgjegjëse tentuan të gjenin kanale komunikimi mediatike për të justifikuar dështimin e tyre. Burime nga Agjencia e Mbikqyrjes Policore (AMP), shpërndanë menjëherë informacionin se kishte referuar prej muajsh në prokurorinë e Tiranë disa oficerë të Komisariatit nr.1, që mbulon Liqenin e Thatë, nën argumentin se kishin shpërdoruar detyrën, duke mos identifikuar ndërtime pa leje në zonë. Në informacion nuk shpjegohej nëse penalizimi i punonjësve të policisë lidhej me pallatin pa leje të Morinës. Më tej, burime policore shpërndanë sërish në media informacionin jo-zyrtar, se për pallatin e kompanisë “Xheluks” kishin referuar në prokurorinë e Tiranës rreth një vit më parë. Sipas të njëjtave burime, prokurori që kishte trajtuar këtë çështje, Arjan Përmeti, e kishte pushuar hetimin dhe Policia kishte vendosur të ankohej në gjykatë. Të dhënat e siguruara nga “Gijotina.com” tregojnë se e vërteta qëndron shumë më ndryshe.

 

Justifikimi

Policia e Shtetit dhe strukturat bashkiake jo vetëm që nuk e kanë referuar më parë këtë rast flagrant, por, as nuk kanë kryer referim zyrtar deri në publikimin e këtij shkrimi-rreth dy javë pas konstatimit të pallatit pa leje. Prokuroria e Tiranës, konfirmoi se “përsa i përket publikimeve dhe të dhënave mediatike, në lidhje me një ndërtim pa leje në zonën e Liqenit, të ndërtuar nga Julian alias Lulzim Morina, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë nuk ka një material të referuar më parë”.

Të njëjtat burime zyrtare konfirmuan se, falë publikimeve mediatike, prokuroria ka nisur verifikimet përkatëse të rastit. Ky qëndrim i Prokurorisë zbuloi më së paku dy elementë; për pallatin 9-katësh pa leje nuk ka pasur më parë referim dhe, as nuk ka pasur më vonë, duke detyruar institucionin e Akuzës që të nisë hetimin kryesisht, bazuar në raportimet mediatike, pa marrë asnjë material referues nga institucionet e ngarkuara me ligj. Rasti i “pallatit pa leje” të Morinës u diskutua edhe në seancën dëgjimore, që Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) zhvilloi me prokurorin Arjan Përmeti, të Enjten e kaluar.

Kryesuesja e seancës së Vetingut pyeti prokurorin Përmeti për informacionin e publikuar në media, lidhur me në ndërtim pa leje të kryer nga shoqëria e Jurgen Morinës, ku pretendohej se prokurori kishte bllokuar hetimet. Viktor Gumi, përfaqësuesi ligjor i prokurorit në seancën e Vetingut, deklaroi se “Përmeti nuk e ka verifikuar, hetuar, mosfilluar apo që ta ketë pushuar këtë çështje”. Sipas Gumit, prokurori Përmeti ka trajtuar një rast tjetër ndërtimi pa leje që lidhet me biznesmenin Julian Morina. Sipas tij, ai rast lidhet me ndërtimin e 3 kateve në tejkalim të lejes në një godinë tjetër të “Xheluks Construction” dhe se çështja është ende nën hetim.

Ky fakt u konfirmua zyrtarisht për “Gijotina.com” nga Prokuroria e Tiranës.

Në datën 10 Maj 2021, Komisariati i Policisë nr.1 ka referuar materialet, në bazë të të cilave rezultonte se në rrugën e Ullishteve, në Njësinë Administrative nr.13, është konstatuar kryerja e punimeve ndërtimore në një objekt 7-katësh mbi tokë dhe 1 nën tokë. Nga hetimet paraprake janë konstatuar punime shtesë, në tejkalim të lejes së miratuar nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, me nr. M-1017/9”.

Për atë rast, i cili po ndiqet nga prokurori Arjan Përmeti, është regjistruar procedimi penal nr. 4144 i vitit 2021 për “Ndërtim të paligjshëm” dhe po vijojnë hetimet. Pra, duket qartë që rasti i referuar në Prokurorinë e Tiranë një vit më parë nuk lidhet me godinën 9-katëshe tërësisht pa leje dhe se për këtë të fundit, Policia dhe Bashkia nuk ka investuar prokurorinë për nisjen e hetimit penal.

“Amnisti” pa ligj

Vendimi më i fundit i qeverisë për “konfiskimin e ndërtimeve pa leje” konsiderohet edhe si një lloj legalizimi i fshehur, si edhe “amnisti” pa ligj për ndërtuesit. Në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 589, dt.07.09.2022 “Për rregullat  dhe  procedurat  për  konfiskimin  për  interes  publik  të objekteve të ndërtuara pa leje, për qëllim fitimi”, qeveria u ofron dy alternativa ndërtuese që kanë kryer punime pa leje.

Alternativa e parë është parablerja e sipërfaqes pa leje, por kësaj radhe me çmimin e tregut. Alternativa e dytë është dhurimi i sipërfaqes së ndërtuar pa leje në favor të Shtetit, nëpërmjet kontratave simbolike “1 euro”. Vendimi qeveritar përjashton tërësisht faktin se “ndërtimi pa leje”, sidomos ai për qëllime përfitime, përbën vepër penale që dënohet nga 3 deri në 8 vjet burgim, sipas nenin 199/a/3 të Kodit Penal. Madje, vendimi i Këshillit të Ministrave parashikon që, në rast se ndërtuesit zgjedhin një prej dy alternativave, sipërfaqet pa leje do të legalizohen nëpërmjet një procedurë që do të iniciohet nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) dhe do të formalizohet nga Këshilli i Rregullimit të Territorit (KRRT), një strukturë e drejtuar nga kryeministri Rama.

 

Çfarë ndodh me hetimet penale?

Në ditën e dytë të “operacionit qeveritar” kundër ndërtimeve pa leje, Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, deklaroi publikisht se ishte konstatuar se edhe një tjetër biznesmen i njohur, Pëllumb Salillari, kishte ngritur tre kate pa leje, në një godinë në ndërtim në zonën luksoze të Farkës. Këtë rast, ndryshe nga pallati pa leje i Morinës, policia e ka referuar në fund të Korrikut në Prokurorinë e Tiranës, për “ndërtim pa leje”.

Prokuroria e Tiranës nuk ishte në gjendje të jepte një përgjigje të qartë për “Gijotina.com” se çfarë do të ndodhte me hetimin penal ndaj Salillarit, në rast se ai dakordësohej me qeverinë dhe tre katet pa leje të ndërtuara prej tij do të legalizoheshin nga KRRT-ja. Me shumë mundësi, hetimi penal do të ndërpritej, pasi “ndërtimi pa leje” do të shndërrohej në të ligjshëm. Qartësisht, qeveria, nëpërmjet një akti nënligjor, ndërhyn brutalisht në Kodin Penal, i cili është një ligj i posaçëm, si edhe u siguron “falje” ndërtuesve në shkelje të ligjit, nëpërmjet një “Amnistie”, e cila miratohet gjithashtu me një ligj të posaçëm, me tre të pestat e votave të parlamentarëve.

Përfitimet për qeverinë

Opozita dhe ekspertë të ekonomisë besojnë se Qeveria, nëpërmjet këtij Vendimi të debatueshëm, synon të mbushë arkën e shtetit, nëpërmjet këtij “legalizimi të fshehur” dhe duke shpëtuar ndërtuesit abuzues nga burgimi. Shqipëria ka pasur një histori të gjatë me ndërtimet e paligjme. Një ligj për legalizimet, i miratuar në vitin 2006, u amendua disa herë dhe i shtriu afatin kohor të ligjërimit të ndërtimeve pa leje të ndërtuara deri në vitin 2015.

Edhe pas këtij viti, ndërtimet pa leje nuk kanë ndalur. Statistikat zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme tregojnë se nga viti 2015 e në vijim, janë marrë në hetim apo janë dërguar për gjykim mesatarisht 1500-1700 qytetarë. Autoritetet janë treguar shumë të rrepta me qytetarët, të cilët kanë kryer ndërtime të vogla, kryesisht për sistemimin apo zgjerimin e banesave të tyre, duke i arrestuar dhe burgosur.

Ndërsa, për biznesmenët e fuqishëm të ndërtimit, dora e ligjit është treguar shumë tolerante.

Pikërisht, për këtë kategori, qeveria “Rama” ka vendosur që të aplikojë strategjinë, që përmblidhet në formën e legalizimit dhe shmangie nga burgu në këmbim të parave. Vendi është në një krizë të thellë ekonomike, për shkak të tërmetit, efekteve të pandemisë Covid-19, pasojave globale të pushtimit rus ndaj Ukrainës, por edhe keqqeverisjes, siç deklaron opozita dhe një seri raportesh ndërkombëtare.

“Legalizimi në këmbim të parave” mund të jetë një ndër mënyrat që qeveria synon të zbusë sadopak efektet negative të krizës ekonomike. Gjithësesi, skema e vendosur nga qeveria ka shumë pikëpyetje, sidomos në zbatimin e saj. Vendimi i qeverisë për “konfiskimin e ndërtimeve pa leje” e përqëndron procesin në pak duar, të gjithë zyrtarë të besuar të kryeministrit Edi Rama. Mbetet për t’u parë nëse qeveria do të tregojë transparencë për këtë proces, duke publikuar rastet e evidentuara të ndërtimeve të paligjshme, emrat e biznesmenëve, marrëveshjet legale të kryera me ta për legalizimin e sipërfaqeve pa leje dhe shumat që do të paguhen për çdo rast.

Qeveria e Edi Ramës është kritikuar nga organizata mediatike vendase e ndërkombëtare për mungesë transparence. Kabineti qeveritar ka zgjedhur të fshihet pas “sekretit shtetëror” për të mos bërë publike kontrata të ndryshme me vlerë dhjetra milionë euro. Ndaj, skepticizmi për transparencën e qeverisë është i lartë në Shqipëri dhe vendimi më i fundit për “konfiskimin” e pallateve ngre dyshime të forta se mund të jetë një mekanizëm i radhës i kryeministrit Rama për të marrë mbështetjen e grosistëve të ndërtimit para zgjedhjeve lokale që pritet të zhvillohen në pranverën e vitit 2023.

 

©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

 

 

 

 

 

Të ngjashme