Ujësjellësi i Durrësit është ujësjellësi i dytë më i madh në Shqipëri pas Tiranës dhe kompania që i shërben qytetit të dytë më të madh në vend me ujë të pijshëm dhe heqje të ujërave të zeza.
Sipas të dhënave të bilancit të vitit 2022, ujësjellësi i Durrësit ka 16.2 miliardë lekë borxhe [afërsisht 160 milionë euro] dhe 13.3 miliardë lekë asete [130 milionë euro].
Me pak fjalë, tubat, ndërtesat, impiantet, karrigia e drejtorit, lekët në bankë e të tjera si këto, të gjitha bashkë, vlejnë 130 milionë euro. Por kompania ka 30 milionë euro më shumë se sa kaq detyrime për të shlyer.
Pas publikimit të lajmit mbi gjendjen e bilancit, fillimisht në revistën Monitor, një zyrë e qeverisë e quajtur AKUM (Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetejeve), deklaroi se situata në Durrës nuk është “faliment”, por riorganizim.
“Ky proces ka konsistuar në agregimin e 61 ish-shoqërive në varësi të bashkive të vendit dhe krijimin e 15 shoqërive të reja, ku secila bashki është sërish aksionere, por tashmë së bashku me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, që është aksionerja kryesore me 51%,” thuhej në sqarim. AKUM nuk bëri të ditur në deklaratën e saj se nga do të dalin paratë për të paguar detyrimet.
Situata me ujësjellësit nuk është as e re dhe as e izoluar në Durrës.
Anekënd vendit, ujësjellësit janë në gjendje katastrofale financiare me humbje të vazhdueshme, të cilat kanë gërryer nga kapitali themeltar, në shumë raste duke e çuar atë në zero.
Të dhënat e bilanceve të kompanive kryesore të ujësjellësve dhe kanalizimeve, të analizuara nga BIRN, tregojnë se me përjashtim të ujësjellësve Tiranë dhe Shkodër, kompanitë e tjera janë me humbje dhe të zhytura në borxhe. Situata nuk është diçka e papritur, ajo është akumuluar përgjatë viteve.
Për shembull, Ujësjellës Kanalizime Durrës, pati gjatë vitit të kaluar 1.46 miliardë lekë të ardhura dhe 2.48 miliardë lekë shpenzime, me rezultat neto prej mbi 1 miliardë lekë humbje, ose afro 10 milionë euro. Në vitin 2021, kompania pati rreth 535 milionë lekë humbje e më 2020, 256 milionë. Më 2019, humbjet ishin 550 milionë. Kompania shënoi fitime për herë të fundit në vitin 2018. Dhe megjithëse prej katër vitesh me humbje të mëdha, kompania nuk duket se është shqetësuar shumë për të reduktuar kostot apo për të rritur të ardhurat.
Humbjet e vazhdueshme nuk duket të kenë shkaktuar ndonjë shqetësim për administrimin dhe as për Bashkinë e Durrësit, e cila është pronare e kompanisë.
Humbjet financiare
Bilancet e kompanive që ofrojnë shërbimin e furnizimit me ujë dhe të heqjes së ujërave të zeza në qytetet Durrës, Vlorë, Lezhë, Elbasan, Fier, Korçë, Berat-Kuçovë, Kavajë, Pogradec e Kukës, të cilat përfshijnë një pjesë të konsiderueshme të popullsisë, flasin për humbje totale prej 1.9 miliardë lekësh [19 milionë euro] për vitin 2022. Të njëjtat kompani kishin humbje në masën 936 milionë lekë për vitin 2021.
Rritja drastike e humbjeve në ujësjellësit kryesorë të vendit duket se e shtyu qeverinë që të vendosë një “riorganizim”, por mbetet për t’u parë nëse ky riorganizim synon me të vërtetë një plan konkret për të ndryshuar situatën e rënduar prej vitesh.
Ajo që shihet sakaq nga gjendja e bilanceve të kompanive është që dhjetë ujësjellësit e sipërpërmendur kishin më 2022 asete me vlerë 51.4 miliardë lekë dhe detyrime me vlerë 50.7 miliardë lekë. Kapitali aksioner i mbetur pas humbjeve shumëvjeçare prej 695 milionë lekësh përbën vetëm 1.4% të totalit të aseteve. Kjo do të thotë se aftësia e këtyre bizneseve për të absorbuar humbje është e papërfshillshme dhe se normalisht, qeverisë qendrore do t’i duhet të fusë dorën në xhepin e taksapaguesve për t’i nxjerrë këto kompani nga bataku.
Situata është e ngjashme me kompanitë e qyteteve Kamëz, Lushjë e Sarandë, të cilat u analizuan veçmas për shkak se nuk kanë publikuar bilanc për vitin 2022. Të dhënat e vitit 2021 tregojnë se këto tre ujësjellësa bashkë patën humbje në masën 406 milionë lekë ose afro 4 milionë euro.
Tirana dhe Shkodra
Ujësjellës-Kanalizime Tiranë dhe UK Shkodër duket se janë të vetmet kompani që nuk kanë telashe të tilla ekzistenciale. Tirana, kompania më e madhe në vend, të ardhurat e së cilës zënë më shumë se gjysmën e sektorit në rang kombëtar, ka qenë historikisht një kompani me fitim, gjë që duket se vjen si pasojë e faktorëve natyrorë.
Ujësjellësit e Tiranës janë me rrjedhje të lirë ndërsa densiteti është i lartë, duke i mbajtur kostot e ulëta. Në vitin 2022, qytetarët e Tiranës paguan 4.5 miliardë lekë për ujë dhe heqje të ujërave të zeza, ndërsa kompania mbylli vitin me 994 milionë lekë fitime.
Megjithatë, ujësjellësi i Tiranës vijon të mos sigurojë furnizim me ujë të pijshëm, aq sa vetë bashkia e Tiranës ka hapur në një rast tender për të blerë ujë të ambalazhuar për punonjësit e vet.
Humbjet në rrjet, të cilat shkaktohen nga mungesa e kontrollit mbi rrjetin dhe lidhjet e paligjshme, janë, sipas vlerësimit të vetë kompanisë të raportuar në Entin Rregullator të Ujit, 60% e ujit të hedhur në rrjet. Me një fjalë, për çdo 1 metër kub ujë të marrë nga burimet, 600 litra humbasin rrugës, ndërsa 400 litra paguhen nga konsumatori. Pavarësisht kësaj, paratë që qytetarët paguajnë për furnizim me ujë jocilësor, mjaftojnë për të mbuluar humbjet në nivele të tilla si dhe për të siguruar fitime. Ujësjellës Kanalizime Tiranë është gjithashtu një nga rastet unike në vend në të cilat, një kompani nën pronësi publike ka hyrë nën hetim nga Autoriteti i Konkurrencës për abuzim me pozitën dominuese. Hetimi i disa viteve më parë erdhi pas kërkesës së kompanisë në ERRU për të rritur tarifën e ujit, pa dhënë ndonjë shpjegim se për çfarë nevojitej kjo rritje, por me një premtim të përgjithshëm që, në vitin 2021, kompania do të siguronte furnizim me ujë 24 orë.
Shkodra është kompania tjetër me bilanc financiar të qëndrueshëm. Administrata e re e bashkisë Shkodër nuk e ka depozituar bilancin e vitit 2022 brenda afatit, sipas detyrimit ligjor, ndërsa bilanci i vitit 2021 tregon se kompania kishte shpenzime të balancuara me të ardhurat. Kapitali aksioner i kompanisë prej 1.6 miliardë lekësh është i barabartë me 25% të totalit të aseteve, të cilat ishin 6.5 miliardë lekë.
Rrjedhje të lira në rrjet
Problemet e UK Durrës, përveç keqadministrimit të dukshëm, lidhen edhe me një problem fizik. Durrësi nuk ka burime ujore afër, siç është rasti i shumicës së qyteteve të tjera shqiptare e për rrjedhojë, uji nxirret me puse arteziane në zonën e Fushëkuqes, 44 kilometra më larg, për t’u transportuar në depo me tubacione para se të shpërndahet te konsumatori. Ngritja e ujit nga nëntoka dhe pompimi i tij drejt konsumatorit i sjell kompanisë një faturë të konsiderueshme të energjisë elektrike. Kjo është një situatë shumë e ndryshme me qytete të tjera, si, fjala vjen, Tirana, ku uji vjen nga mali, kalon në tubacione me rrjedhje të lirë, përdoret rrugës për të prodhuar energji elektrike para se të shpërndahet te konsumatorët pa pasur nevojë për pompa elektrike për ta vënë në lëvizje. Por fatura më e rëndë për Durrësin, si dhe për të gjithë vendin, duket se nuk vjen vetëm nga vështirësia e sigurimit të ujit, por edhe nga mosmenaxhimi i kompanive dhe lejimi i humbjeve masive në rrjet. Sipas të dhënave të Entit Rregullator të Ujit, gjatë vitit të kaluar, 77% e ujit të furnizuar në Durrës humbi në rrjet, nga defektet apo nga vjedhjet, ndërsa pjesa tjetër prej vetëm 23% u pagua nga konsumatorët. Me pak fjalë, kompania duhet të ngrejë me pompa nga zona e Fushëkuqes dhe të transportojë për në Durrës një metër kub ujë, për të shitur dhe arkëtuar realisht vetëm 230 litra.
Në vitin 2016, kompania mori një kredi nga Banka Botërore bashkë me asistencën teknike se si mund të zgjidhej situata. Zgjidhja ishte e dukshme. Nëse ulen humbjet, sasia e energjisë elektrike e nevojshme për të transportuar ujin nga larg reduktohet. Nëse humbjet reduktohen nga, 77 në 50%, atëherë konsumi i energjisë elektrike përgjysmohet. Nëse reduktohen nga 77 në 25%, konsumi i energjisë elektrike bie me dy të tretat. Vetëm se që nga viti 2016, humbjet nuk janë ulur, fatura e energjisë elektike është shtuar dhe kostot e tjera të kompanisë, përfshirë paga për punonjësit që duhet të identifikojnë dhe eliminojnë rrjedhjet apo lidhjet e paligjshme, janë shtuar gjithashtu.
Ujësjellësit e tjerë kryesorë të vendit janë në gjendje të ngjashme, ndonëse përmasat e tyre janë më të vogla. Ujësjellësi i Vlorës mbylli vitin e kaluar me 340 milionë lekë (3.4 milionë euro) humbje. Në vitin 2021, kompania pati humbur 244 milionë lekë. Humbjet vit pas viti të akumuluara kanë bërë që kompania të ketë 8.3 miliardë lekë asete dhe 8 miliardë lekë detyrime, me një levë financiare (kapital aksioner në raport me asetet) prej vetëm 3%, duke marrë në këtë mënyrë drejtimin e Durrësit. Sipas të dhënave të Entit Rregullator të Energjisë, në Vlorë humbet 76% e ujit të furnizuar në rrjet, ndërsa kompania ka gati 4 punëtorë për çdo njëmijë lidhje në rrjet.
Elbasani është qyteti tjetër ku ujësjellësi humbet gati 70% të ujit të furnizuar, ndërsa kompania mbylli vitin 2022 me 251 milionë lekë humbje (afro 2.5 milionë euro). Me humbje është edhe ujësjellësi i Fierit, (191 milionë lekë), ai i Berat-Kuçovë, (140 milionë lekë) apo ai i Kavajës, (139 milionë lekë). Në të treja këto raste humbjet janë përkatësisht 70, 54 dhe 54%.
Shqipëria është vend shumë i pasur me burime ujore, të vlerësuara në rreth 9,500 metra kub pë frymë. Megjithatë, sipas të dhënave të ERRU, 22% e popullsisë nuk shërbehet me ujësjellës publik, ndërsa 56% nuk shërbehet me shërbimin e heqjes së ujërave të zeza, gjë që do të thotë se i derdhin ku të munden.
Nga ana tjetër, edhe 54% i popullsisë që ka shërbim të heqjes së ujërave të zeza nuk shërbehet në pjesën më të madhe me impjante të përpunimit të këtyre ujërave, duke i derdhur ato drejtpërsëdrejti në lumë. E tillë është situata edhe për kryeqytetin, ku një impjant që duhej të përpunonte ujërat ka një dekadë që ka ngecur, ndërsa bashkia nuk ka dhënë ndonjë informacion se çfarë po ndodh me të./ BIRN
Discussion about this post