Pasditen e 27 Shtatorit 2023, biznesmeni i ndërtimit Aleksandër Gavoçi, merr një mesazh në rrjetin “Telegram” të instaluar në celularin e tij: “Jam Erion Veliaj, më duhen 70 mijë euro!”.
Bosi i kompanisë “Vega” është treguar i gatshëm për të përmbushur këtë kërkesë të kryebashkiakut të Tiranës dhe i ka kërkuar mesazh-dërguesit nëse mund ta takonte në zyrën e tij.
Në përgjigje, i vjen mesazhi që nuk mund të takohen në zyrë, por Veliaj do të dërgoj dikë që të marrë shumën. Bashkëbiseduesit e vendosin që personi që do të marrë paratë, do të takojë Gavoçin një ditë më pas, në 28 shtator 2023.
Biznesmeni përgatitet të mbledhë shumën e kërkuar, duke dhënë një dëshmi të radhës se si ndërtuesit në Tiranë janë të gatshëm të plotësojnë kërkesat monetare të kryetarit të Bashkisë.
Megjithatë, Aleksandër Gavoçi, në një moment është kujtuar se, raste të tilla u kanë ndodhur edhe disa biznesmenëve të tjerë, të cilët në fund u kanë dorëzuar shumat e parave një grupi mashtruesish, të cilët përdorin emrat e zyrtarëve të lartë, kryesisht të Erion Veliajt.
Mesa duket, edhe mashtruesit e kanë kuptuar se, të flasësh në emër të Veliajt, është një mashtrim që ngjit lehtësisht tek biznesmenët e Tiranës.
Gjithsesi, pronari i kompanisë së ndërtimit “Vega” ka dyshuar se mund të ishte subjekt i një mashtrimi dhe ka njoftuar drejtuesit e Komisariatit nr.6 në Tiranë për ndodhinë.
Këta të fundit organizuan punën dhe arritën të gjenin dhe të arrestonin disa prej grupit të “mashtruesve”, në momentin që Gavoçi do t’u dorëzonte shumën e parave, të cilat, në fakt ishin copa letrash të vendosur në një çantë sportive.
Gjatë këtij operacioni policor u arrit të arrestoheshin Leonard Xhika, Mikel Panxhi, Xhonatan Xhaferri dhe Petro Ferzaj. Ndërkohë, lista e personave të dyshuar si të përfshirë në këtë skemë mashtrimi është më e gjatë, por ata ende nuk janë arrestuar.
“Jam Veliaj, më duhen 70 mijë euro”
Më datë 28.09.2023, është paraqitur pranë Komisariatit të Policisë nr.6 Tiranë shtetasi Aleksandër Gavoçi, i cili ka kallëzuar se ka në pronësi, është administrator i një subjekti, që merret me ndërtim, me emërtimin “Vega” shpk.
Në datë 26.09.2023, në rrjetin social “Telegram” i ka shkruar një numër i panjohur prej tij, që kishte shkruar emrin “Erion Veliaj”. Ky person, i cili i ka shkruar duke e përshëndetur, i thotë se donte ta takonte ndonjë ditë dhe se donte të bisedonte për diçka nga fundjava dhe Gavoçi i ka thënë se mund ta takonte kur të donte.
Një ditë më pas, në date 27 Shtator, rreth orës 19:50, i ka shkruar sërish ky kontakt duke e pyetur nëse i mbaronte dot një punë të nesërmen, duke i thënë se një mikut të tij i nevojiteshin 70 euro (duke nënkuptuar 70.000 euro) dhe se mund të rregulloheshin në një vend tjetër. Gavoçi e ka pyetur se kur i donte dhe bashkëbiseduesi “Veliaj” i ka thënë se i donte nga dreka.
Më pas, biznesmeni Gavoçi i ka thënë “Erion Veliajt” se do t’ia dërgonte lekët të ai (duke nënkuptuar zyrën e Kryetarit të Bashkisë). Komunikuesi i ka thënë se nuk i donte lekët tek zyra, por do shkonte t’i merrte një person.
Të nesërmen, Gavoçi i ka kërkuar personit të etiketuar si “Veliaj” që t’i dërgonte një numër kontakti për personin që do të merrte shumën e parave dhe të mos vonohej shumë, pasi biznesmeni do të lëvizte për në Vlorë.
Në vijim, Gavoçin e ka marrë një numër telefoni, +355692191808, duke i thënë se ishte tek lokal “Piro Lala” në Lushnje duke i thënë se do të merrte “porosinë”. Por kallëzuesi i ka kërkuar këtij personi që të vinte të biznesi i tij pranë “Cassa Italia”, Tiranë.
Rreth orës 13:05 e ka telefonuar përsëri, duke i thënë të dilte se ishte të parkimi i “Casa Italias”. Shtetasi Aleksandër Gavoçi, ka qenë aty duke pritur për personin që e mori në telefon, në shoqërinë e mikut të tij Kreshnik Çupi, dhe në një moment, afrohet një person i shëndoshë, qeros, i cili kishte veshur një bluzë marinari dhe pantallona të shkurtra.
Ky i fundit i ka folur, duke i thënë se kishte ardhur për të marrë “porosinë”, ndërsa biznesmeni i ka thënë se “porosia” ndodhej në makinë, ku në pjesën e pasme të makinës kishte një çantë të cilën e kishte mbushur me letra.
Në këtë moment, personi ka zgjatur dorën për ta marrë dhe miku i biznesmenit, Çupi, e ka kapur për dore, duke e ndalur dhe duke i thënë të futej brenda të numëronte lekët.
Në këtë moment, “postieri” ka zgjatur edhe njëherë dorën për të marrë çantë dhe të largohej por Aleksandër Gavoçi dhe miku i tij e kanë mbajtur aty që mos largohej.
Gjatë kësaj kohe, tek dera hyrëse e biznesit, qëndronte një person, i cili kryente veprime të dyshimta dhe shoqëronte personin në fjalë me sy dhe ishte i interesuar për biznesin e tij.
Ai i ka thënë personit që të komunikonte me emrin Erion Veliaj, duke i thënë se ja ka dhënë paratë dhe ai i ka kthyer përgjigje, duke i thënë se “e falënderonte”.
Aleksandër Gavoçi ka deklaruar para oficerëve të Policisë Gjyqësore se, me personat në fjalë (pra me “postierin” dhe shoqëruesin e tij), nuk ka njohje të mëparshme, por thotë se një “marifet” i tillë i është bërë para 2 vitesh, kur disa persona kanë tentuar ta mashtrojnë për një shumë parash.
Ndërkohë, shoqëruesi i Gavoçit, shtetasi Kreshnik Çupi, deklaroi para punonjësve të Policisë se është drejtor i Përgjithshëm i shoqërisë “Vega” sh.p.k, dhe se ishte informuar nga pronari i shoqërisë se në telefonin e tij, në aplikacionin Telegram, i vinin mesazhe në emër të Erion Veliaj.
Rreth orës 13:00 kanë shkuar së bashku përballë Casa Italia ku kanë qëndruar dhe ndërkohë kishin njoftuar shërbimet e Komisariatit të Policisë nr.6 Tiranë, dhe në një moment është afruar një taksi ku ka zbritur në tokë një burrë rreth 40 vjeç, me trup të shëndoshë i pa njohur i cili kontaktonte në telefon gjatë gjithë kohës dhe u afrua duke thënë se do merrte porosinë, në këtë moment ka ndërhyrë policia dhe u bë kapja e tij.
Deklaratat e taksistit
Në funksion të hetimeve u pyet Stefan Kurti, i cili deklaroi se është i vetëpunësuar si taksist dhe banon në qytetin e Elbasanit, dhe se ditën e sotme ka dalë normalisht në punë pranë muzeumit.
Shtetasi Leonard, të cilit mbiemrin nuk ja di, në facebook i identifikuar me username Leo, e kontakton me një telefonatë nëpërmjet rrjetit social Messenger, rreth orës 11:00, duke pyetur nëse mund të iknin deri në Tiranë, i është përgjigjur se ishte i lirë dhe se do ta çonte.
Janë nisur për Tiranë dhe rrugës i ka thënë se do të ndalonin të zyrat e firmës “Shkodra beton” për të marrë një zarf. Rreth orës 12:00 kanë arritur në Astir, të rrethi. Leonardi ka dalë nga makina për të folur në telefon, më pas ka hyrë në makinë dhe i ka thënë të drejtoheshin drejt Casa Italias, ku i ka thënë të presë në makinë. Më pas Leonardi ka ecur në drejtim të “Ish-Doganës” dhe pas pak kohe është kthyer në këtë moment ka ndërhyrë policia. Shtetasi Stefan Kurti, sqaron se Leonardin e njeh prej 1 vit e gjysmë, pasi i ka ofruar shërbimin taksi.
Arrestimi i Leonardit
Situata është mbajtur nën monitorim dhe veprime policore të ngutshme, nisur nga situata konkrete, ku referuar procesverbalit të kapjes në flagrancë përpiluar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë nr.6 Tiranë, rezulton se:
Rreth orës 14:00, është organizuar puna policore, dhe është shkuar në vendin e quajtur stacioni i autobusit “Casa Italia” ku ka ardhur një taksi me targë AB 373 T, ku prej saj ka zbritur një person i shëndetshëm me bluzë të bardhë dhe është afruar pranë automjetit të shtetasit Aleksandër Gavoçi, dhe ka tentuar të marrë paratë nga automjeti i tij, dhe në këtë moment është ndaluar dhe konfliktuar me shtetasin Aleksandër Gavoçi, ku është bërë menjëherë ndërhyrja dhe është ndaluar shtetasi Leonard Xhika.
Gjatë kontrollit personal të këtij shtetasi ju konstatua dhe një qese transparente me në brendësi të pluhur të bardhë më lëndë të dyshuar narkotike kokainë. Personi shoqërua për veprime të mëtejshme procedurale në Komisariatin e Policisë nr.6 Tiranë.
“Loja” e policisë
Ndërkohë, forcat e Policisë kryen edhe një “lojë” me telefonin e Leonard Xhikës. Pasi sekuestruan aparatin telefonik, oficerët zbuluan biseda, si edhe kuptuan se skema ishte në vijim, pasi persona të tjerë prisnin telefonatën e Leonard Xhikës, pasi ky i fundit të kishte marrë paratë nga Gavoçi.
Në këto kushte, si edhe për të zbuluar të gjithë personat e përfshirë në këtë mashtrim, punonjësit e policisë komunikuan me individët e tjerë nga telefoni i Leonardit dhe duke u hequr sikur ishte ky i fundit.
Plani i mashtrimit
Është proceduar me këqyrjen e celularit të shtetasit Leonard Xhika, nga e cila rezultoi se në aplikacionin “Telegram”, vihen re bisedat e zhvilluar me llogarinë “Don Vito” me username “Xhensil123”, i identifikuar prej shërbimeve të policisë gjyqësore, si llogari e përdorur nga shtetasi Xhensil Qefa.
Në këtë bisedë vihet re se shtetasi Xhensil Qefa, e udhëzon shtetasin Leonard Xhika që të marri takim me shtetasin Aleksandër Gavoçi, tek “Shkodra Beton”.
Fillimisht e udhëzon që ta telefonojë dhe t’i thotë që të takohen të “Piro Lala” në autostradë më pas i thotë të shkojë të “Shkodra Beton” dhe të gjejë një lokal aty pranë dhe t’i thotë shtetasit Aleksandër Gavoçi që të vinte dhe ta takonte në lokal.
Më pas, Xhensili e udhëzon Leonardin që telefonin njëpërdorimësh që ai i kishte mundësuar, ta hidhte së bashku me numrin. Në biseda ai i bën me dije se do të merrte një shumë prej 20.000 eurosh ku 3.000 euro do ti mbante Leonardi, ndërsa pjesë tjetër Xhensili.
Më pas në bisedë vihet re se Xhensili i bën me dije se, nga shuma e lekëve që kishte marrë i thotë se 35 euro (duke nënkuptuar 35.000 euro) do ja jepte vëllait të Marios (i identifikuar me vone si Mikel Panxhi, ndërsa 20 euro (duke nënkuptuar 20.000 euro) do tja jepte Xhonit (i identifikuar me vonë si Xhonatan Xhaferri).
Në bisedat më të hershme që kanë shkëmbyer prej këtyre personave në Instagram, vihet re një foto e shtetasit Xhensil Qafa të cilën ja kishte dërguar Leonardit. Ndarja e parave do të bëhej në banesën e shtetasi Leonard Xhika dhe ndaj në këto kushte u organizua shërbimi dhe u shkua të banesa e shtetasit Xhikës.
Në momentin që vajtën në banesë, është paraqitur shtetasi Xhonatan Xhaferi, i cili pranoi se do të merrte një shumë parash nga Leonard Xhika.
Në harkun kohor prej 5 minutash është paraqitur shtetasi Mikel Panxhi, ku dhe ky shtetas pranoi që do të merrte një shumë parash cash nga Leonardi.
Hyn në lojë “Don Vito”
Nga komunikimi i shtetasit Xhonatan Xhaferri, me një shtetas të quajtur “Don Vito” në rubrikën Instagram, ku shtetasi Xhonatani e njeh me emrin Xhensil Qefa, ky i fundit e udhëzon që një pjesë të këtyre parave, do të ja jepte një personi që do ta telefononte.
Në telefonin e Xhonatan Xhaferrit telefonon një person, i cili e le të takohej me të në hyrjen e fshatit Shushicë, Elbasan, për të marrë porosinë e Xhensilit. Nga ana e shërbimeve të policisë është ndaluar në vendin e takimit u ndalua shtetasi Petro Ferzaj.
Ndërkohë nga ana e shërbimeve të policisë, u bë shoqërimi i këtyre shtetasve në ambientet e Komisariati të Policisë nr.6 Tiranë.
“Çunat” flasim për “skemën”
Në deklarimin e tij shtetasi Leonard Xhika ka theksuar se prej disa kohësh ka njohur në Elbasan shtetasin Xhensil, mbiemrin të cilit nuk ja di, por kanë raporte shoqërore prej disa kohësh.
Para rreth 2 muajsh, Xhensili në dijeninë e tij ikën në Gjermani, por ata vazhdonin kontaktet në rrjetin social Instagram dhe konkretisht me adresën “Don Vito”. Para rreth 3-4 ditësh Xhensili i thotë nëse kishte mundësi t’i bënte një nder dhe ti marrte një porosi në Tiranë, pasi ai e kishte të pamundur të vinte në Shqipëri, dhe ai i ka thënë në rregull.
Një ditë më vonë, një djalë të vogël i ka sjellë Leonardit një cellular, me të cilin do të kontaktone personin që do t’i merrte porosinë.
Në date 28 shtator 2023, rreth orës 10-11 paradite, e kontakton Xhensili dhe i thotë që të shkonte të merrte porosinë. Leonardi ka rënë dakord dhe është nisur për në Tiranë.
Kur ka ardhur në Tiranë, sikurse shprehet, ka kontaktuar numrin e celularit 069xxx999, që rezultoi të ishte shtetasi Aleksandër Gavoçi dhe pasi e ka takuar të “Casa Italia”, Tiranë, ku ka ndërhyrë policia, që e kanë shoqëruar.
Shtetasi Leonard Xhika shton se porosia ishte një shumë prej 20.000 eurosh, ku Xhensili i kishte thënë se 3.000 mijë do i merrte ai dhe më pas 17.000 euro do t’i merrte tjetër person. Por nuk kishte dijeni se përse ishin paratë.
Në deklarimin e tij shtetasi Xhonatan Xhaferi ka theksuar se ditën e arrestimit ka shkuar pranë banesës së shtetasit Leonard Xhika, pasi i ka shkruar shtetasi Xhensil Qefja në rrjetin social Instagram me mbishkrimin “Don Vito’ me username xhensil123 dhe i ka thënë që të shkonte deri në Elbasan të merrte një shumë parash për Xhensilin se ai ndodhej në Europë dhe nuk ndodhej në Shqipëri. Nga shuma e parave, 10.000 euro do t’ia jepte një shtetas me pseudonim “Vlora” dhe 10.000 euro do i çonte në banesë.
Në deklarimin e tij, shtetasi Petro Ferzaj shprehet se ditën e ngjarjes e ka telefonuar motra e tij e quajtur Shefiko, e cila i ka kërkuar që të shkonte deri në Elbasan për të marrë një porosi të autobusët apo fugon e kishte të paqartë, pasi kishte nipi për të marrë një porosi.
Kur ka shkuar në Elbasan është lidhur me numrin e celularit 068xxxx11, numër që i përket shtetasit Xhonatan Xhaferi, i cili i ka thënë në telefon se ku ndodhej që të shkonte dhe t’i jepte porosinë.
Ai i ka thënë se po e priste në një kryqëzim jashtë Elbasanit, por nuk orientohej dot mirë për t’jua shpjeguar në këtë moment kanë ardhur shërbimet e policisë që e kanë shoqëruar.
Në deklarimin e tij shtetasi Mikel Panxhi se ditën e sotme i ka thënë vëllai i tij Mario, që të shkonte të merrte një shumë parash të cilat ja kishte borxh një shtetas i cili rrinte në Gjermani.
Vëllai e ka adresuar që të lidhej me shtetasin Leonard Xhika dhe i ka thënë që bëhej fjalë për shumën e 35.000 eurove. Kur ka shkuar në banesën e këtij shtetasi e kanë shoqëruar shërbimet e policisë.
Është proceduar me këqyrjen e sistemit TIMS për shtetasin Xhensil Qefa nga e cila rezultoi se ky shtetas është brenda territorit të Shqipërisë, mirëpo nga deklarimet e shtetasve të sipërpërmendur por dhe nga informacionet operative rezulton se Xhensili ndodhet në Gjermani.
Të gjithë personat e kapur që ditën e parë gjenden aktualisht nën masën e sigurimit “arrest me burg”, e cila u konfirmua ditët e fundit edhe nga Gjykata e Apelit.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post