Pandemia e COVID-19 po i zbeh ngadalë efektet në ekonomi. Masat kufizuese janë lehtësuar, por bizneset kanë nisur të vuajnë mungesën e fuqisë punëtore, duke rritur kërkesën për punonjës të huaj. Synimet për të zëvendësuar fuqinë punëtore me të huaj, rrezikojnë të ulin produktivitetin e punës. Sipërmarrësit shqiptarë nga sektorët e prodhimit dhe shërbimeve pohojnë se për të njëjtin pozicion pune, me pagë të njëjtë, një shqiptar është të paktën 20-30% më produktiv se një i huaj. Zëvendësimi i shqiptarëve të larguar me punonjës afrikanë rrezikon të mbajë modelin ekonomik të vendit nën kthetrat e krahut të lirë të punës, në vend që ky zëvendësim të bëhej me teknologji dhe me një model të ri zhvillimi. Agjencitë e rekrutimit thonë se pandemia po nxit emigrimin e shqiptarëve dhe për rrjedhojë, edhe zëvendësimin e tyre me të huaj.
Ngadalësimi i pandemisë COVID-19 dhe rikthimi i ekonomisë në normalitet po nxjerr në pah problemin shqetësues të bizneseve shqiptare, mungesën e fuqisë punëtore. Sektori i prodhimit po vuan mungesat më të mëdha, ndaj po u drejtohet tregjeve të huaja, kryesisht nga vendet e Azisë dhe Afrikës për plotësimin e nevojave.
Ermal Jauri, ekspert i rekrutimit të punonjësve, tha se, pandemia e COVID-19 rriti më tej kërkesën për punonjës të huaj, kryesisht për dy arsye. E para, disa punonjës afrikanë dhe aziatikë që erdhën vitin e kaluar rezultuan produktivë, ndaj dhe kompanitë që e provuan kërkojnë të furnizohen më tej. E dyta, pandemia i ka bërë edhe më të pashpresë punonjësit shqiptarë, të cilët po zgjedhin emigracionin në vend që të aktivizohen sërish në Shqipëri.
Vendet e punës të lëna bosh prej emigracionit të lartë të shqiptarëve të arsimuar, që po zëvendësohen me punonjës kryesisht nga kontinenti afrikan, rrezikojnë të mbajnë modelin ekonomik nën kthetrat e shfrytëzimit të krahut të lirë të punës për një kohë të gjatë. Zëvendësimi i fuqisë punëtore me afrikanë rrezikon të përkeqësojë më tej produktivitetin në bizneset shqiptarë, për shkak të mangësive në aftësi që paraqesin vende të tilla si Kenia, Nigeria dhe vende të tjera afrikane.
Zhvillimi ekonomik i një vendi lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me produktivitetin e fuqisë punëtore. Për shembull, një punonjës shqiptar në sektorin e prodhimit ka vetëm 60% të produktivitetit të një punonjësi italian. Një punonjës rrobaqepësie në Itali prodhon në sasi dhe cilësi të paktën 40% më tepër se një punonjës në rrobaqepësitë shqiptare. Por një punonjës shqiptar në linjat e prodhimit në Shqipëri është së paku 30% më produktiv se punonjësit afrikanë, përllogarit Alban Zusi, kryetar i Shoqatës së Eksportuesve, i cili ka në pronësi edhe disa linja prodhimi.
Shqipëria është një vend me të ardhura të mesme të larta dhe si e tillë, për nivelin e pagave dhe produktivitetin, renditet më mirë se vendet afrikane, prej të cilave do të importojnë fuqinë punëtore. Bizneset e prodhimit përllogarisin se, nëse fitimet e një biznesi për një punonjës shqiptar janë 4 lekë, për një punonjës afrikan janë 2 lekë.
E njëjta përllogaritje vlen edhe për sektorin e call center. Lorenc Goga, i cili drejton kompaninë që ofron web marketing, Facile.it, thotë se, për një njëjtin pozicion pune, një shqiptar është shumë më produktiv se një huaj. Por z. Goga pohon se të rinjtë shqiptarë janë shpërqendruar për shkak se planifikojnë të emigrojnë jashtë vendit. Ai tha se është i hapur ndaj punësimit të të huajve, pasi vendet e Afrikës së Veriut janë edhe italishtfolës.
Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, është skeptik për mënyrën se si po zëvendësohet forca e punës. Ai tha se bizneset shqiptare kanë pasur humbje historikisht të larta për shkak të mangësive në kompetenca të punonjësve shqiptarë. Për shembull, për shkak të mungesës së inxhinierëve të mirë dhe mekanikëve, një fabrike mund t’i krijohen mijëra euro humbje për neglizhencë.
Ndaj furnizimi me punonjës nga vende që nuk paraqesin kualifikim dhe kompetenca, në vend që të përmirësojë produktivitetin, rrezikon ta cenojë më tej. Jaka tha se, emigracioni në mënyrë të organizuar duhet të ishte bërë mbi studim paraprak, ku të përcaktoheshin qartë nevojat për fuqi punëtore, sipas sektorëve dhe më pas të përzgjidheshin vendet me aftësi më të mira në këto fusha. Jaka tha se do të ishte me interes importi i punonjësve nga Lindja e Largët.
Si mund të jetë produktiv zëvendësimi
Punonjësit nga Bangladeshi, Tajlanda dhe Filipinet do të ishin zëvendësues të mirë për biznesin fason. Por zoti Jaka është dyshues për aftësitë e emigrantëve nga Afrika, të cilët për nga “dembelizmi” ua kalojnë shqiptarëve. Nigeria aktualisht importon gati 90% të ushqimeve, të cilat mund të prodhohen tërësisht në vend.
Ermal Jauri, i angazhuar që nga viti 2015 në sjelljen e punonjësve të huaj në Shqipëri, pohon se kërkesa nga bizneset shqiptare për të punësuar rritet dhe ky trend është theksuar pas fashitjes së pandemisë. Ai thotë se, kërkesa po udhëhiqet, ndër të tjera, edhe nga përfitimet që kanë bizneset nga punonjësit e huaj. Jauri mendon se punonjësit e huaj, edhe ata nga Afrika kanë edukatë pune, punojnë me orë të zgjatura dhe për rrjedhojë, janë më produktivë se sa një shqiptar.
Po gjithsesi, konkurrenca, sipas tij, do të vërë në presion nivelin e pagave për punonjësit shqiptarë. Në një listë prej 103 vendesh nga portali i të dhënave “Numbeo”, Shqipëria radhitet e 84-ta për nivelin e pagës mesatare neto në muaj. Në këtë renditje, vendi ynë lë pas të paktën 19 vende: kryesisht Afrika, Azia dhe Lindja e Mesme, ndërsa 83 vendet e marra në studim kanë nivel më të lartë page.
Paga mesatare neto në Shqipëri përllogaritet 323 euro në muaj, sipas të dhënave të vitit 2019 referuar nga “Numbeo”. Pas Shqipërisë vjen Bangladeshi me 301 euro në muaj, Armenia 300 euro në muaj dhe Irani me 296 euro në muaj. Ndërsa me diferencë nga paga mesatare e Shqipërisë paraqiten Sri Lanka me 232 euro në muaj, Nepali me 182 euro, Nigeria me 175 euro, Siria me 86 euro etj.
Eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa, thotë se kjo mënyrë zëvendësimi e fuqisë punëtore nuk e zgjidh problemin, madje produktiviteti mund të cenohet.
Historia e emigracionit nuk njeh praktika, ku vendet e varfra të emigrojnë në vende të varfra. Xhepa këshillon që ky lloj emigracioni duhet të jetë shumë i organizuar, pasi në vetvete ka kosto sociale, duke rrezikuar krijimin e getove të reja dhe cenimin e të drejtave të njeriut.
Ai thotë se bizneset shqiptare mund të zgjidhin problemet e tyre të përkohshme, por ekonomia shqiptare nuk e zgjidh problemin në lidhje me produktivitetin. Por qeveria shqiptare është duke e vlerësuar seriozisht zëvendësimin e fuqisë punëtore, duke lehtësuar së fundi procedurat e pajisjes me vizë dhe leje qëndrimi.
Bujqësia, turizmi, fasoni, call center, në emergjencë për punonjës
Agjencia e z. Jauri tani ka shumë kërkesa nga kompani shqiptare dhe individë për punonjës të huaj. Kërkesa ka diversitet, pohon ai, por kryesisht sektori fason dhe ai i shërbimeve ka më shumë nevojë. Që nga viti 2015, agjencia e tij ka sjellë rreth të huaj, kryesisht afrikanë sipas kërkesave vendase. Jauri thotë se kompanitë shqiptare kërkojnë që nga ekspertë IT, programues deri te menaxherë e kuzhinierë.
Por ka kërkesa edhe për punonjës të kujdesit social, si kujdestarë për fëmijë, mosha të vjetra, apo edhe pastrues dhe mirëmbajtës së shtëpisë. Jauri tha se punonjësit e huaj të testuar deri më tani kanë rezultuar më produktivë. Për shkak se nuk kanë angazhime familjare dhe nuk shpenzojmë kohë për kafe, ato kanë shfaqur produktivitet më të lartë se shqiptarët, ndaj kompanitë po priren të punësojnë të huaj. Por ka edhe raste kur kompetencat e të huajve nuk përputhen me vendin e punës që specifikisht duan bizneset dhe individët shqiptarë.
Punonjësit e huaj negociohen me paga të njëjta me ato shqiptare. Paga mesatare në Shqipëri është më e lartë se paga mesatare në shumë vende të Afrikës, prandaj emigracioni nga këto vende për çështje punësimi në Shqipëri do të mbetet atraktiv, edhe për një kohë të gjatë. Aktualisht, një punonjës i huaj në Shqipëri kontraktohet me pagë 300 dollarë në muaj. Paga e tij mund të ndryshojë me kalimin e kohës, bazuar në rezultatet në punë. Shpenzimet e udhëtimit për në Shqipëri përballohen nga punonjësit e huaj dhe arrijnë nga 300 deri në 600 euro sipas vendeve.
Ai tha se vendet afrikane përmbushin edhe kërkesën për profesione që kërkojnë kualifikim të lartë, si programim në sektorin e IT-së. Mungesa e fuqisë punëtore është kthyer në problem madhor për të gjithë sektorët. Përfaqësuesit e industrisë kryesore në vend pohuan se përveç ambientit jo shumë favorizues për sipërmarrjet, mungesa e fuqisë punëtore është kthyer në një sfidë për të cilën zgjidhjet janë të vështira.
Industria fason, bujqësia dhe turizmi janë sektorët që kanë filluar të vuajnë më së shumti mungesën e punonjësve, por probleme janë vërejtur në të gjithë sektorët, sidomos në shërbimet publike të mjekësisë.
Nazmi Grori, administrator i kompanisë “Naber”, pohon se vala e migracionit po bën që ndërmarrja të zbrazet nga mëngjesi në darkë. Ndikimi negativ i emigracionit është më i dukshëm, në rrethe si Librazhdi, Puka apo të ngjashme. Kompanitë sot nuk mund të shkojnë dhe të hapin një filial të ri në këto zona, sepse nuk ka forcë të mjaftueshme punëtore. Edhe ata që kanë tentuar, janë kthyer sërish në Tiranë.
Në vështirësi për punonjës janë edhe bizneset fasone në Shkodër, Durrës dhe Korçë. Fatos Çerenishti, i cili zotëron “FAFA resort” në plazhin e Durrësit, tha se, gjatë vitit 2019 kishte punësuar kuzhinierë turq për shkak se nuk kishte pasur mundësi t’i gjente në tregun vendas.
Ka hapësira për të rritur prodhimin, pa importuar punonjës
Baza e eksporteve shqiptare janë lënda e parë e papërpunuar dhe krahu i lirë i punës. Tani kur krahu i lirë i punës po shkon drejt tkurrjes së shpejtë, fabrikat duhet të rrisin produktivitetin nëpërmjet përmirësimit të teknologjisë, mbylljes së ciklit të prodhimit dhe përpunimit të lëndës së parë në vend. Alban Zusi, i cili drejton Shoqatën e Eksporteve, pohon se ka ardhur koha për të rritur fitimet me pak krah pune.
Sektori i bujqësisë duhet të ndalë eksportin e prodhimeve nga fusha. Më shumë se në zinxhirin e tregut, duhen politika që të nxisin përpunimin në sektor. Për shembull, Turqia e ndalon eksportin e produkteve bujqësore nga fusha deri sa të jenë plotësuar kërkesat e fabrikave të përpunimit në vend. Duke i shitur prodhimet bujqësore të përpunuara, vlera e tyre do të jetë më e lartë. Shqipëria, edhe sot, importon pothuajse të gjitha produktet bujqësore të përpunuara.
Në supermarketet shqiptare ka me shumicë turshi nga Maqedonia dhe salcë domatesh nga Italia. Një lakër turshi e paketuar në kavanoz ka vlerë tre herë më të lartë se një lakër e gjallë. Llogaritë janë të njëjta edhe për prodhimet e tjera bujqësore. Edhe pse sektori i përpunimit ka marzh të ulët fitimi, sërish investimi në teknologji dhe i subvencionuar nga shteti mund të shumëfishojë vlerën e produkteve.
Pandemia dhe nënçmimi i euros pezulluan përparimin e prodhuesve shqiptarë
Nënçmimi sistematik i euros vitet e fundit ka konsumuar marzhin e fitimit të kompanive eksportuese, duke lënë pezull projektet e tyre për mbylljen e ciklit dhe rritjen e fitimeve, teksa pandemia COVID-19 ka rrënuar shumë prej tyre, duke sjellë edhe falimente. Nënçmimi i euros, i kombinuar me stoqe të larta, sidomos për industrinë e këpucëve, i çoi në kolaps planet e industrisë për të kaluar në një shkallë më të lartë të vlerës së produktit para vitit 2020. Ndërsa pandemia COVID-19 rrënoi një pjesë të industrisë, për shkak të rënies drastike (deri në 70%) të porosive nga jashtë.
Donika Mici, e cila nëpërmjet kompanisë “Donianna” realizon ciklin e mbyllur për eksport, thotë se, industria fasone në vendin tonë dhe specifikisht ajo e prodhimit të këpucëve, është para një cikli të ri. Ndërkohë që kërkesa në tregun ndërkombëtar po tkurret, kostot e prodhimit në Shqipëri janë rritur prej pagave më të larta. Cikli i ri në të cilin po futet prodhimi i këpucëve kërkon ndërhyrje në dy drejtime. Së pari, rritje të produktivitetit dhe ulje të kostove në tregun e brendshëm dhe targetim të prodhimit për një klientelë mbi mesataren.
Në dy muajt e parë të vitit 2021, eksportet nga fasoni shënuan vlerë 17.6 miliardë lekë, me rënie mbi 11% në raport me janar – shkurt të vitit 2020, kur kriza e pandemisë nuk kishte nisur. Rënia ishte më e fortë për këpucët, me rreth 20%. Në vitin 2020, të ardhurat nga shitjet e sektorit fason ranë me 16 miliardë lekë, ose rreth 130 milionë euro. Humbjet në fabrikat e këpucëve ishin 11,3 miliardë lekë, ose rreth 91 milionë euro, ndërsa prodhuesit e veshjeve humbën rreth 4,6 miliardë lekë, ose 37 milionë euro.
Për këpucët, rënia lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me masat kufizuese në lëvizje nga vendet e Bashkimit Europian. Eksportet e tekstileve duket se nuk kanë mundur të përfitojnë nga hapësira e re që u krijua për veshjet mjekësore. Kina u ripozicionua shumë shpejt si një aktor i madh në eksportet e veshjeve mjekësore, duke siguruar sasi të mëdha me çmime të ulëta këtë vit, ndryshe nga gjysma e parë e vitit 2020, kur furnizimet u çrregulluan.
Në aspektin e tregjeve globale, Shqipëria ka shanse të kthehet në përfituese, pasi i shkon për shtat më së miri kërkesës së re që kërkon furnizime të vogla dhe të shpejta, për të cilat tregjet aziatike nuk janë atraktive.
Të lodhur nga humbjet, që ka krijuar kursi i këmbimit dhe pandemia, eksportuesit shqiptarë, në vend që të investojnë në rritjen e vlerës së produkteve, po zëvendësojnë krahun e lirë të punës me punonjës të huaj nga Afrika, edhe pse prej tyre burojnë fitime më të pakta.
Ekspertët e shohin këtë tendencë me efekte të dyfishta. Përdorimi i fuqisë së huaj në sektorë me vlerë të ulët do të nxisë shqiptarët të angazhohen në sektorë që kërkojnë aftësi më të lartë. Alban Zusi thotë se gjithsesi, humbjet që mund të vijnë nga mungesa e prodhimit janë më të ulëta se një prodhim i dobët. Prodhimi gjithsesi shërben për të mbajtur klientët, pasi Shqipëria ka më shumë oferta për prodhim.
Punësimi i të huajve dekurajon rritjen e pagave
Eksperti Selami Xhepa pohon se importi i krahut të lirë të punës rrezikon të rrisë konkurrencën në sektorin e pagave. Por Jauri pohon se kontratat e punës janë me paga të njëjta si për shqiptarët. Duke pasur këtë mundësi zgjedhjeje, pagat për punonjësit shqiptarë rrezikojnë të mos rriten, e për rrjedhojë, kjo të shërbejë si një nxitje tjetër për emigracion.
Importi i të huajve po bëhet në kushtet kur Shqipëria ka një papunësi ende të lartë. Teksa ekonomia zgjerohet vit pas viti dhe forca e punës po tkurret, punësimi është rritur me terma më të përshpejtuar se vitet paraardhëse. Të dhënat nga Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) tregojnë se në periudhën 2010-2019, produktiviteti i punës në ekonominë shqiptare u rrit me 2.7%, ndërsa paga reale minimale, me vetëm 1.7%
Në vitin 2020, sektorët me peshën më të lartë të punësimit për vitin 2019 ishin aktivitetet e tregtisë me 24,3% të punësimit, sektori i shërbimeve të tjera (arsimi dhe shëndetësia private, shërbime administrative, profesionale, shkencore dhe teknike etj.) me 21,6%, të ndjekura nga sektori i industrisë përpunuese me 20,6% të të punësuarve gjithsej.
Shqipëria, me “përqindjen” më të lartë të të rinjve të papunë dhe dembelë
Në të gjithë Europën, Shqipëria ka normën më të lartë të të rinjve, të cilët nuk janë të punësuar dhe nuk po ndjekin shkollën apo ndonjë trajnim, me rreth 25% në vitin 2019. Viti i pandemisë e goditi më tej papunësinë sidomos në grupet e reja. Të dhënat e INSTAT tregojnë se në tremujorin e fundit të vitit 2020, humbën punën mbi 12 mijë e 600 të rinj (15-29 vjeç) në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2019.
Në fund të vitit 2020, INSTAT raportoi se ishin të punësuar 264 mijë e 300 të rinj, ndërsa në fund të vitit 2019, 276 mijë e 984 persona. Për të rinjtë e papunë, për shkak të pandemisë, eksperti Jauri thotë se, rrugëzgjidhje mbetet emigrimi në vende me të ardhura më të larta se Shqipëria. Ballkani Perëndimor, veçanërisht Shqipëria, po përjeton një valë emigrimi të grupmoshave të reja drejt vendeve të Europës Perëndimore.
Përtej përmirësimeve të qëndrueshme, Shqipëria përballet me sfida të rëndësishme në sigurimin e punësimit të sigurt dhe produktiv për të gjithë personat në moshë pune, nxitjen e produktivitetit më të lartë dhe sigurimin e integrimit në tregun e punës, të grupeve të cenueshme, veçanërisht të varfërve, grave, të rinjve dhe grupeve të tjera të pafavorizuara.
Si po tkurret forca e punës
Nga viti 2016 deri më 2020, popullsia në grupmoshën 15-64 vjeç u pakësua me 29 mijë persona, sipas të dhënave të INSTAT-it, që u referohen gjendjes civile. Nga ana tjetër, mbi 185 mijë persona që tani janë në moshën 60-64 vjeç, dalin në pension gjatë dy-tre viteve në vijim dhe rreth 206 mijë në dekadën e ardhshme. Popullsia në moshë pune dominohet nga popullsia mbi 55 vjeç. Emigracioni dhe rënia e numrit të lindjeve po shteron furnizimin e forcës së re të punës, fenomen që shihet me rrezik nga ekonomistët.
Ish-ministri e Financave, Arben Malaj, pohon se pa një mirëqeverisje me objektiva të qarta dhe të matshme mund të kemi rritje të flukseve migratore, nuk mund të kemi rritje të shpenzimeve dhe investimeve, por ndërkohë mund të rriten largimet/transferimet e bizneseve në vendet fqinjë, mund të ulet rritja ekonomike dhe të rritet papunësia e varfëria.
Forca e punës, përveçse në pakësim, ka përkeqësim cilësor që po vjen nga mospërshtatja e sistemit arsimor me nevojat e tregut të punës, ndërkohë që sipas të dhënave të INSTAT, rreth 30% e të rinjve të moshës 15-29 vjeç nuk janë as në punë dhe as në shkollë./MONITOR